Author Topic: Azem Bejtë Galica  (Read 1513 times)

luljeta

  • Newbie
  • *
  • Posts: 25
    • View Profile
Azem Bejtë Galica
« on: March 09, 2008, 05:38:31 pm »
Azem Bejtë Galica me Nusen e Maleve - Shotë Galica)

 Azem Bejta u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në gjirin e një familje me tradita luftarake e patriotike, që nga fillimi u përcaktua për luftë të pakompromis me secilin që do t´i cenojë vatrat e të parëve.

Si fëmijë përjetoi ngjarje të hidhura dhe tragjike. Turqit ia vranë babanë dhe ia dogjën shtëpinë, duke i lënë të pastrehë. Rropatjet e kësaj familjeje nëpër dallgët e egra të jetës ia forcuan ndjenjën e atdhedashurisë dhe ia ngritën në një ideal të pashuar, për të cilin e dha edhe jetën.

Tiparet e një trimi të paepur dhe të një vizionari të mprehtë u manifestuan që në rininë e hershme të këtij djaloshi. Si i vogël dallohej nga moshatarët. Ishte i zgjuar e i shkathtë. I pëlqenin shumë këngët e trimërisë dhe rrëfimet e pleqëve për ngjarje të ndryshme nga historia kombëtare. Në odat tona - shkolla, mori mësime të mira. Ky shpirt i shëndoshë qëndronte në një trup të shëndosh, siç do  thoshin latinët. Edhe për zhdërvjelltësi ua kalonte të gjithëve. Në mundje, me çobanë ishte i pari. Por mbi të gjitha atë e cilësonin trimëria dhe guximi. Ende pa i mbushur 11 vjet me pushkën e dajës, e pati plagosur një serb të Selacit, (Stojanin) të cilit ia kishin frikën të gjithë.

Shumëherë burrat e Selacit (dajët e tij) dhe të Galicës bisedonin rreth asaj se kujt i ka ngja Azemi, dajëve apo babait? Kur nxeheshin shumë i qetësonte plaku i urtë i Galicës, mixha Rexhep duke u thënë: «O burra, pse po lodheni aq shumë. Kah t´gan mirë asht, dajtë tirma e babën trim.»

Gjatë viteve 1910 - 1912 shpërthyen kryengritjet e përgjithëshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në Drenicë, ku e dha kushtrimin për një luftë mbarkombëtare kundër Perandorisë osmane.

Edhe Azemi, 20-vjeçar, u radhit në çetat kryengritëse të Drenicës, të udhëhequra nga Ahmet Delia i Prekazit. Kur drenicasit dhe shaljanët ishin nisur për luftë përbri tyre marshonte Isa Boletini, hipur mbi kalë e i shoqëruar nga disa trima. Në mes të shumë trimave i ra në sy djaloshi sypatrembur e i etshëm për luftë.

- I kujt është ai djalë? -pyeti Isa Boletini.

- I biri i Bejtë Galicës, Azemi - iu përgjigj njëri nga trimat që e shoqronte.

Isa e ngau kalin dhe iu afrua Azemit.

Pasi u përshëndet me të ia vuri dorën në krah dhe e përgëzoi: - Të lumtë ore djalosh trim. Ti paske vendosur ta dërgosh në vend amanetin e babait tënd, ta vazhdosh, rrugën e tij luftareke. Kjo është rrugë e vështirë por e lavdishme dhe e ndershme. Zemra mu bë mal nga gëzimi, sepse Bejta nuk paska vdekur. Shpirtin e tij luftarak po e shoh në sytë e tu të etshëm për liri. Ai e paska lënë një trim që do ta nderojë Kosovën dhe mbarë kombin. Me fat rruga e lavdisë, se një vend që lind brezni trimash nuk do të humbet kurrë...

B e t e j a t  e atyre viteve qenë të vështira dhe të përgjakshme. Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e trojeve shqiptare. E formuan aliancën ballkanike dhe atëherë kur bisha evro-aziatike po bënte përpëlitjet e fundit, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin molisur nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, ato u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e posaçliruara shqiptare, u vërsulën si një lukuni ujqërish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze. Secila mundohej të kafshojë një copë më të madhe nga trupi i gjakosur.

Nëse luftërat ballkanike për disa popuj ishin fatlume, se ua sollën lirinë, për shqiptarët e Kosovës ishin të kobshme, sepse u sollën robëri të reja. Fitorja e 28 Nëntorit ishte gjysmake.

K o s o v a  u pushtua nga Serbia dhe Mali i Zi. Ato filluan terrorizmin mbi popullatën shqiptare. U sulmuan çdo gjë kombëtare: gjuha, flamuri, zakonet, feja, toponime e të tjera, me qëllim që të bëhen shpërngulje nga Kosova. Krahas atyre u hapën edhe shumë burgje e kampe turture. Në Drenicë kampi më famëkeq ishte ai i Runikut, ku u keqtrajtuan shumë dernicas.

Azem Bejta të gjihta këto ngjarje i përjetoi vetë, në vijën e frontit. Kurr nuk iu nda luftëtarëve të lirisë. Mori pjesë edhe në Betejën Legjendare të Merdarit, betejë kjo shumë e ashpër ku mbeten mijëra të vrarë.

Posa ishte kthyer nga betejat ishte arrestuar dhe burgosur. Disa ditë ishte mbajtur në stacionin e Tërnavcit. Për çdo ditë e detyronin të punoj në rrugën Mitrovicë - Pejë. Një ditë derisa po punonin në Vojtesh ra në konflikt me xhandarin që i shoqëronte (ruante). E qëlloi çekan duke e plagosur për vdekje. Atëherë e dërguan në kampin e Runikut. Atje kalonte shumë keq. Jeta ishte e rëndë dhe e mundimshme. Të burgosurit i kishin futur në një baltë të madhe midis një livadhi të rrethuar me tela xhembaçë e me roje të dyfishuara. Shumë vdisnin nga mundimet dhe torturat. Një ditë drenicasit e sulmuan kampin. Organet shtetërore, të mllefosur, i qesin në pushkatim të burgosurit. Azemi arrin të shpëtoj midis plumbave. Ishte fundi i vitit 1913.

Xhandarmëria serbe, e ndihmuar edhe nga një spiun shqiptar, vëhet në ndjekje të tij. E hetojnë dhe e rrethojnë në malet e Mikushnicës. I paarmatosur dhe duarlidhur plagoset në dorën e majtë (nga ky moment gishtat e kësaj dore i mbeten të palëvizshëm). Pas disa orësh kapet dhe dërgohet në burgun e Mitrovicës.

Të nesërmen ia arrestojnë edhe të dy vëllezërit: Seferin dhe Zenelin dhe bashkë me shumë të rinj nga Drenica i burgosin. Pas disa ditësh të gjithë i nisin për në Serbi. Pak ditë i mbajnë në Zajeçar e pastaj i transferojnë për në Pozharevc, në burgun më të rëndë të kohës.

Në burg jeta ishte e mjerueshme. I ushqenin sa për të mos vdekur. Mbi një vit e kaluan në vetmi të plotë, nëpër qelitë e nëndheshme përplotë lagështi, errësirë e myk. Krahas tyre mbi ta për çdo ditë ushtrohej edhe shumë torturë barbare e tipit mesjetar. Por, megjithatë, ata ishin të paepur.

Azemi ishte optimist dhe mbante qëndrim burrëror. Kurrë nuk u gjunjëzua as nuk humbi krenarinë. Në zemrën e tij kishte zënë vend dashuria për Kosovën. Ajo dashuri e mbante duke ia ushqyer shpirtin e tij që po vuante prapa grilave të hekurta. Tashmë ajo ishte shëndrruar në një ideal të pashuar jetësor. Gjithnjë shpresonte se një ditë do të kthehet në Kosovë dhe do ta vazhdonte luftën për çlirimin dhe pavarësimin e trojeve  Shqipëtare. Shpesh e ëndrronte Kosovën e lirë. Këtë ua thoshte edhe shokëve. E shihte veten të lirë duke vepruar drejt saj. Si në vegim e dëgjonte zërin e mekur të nënë-lokës që e thirrte në rrugën e nderit, në rrugën e pavdekshmërisë...

Dhe, nuk vonoi shumë, ajo ditë e bardhë agoi. U këputen prangat, u shkallmuan dyert, u mbytën rojet dhe, u kapërcyen telat. Trimi vetë i shtati u gjend jashtë grilave në ajrë të pastër, i lirë, si shqipja e Alpeve shqiptare ...

Organet serbe, ai mëngjes pranveror i gjeti të hutuar. Linja telefonike ishte e ngarkuar me zëra të shqetësuar e tërë ankth:

- Alo...alo Komanda e Mitrovicës, a më dëgjoni? Jam drejtori i burgut të Pozharevcit. Të lutem, dëgjo me kujdes! Dje pasdite na ka ndodh një skandal shqetësues. Një grup të burgosurish është arratisur. Të gjithë janë nga rrethi juaj. Atyre u prinë ai djaloshi mustaqezi i quajtur Azem. Dy rojtarë i kemi gjetur të mbytur përdhunisht. Të lutem shumë, merri të gjitha masat për t´i kapur, se po e mori vesh lartmadhëria e pat jeta ime...

- Çfarë, çfarë?! -u çarkëdis komandanti - ikje nga burgu thua? Mos je i dehur... apo po tallesh me mua? Azem Bejta të arratiset nga ai burg me gjithë ato labirinthe enigmatike e mu ne zemër të mbretëris sonë. A guxon te ndodhë kjo ore sylesh? Jo, jo ende nuk më besohet se përndryshe do të çmendem. Kjo ëshë e tmerrshme, kjo është fatale. Medet ç´na paska gjetur ne që do të kemi punë me te. Kurrë më organet tona nuk do të kenë qetësi në këto anë. Lirisht xhandarët e postkomandave tona le ta lëshojnë Drenicën. S´do të ketë qetësi asë krali ynë në Beograd. Phu, ju marrtë djalli, ju marrtë, more kukuvajkat e dreqit!...

Të arratisurit ecnin drejt vendlindjes pa çarë kokën ç´po ndodhte në qarqet shtetrore. Pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm, natën e ditën, maleve e fushave, të lodhur e të uritur, arritën në Kosovën e dashur. Ishte pranvera e vitit 1915.

Azemi pa humbur kohë, ende pa kaluar muaji, vendosi ta formaojë çetën e vetë luftarake. Bashkë me dy vllezërit dhe disa trima nga fshartrat përreth që u grumbulluan në Galicë. Nën hijën e Qarrit qindravjeçarë (Lisi i vorreve) e shtruan sofrën dhe u ulën rreth saj. Nëna Sherife ua solli flamurin shqiptar, që e kishte ruajtur në fund të arkës dhe pasi e shpalosi mirë e shtroi mbi sofër. Trimat me dorën e majtë në zemër e me të djathtën mbi flamur njëzërit u betuan:

«Betohemi në këtë flamur të shenjtë se sa të jemi gjallë do të luftojmë për lirinë e këtyre trojeve.

Betohemi dhe bëjmë be se për Kosovë japim jetën sikurse me le».

Kjo çetë, e cila më vonë do të bëhet «Nëna e çetave kaçake te Kosovës», menjëher filloi aksionet e veta luftarake. Kështu nisën edhe ditët e tmerrit për xhandarët e posteve në Drenicë dhe për spiunët. Dhe gjatë trembëdhjetë vjetëve, sa ekzisoi kjo çetë, arriti t´i zhviloj mbi shtatëdhjetë beteja të suksesshme e fitimtare.




--------------------------------------------------------------------------------


Marr nga libri "AZEM BEJTË GALICA" nga shkrimtari Bedri Tahiri.

Botuar më 1995 nga shtëpia botuse SHKËNDIJA, në Prishtinë.
 

Merbraha Forum

Azem Bejtë Galica
« on: March 09, 2008, 05:38:31 pm »