Author Topic: Çiljeta dhe Ingridi shiten për 50 lekë  (Read 1621 times)

nikola

  • Newbie
  • *
  • Posts: 42
    • View Profile
Çiljeta dhe Ingridi shiten për 50 lekë
« on: April 30, 2008, 06:28:55 AM »
Çiljeta dhe Ingridi tashmë shiten fare lirë. Me sa duket tregtarët e vegjël kanë ditur t’i përdorin këngëtaret për të tregtuar në masë mallin e tyre. E pra nëse deri dje në kioska të vogla tregtoheshin paketa me fytyrën e kryeministrit Sali Berisha apo në dyqane të ndryshme ora dore me imazhin e ish-diktatorit Enver Hoxha, kësaj elite duket se i janë bashkuar edhe këngëtaret. Nuk ka më vetëm Britney Spears, Jennifer Lopez apo Madonna, imazhet e të cilave i kemi parë kudo, nëpër kartolina, bluza, apo diku gjetkë. Tashmë në qendër të vëmendjes janë Çiljeta dhe Ingridi. Nëse hedh një vështrim në mbarë tregjet që ndodhen në kryeqytet apo në qytete të ndryshme të Shqipërisë, sheh një masë të madhe çakmakësh të cilët kushtojnë vetëm 50 lekë të reja, por cili është sekreti i tyre? Me të shtypur butonin përkatës që ndodhet në fund të çakmakut dhe e drejton këtë të fundit në mur, në tavolinë apo kudo në një hapësirë të sheshtë, të shfaqet imazhi i Çiljetës dhe i Ingridit me foto mjaft provokuese dhe shumë seksi. Fotot janë të ndryshme dhe pjesa më e madhe e tyre janë realizuar në plazh të cilat janë parë jo shumë shpesh nëpër intervistat që japin këngëtaret në gazeta të ndryshme. E ndërsa njerëzit bëjnë komentet e tyre lidhur më këtë, ne kemi kontaktuar me vetë dy vajzat të cilat paksa të irrituara theksojnë: “Normalisht na ka pëlqyer shumë kur kemi parë foton tonë të reflektuar tek drita që bën një çakmak. Kjo do të thotë se pëlqehemi dhe jemi në një farë mënyre figura të preferuara. Por vetëm kaq. Për mendimin tonë ajo ndezja e çakmakut nuk vlen kur nuk merr lekë. Ne nuk përfitojmë asgjë nga kjo punë. Bëhet një biznes përkatës nga X njerëz e normalisht pa pasur absolutisht më parë pëlqimin apo aprovimin tonë.
 

Në fakt çakmakët kanë kohë që qarkullojnë por ne i kemi parë vetëm pak ditë më parë. Nuk kemi qenë aspak në dijeni. Ishim në një ambient miqsh dhe e pamë nëpërmjet një mikut tonë. Pra këtë e morëm vesh nëpërmjet miqve, ndryshe nuk do ta kishim mësuar kurrë që në Tiranë apo Shqipëri tregtohen çakmakë që kushtojnë fare pak lekë, gati falas për duhanpirësit dhe që mbanin imazhin tonë në dritën që reflektojnë. Normalisht vetja të pëlqen, por ajo që të duket paksa e çuditshme dhe që të shkakton disi irritim është se nuk e kërkon dot të drejtën tënde. Po bëhet nami dhe nuk merret vesh asgjë nëpër vende të tjera e jo më deri tek çakmakët.”. Ky është mendimi i dy vajzave ndërkohë që Ingridi duket se është paksa më e prekur nga kjo situatë. Por në fund të fundit tregtarëve nuk u bëhet vonë fare nëse kanë apo jo pëlqimin e imazheve që tregtojnë. Për ta e rëndësishme është të tërheqin djemtë për të blerë çakmakë, duke qenë të sigurt se fizikun e Çiljetës dhe Ingridit e pëlqejnë jo pak.

2 shoqet

Çiljeta dhe Ingridi nuk janë thjesht kolege. Ato tashmë janë dy mikesha të mira të cilat shpesh herë pasditet dhe fundjavat i ndajnë së bashku. Dhe jo rrallë janë shfaqur të dyja nëpër faqet rozë të suplementeve të përjavshme në treg. Të vërteta apo të pavërteta, shumë gjëra nuk u kanë pëlqyer, madje janë irrituar shumë. Ngushëllimin e kanë gjetur tek njëra-tjetra, ku asnjëherë nuk kanë vonuar telefonatat që kanë këmbyer për të shprehur keqardhjen dhe bezdisjen për atë që ka ndodhur. E ndërsa Ingridi tregohet më e rezervuar për median kohët e fundit, duke mos dashur të japë më asnjë intervistë, Çiljeta është më e çiltër, duke publikuar zhvillimet e saj më të fundit profesionale, natyrisht paksa më e matur në ato private.