Flet aktori dhe regjisori Mark Topollaj: Si më shpëtoi Kol Jakova nga Ramiz Alia

0

-Kur konkurova për aktor në juri ishin Çefranova (Ruse) së bashku me Xhemal Broja, Andrea Malo.

-Recitimet para Çu En Lait me Roland Trebickën, më bën me kostum, se isha me pantallona të grisura

-Thoma Deliana, Kristaq Rama dhe Abdyl Këllezi më ndihmuan në kohë të vështira

– Tek filmi “Komisari i Dritës”, Fadil Paçrami ma heq mua rolin kryesor dhe ja jep Rikard Ljarjes.

Nga Albert Z. ZHOLI

Mark Topollaj ka lindur më 18 gusht 1937 në Rrëshen, në rrethin e Mirditës. Jeta e tij dhe kontakti me artin skenik është e karakterizuar me ngjarje dhe kthesa të pabesueshme. Duke pasur parasysh se në atë zonë mineralet janë pjesë e jetës së vendalinjve, studioi për teknik gjeolog. Gjeologjia ishte profesioni më i dashur për mirditorët e asaj kohe. Kurrë nuk e shkonte ndërmend se mund të bëhej aktor aq më tepër regjisor. Por në Rubik, ai rastësisht mori pjesë në një shfaqje drame nga klasa punëtore me një rol të vogël. Në shfaqje kishte dhe shumë inxhinierë dhe specialistë rus, por dhe mësues dhe intelektualë nga fshatrat përreth. Kjo dramë bëri që atë ta nxitnin të mirej me aktrim dhe të konkurronte. Ishin dashamirësit e artit të Rubikut që e lavdëruan për rolin dhe  i thanë me zemër se rruga e tij e jetës do të ishte arti, aktrimi dhe jo gjeologjia.

Një nga pengjet e tua ka ngelur mos realizimi i skenarit për revoltën e Spaçit, përse bën fjalë ky skenar?
E the drejtë, ky film është pengu im se ka vite që punoj dje ka vite që kërkoj mbështetje financiare por më kot. Skenari bën fjalë për revoltën në burgun e Spaçit, ku prezantohet preludi i degradimit komunist. Historia e kësaj utopie në Shqipëri shihet në panoramën e eliminimit të mijëra njerëzve të thjeshtë, intelektualë dhe artistë që kishin kuraje të shprehnin mendimin e lirë. Ky fakt interpreton mendimin tragjik të një realitetit të pashembullt në hapësirën kohore jo larg nesh. Për mendimin tonë ky skenar hap një dritare për të parë të vërtetën jo të largët dhe nis rrugën e investigimit të kësaj epoke. Për epokën e komunizmit ai shprehet me realizmin e imagjinatës, por i përgjigjet realitetit me reagimi të forta psikologjike dhe dramatike.

Rruga juaj drejt artit nisi rastësisht nga një rol i vogël në një dramë në Rubik. Kush ishte në Juri kur ju konkurruat për aktrim?

Vërtetë ai rol i vogël i një drame në Rubik, solli ndryshimin e jetës time. Kjo ishte shtysa që unë të shkoja të konkurroja. Në vitin 1959 kur unë do konkurroja, Teatri Kombëtar kishte regjisore një grua ruse të bukur, të zgjuar të dashuruar me profesionin. Ajo kishte një emër interesant, Çefranova. Kur unë shkova në konkurs Çefranova ishte ndër kryesoret në juri së bashku me Xhemal Broja, Andrea Malo. Konkurrimi ishte shumë korrekt. Në atë konkurrim ishim rreth 40 vetë dhe në fund fituam një femër dhe unë. Vajza quhej Irena Ballkameni.  Pra dy veta. Në konkurrim u paraqita me një pjesë nga “Poema e mjerimit” të Migjenit dhe një pjesë ruse.

Por kur menduat se tashmë e gjetët rrugën e jetës, juve ju thirrën sërish në detyrën e gjeologut. Si u riktheve sërish në rrugën e artit?

Ah, ke shumë të drejtë. Athere nevojat për gjeolog ishin më të mëdha se ato për aktor. Kur fitova dhe mendoja se si do realizoja rolin e parë apo si do vazhdoja shkollimin ndodhi ajo që nuk prisja. Më thërrasin sërish ën gjeologji. Atë natë kam qarë. Nuk dija çfarë të bëja. Ëndrra mu pre në mes. Në këtë kohë prishen marrëdhëniet me BS dhe regjisorja Çefranova largohet në Rusi. Ishte viti 1961. Janar. Çefranova kishte dhënë një intervistë tek gazeta “Pravda” dhe midis të tjerave kishte thënë se në Shqiëpri nuk respektohet arti, madje fyhet. Një djalë i ri me talent që fitoi në konkurs, e heqin nga shkolla pa asnjë shkak. Ky djalë që quhej Mark Topollaj plot talent dhe energji, kur nuk e mendonte e heqin nga arti dhe e çojnë në gjeologji.  Unë kur ishte shkruar ky artikull as dija gjë, as dija çfarë ishte shkruar, por vazhdoja punën si gjeolog  në Lajthizë të Oroshit. Kur nuk e prisja në çadrën që kisha aty vjen Drejtori i Gjeologjisë Bajram Cuku. Ishte së bashku me një djalë të ri. Drejtori pa më bërë shumë muhabet më thotë, jepi dorëzimet këtij djalit dhe nisu për mësime për aktrim në Tiranë. Nisem fluturimthi. Mora vesh se këtë nder ma kishte bërë Xhemal Broja.

Gjatë studimeve a u ngjite në skenë dhe me çfarë pjesësh?

Po, gjatë shkollës mora pjesë në dramën “Romeo dhe Zhuljeta” si dhe “rruga e largët e Arbuzovit”. Kjo  fundit ishte tragji-komedi.

Pra rruga juaj nisi si aktor?

Po. Në fillim më thanë se do rrija në Tiranë, dhe fillova punë në teatrin Kombëtar. Por Mirdita kishte shumë mungesa në  drejtim të artit dhe ndërhynë shumë që të shkoja aty.  Sa shkova në Mirditë më thirrën të merrja një rol tek filmi “Komisari i Dritës”. Më thanë se do kesh rolin kryesor. Në momentin që unë do filloja punë me rolin vjen Fadil Paçrami dhe ma heq mua rolin kryesor dhe ja jep Rikard Ljarjes.  Të them të drejtën Rikardi mbetet aktor i madh. Pastaj më dhanë një rol të vogël. Fill pas filmit më çojnë përgjegjës Kulture në fshatin Prosek.

Pse të hoqën nga Mirdita dhe pse kaq injorim të punës kur kishe kaq shumë kërkesa për Tiranë?

Se di si bëheshin punët, por Ministria e Arsimit reagoi ndaj emërimit tim në nj fshat të thellë. Aty erdhi dhe më takoi zëvendësministri i Arsimit Ali Abdihoxha. Pas tij erdhën dhe më takuan ministri Thoma Deliana por dhe skulptori i madh Kristaq Rama. Unë u bëra prezent punën time dhe ata s’më jepnin përgjigje. Kristaq Rama më pyeti me hollësi dhe më afroi shumë. Pas disa ditësh takoj rastësisht sërish ministrin Thoma Deliana në Shkodër. Sa më pa më pyeti: Nuk të ka ardhur transferimi? Jo, i thashë. Ai pastaj foli me Sekretarin e Parë të Shkodrës, Jorgji Shuli i cili më komunikoi transferimin në Kinostudio. Po me ndërhyrjen e Thoma Delianës pasi kishte miqësi me Kryetarin e Komitetit, Abdyl Këllezi.

Të flasim për punën si regjisor, cili është filmi i parë si regjisor? Me kë regjisor ke bashkëpunuar?

Në atë kohë, kur ishe i ri, kurrë nuk mund të merrje një film si regjisor. Filmat e parë do ishe si asistent regjisor dhe vetëm kur të shihej ecuria jote ahere mund të kaloje si regjisor. Filmi i parë si asistent ishte “Plagë të vjetra”, ku regjisor ishte i talentuari Dhimitër Anagnosti. Në këtë film mora dhe një rol të vogël dhe njëkohësisht bëra dhe rekuizitën. Pra njëkohësisht asistent-regjisor, një rol dhe rekuizitën. Të punoje me Dhimitër Anagnostin ishte fat.

Çdo regjisor filmin e parë e ka me shumë  përgjegjësi dhe me shumë frikë, kush ishte filmi juaj i parë dhe si e mbani mend atë? Çfarë ka qenë film artistik apo dokumentarë?

Eh filmi i parë. Filmi i parë ishte artistik.  E mbaj mend si sot. Ishte filmi “Dollia e dasmës sime”. Një film që do vendoste se si do shkonte  e ardhmja ime.  Atë kohë kur do të aprovohej filmi do të shkonte në Komitetin Qendror.  Fati e pruri që filmin tim ta shikonte vetë Enver Hoxha.  Si më thanë më pas miqtë e mi dhe një anëtar i KQPPSH, Enveri e vlerësoi shumë dhe u kënaq pa masë. Personazhin tim atë të vajzës ai e krahasoi me Brixhid Bardonë. Por çuditërisht ai foli për skenaristin artistët, ndërsa për mua regjisorin nuk foli asnjë fjalë. Për këtë film më aps ai shkroi tre faqe analizë tek vepra e 36-të.

-Kjo eksperiencë pasoi me film tjetër artistik?

Po. Pas këtij filmi unë realizova filmin tjetër artistik “Heronjtë e Vigut” me skenar të Kol Jakovës.  Më pëlqeu skenari dhe ju përvesha punës. Besoja se do të kisha sukses më të madh se filmi i parë për të vetmen arsye se tashmë kisha një eksperiencë dhe skenari ishte shumë premtues. Kur mbarova filmin dhe prisja të shfaqej çuditërisht ai u bllokua fare. Pati diskutime nga më të ndryshmet. Isha në siklet. Njëherë thoshin është skenar i dobët, njëherë është regji e dobët, njëherë tjetër se është realizim  artistik i dobët, çfarë nuk flitej. Por ajo që më shqetësonte ishte se filmi u bllokua dhe kisha përgjegjësi.  Ditë të tëra në siklet.

Nuk jua thanë arsyen?

Kur unë isha në kulmin e meditimeve të brendshme më thërret Ramiz Alia së bashku me Drejtorin e Kinostudios. Bashkë me ta ishin dhe disa anëtarë të KQ.  Kur unë isha nën ethe Ramizi zbërthen çështjen përse  ndalohet filmi. Ai tha se roli i Ndrek Lucës i përket një personazhi të Legalitetit. Në këtë zonë ruhet ende simpatia për Legalitetin ndaj ne nuk duhet të zgjojmë asnjë simpati për këtë parti, ose më saktë tha”Nuk duam t’ja dëgjojmë emrin Legalitetit”.  Por duke vazhduar më poshtë, ai më kritikon duke më thënë se ti shoku Mark në film e ke nxjerrë Mirditën revolucionare, kur ajo në fakt në luftë ishte reaksionare. Pastaj më theksoi se kishte qenë Sekretar i Rinisë në kohën e luftës në Gojan të Mirditës dhe burrat e fshatit ikën nga shtëpitë kur ne u futëm brenda në fshat. Nuk kuptoj pse e ke nxjerrë kaq revolucionare Mirditën këmbëngulte Ramizi. Isha në siklet. Djersë të ftohta ma përshkuan trupin. Vendosa të flas. I them shoku Ramiz Mirdita ka pasur dy cilësi në luftë, kush ja dha fjalën partisë ka vdekur me këtë fjalë, kush ishte kundër partisë ka vdekur duke e luftuar atë.

Po skenaristi,  Kol Jakova a ishte aty? A reagoi?

Po aty ishte. Kur unë dhashë arsyetimin tim, nuk pati ndonjë reagim për mirë. Në këtë kohë ndërhyn vetë Kol Jakova. Shoku Ramiz për skenarin nuk ka punë Marku, skenarin e kam shkruar unë dhe ai ka zbatuar skenarin tim. Për këtë gjë nuk është përgjegjës Marku. U lehtësova. Ishte shpëtim për mua kjo ndërhyrje. Kola kishte personalitet dhe ishte burrë i zgjuar dhe i mirë. Por ky film më mbylli shumë shtigje asi diskutohej në parti se filmi kishte gabime ideologjike, anashkalonte partishmërinë etj…Por këto fjalë ishin shumë vrastare në atë kohë. Karriera ime ishte në rrezik.

Me sa kam parë më vonë ju u orientuat drejt filmit dokumentar. Ky orientim ishte më rezultativ ?

Kjo goditje bërë që ën shumë raste të stepesha të qëndroja i tërhequr në kërkesa.  Ndër filmat e pastajmë ishin “Hetimi vazhdon”, si dhe disa filma dokumentarë që patën sukses. Ndërsa ndër filmat artistikë do veçoja filmin “Guri i besës”  për Revoltën e Spaçit me skenar të shkrimtarit Agim Gjakova. Vazhdova më pas me filmin “Dasma e shtyrë”  me skenar të poetit Ndoc Papleka.

Ndër filmat dokumentarë kë do të veçoje?

Filmi im më i mirë dokumentarë siç e kanë thënë dhe kritikët mbetet “Shqipëria turistike” i cili dhe sot shfaqet me sukses të plotë sikur të jetë realizuar në këtë periudhë.  Madje duhet të dini se dhe ky film kaq shprehës për vendin tonë shfaqej më shumë në ambasada apo panairet në botë ku merte pjesë dhe Shqipëria. Në Shqipëri për vite të tëra nuk shfaqej pasi thuhej se ishte shumë modern për kohën.

Në shumë biseda që kemi bërë më keni thënë se e keni njohur Sali Berishën shumë shpejt, pra në kohën e regjimit madje keni bashkëpunuar me të?

Po!. Sali Berishën e kam njohur kur ishte djalë i ri dhe bënte praktikën në Qendrën Radiologjike në Tiranë.  Atë kohë unë po xhiroja filmin dokumentar “Për shëndetin e Popullit” dhe më duhej një personazh një mjek i ri. Hysen Karai që kishte qenë pedagog i Sali Berishës, më ofroi Saliun si personazh duke folur me simpati për të. Madje ai shkoi dhe më tej duke theksuar se Sali Berisha është shumë egoist dhe shumë punëtor. Ishte vitit 1976. Saliu kishte një defekt në xhirime. Gjithmonë e mbante kokën poshtë sa e mërziti operatorin.  Një moment ai u nxeh dhe i thotë Berishës të lutem çoje kokën se nuk kam çfarë filmoj, nuk do njihesh si personazh.

Kur je ndjerë më keq si artist por edhe si njeri i zakonshëm?

Njeri ka shumë momente në jetë kur ndihet keq, por unë do të sjell një moment shumë të largët në kohë. Ishte vitit 1962. Në Tiranë do të vinte Çu En Lai një ndër udhëheqësit më të mëdhenj të Kinës. Ishte një vizitë e pazakontë që vuri në lëvizje gjithë shtetin. Për ta pritur sa më mirë më caktuan mua dhe Roland Trebickën  të recitonim poezi që flisnin për miqësinë e dy vendeve. Këtë ma komunikuan Drejtori Xhemal Broja dhe regjisori i madh Kujtim Spahivogli. Recitimet do ti bënim në Pallatin e Brigadave ku do të ishte prezent vetë Enver Hoxha. Në fillim e prita mirë por të nesërmen ndërrova mendje dhe shkova u thashë të dyve drejtuesve se nuk mund të interpretoj. Ata shtangën. Më panë me habi. Po luaja me zjarrin. E kishte vendosur partia. Në fillim ata s’folën se shtangën nga ajo që u thash. Xhemal Broja goditi me forcë tavolinën duke më thënë që kjo që bën është marrëzi. Më thuaj arsyen më thanë. Unë i turpëruar u ktheva nga pas dhe u tregova pantallonat e mia me arna. Si mund të kthehem unë me kurriz kur të largohem dhe të le pas tyre mballomat e mia? Sa më panë ata u shfrynë të lehtësuar. Menjëherë morën masat dhe më çuan tek një rrobaqepësi. Më bënë një kostum aq të bukur sa nuk e kishte as Çu En Lai. Ishte dhurata dhe kostumi më i bukur që kam bërë në atë regjim.

BOX

Njohja me Kristaq Ramën

Të madhin dhe të pakrahasueshmin Kristaq Rama e kam njohur kur xhirohej filmi “Komisari i Dritës”. Ai ishte pjesë e ekipit realizues.  Duke parë sinqeritetin tim, varfërinë time, ai më mbante afër. U shqetësua shumë kur më çuan në Porsek të Mirditës dhe erdhi dhe më takoi aty me ministrin Thoma Deliana. Njëkohësisht Kristaqi kishte shumë miqësi me Dhimitër Anagnostin, i cilë më ka ndihmuar shumë. Ishin përpjekjet e Kristaq Ramës dhe të Thoma Delianës që erdha në Tiranë. Kur erdha dhe fillova punë në Tiranë Kristqai çdo të shtunë më ftonte të pinim një kafe tek Pallati i Kulturës dike mos më lënë kurë ta qerasja. Ishte shumë i ditur, shumë i talentuar dhe shumë human. Thjesht, ishte njeri i rrallë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok