Author Topic: Prishtinë, fillon ndërtimi i Gradacelës më të lartë në Ballkan  (Read 1033 times)

valbona

  • Newbie
  • *
  • Posts: 39
    • View Profile


Qiellgervishtesi më i madh në Ballkan do të ndërtohet në lagjen “Lakërishtë” në Prishtinë. Projekti, i cili do të kushtojë 400 milionë euro përfshin ndërtimin e objekteve të larta mbi 40 kate, brenda të cilave do të ndërtohen qendra tregtare, banesa luksoze, lokale afariste, zyra administrative etj. Objekti do të jetë 165 metra i lartë.

Investimet ndër më të mëdhatë deri tash në Kosovë, do t’i bëjë kompania “ENK Investors Group”, konsorcium i disa biznesmenëve nga Shqipëria dhe Maqedonia. Edmond Kërliu, drejtor i “ENK Invest” ka thënë për “Kohën Ditore” se qysh të premten do të fillojë ndërtimi i këtij projekti. “Jemi gjashtë vetë në këtë investim, i cili do të zgjasë gjashtë vjet derisa të përfundohet dhe do të kushtojë 400 milionë euro”, tha të hënën për “Kohën Ditore” Kërliu. Ai nuk pranoi që t’i identifikojë bashkëpunëtorët në këtë projekt, duke thënë se këtë do ta bëjë në një konferencë shtypi që do të organizohet me rastin e fillimit të punëve. Toka ku do të ndërtohet ky kompleks ka qenë pronë e ndërmarrjes shoqërore KNI “Ramiz Sadiku”. Për ta realizuar këtë investim bashkëpronarët kanë marrë kredi prej 250 milionë eurosh në “Raiffeisen Bank”.

Punët rreth objektit do t’i kryejë kompania ndërtuese nga Spliti “Konstruktor”, e cila, sipas gazetës kroate “Slobodna Dalmacija”, tashmë ka nënshkruar kontratë me ‘ENK Group’”.

“Ndërtimi i këtij kompleksi konsiderohet më i madhi në Ballkan. Ky ndërtim do të jetë në sipërfaqe bruto prej 300 mijë metrash katrorë, ku do të ndërtohen 100 banesa luksoze, objekti do të jetë në lartësi prej 165 metrash, qendra tregtare, hotel edhe garazh do të përfshijnë 110 mijë metra katrorë në gjithsej gjashtë kate”, shkruan gazeta kroate.

Kërliu ka thënë se ky ndërtim do të jetë i standardeve të larta evropiane duke treguar se qysh tani ka numër të madh të të interesuarve për të blerë hapësira, në mes tyre edhe “Raiffeisen Bank”. Zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Muhamet Gashi, më herët pati bërë të ditur se investitorëve, të cilët kanë aplikuar për t’u pajisur me leje ndërtimi në Komunën e Prishtinës për ndërtimin e objekteve të larta me destinim të përzier, u janë aprovuar projektet ideore sipas planit rregullues në lagjen “Lakërishtë”.

Sipas Gashit, kompanitë të cilat do të investojnë në këtë projekt janë: “ENK Investitors Group”, “Dajti”, “Olti Trasing” dhe Melihate Jusufi. “Këta investitorë tani për tani janë në fazën e punimit të projekteve kryesore dhe së shpejti pritet të kthehen në Drejtorinë e Urbanizmit për të aplikuar për leje ndërtimi”, pati thënë Gashi. Projektuese e planit rregulluese është kompania CMA. Gjatë një prezantimi të saj për planin rregullues për këtë lagje është njoftuar se lagjja përbëhet prej një sipërfaqeje prej 58,64 hektarësh ku banojnë 2.017 qytetarë. Ata kanë njoftuar më parë se kjo lagje do të përbëhet prej sipërfaqes ndërtimore prej 435.294 metrash katrorë, sipërfaqe të rrugëve 151.078 metra katrorë do të ketë 5.342 apartamente ku planifikohet të banojnë rreth 21.400 banorë apo dhjetë herë më shumë se sot.

“Sipas tarifave të tanishme Komuna e Prishtinës vetëm nga lëshimi i lejeve ndërtimore këtyre investitorëve deri në fund të këtij viti do t’i inkasojë rreth 25 milionë euro. Ndërkaq gjatë realizimit të këtyre projekteve do të punësohet një numër i madh i të papunëve, do të ketë qarkullim materialesh ndërtimore etj., dhe pas përfundimit të projekteve do të krijohen shumë vende të reja pune”, pati thënë Gashi.

T.Beqaj : www.biznesi.com.al