Author Topic: Dashuri pa të puthura  (Read 679 times)

valbona

  • Newbie
  • *
  • Posts: 39
    • View Profile
Dashuri pa të puthura
« on: July 30, 2007, 04:11:05 PM »
Mihal Luarasi

Shqipëria, ky vend i vogël ballkan ik, deri tani i harruar, me rreth tre milion e gjysëm banorë, ka kinematografi, paçkase në shtypin hungarez të artit të shtatë, asnjëherë nuk është dhënë ndonjë informacion për këtë!
Të parin film artistik me metrazh të gjatë, e ka xhiruar pikërisht një regjizor që ka kryer studimet në Hungari, nxënës i Felix Mariashit, Kristaq Dhamo. Qysh nga “Tana”, kështu titullohej filmi, kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë dhe Shqipëria tashmë prodhon deri në 13-14 filma artistikë në vit. Vërtet, se në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ende nuk ka fakultet të regjisurës së filmit, por shpesh studentë që kanë mbaruar për regjisorë teatri, madje edhe aktorë, nisin karierën si kineastë fillestarë në Kinostudio, pranë regjisorësh të njohur që kanë studiuar jashtë dhe, pas një praktike disa vjeçare, marrin punë si kinoregjisorë të pavarur.
Qysh kur, në fillim të viteve ’60, Shqipëria doli nga “kampi socialist”, njëherësh u shkëput edhe më fort prej Perëndimit. U izolua vullnetarisht nga bota e jashtëme. Për udhëheqësit shqiptarë, më afër atdheut të tyre ishte Kina, se çdo pjesë e Europës ku Shqipëria figuronte, gjeografikisht.
Nga B. Sovjetik dhe nga vendet e tjerë “vëllezër”, ishte e ndaluar të merrje filma, madje as të vjetrit nuk lejoheshin të shfaqeshin, sepse edhe prej tyre mund të depërtonin në ndërgjegjen e masave, ndikimet e ideologjisë revizioniste. Herë pas here, importoheshin filma nga Perëndimi (shpesh, nga neorealizmi italian), përgjithësisht, nga ata që e pasqyronin me sy kritik shoqërinë borgjeze, opse filmlimonata melodramatike. Këndvështrimet estetike, rrallë hynin në hesap.
Kuptohet, se këta filma, nuk plotësonin kërkesat e asnjërës palë në Shqipëri. As të spektatorëve, e as ato të partisë, e cila donte ta shfrytëzojë kinematografinë sipas mësimeve të Leninit, për të përhapur ideologjinë e vet. Kështu, vit pas viti, shteti shtonte fondet për Kinostudion “Shqipëria e Re”. Rrjedhimisht, të rinjtë, nuk e kishin të vështirë të merrnin punë në prodhimin e filmit artistik. Gjithkush që realizonte filmin e tij të parë, mirë apo keq, konsiderohej regjisor dhe vazhdon zanatin deri sot. Si pasojë e këtij mekanizmi, krahas disa regjisorëve të rinj të talentuar, harxhojnë celuloidin edhe një kope të patalentuarish.
*
Kokat e mençura të revolucionit komunist, qysh kohë më parë, ia patën gjetur emrin e këndshëm skematizmit. E pagëzuan “realizëm socialist”. Socreali, vuri vulën e vet, thuajse mbi të gjithë filmat shqiptarë. Mendja perverse e Enver Hoxhës, formuloi për vete, një nocion të ri estetik: ai krijim, që bart vlera të vërteta artistike, me siguri, ideologjikisht është i dyshimtë, madje me gabime. Filmi, si të gjithë artet e tjerë, ka vetëm një detyrë, “të ndihmojë partinë në edukimin e popullit”.
Në sistemin e partisë-shtet, ishte shumë e vështirë, të thyeje kornizat e realizmit socialist. Në letërsi dhe në artin figurativ, mundën ta bëjnë këtë, Ismail Kadareja dhe Abdurahim Buza që nuk ishin socrealistë, por me gjenialitetin e tyre, iu imponuan udhëheqjes dogmatike që t’i pranojë. Edhe për shkak të vetë natyrës së këtij arti, në kinematografi nuk kemi patur krijime të kalibrit të tyre. Dhe kjo, jo për faktin se Shqipëria është një vend i vogël. Shembulli i Bergmanit dhe Janços, vërteton të kundërtën.
*
Në korrikun e nxehtë të 1990-tës, u dha premiera e filmit “Fletë të bardha” i regjisorit Mevlan Shanaj, që shkaktoi një furtunë kundërshtuese, sepse ishte i ndryshëm nga filmat e deriatëhershëm. Ja fabula e tij, shkurtimisht: Një shkrimtar i famshëm, për të cilin kritikët këndojnë hosanara himnizuese, rastësisht konstaton që veprat e tij s’janë veçse krijime mediokre. Kjo e vërtetë, doli nga një veprim i të birit të shkrimtarit që, për të konkuruar në fakultetin e letërsisë, boton me emrin e vet në një revistë letrare, një novelë të vjedhur nga sirtari i punës së të atit. Familja e shkrimtarit banon në kryeqytet, kurse ai vetë, “krijon” i pashqetësuar, diku larg, në një fshat. Atje, sheh të botuar, me emrin e të birit, novelën e vet që e mbante për kryevepër. Nuk di ç’të bëjë. Ndërkohë, dolën në shtyp kritikat... “Novela e djalit të shkrimtarit të madh, nuk vlen as një grosh”.
Rreth ngjarjes kryesore, regjisori ndërthurr edhe fije të tjera. Ngatërresa familjare, zhgënjime dashurije, fate njerëzish të ndryshëm, shpërvilen para syve të shikujesve shqiptarë, me një stil befasues dhe nga një këndvështrim po befasues.
Burokratëve, gjith këto, nuk u pëlqyen. Gjë e kuptueshme, sepse filmi thotë se, në këtë vend, gjithshka është ndërtuar mbi gënjeshtrën, çdo vlerë e shpallur është e pavërtetë, shpërblehet dikush jo për meritë, por për vullnet të pushtetit.
Një kritik zyrtar, në shkrimin e tij kundër filmit, duke u shtirë sikur nuk e ka kuptuar domethënien ideoartistike, pyet regjisorin pse nuk flet qartë, pse nuk ua jep në pëllëmbë të dorës shikuesve mesazhin e tij, pse ka në film nyje të pazgjidhura dhe ky synon të dalë me to.
Meqë, në mes të vitit 1990, nuk mund të botoja një shkrim në mbrojtje të këtij filmi, i shkrova një letër të shkurtër autorëve, regjisorit dhe skenaristes (bashkëshorte). Doja të zbut sadopak hidhërimin e tyre.
Në “Fletët e bardha”, ashtu siç i takon të jetë një filmi artistik të mirëfilltë, flet figura, teksti është në plan të dytë. Aktorët këtu nuk dialogizojnë vazhdimisht, por interpretojnë. Pashë tipa njerëzorë të ndryshëm, personazhe origjinalë që më parë nuk i kisha hasur në kinematografinë shqiptare. Dialogjet, janë të shkurtër dhe, përgjithësisht, filosofikë. Gjë e rrallë tek ne.
Siç e thashë, kritika zyrtare nuk e priti mirë filmin. Por, as publikut të gjerë, tashmë konservator e i mësuar me shtampat, nuk i pëlqeu. Krijuesit u rrethuan nga një moskuptim i gjerë. Askush nuk tha se “nuk e kuptova këtë film”, por të gjithë pohonin se “filmi ishte i keq”. Ashtu siç thoshin latinët “damnant quod non intelligunt” (atë që nuk e kuptojmë, e dënojmë). Nga ana tjetër, e dimë se filmat e dobët nuk zemërojnë asnjeri, sepse bien në harresë. “Fletët e bardha” zemëruan shumë njerëz.

*
Në kinematografinë shqiptare, nuk gjen çifte që puthen. Nuk ka patur asnjëherë. Në filmat e huaj spektatori shqiptar është i lirë të shohë të puthura, në filmat e vendit, jo. Kuptohet, edhe në të huajt, puna mund të shkojë deri në një farë vendi, më tutje fillon gërshëra. Në aktakuzën kundër meje, më 1973-shin, u lexua edhe kjo fjali:”I pandehuri është tallur me filmat tanë të realizmit socialist, duke thënë se, në ta, të rinjtë dashurinë e shprehin kinezçe, meqënëse nuk puthen, ashtu siç do të dëshironte ky imoral që po gjykojmë”.

*
Do të ishte e pasaktë, sikur të pohonim, se gjendja e filmit shqiptar sot, është ashtu siç ka qenë pesë, apo edhe shtatë vjet përpara. Ndryshimi vihet re, qoftë edhe në tematikën. Sot, autoritetet lejojnë të trajtosh edhe probleme etike. Mund të bësh fjalë edhe për kuadro të korruptuar; për burokratë të mesëm apo gjysëm të lartë, që përfitojnë padrejtësisht nga prona e shtetit; për ndonjë drejtues të rëndësishëm nga ata që predikojnë “thjeshtësinë proletare” për të tjerët dhe në familjet e tyre bëjnë jetë tjetër. Këto kritika kanë s hkuar nga drejtorët e ndërmarrjeve deri tek zëvendës ministrat, madje në ndonjë rast, edhe pak më lart. Ky konsiderohet përparim i madh, po të kujtojmë kohën kur rronte Hoxha, që as një anëtar të thjeshtë partie nuk mund ta paraqiste me ngjyra negative.
Sigurisht, për përparim mund të flasim vetëm në planin e ngritjes së problemeve, jo në zgjidhjen e tyre. Konfliktet kinematografike, ende zgjidhen në kuadrin e formulave e skemave të realizmit socialist. I ashtuquajturi “negativ” ose kuadër që “ka shkelur në dërrasë të kalbur”, është i rrethuar nga personazhe “pozitivë” që e kritikojnë vazhdimisht dhe po nuk u ndreq, e shkarkojnë me urdhër nga lart, dhe në zyrën e tij luksoze, vjen një burrë plak, veteran i luftës i cili jeton në fshat, i ati i kuadrit mëkatar. Ky i fut një shuplakë të birit dhe i thotë se “është shkëputur nga populli” prandaj ka gabuar!
Në këta filma, nuk iu bëhet bisht konflikteve të vërtetë sepse mungojnë problemet në shoqërinë shqiptare, por sepse nuk janë këta problemet. Kurrë nuk është lejuar të pyesësh “përse?!”. Nuk lejohet të thellohesh për të gjetur rrënjët e së keqes dhe cili ishte shkaku që e bëri të mundur fajin. Eshtë e ndaluar të analizosh fenomene dhe të tregosh fate njerëzish realë. Ato konflikte shoqërore që shpërthyen tani në Shqipëri, as pë rsë largu nuk janë pasqyruar në kinematografinë tonë.

*
Nga gjeneracioni i dytë i kinoregjisorëve, tërheq vëmendjen me stilin e vet të veçantë dhe temat “me spec”, Kujtim Çashku. Filmi i tij Dora e ngrohtë, për herë të parë në artin kinematografik shqiptar, flet për një djalë të ri, ish i dënuar ordiner, që lirohet nga burgu dhe burokratët nuk e pranojnë rishmës “midis të gjallëve”. Një nga vlerat themelore të Çashkut është teknika e tij e montazhit, shndërrimi me ritëm të shpejtë i kuadrove nga e kaluara me ato të tashmet, që përshkallëzohet derisa koha konkrete fshihet, ngjarjet njëjtësohen. Fatkeqësisht, kjo mënyrë, në filmin e tij Vrasje në gjueti, teprohet e kthehet ën manierizëm. Filmi më i ri i Çashkut (Ballada e Kurbinit- 1990), është një afresk me frymëarrje të gjerë i mesjetës së vonët në Shqipëri ku, nëpërmjet fateve njerëzorë, rrëfehet lufta dhe fati i një kombi. Pashai i okupatorëve turq, me një plan djallëzor, përpiqet të shfarrosë popullin e krahinës shqiptare ku sundon. Me dhunë, i rekruton në ushtri gjithë të rinjtë e vendit, që të shërbejnë si nizamë për 9 vjet në shkretëtirat e Afrikës, duke luftuar për perandorinë osmane. Prej tyre, janë të pakët ata që kthehen gjallë. Vijnë invalidë, të shkatërruar nga nervat dhe sidomos, seksualisht të paaftë. Krahina shpopullohet, “rraca e keqe” po shuhet. Luftëtari invalid i filmit që kthehet nga largësitë e pamata, nuk ka ende një djalë. Tmerrohet kur mendon se mund të shuhet emri i familjes së tij. Dhe nuk vdes, deri sa djali vjen në botë. Fiton mbijetimi, vazhdimi i pandalshëm i jetës.
*
Ashtu si gjetiu, edhe në Shqipëri, shumë filma janë xhiruar mbi bazën e veprave letrare. Siç dihet, prej këtyre ekranizimeve, filma të vërtetë, dalin pak. Varianti filmik i kryeveprës me famë botërore të Ismail Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur (Kthimi i ushtrisë së vdekur- 1990), është një nga rastet fatlumë të suksesshëm. Para tre vjetësh, francezët e kthyen në film këtë roman, me Mishel Pikolin e Marçelo Mastrojanin në rolet kryesore. Para premierës, pati një interesim të madh për filmin, por edhe zhgënjimi ishte po aq i madh. Ishte një dështim. Pas kësaj, i duhej një guxim e vetësiguri e madhe regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, për ta riekranizuar romanin. Sipas zakonit të tij, edhe kësaj here, skenarin e shkroi vetë. Ndryshe nga kineastët francezë, që vendosën në qendër të filmit një nga linjat dytësore të romanit, atë të dashurisë, Anagnosti mbeti besnik i frymës tërësore të veprës së Kadaresë. Ky regjisor, që e ka filluar karierën si operator, i përket gjeneratës së parë të kinoregjisorëve shqiptarë, tregoi se është i aftë të rinovohet, të përdorë në mënyrë bindëse mjetet e kinematografisë moderne. Ky film i tij, është një punë me të vërtetë mjeshtërore. Po e theksoj krijimin e tij mjeshtëror, sepse në shumë filma shqiptarë, mungon pikërisht mjeshtëria, përkryerja profesionale, është fare i dukshëm në ta, amatorizmi.

*
Dikur, shqiptarët kanë qenë amatorë të mëdhenj të kinemasë. Më kujtohen edhe vite të atillë, kur biletat pët filmat e shquar, shiteshin nën dorë, edhe me dhjetëfishin e çmimit real. Tani sallat e kinemave, janë thuajse, bosh. Shumica preferojnë të rrinë ulur në shtëpi e të mbërthejnë sytë mbi ekranin e televizorit te programet e kanaleve italiane.
Njerëzve u kanë ardhur në majë të hundës moralizimet ideologjike, pasqyrimet bardh e zi të personazheve dhe nga heronjtë “pozitivë”.
Në të ardhmen e afërt, po qe se procesi i demokratizimit, do të sjellë liri të vërtetë krijimi, po të zhduket censura e partisë-shtet, edhe më tej do të vazhdohet përpjekja për të shrrënjosur kolerën më të rrezikshme që ka hedhur rrënjë në gjakun e kineastëve shqiptarë nën diktaturën afro 50 vjeçare, autocensurën.
Vetëm atëhere mund të shohim saktë, çfarë dinë të bëjnë, për çfarë janë të aftë kineatët e talentuar shqiptarë.


Korrik 1991