Flet aktori, “Mjeshtri i Madh” Aleksandër Rrapi

Me regjisorin Pirro Mani jam prezantuar kur isha student, më ka befasuar

-Piro Mani: Me Aleksandrin duhet të vendosni në skenë “Jul Çezarin”, pasi plotëson figurën e heroit  si me zërin e bukur

Roli im i parë “Kështjella dhe Helmi” i Kadaresë, një dramatizim për fëmijë

-Babanë e hoqën nga Teatri Popullor dhe mua nuk më dhanë burs për aktrim për kleçkë në biografi

-Pandemia tregoi se sa i domosdoshëm është arti e në veçanti teatri

-Si më nxiti Esat Oktrova të konkuroja në vitet e fundit të sistemit komunist

-Një ndihmë të madhe më kanë dhënë Sheri Mita, Gëzim Kame, Agim Qirjaqi

Nga Albert Zholi

Profesionin e aktrimit, e mori nga babai i cili ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor në vitet e parë të funksionimit të tij. Por “ceni në biografi” e dëmtoi edhe atë. Në vitet e fundit të komunizmit ju realizua ëndrra duke konkuruar në Institutin e Arteve. Me ardhjen e demokracisë emigroi në Greqi ku vuri në pah talentin e tij në disa skena të Greqisë dhe filma me regjisorë grekë. Më vonë emigron në Amerikë ku ende performon duke mos e lënë në harresë pasionin e tij. Nga Presidenti Meta u dekorua me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

-Kohë pandemie. Si është kjo periudhë për një artist jashtë skenës?

-Teatri është një nga artet më të vjetra në botë, sepse njeriu lind me një nevojë të brendshme për të krijuar art me trupin, zërin e tij, për të krijuar një realitet artistik, ku të shfaqë probleme madhore si një mjet spastrimi ose argëtimi të mirëfilltë. Mos funksionimi i një shoqërie në kushte normale, sigurisht bëri të pamundur dhe teatrin të tillë. Paraliza dy vjeçare për shkak pandemie, bllokoj edhe ne artistët të krijojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, por tregoi se sa e domosdoshme është arti e në veçanti teatri, për një shoqëri të civilizuar.

-Aktrimi një profesion i bukur, frymëzues dhe shtysë vizionesh, si lindi dëshira për profesionin dhe kush e zbuloi talentin tuaj?

Teatri ka qenë gjithmonë pjesë e proceseve historike, duke u lidhur ngushtë me politikën, filozofinë, psikologjinë dhe artet e epokave të ndryshme historike.

Tek unë ky “mikrob”u infektua nga im atë, pasi  profesioni i tij ishte aktrimi, si pjesë e trupës së Teatrit Popullor në vitet e parë të funksionimit të tij. Mbështetur dhe nga nëna që ishte një grua e një niveli të përparuar për kohën njohëse e mirë e gjuhës italiane dhe greke. Dhe pas dy motrave që vija unë, babai realizoi ëndrrën e tij që një nga fëmijët e tij të merrej me artin dramatic. Ky fat më takoi mua, pasi dhe motrat e mia janë marrë në fillimet e jetës së tyre me skenën në festivalet e ndryshme teatrale që organizoheshin dikur, dhe ishim të tre fëmijët e familjes Rrapi, baza e çdo grupi teatral që krijohej në bazë shkallë apo në qytet.

– Cili ishte roli juaj i parë dhe kush e vlerësoi?

Duke pasur një baba regjisor, (pas Teatrit Popullor, babai im emërohet regjisori i parë në Pallatin  e Kulturës, “M.Tutulani” në Berat) isha  pjesë e çdo aktiviteti në rang rrethi, kujtoj me shumë mall dhe kënaqësi, organizimin e Festivaleve Teatrore midis shkollave 8-vjeçare ku roli im në skenë, ka qenë nga kjo dramë, “Kështjella dhe Helmi” e I.Kadaresë, një dramatizim për fëmijë. Pastaj me ‘’kolegë’’ më të rritur, bëhem pjesë e trupës amatore të fabrikës së filaturës në Kombinatine Tekstileve Berat,në dramën’’Shembja e Idhujve”, në rolin e një fëmije të familjes së mësuesit të fshatit, që vritet gjatë dramës. Këtë rol nuk e fshij kollaj nga kujtesa, pasi si nxënës në klasën e 4-fillore, humbisja gjatë shfaqjes midis historisë në dramë, dhe ngjarjes në skenë, dhe  sa mbaroja rolin, kërkoja me sy aktorin që lunate mësuesin, për të besuar që ishte gjallë, dhe nuk kishte vdekur sipas ngjarjes dramatike.

Kur dhe si konkurruat për aktrim, çfarë roli interpretuat dhe kush ishte në komision? Cili ishte vlerësimi?

Pas një rrugëtimi të gjatë në lëvizjen amatore të rrethit, si pjesmarrës në shumë festivale  të shkollave të mesme,koha erdhi ti drejtohesha shërbimit të detyrushëm ushtarak, pasi “kleçka e biografise time, ishte difekt serioz  për Parinë, dhe nuk mund të bëhej një artist me një baba të përjashtuar nga “Teatri Popullor” e nga Partia, e cila e transferoi në qytetin e Beratit si regjisorin e Pallatit të Kulturës “M.Tutulani”, që sa ishte ndërtur në atë kohë. Nuk ndihesha vërtetë mirë, kur shokët e miqtë e moshës shkuan në shkollën e lartë, e unë ju drejtova fshatit Gjoroven në Berat për 2-vjet në shërbimin ushtarak. Kjo nuk më pengoi të merresha me aktivitetet e repartit të Divizionit dhe të Shtëpisë së Oficerëve, Qendra Kulturore e Ushtarakëve në Berat. Edhe sot ruaj marrdhënie me ish-komandatine repartit, z.Lirim Ago, apo Xhevahir Baxhi, si dhe komisarin e Divizionit. Njerëz që përtej detyrimeve partiake, më mbështetën në rrugëtimin tim artistik, duke besuar tek unë organizimin e çdo aktiviteti artistik të kohës. Pas mbarimit të detyrimit  ushtarak, (si pjesë e vështirë psikologjike për mua) rikthehem në Kinoklubin e Kombinatit, baza e rrugëtimit dhe formimit tim si aktor,  kunjihja çdo cep dhe kënd të asaj skene, u rrita në atë godinë dhe bashkë me mua, dhe dëshira për t’u bërë aktor ishte konkretizuar plotësisht. Kujtoj me shumë qartësi e mall shprehjet e  prindërve,  Nëna  më thoshte: “Lartësia e njeriut, fillon aty ku mbaron gjatësia fizike, lufto në jetë për  të rritur gjithmonë këtë lartësi,ajo  varet vetëm nga Ty”. Ndërsa  babai, duke ruajtur  brenda vetes plagën që Partia i shkaktoi pas largimit nga Teatri Popullor, më përsëriste shpesh shprehjen: “Në artin dramatik, teatër, ka shumë aktorë, ata ndahen në numra dhe emra. Për të qëndruar gjatë në këtë fushë, lufto për të krijuar emrin tënd, se numrat matematikë janë shifra që  ndryshojnë shpesh, por emri ngelet në histori”, dhe kujtonte Aleksandër Moisiun simpatizantin e tij personal, si dhe ngacmuesin që emri im vinte nga dashuria që ruante babai për atë actor. Të kthehemi tek konkurrimi…Ishte muaji mars dhe në sallën e “Kinoklubit Tekstilisti”, në Festivalin e radhës, kryetar jurie ishte regjisori dhe “Artisti i Merituar”,Esat Oktrova. Në ceremoninë e vlerësimeve, përveç  grupit fitues të festivalit në heshtje e një salle të mbushur plot, kryetari jurisë lexon dhe emrin tim “Laurant i Festivalit, Aleksandër Rrapi…Isha vërtetë i befasuar nga ky vlerësim pasi trupat konkuruese në festival, kishin bërë vërtetë një punë serioze dhe çdo trup, kishte element të talentuar breda tyre. Por nga ana tjetër ky ishte dhe kontakti i parë me një figurë të shquar të artit skenik dhe regjisurës shqiptare si z.Esat Oktrova. Në bisedën intime të ceremonisë, më pyet në intimitet;

-Përse nuk vjen në Institut  Aleksandër? -Çështje biografie- i them me sytë e mbushur me lot. Babin tim Partia e ka dëbuar nga rradhët e saj, dhe kjo….-Sivjet ky Institut, nuk do shikojë biografitë e konkurruesve, po talentin  dhe ju e keni këtë me ‘’shumicë’’-më ndërpreu menjëherë- duke shtuar:  Keni dhe një zë  të fuqishëm, dhe kjo është arma kryesore për një aktor … Fluturova në qiell. Komplimente shoqërore, miqësore, familjare dhe gjithçka tjetër kisha dëgjuar, por nga një figurë e njohur e artit shqiptar siç ishte Eset Oktrova, “Artist i Merituar”, ishte hera e parë në jetën time. Ky vlerësim më ndezi motorin e përgatitjes për konkurrimin e kanditatëve për në Institutin e Lartë e Arteve, sot Akademia e Arteve të Bukura. Pra hyra student në vitin 1987-1991. Një rrugëtim të ndërtuar me shumë punë, sakrifica prindërore e familjare, vështirësi ekonomike, shtytje dhe bërryla….Besoj se është i vetmi profesion që ushqen një ‘’luftë të ashpër ndaj kolegut’’, dhe kjo ndodh në Shqipëri. Teatri në kapitalizëm, që kisha mundësi t’a provoja, këtë luftë çdo aktor e ka me krijimtarinë, e  jo me kolegun.

Kur e keni realizuar rolin e parë si profesioniste dhe ku? Sa role keni realizuar deri më sot?

Pas shumë aktivizimeve që kisha shpesh herë në teatrin profesioniste të rrethit që sapo ishte krijuar, në dramat ‘’Dy krisma në Paris’’ me regjisor Sheri Mitën apo ‘’Dufan në Dovlet’’me regji  të Gëzime Kames, në Institutin e Arteve kisha një përzgjedhje që në vitin e parë  nga petagogu i paharruar prof. Agim Qirjaqi për t’u aktivizuar me kursin e vitit të tretë, (gjë që ishte e rrallë të ndodhte me një student të porsa ardhur)në dramatizim e tij të veprës së I. Kadaresë ’”Krushqit janë të ngrirë’’që u shfaq me dyer të mbylluar dhe u “burgos’’ si çdo shfaqje e avancuar për kohën. Këtu në analizën e Katedrës për studentët që vlerësoheshin në këtë punë, është përmendur dhe emri duke marre një vlerësim modest nga pedagogët. Rolet në teatër janë të shumtë, por më të veçantat në gjithë atë arshivë rolesh të krijuara do të përmendja dy: Aktivizimi im me babain tim në dramen’’Më fal Baba’ dhe me djalin tim Thoma (me emrin e gjyshit të tij) në dramën “Emigrantët” shfaqur në vitin  2017 në skenën e Pallatit “M.Tutulani” në Berat. Tre braza të familjes Rrapi, shkelin në këtë skenë.

– A mund të jetosh sot me aktrim?

Një pyetje që të shpie në një ‘’kurth gazetaresk’’. Unë nuk kam jetuar me aktrimin në Shqipëri, dhe kjo do më vështirësoj t’ju jap një përgjigje të saktë në raport me kolegët e mi që jetojnë në atdhe. Kolegët në Shqipëri  kanë  vërtetë  vështirësi  të  shumta ekonomike dhe kushte teknike të amortizuara nga koha. Suksesi i një shfaqje nuk varet vetëm nga talenti i gjithë secilit, pa kushte komode që kërkon arti skenik, kjo “zhvlerëson” pa dashur interesin e publikut për të ndjekur në salla të mbytur nga lagështia një shfaqje teatrale… mungesa e kushteve minimale, ngrohje në dimër, e ftohje në verë, kushte higjenike të ambjenteve që shfrytësohen nga aktorët. Studiot dhe ËC publike për spektatorët. Të gjitha këto që përmenda më sipër, ulin pa dashur, vlerën e një bilete që do rriste ndjeshëm të ardhurat personale të çdo aktori. Në teatrin kapitalist që unë gjeta në Greqi, dhe në përgjithësi në gjithë botën, nuk ka  bordero, por projekte dhe ftesa nga regjisori i radhës që afrohet për të thirrur grupin krijues. Nëse je pjesë e këtij projekti, aktori vet, vendos mbi të ardhurat e tija, nëse i duket e mjaftueshme kjo pagesë apo jo! Personalisht, duke jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë në teatër për një periudhë 10-vjeçare, mund të them që jetohet dhe paguhesh shumë mirë si aktor.

-Cilat janë rolet tuaja më të vlerësuara?

Në aktivizim tim në tragjedinë e Euripidit, “Eleni’’ në teatrin “KNOSSOS” të Athinës, si dhe në Festivalin Ndërkombëtar e Filmit në Selanik në vitin 2010, në filmin ‘’Nobady”(Askushi).

-Cilët janë autorët në botë që ju impresionojnë?

Difiçitet e krijuara prej vitesh në Atdhe, nga një mungesë e theksuar e lindjes dhe zhvillit të teatrit të lashtësisë greke, si dhe aktivizimi im në këto shfaqje, duke përmendur këtu dhe komedinë e Eristofanit, “Irini”, më detyruan t’i kthehem kësaj literature duke shfletuar seriozisht dhe për nevojat profesionale, shumë autorëve të tragjedisë dhe komedisë botërore, si Aristofani, Sofokliit, Euripidit etj….

-Si arritët sukses në një vend që në fillim kishte një frymë antishqiptare dhe racizëm të papranueshëm?

Kjo rriti më tepër ‘’luftën” brenda  vetes që ju përmenda më sipër, aktori  ‘’Lufton”me krijimtarinë, jo me kolegun. Në Shqipëri me plot gojën, mund të them që ‘’lufta banale që bëhet midis kolegëve, është një banalitet i kohës ‘’moderne’’ që po kalojmë.

-Cila ka qenë dita më e bukur dhe më e vështirë në Greqi?

Kur një nga gazetat kryesoer dhe më të mëdhatë e Greqisë ‘’Ta Nea’’, boton një artikull në 1-gusht të 2004, e dielë (që numri i botimit dyfishohet) artikullin me Titull: “Shqiptari me portretin e lashtësisë greke” ngacmuar nga interpretimi im në Tragjedinë “Eleni’’në teatrin “Knnosos”. Kur kisha folur nga afër me gazetarin për këtë intervistë, nuk më kishte përmendur titullin e  shkrimit (ashtu si dhe në këtë rast) dhe kur e pyes gazetarin, pse fillonte artikulli me Alvanosi …Është prejardhja juaj më tha……dhe jo keqësia e emërimit që ishte bërë ‘’modë’’ në Greqi se pas çdo vjedhje, vrasje apo incidenti, fshihej një Alvanos!? Këtu më lejoni të ndërrojmë pak pozicinet….Unë të bëhem gazetar për të marë një përgjigje nga ju! Si ka mundësi që Teatri Kombëtar Shqiptar, fton aktor  grek për të luajtur në tragjedi të tilla me kosto disa fish nga pagesa bazë e tyre në Greqi, dhe nuk na fton ne  aktorët shqiptare që luajnë në këto kryevepra?!

