Europa është një fakt politik dhe kulturor

Nga Ndue Ukaj

Europa nuk është vetëm konceptet gjeografik dhe politik, siç pretendohet të vlerësohet kuturu në kontekstin tonë. Europa para se gjithash është koncept kulturor. Është stil jete.

Ndaj, Europën nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për ta humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim.

Shkrimtari Umberto Eco shkruante se këmbimet kulturore, kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në ndërtimin e asaj çfarë është sot Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar mendon se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga kontinentet tjera, dhe ky kohezion dhe kjo përmbajtje, ndërlidhen me identitetin e saj kulturor.

Është thënë shpesh se në historinë e mendimit europian, karakteristikë e përhershme ka qenë ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë. Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.

Pra, ne, ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit politik me Unionin Europian duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t’ i qartësuar mosmarrëveshjet tona dhe kuruar veset kombëtare. Kultura e dialogut si mendësi dhe stil jete. Solidariteti dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e njeriut.

Të kujtojmë se Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale”.

Koha ka dëshmuar se nuk mjaftojnë parullat, llomotitjet dhe retorika proeuropiane për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije dhe dashuri vepruese për Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të vlerave tona të përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e përkatësisë së përbashkët.

Sot në Ditën e Europës dhe çdo ditë të rrugëtimit tonë politik, ne nuk duhet të bëhemi të marrë dhe ta sajojmë një Europë sipas dëshirave tona, një Europë që iu përshtatet ambicieve tona, standardeve tona, kërkesave tona. Sepse, kjo Europë është ireale. Është groteske dhe mund të jetë e dobishme vetëm për ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço Panços së tij, që luftojnë me mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të thirrur për të çliruar njerëzimin nga të ligat dhe padrejtësitë.

Europa është një fakt politik dhe kulturor, me kriza e përpljasje, por me një prirje politike që admirohet nga krejt planeti ynë. Me një ekonomi të fuqishme, të cilën e aspiron krejt bota.

Në thelbin e vet, siç është thënë, është një prirje shpirti, ndaj, siç porosiste Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të përbashkëta.

Në këtë ditë të Europës, në vend se të gulçojmë e të gërvallemi, më mirë të rikujtojmë At Zef Pllumin e mençur.

“Secili shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.” 5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”, kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet vedit.”

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube