Author Topic: Letra ku Ainshtaini qartëson relativisht këndvështrimin mbi besimin fetar  (Read 1338 times)

valbona

  • Newbie
  • *
  • Posts: 39
    • View Profile
Shkenca pa fenë është e çalë, feja pa shkencën është e verbër". Kështu tha dikur Albert Ainshtaini, ndërkohë që aforizmi i famshëm ka qenë burim debatesh të pafundme mes besimtarëve dhe jobesimtarëve.

Që të dyja palët rrekeshin t‘i interesonin fjalët e mësipërme në favor të tyre, duke e radhitur shkencëtarin më të madh të shekullit XX në anën e vet.

Një letër pak e njohur, e shkruar nga dora e tij, në një farë mënyre mund të shërbejë për ta sqaruar këtë debat - ashtu si edhe mund të shërbejë për ta ndezur edhe më tej.

Një dokument që nxirret këtë javë në ankand në Londër, pas qëndrimit për më shumë se 50 vjet në një koleksion privat, nuk lë asnjë dyshim se teoricieni fizikan nuk ishte mbështetës i besimit fetar, të cilin e konsideronte si "supersticione fëmijërore".

Ainshtaini e shkroi me dorën e vet letrën më 3 janar të vitit 1954. Ia drejtonte filozofit Erik Gutkind, i cili sapo i kishte dërguar një kopje të librit të tij "Zgjidh jetën: Thirrja biblike për revoltë". Letra u shit në një ankand gjatë vitit pasardhës dhe që atëherë ka mbetur në duar pronarësh privatë.

Në letër shkencëtari i madh shkruan: "Fjala Zot për mua nuk është gjë tjetër veçse një shprehje dhe produkt i dobësisë njerëzore, Bibla është një koleksion i vyer, por, gjithsesi, primitiv, legjenda të cilat nuk janë më shumë se fëmijërore. Asnjë lloj interpretimi, sado i hollë, nuk mund të më bëjë të mendoj ndryshe".

Ainshtaini, i cili ishte hebre dhe refuzoi një ofertë për t‘u bërë Presidenti i dytë i shtetit të Izraelit, gjithashtu hodhi poshtë edhe idenë, sipas së cilës, hebrenjtë janë njerëzit e përzgjedhur të Zotit.

"Për mua feja hebraike, si edhe gjithë të tjerat, është mishërimi i supersticioneve më fëmijërore. Ndërkohë që populli hebre, të cilit jam shumë i kënaqur që i përkas dhe që ndaj të njëjtin mentalitet, nuk ka cilësi të ndryshme nga popujt e tjerë. Duke u mbështetur te përvoja vetjake, di të them se nuk janë më të zotët se grupet e tjera njerëzore, megjithëse mbrohen nga kanceret më të këqija, falë mungesës së pushtetit. Me pak fjalë, tek ta nuk arrij të shoh asgjë ‘të zgjedhur‘".

Letra në fjalë do të shitet të enjten në shtëpinë e ankandeve "Bloomsbury Auctions" në Londër dhe pritet të lërë pas 12 mijë eurot. Dokumenti i shkruar me dorë në Gjermanisht nuk figuron mes materialeve burimore të tekstit më të arrirë akademik mbi këtë subjekt, që është libri "Ainshtaini dhe besimi fetar", i shkruar nga Maks Xhamer.

Xhon Brok, profesor në Oksford, njëherësh një nga njohësit më të mirë të jetës dhe punës së shkencëtarit hebre, pranon se nuk ka dëgjuar të flitet kurrë mbi ekzistencën e kësaj letre.

Ainshtaini njihet shumë më tepër për teoritë e relativitetit, si dhe për ekuacionin e famshëm E=mc2, i cili përshkruan ekuivalencën mes masës dhe energjisë, gjithsesi qëndrimi i tij karshi besimit fetar është bërë prej kohësh objekt debatesh në qarqe të caktuara.

Prindërit e tij nuk qenë besimtarë, por studimet fillore i kreu në një shkollë fetare dhe paralelisht mori mësime private mbi judaizmin. Një edukim i tillë dha si rezultat atë që më vonë do ta quante "parajsa fetare e fëmijërisë", periudhë gjatë së cilës respektonte rregullat fetare, siç ishte ai për të mos ngrënë mish derri. Por kjo nuk zgjati për shumë kohë dhe që në moshën 12-vjeçare nisi të ngrinte pyetje mbi vërtetësinë e disa rrëfenjave biblike.

"Pasojë e këtij qëndrimi ishte mendimtaria e lirë pozitive (një lloj orgjie), që mbërriti deri në fanatizëm, së cilës iu bashkëngjit përshtypja e fortë se të rinjtë mashtroheshin nga shteti përmes gënjeshtrave të panumërta; qe një përshtypje ngërthuese", shkroi më vonë.

Në vitet e mëpasshme foli për një "ndjesi fetare kozmike", e cila i hapi udhë dhe mbështeti aktivitetin e tij shkencor. Në 1954-ën, një vit para vdekjes, foli për dëshirën për ta "përjetuar universin si një vrimë të vetme kozmike". I pëlqente gjithashtu edhe të përdorte shprehjet fetare. Për shembull, në vitin 1926 deklaroi se "Ai (Zoti) nuk hedh zare", duke iu referuar rastësisë që parashtronte teoria e kuanteve.

Pozicionimi i tij në lidhje me çështjet e besimit fetar është keqinterpretuar gjerësisht nga njerëz që qëndronin në të dyja anët e debatit fe/ateizëm. Ndërkohë që ai vetë nuk ka pranuar të tregojë qartë nga cila anë qëndron.

"Si gjithë shkencëtarët e mëdhenj ai nuk u përshtatet asnjë prej kutizave ku duan ta vendosin polemizuesit mbi këtë çështje", tha Brok. "Për shembull, është e qartë që ushqente respekt karshi vlerave fetare të mishëruara nga traditat judaike dhe të krishtera... por ajo që kuptonte ai vetë me besim fetar ishte diçka shumë më e stërhollë nga ajo që kihet parasysh nga kjo fjalë në diskutimet e zakonshme".

Pavarësisht refuzimit kategorik të besimit fetar konvencional, shpjegon Brok, Ainshtaini u zemërua, kur këndvështrimet e tij u konsideruan nga evangjelistët si ateiste. U fye nga mungesa vullnetit të mirë nga ana e tyre dhe dikur shkroi: "Misteri i përjetshëm i botës është pakuptueshmëria e saj".



Merbraha Forum