– Sa roli realizuat si aktor dhe sa si regjisor në Greqi?

Në Greqi në karrierën e gjatë që kasha duke qenë  edhe  anëtar i “Shoqatës së Aktorëve’’status që jo çdo kush e fiton pasi ka kushte aktivizimi në teatër, film e televizion, (kushte që të japin këtë satus) jam aktivizuar në teatër me tragjedi, komedi e muzikal. Kam ngritur trupa teatri në Bashkinë  e Athinës në qendrat rinore të Kerateas, Nikias, dhe Pankratit…Në televizionin grek, dhe konkretisht në kanalet kryesore “MEGA” dhe “Ant1”, jam aktivizuar në telenovelën “Dashuria erdhi nga larg” dhe telekomedinë, “Tilebora” me një kast aktorësh në të dyja rastet shumë të mirë, dhe me regjisorët  tashmë  shumë  të  njohur grek. Në kinemanë greke, jam aktivizuar në  filmin “Nejradha’’dhe ‘’Kanenas”.

-Pse dhe si u larguat nga Greqia?

Dëshira e prindit për të bërë më të mirën për fëmijët e vet, kjo ishte arsyeja kryesore e largimit nga Greqia. Duke parë aftësitë e fëmijëve të mij që bënin diferencën midis nxënësve të klasës, kërkuam një hapësirë më të përshtatëshme për ta, ky vendim u mor brenda “këshillit” familjar me 100% të votive. Sot ata finalizuan me sukses çdo përpjekje tonën si nga unë dhe nëna e tyre Entela, në profesionin e ekonomistit, duke mbaruar me sukses Universitetin e Tampes neëdegën e Ing, kimike në fushën e farmaceutikës, degë e vështirë dhe e pa shfaqur në Europë.

– Në Amerikë cilat kanë qenë lidhjet tuaja me Pirro Manin dhe mendimi juaj për të?

Kontaktin e vetëm fizik me profesor Piro Manin, e kam pasur në kohën kur isha student, kur një  student i regjisurës më paraqet  tek pedagogu  Piro, me një fragment të dramës “6-Persona në pyetje’’ pranë Teatrit Kombëtar ku bëheshin  takimet, me profesorin. Pas prezantimit  të punës  dhe  dëgjesës nga ana e profesorit, dëgjova nga i madhi Piro këtë koment: Me Aleksandrin duhet të vendosni në skenë “Jul Çezarin”, pasi plotëson figurën e heroit  si me zërin e bukur, ashtu dhe me fizikun e tij”( dëshmi që kolegët e mij mund ta vërtetojnë, si A, Rama, A. Bora B.Laco,  A. Elmazi). Besoj se është momenti që emri i Piro Manit duhet të kthehet në histori, si një pikë takimi për brezat e ardhshëm të regjisurës  shqipatre nëpërmjet një institucioni apo shkolle artistike duke marrë emrin e tij. Nuk e kuptoj akoma pse ndodh ky fenomen në Shqipëri, që presin të vdesin fizikisht, figura kaq të mëdha si Piro Mani, për një vlerësim pas ikjes, dhe nuk i vlerësojnë për së gjalli një jetë të tërë në skenë!!

Duke ju falenderuar për bisedën dhe mundësinë që më krijuat më lejoni ta  mbyll këtë kontakt me këtë thënie:

“Mos u përpiq ta përmirësosh imazhin tënd për askënd.

Jemi njerëz normalë për ata që nuk na njohin.

Jemi mendjemëdhenj për ata që na urrejnë.

Jemi njerëz të mirë për ata që na njohin.

Jemi njerëz të jashtzakonshëm për ata që na duan shumë!

” ~ Fyodor Dostoevsky ~

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube