Filozofi që nuk e harroi kurrë gjuhën e babës

0

Nga Blerim Latifi

Kur Kongresi i Manastirit kishte vendosur që për shkrimin e gjuhës shqipe të përdorej vetëm alfabeti latin, në Stamboll kishte shpërthyer një reaksion i madh kundër këtij vendimi. Qeveria e xhonturqve kishte filluar një fushatë agresive për ta kundërshtuar alfabetin latin dhe imponimin e alfabetit arab për shqipen e shkruar. Fatkeqësisht kësaj fushate i ishin bashkuar edhe shumë shqiptarë. 14 deputetë shqiptarë në parlamentin osman kishin nënshkruar një peticion kundër alfabetit latin dhe pro atij arab. Për më tepër qeveria osmane kishte mobilizuar rrjetin e ulemave në katër vilajetet shqiptare për të njëjtin qëllim. Në ato ditë, një intelektual që gëzonte një reputacion të madh në qarqet politike dhe kulturore të kryeqytetit osman, do të ngrihej fuqishëm në mbrojtje të vendimeve të Kongresit të Manastirit. Ai quhej Riza Tefik Bylykbashi.

I lindur në një familje shqiptare në Bullgari, ai do të fillonte shkollimin në një shkollë hebraike dhe pastaj pasioni i madh për diturinë do ta shpinte në shkolla të tjera europiane ku ai mori gradime në mjekësi dhe filozofi. Në Stamboll ai njihej me emrin filozofi, për shkakun se dominonte në diskutimet për çështje filozofike. Ai fliste e shkruante në shumë gjuhë, por kurrë nuk e harroi origjinën e tij etnike dhe gjuhën shqipe. I mbështetur në literaturën më shkencore të kohës, ai do të ngrihej publikisht kundër politikës osmane që donte të impononte alfabetin arab për shkrimin e shqipes. Shqipja, argumentonte ai, i përket familjes së gjuhëve indo-europiane dhe ajo nuk ka asnjë lidhje me arabishten, prandaj imponimi i alfabetit arab për të është i destinuar të dështojë, ndërsa alfabeti latin në të gjitha pikëpamjet linguistike i përshtatet natyrshëm shqipes.Shqipja ose shkruhet me germa latine, ose nuk shkruhet fare.

Rizah Tefik Bylykbashi u kritikua ashpër për këtë qëndrim, por ai nuk u tërhoq. Madje ai u thoshte kritikëve të tij se nuk është e largët dita kur edhe vetë turqit do të detyrohen ta adoptojnë alfabetin latin për gjuhën e tyre dhe ky parashikim vërtet do të përmbushej shumë shpejtë nga qeveria e Kemal Ataturkut.

__________

Gjukanoviçi paska deklaruar se Serbia po synon të marrë Malin e Zi dhe Republikën Serbe të Bosnjës, si kompensim për humbjen e Kosovës. Ka një bazë historike ky paralajmërim. Siç e shpjegon Oliver Jens Schmitt në librin e tij “Ballkani në shekullin XX”, programi themelor ekspansionist i nacionalizmit serb ka qenë i orientuar vetëm në drejtim të Bosnjës dhe Malit të Zi dhe dalja në det përmes tyre, por kur iu bë e qartë se ato territore do të bëheshin pjesë e zgjerimit austrohungarez në Ballkan, projekti nacionalist serb u orientua drejt Kosovës dhe daljes në det përmes Shqipërisë. Atëherë Serbia e shihte Kosovën si kompensim për humbjen e Bosnjës dhe Malit të Zi.

Dikush mund të thotë se tash jetojmë në rrethana të tjera, por ky është vetëm një mendim i optimistëve naivë që shohin ëndrra me sy hapur. Vetë fakti se shtetet i janë kthyer hapur garës së armatimeve na tregon se askush më nuk beson në strukturat ndërkombëtare të sigurisë. Kjo do të thotë se secili komb duhet të fillojë të kujdeset për veten e tij. Dhe ky kujdes e ka vetëm një emër: nacionalizëm.

__________

Biden duket se po trumpizohet! Pasi tërhoqi ushtrinë amerikane nga Afganistani pa menduar fare se çfarë do të thonë europianët, Biden pa humbur kohë ka ngritur një aleancë të re, Paktin trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Sigurisht francezëve dhe gjermanëve do t’u fillojnë menjëherë dhimbjet e kokës. Me gjasë britanikët ia kanë dalë t’i bindin amerikanët se nuk duhet humbur edhe më tutje kohë me Bashkimin Europian, i cili ka dështuar që nga një gjigant ekonomik të bëhet edhe një gjigant politik.

Çfarë duhet të bëjnë Kosova dhe shqiptarët në këtë lojë të madhe?

Sigurisht të lidhen edhe më fort pas qerres amerikane dhe t’i mbajnë sytë hapur për të mos e thyer qafën në turbulencat e Perëndimit të përçarë.

__________

Sot gjëja ma e lehtë në botë është të bësh një fushatë atraktive elektorale. Në treg ka pafund kompani të PR. Mjafton të paguash mirë njërën prej tyre dhe brenda një nate, edhe në qoftë se je një debill, të nesërmen ke për t’u dukur politikani më i mençur dhe njeriu me të gjitha virtytet e mundshme.

Ne jetojmë në epokën e fotoshopit, në epokën e fabrikimit masiv të imazheve të rrejshme për gjithkënd dhe për gjithçka. Dhe aq i madh është invazioni i këtyre imazheve të rrejshme, saqë të duhet mund i madh mendor që të jesh në gjendje të bësh dallimin e tyre prej realitetit.

Zakonisht njerëzit përtojnë t’i shqyrtojnë në mënyrë kritike imazhet e rrejshme të fotoshopit politik, disa edhe nuk e kanë formimin nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë, prandaj, si rezultat, ata i gëlltisin ato masivisht.

E vetmja mënyrë për ta zbutur disi hegjemoninë e fotoshopit politik mbesin debatet e hapura politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok