Informatika, Kompjuteri, Interneti. > Bota e madhe e Internetit

Happy Birthday Internet!

(1/1)

valbona:


    Happy Birthday Internet!
« on: July 27, 2007, 05:00:04 PM »   

--------------------------------------------------------------------------------
Por investime të pakta shtetërore. Abissnet ofron shërbim interneti falas

Në ditët e festës së internetit, 19-21 mars, shkollat shqiptare ende në prehistorinë e mjeteve të komunikimit. Në pritje të informatizimit të shkollave, gati një projekt i Abissnet me internet falas për shkollat e mesme publike. Përfitojnë shkollat që kanë marrë investime për kompjuterë

Belina Budini - Shekulli

Ndërsa interneti është duke u bërë ndërplanetar me projektin më të fundit të NASA-s që pritet të lidhë Tokën “via internet” me Marsin dhe Hënën, në Shqipëri interneti nuk ka mbërritur ende në shkolla. Ndërsa mësimdhënia pa internet nuk perceptohet më në botën e sotme, në shkollat shqiptare mungon ende kompjuteri. Kur ritmi i teknologjive përparon me një shpejtësi të çmendur, shkollat shqiptare duket sikur kanë mbetur në prehistorinë e mjeteve të komunikimit.
Në ditët e festës së internetit, 19-21 mars, dhe në pritje të informatizimit të shkollave që është edhe një nga premtimet elektorale të cilit Berisha i ka mëshuar më fort gjatë fushatës për zgjedhjet e 3 korrikut, megjithatë tentativat e para për ta futur kulturën e internetit në shkollat e mesme kanë nisur. Duke u ndeshur, në mënyrë paradoksale, me refuzimin e disa stafeve pedagogjike edhe kur interneti ofrohet pa pagesë, si në rastin e kompanisë Abissnet, që ofron një vit internet pa pagesë për të gjitha shkollat e mesme të vendit të cilat e kërkojnë këtë shërbim.
“Ende nuk perceptohet që interneti është i dobishëm dhe stafet pedagogjike e kanë të vështirë të marrin vendime, edhe pse shërbimi me internet ofrohet falas për një vit, ndërkohë që shkollës do t’i duhej të paguante 200 euro çdo muaj për një shërbim të tillë.”, - shpjegon nëndrejtori i Abissnet, Gerti Zela, duke shtuar se nga ana tjetër shteti nuk ofron fonde për garantimin e infrastrukturës së rrjetit të brendshëm dhe kompjuterëve. Projekti “Interneti në shkollat e mesme”, ka filluar që në nëntor të vitit 2005 dhe është bërë tanimë publik, por duket se informacioni nuk mbërrin kaq shpejt në shkolla. Ndoshta edhe sepse mungon interneti, që nuk është thjesht rrjet komunikimi, por edhe media revolucionare e informimit të drejtpërdrejtë.
Do të kishte mjaftuar konsultimi i faqes në internet të kompanisë Abissnet, që shkollat të cilat kanë salla kompjuterësh, t’i shndërrojnë ato në salla të gjalla kompjuterësh nëpërmjet shërbimit falas me internet që ofron kjo kompani edhe në faqen e saj zyrtare. Kështu ka ndodhur me disa shkolla në rrethin e Fierit, atë të Korçës dhe të Elbasanit. Bëhet fjalë për disa shkolla publike si “Janaq Kilica” në Fier, shkolla e mesme bujqësore “Rakip Kryeziu” në lagjen “Çlirim” të Fierit, shkollën e mesme të përgjithshme “Lefter Talo” në Patos, qendrën sociale dyvjeçare “Murialdo”, një shkollë të mesme në Cërrik të Elbasanit dhe shkollën e seksionit dygjuhësh në Korçë.
“Këto shkolla kanë përfituar nga interneti falas, pasi kishin marrë investime në kompjuterë dhe për instalimin e rrjetit, investime këto minimale. Sidomos krahasuar me dobinë dhe rritjen e cilësisë së shkollimit, që rrit gjithashtu edhe cilësinë e tregut të punës në të ardhmen dhe përqas nivelet e nxënësve shqiptarë me ato evropianë”, - shprehet zbatuesi i projektit të Abissnet-it në shkollat e Fierit, Erion Kondi. Mësimdhënia në distancë që ende nuk perceptohet në Shqipëri, është një tjetër projekt i lidhur me zhvillimin e internetit, ashtu si edhe teknologjia tjetër e re e komunikimit, videokonferencat. Kësisoj, teknologjia ul kostot dhe të shkosh në vendin më të thellë, është si të jesh në Tiranë. Por duket se ende gjithçka është çështje perceptimi. Një fenomen i vërtetë shoqëror dhe në ekspansion të plotë në botën e sotme, interneti duket shumë i ndrojtur në Shqipëri. Njerëzimi ka bërë rrugë të gjatë në dy mijë vjet nga rrjeti postar i romakëve deri tek interneti. Teknologjia ka evoluar, por njerëzit...

Rasti
Në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier, ku ka internet 24 orë, por kufizohet shfrytëzimi nga mësuesit vetëm për orën e informatikës

Nxënësit: Duam më shumë internetin

Në shkollën e mesme të përgjithshme “Janaq Kilica” në Fier, interneti është pritur si “mesia”. Maturantët nuk i ndahen më faqes zyrtare të Universitetit të Tiranës për të marrë të rejat më të fundit në lidhje me provimet dhe rregullat e reja të konkurrimit për në universitet, ndërsa nxënësit e viteve të tjera nxjerrin nga interneti të gjitha meterialet shtesë që u duhen për letërsinë, gjuhët e huaja dhe shkencat. “Më përpara orën e informatikës e kemi zhvilluar në internet-kafe dhe nxënësit paguanin për këtë shërbim. Laboratori i informatikës me 17 kompjuterë është një shpëtim i vërtetë për ne dhe sidomos shërbimi i internetit që i ofrohet shkollës falas”, - tregon mësuesja e informatikës, Luljeta Hazisi, e cila shton se megjithatë, informatika nuk është konsoliduar plotësisht si lëndë. “Kështu, për shembull, në vitet e para dhe të dyta kemi vetëm një orë informatikë në javë që është e pamjaftueshme dhe vetëm tani kemi arritur që të programojmë dy orë për vitet e 3-a dhe të katërta. Nga ana tjetër, nxënësit e ndiejnë tepër të nevojshëm internetin, prandaj kemi planifikuar që kabineti të hapet edhe pasditeve”. Ndërsa drejtoresha e shkollës, Klarita Qyrana, mësuese fizike, tregon se kabineti i informatikës tanimë është modern dhe shërbimi i internetit ka lehtësuar shumë punën kërkimore të nxënësve. “Nxënësit kanë hapur të gjithë adresat e tyre në internet, por gjithmonë kabineti mbikëqyret nga mësuesit në mënyrë që nxënësit të shfrytëzojnë vetëm adresa të rregullta. Ky kabinet në shkollë, ku ofrohet edhe internet, është një mënyrë që nxënësit të largohen nga internet-kafetë dhe shërbime të pakontrolluara, ku për më tepër edhe paguajnë”, - thotë ajo.
Pavarësisht këtyre rregullave si edhe shtrëngesave në oraret e shfrytëzimit të internetit (një hapësirë e lirë pas mësimit vetëm nga ora 1,15 minuta deri në 2,30 minuta), nxënësit duken të kënaqur që interneti, më në fund, u ka mbërritur në shkollë.

Internet, edhe pas mësimit
“Kam kompjuter edhe në shtëpi, por nuk e kam shërbimin e internetit. Mezi e pres orën e informatikës për internetin”, - tregon Alket Dhami, një nga nxënësit më të mirë në mësime të vitit të tretë, duke shtuar se megjithatë do të donte që internetin të mund ta shfrytëzonte edhe më gjatë, pas mësimit, pasi shërbimi që ofrohet është 24 orësh, ndërsa në shkollë nuk lejohen ta shfrytëzojnë pas orës 2 e gjysmë.

Tani detyrat me internet
Një nxënëse tjetër, Aurora Hoxha, tregon se referatet në letërsi i ka shumë më të lehta për t’i përgatitur tani që materialet ndihmëse i nxjerr nga interneti, por ku tregon se azhurnohet edhe me modën dhe veshjet më të fundit, ashtu si djemtë preferojnë të lundrojnë në adresat ku marrin informacione zbavitëse për makinat dhe sportin.

INTERNETI, çfarë hapash të shpejtë!

1969 Lind Arpanet: Katër kompjuterë lidhen në rrjetin në SHBA.

1971 Ray Tomlinson shkruan programin e parë të postës elektronike (e-mail).

1973 Posta elektronike: «e-mail » përbën 75 % të trafikut të rrjetit “Arpanet”.

1974 Vincent Cerf dhe Bob Kahn krijojnë termin « Internet ».

1977 Interneti bëhet realitet

1980 Virusi i parë informatik bllokon të gjithë trafikun në rrjet

1985-2000 kompjuterët lidhen në rrjet

1990 Interneti hyn në erën komerciale. MCI dhe IBM propozojnë shërbimet e tyre për bizneset

1991 Tim Berners-Lee krijon “world wide web”, të famshmin WWW.

1994 Nis tregtia në internet.

1995 “www” bëhet shërbimi më i rëndësishëm në Internet

1996 Nis beteja e “Browsers” ndërmjet Netscape Navigator (i Netscape) dhe Internet Explorer (i Microsoft).

1999 Interneti do të bëhet ndoshta ndërplanetar: NASA nis një projekt për t’u lidhur nëpërmjet internetit me Marsin dhe Hënën.

Aktualisht: Festa e Internetit në Evropë: 19, 20 dhe 21 mars

Navigation

[0] Message Index

Go to full version