Foltoret janë kuvendi i të munguarve

Nga Enver Bytyçi

Nesër mbahet foltorja e Beratit. Eshtë e 11-ta foltore në radhë. Mbetet vetëm qarku i Lezhës. Foltoret që pamë nuk janë fusha-gladiatorësh. Aq më pak fushë-beteja ushtrish. Madje as demonstrime militantësh.

Foltoret janë kuvendi i të munguarve. I atyre që për tetë vite nuk kanë patur rastin të flasin e të dëgjohen. Në një farë mënyre foltorja është rikthimi në betejë e të heshturve dhe atyre që ua ndaluan jo vetëm pjesmarrjen në PD, por edhe fjalën dhe votën e tyre për PD-në. E këta ishin aksionerët e parë dhe të kohëve më të vështira të kësaj partie.

Ata heshtën edhe për shkak të Doktorit. Prandaj nuk ia përtojnë t’ia thonë këtë me zë të lartë në foltore. Por nuk u ndjenë në tetë vite. Këta që nuk e duan regjimin e Edi Ramës, duket se u ndëshkuan pikërisht për këtë arsye. Një nga drejtuesit e Partisë Demokratike më pati thënë pak ditë pas 25 prillit se “Ti po prish punë me kritikat ndaj Ramës”! Kur i them pse, ai më thotë se “Kështu po thonë shefat tanë”!

Një metodë e tillë censure konjuktuale ka bërë që në tetë vite të largohen së paku gjysma e anëtarëve të devotshëm të Partisë Demokratike, të pakësohen përkrahësit e saj, ndërkohë që shumica e atyre që ishin aty, e votonin Lulzim Bashën, sepse e asocuan atë me Sali Berishën. Ia kam thënë zotit Basha në janar të vitit 2018 në zyrën e tij këtë defekt të punës së tij. I kam thënë asokohe se “Nuk ka Parti Demokratike, nëse ju nuk do të mundësoni t’i mbani në lidhje të gjithë anëtarët e PD-së të të gjitha kohëve”!

Foltorja sot po dëshmon se PD-ja e vërtetë paska qenë në heshtje! PD-ja e vërtetë paska toleruar Lulzim Bashën për hatër të Sali Berishës! Dhe ky është një gabim, është një faj. Lulzim Basha duhet të shkojë në foltoret e Doktorit ose në të vetat e t’u shpjegojë demokratëve se pse e krijoi këtë hendek midis atyre që ia kanë përkushtuar jetën kësaj partie dhe atyre që u katapultuan në parti?! Pse?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube