Author Topic: NGA HUMORET E GALLAPIT  (Read 557 times)

shaban cakolli

  • Sr. Member
  • ****
  • Posts: 301
    • View Profile
    • Email
NGA HUMORET E GALLAPIT
« on: February 11, 2011, 09:57:27 am »
Lajmi i fundit:

      NË  GJILAN U THEMELUA EDHE NJË SUBJEKT I RI POLITIK  UBK

Shkruan: Demir KRASNIQI

      Në  kuadër të festave të fund-vitit , në sallën opozitare të Hotelit “Kristal” në Gjilan, u mbajt Kuvendi Konstituiv i themelimit të një subjekti të ri politik, i quajtur shkurtimisht UBK, që do të thotë :Unioni i Badihavxhinjëve të Kosovës .

      Në  sallën opozitare , të përmbushur përplot me anëtarë  , militantë e simpatizant të kësaj Partie, me duartrokitje të ngrohta frenetike dhe me brohoritje të parullës:UBK!UBK!- u mirëprit hyrja në sallë e iniciatorit të themelimit të kësaj Partie, zotëriut Xhambaz Kanunxhija .

      Pa humbur kohë, z. Kanunxhija doli në krye të tribunës dhe zuri vendin para mikrofonave, ku menjëherë iu drejtua të  pranishmëve në sallë:

      Të  nderuara zonja dhe zotërinj – simpatizantë dhe militantë të UBK-së!

      Duke i parë nevojat dhe trendët e kohës, jemi mbledhur sot këtu në këtë sallë impozante opozitare, për të  mbajtur Kuvendin themelues të një subjekti të ri politik, i cili do të quhet:Unioni i Badihavxhinjëve të Kosovës, apo shkurtimisht:UBK!

      Për mbarëvajtjen e këtij Kuvendi, Këshilli nismëtarë i kësaj partie, ka paraparë këtë rend dite të punës:

         1. Zgjedhja e Kryetarit të kësaj partie,
         2. Shpalosja e programit të partisë UBK dhe
         3. Kush do t’ i fitojë zgjedhjet sivjet në Kosovë?

 

      Kalojmë  menjëherë në pikën e parë të rendit të  ditës!

      Të  gjithë ju që jeni prezent në këtë Kuvend, me vota të fshehta do ta zgjidhni atë që mendoni se do t’i plotësojë më së miri kushtet, nevojat dhe kërkesat tuaja , për Kryetar të kësaj partie me mandat 4-vjeçar!

      Votojmë  tash !

      Pas votimit të fshehtë dhe numërimit të votave tuaja, u konstatua se unanimisht për Kryetar të UBK-së, me mandat 4- vjeçar, u zgjodh zotëriu: Xhambaz Kanunxhija !

Masa e tubuar në sallë, brohorasin:

      UBK!UBK!UBK!...

Kryesuesi :- Ju faleminderit për votëbesimin e dhënë dhe menjëherë  do të kalojmë në pikën e dytë të rendit të ditës:

      Shpalosja e programit të partisë  UBK

      Kryesia e punës së Unionit të Badihavxhinjëve të Kosovës, në gjirin e saj ka angazhuar ekspertë profesionistë të lëmenjve të ndryshme , të cilët në mënyrën më të mirë të mundshme e kanë përgatitur edhe Programin e Punës së kësaj partie .

Kështu që  , tani do të shpalosim radhazi pikat kyçe të këtij Programi:

            Ekonomia 

   Në  rend të parë, UBK-ja do të kujdeset për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të popullatës, për të cilët do të angazhohet që të krijojë sa më shumë papunësi, nga se kjo popullatë është lodhur nga punët e rënda fizike, luftërat dhe sëmundjet e ndryshme kronike!

   Partia jonë, do të angazhohet që sa më shpejt që është  e mundur, të shiten fabrikat dhe pasuritë tjera të  palëkundshme të Kosovës !

   Me paratë e fituara nga këto shitje, ne do të angazhohemi që në vend të tyre, të hapim sa më shumë  hotele, restorante dhe kafene , në mënyrë që klasa jonë punëtore e lodhur dhe e dërmuar nga puna, të ketë sa më shumë vende për pushime, komoditete  dhe ahengje, ku do të pushojnë e ç’ lodhën për çdo ditë, duke pirë makiato, kos Malisheve, çaj Kamenice, duke e qitur këmbën mbi këmbë dhe duke dertuar me njëri – tjetrin për të gjitha gajlet e dynjasë !

            Tregtia 

   Sa i përket zhvillimit të tregtisë, UBK do të angazhohet që të zhvillojë biznese të suksesshme përmes kontrabandës me pije alkoolike, duhanit, bimëve narkotike, me armatim, maska, mjete piroteknike , me qenie njerëzore dhe me eksportimin e organeve njerëzore !

               Turizmi

   Në  lëmin e turizmit, UBK do të angazhohet që ta zhvillojmë  një turizëm aq të fortë vendor, sa që bota do të na e ketë lakmi!

   Bie fjala, Konakun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do ta shndërrojmë në restorant “Konaku”, ku të gjithë turistët e huaj do të kenë mundësi që të pushojnë aty duke pirë makiato dhe qumësht të prodhimeve vendore ! Një kafene të këtillë , do ta hapim edhe tek Tyrbja e Sulltan Muratit, kurse të gjithë mysafirët që do t’ na vijnë nga jashtë, do t’i çojmë për t’u falur e lutur para Zotit, në xhaminë e Sinan Pashës në Prizren, në xhaminë e Sulltan Muratit në Prishtinë, në Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës, në kishën e Prizrenit ...etj. etj.

               Bujqësia 

   Për zhvillimin e bujqësisë, partia jonë UBK, do të angazhohet që në tokat e dikurshme të bukës, të ndërtojë  sa më shumë shtëpi, banesa, pompa benzine, hotele, restorante,kafene... por nëse nuk arrin brenda katër viteve t’i mbulojë të gjitha fushat e Kosovës, atëherë do të kujdeset për kultivimin e bimëve të egra , si:thera, kaça, kërpnaja, fieri, mana, kulumrija, glloga, kaçuba, çufraja , zabele...etj. etj.

   Për t’u zhvilluar me sukses bimët e cekura më lartë, UBK do të kujdeset për eliminimin e shtazëve shtëpiake, si që janë: lopët, kuajt, delet, dhitë, nga se partia jonë ka para sysh  rrezikun dhe dëmet që mund t’ua sjellin këto kafshë bimëve të lartcekura !

               Pylltaria

   Rëndësi të posaçme , UBK do t’i kushtojë zhvillimit dhe ruajtjes së pylltarisë.

   Në  to nuk do lejojnë që të sorollaten kurrë rojtarët e pyllit, por kujdesin për to do ta marrin në duar vet organet tona përkatëse , të cilat ato do t’i presin në vazhdimësi, do t’i shesin, do t’ i  djegin, në mënyrë që të mos kenë mundësi të na fshihen ma nëpër to bishat e egra, ujqit , arinjtë, dhelprat, derrat e egër...etj. etj.

               Minierat 

   Sa i përket pasurive nëntokësore siç janë minierat , UBK në programin e vet, ka paraparë që ato ose të  mbyllen sa më shpejt, ose t’i shiten dikujt në botën e jashtme, nga se ato po na sjellin rreziqe permanente, ku mund të na mbyten  njerëzit tanë nëpër zgafella, por edhe bagëtia mund ta humbin rrugën dhe të hyjnë gabimisht brenda galerive të tyre dhe të na mbesin atje!

               Energjetika

   Të  njëjtën gjë, UBK e ka menduar edhe për zhvillimin e energjetikes, ku do t’i mbyllim të gjitha termocentralet dhe hidrocentralet, nga se ato po na e ndotin ajrin, ambientin dhe arat e bukës! Bile, do t’i mbyllim urgjentisht edhe liqenet akumuluese të hidrocentraleve, nga se atje po na shkojnë fëmijët dhe të rinjtë gjatë verës për t’u larë e freskuar në to, por shumica prej tyre po na mbyten në ujë, nga se nuk po dinë as të notojnë ! Kështu që, e kemi paraparë që më mirë është të ndriçohemi me qirinj e me llamba të vajgurit, se sa me drita elektrike !

               Shëndetësia 

   Në  lëmin e shëndetësisë , UBK ka bërë një plan shumë  të fortë dhe efikas për kujdesin dhe ruajtjen e sigurt të shëndetit të qytetarëve .

   Për të pasur sukses të padiskutueshëm në ruajtjen e shëndetit të popullatës sonë, UBK në programin e vet afatgjatë, ka paraparë që t’i mbylli urgjentisht spitalet, klinikat , ambulancat,  barnatoret dhe do t’ua ndalojë punën mjekëve !

   Kjo do të bëhet , nga arsyeja se shërimi , mjekimi, barërat, po kushtojnë shumë shtrenjtë dhe nuk po kanë sukses!

   Gjatë  mandatit tonë, UBK do të angazhohet që të sëmurët e vet t’iu drejtohen për shërim hoxhallarëve, shehlerëve, fallxhinjve , magjistarëve, tyrbeve, hajmalive etj. Kurse, në vend të barërave, pacientët tanë do të shërohen me bimë të ndryshme, ujëra të tyrbeve, dheun e varreve ...etj.

               Arsimimi 

   Me përkushtimin më të madh, UBK do të angazhohet në  avancimin dhe ngritjen e nivelit të arsimimit te të rinjve . Partia jonë, nuk do të lejojë që rinia jonë të maltretohet duke humbur kohë e mund nëpër shkolla, fakultete, internate, udhëtime e shpenzime marramendëse, por do të angazhohemi që të gjitha diplomat t’i marrim me para të gatshme për çfarëdo profesioni që e preferojmë dhe me ato diploma do të gjejmë punë të sigurta, pozicione dhe poste të larta në shoqërinë tonë demokratike .

               Kultura

   Edhe zhvillimit të kulturës sonë, UBK do t’i kushtojë rëndësi jashtëzakonisht të madhe.

   Do të angazhohemi që të blejmë sa më shumë  tupanë e surlja dhe me to të defilojmë kurdoherë nëpër rrugë, sheshe, fshatra, qytete, koncerte, festivale, shou programe, syneti, fejesa, martesa, ramazane, bajrame...dhe kështu shumë shpejt do ta zëmë vendin e parë në botë me vlerat tona artistike tradicionale.

   Kur jemi tek kultura, UBK ka menduar edhe për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore, ku do të kujdesemi për ruajtjen e rrotave të qerreve, qerret, sajat, zjellat, gërbulat , parmendat, plugjet , shatin, tërrnakopin, gardhiqet , tarabat ...etj.

               Sporti 

   UBK, nuk do ta lënë anash kurrë as zhvillimin dhe kultivimin e sporteve të ndryshme. Sidomos, rëndësinë më të madhe do t’ia kushtojë zhvillimit të futbollit dhe boksit, sporte këto që do t’i zhvillojë madje edhe nëpër fshatrat rurale, ku të rinjtë do të stërviten se si mund t’iu përballojnë hunjve shpinës dhe grushteve hundës !

   Do ta zhvillojmë shumë edhe sportin e vrapimeve, nga se të  rinjtë me anë të stërvitjeve të këtij sporti, do të fitojnë energji dhe përvojë se si mund të  ikin ma shpejt nga vendi i rreziqeve të ndryshme, sidomos gjatë vjedhjeve !

               Marrëdhëniet me botën e jashtme

   Kaptinë  e veçantë në programin e UBK-së, pa dyshim është  Sektori për Marrëdhëniet me Botën e Jashtme .

   Ne, në vazhdimësi do të kujdesemi që të kemi marrëdhënie të mira dhe miqësi të ngrohtë me të gjitha shtetet e botës së jashtme. Ata, nuk do t’i hidhërojmë kurrë, as nuk do t’i  lëmë që të mërziten nga se janë larg familjeve të tyre.

   Për t’ua lehtësuar këtë mall, UBK do të angazhohet që t’ua heq mërzinë duke i argëtuar me femrat më të bukura që i ka Kosova, mirëpo në rastet kur prej tyre ka ndonjë individ që nuk i do femrat, atëherë edhe ne meshkujt që jemi nëpër poste të larta , do t’ua kthejmë prapanicat dhe nuk do të kursejmë asgjë për disponimin sa më të mirë të tyre!

               Korrupsioni

   Dhe krejt për fund, UBK në programin e vet afatgjatë politik, ka paraparë që t’i shpallë luftë të rreptë korrupsionit , për të cilin do të ketë zero tolerancë!

    Por, në vend të kësaj , do ta stimulojmë vjedhjen dhe hajninë profesionale, nga se ne si UBK që nuk e preferojmë punën, duhet të sigurojmë të ardhura dika!

   Për ndryshe , nuk mund të sigurojmë kushte për një jetë  normale të sefallëkut !

   Pra, do të angazhohemi që ai person që vjedh dhe lejon veten që të kapet nga dikush, ne do ta dënojmë ashpër  dhe do ta largojmë menjëherë nga partia jonë!

   Ky pra ishte draft programi i Unionit të Badihavxhinjëve të  Kosovës .

   Kush është PRO aprovimit të këtij programi, le të dëshmohet me ngritjen e dorës përpjetë !

      Ju faleminderit !

   Pra, konstatojmë se Draft – Programi i UBK-së, u miratua unanimisht nga të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm, pa asnjë votë kundër!

            Tani po kalojmë në pikën e –III-të rendit të ditës!

   Për këtë pikë të rendit të ditës, kemi paraparë  një debat të hapur publik me të gjithë anëtarët e partisë UBK-së, ku do të debatohet në pyetjen tonë:

            Kush do t’i fitojë zgjedhjet e sivjetme në Kosovë?

   Ju njoftoj se secili prej jush që do ta marrë fjalën për diskutim, duhet të prezantohet me emër e mbiemër dhe cilën degë të UBK-së , e përfaqëson!

      Fillojmë me pyetjen e parë, të këtij debati:

            A do t’i fitojë votat e elektoratit PDK-ja dhe Hashim Thaçi?

Lajmërohet diskutuesi i parë:

   -Unë , quhem Habib Shkrumbi  dhe jam përfaqësues i  degës së Mëhallës së Shkrumbave .

   Unë, nuk besoj se PDK-ja dhe Hashim Thaçi do t’i fitojnë këto zgjedhje, nga se ata po i vjedhin ashiqare votat e elektoratit !

            A do t’i fitojë votat e elektoratit LDK-ja dhe Isa Mustafa ?

Lajmërohet diskutuesi i dytë:

   -Unë, quhem Shaban Langu dhe jam përfaqësues i degës së Mëhallës së Langut.

   LDK-ja dhe Isa Mustafa nuk mund t’i fitojnë votat e elektoratit kurrë, nga se kam dëgjuar se Isa Mustafa, dikur kishte qenë komunist i thellë në regjimin komunist !

            Po çka mendoni për LDD-në dhe Nexhat Dacin?

Lajmërohet diskutuesi i tretë:

   -Unë , quhem Sadik Berbati dhe jam përfaqësues i degës së UBK-së, nga Mëhalla Harabati!

   Jo, more zotëri! LDD-ja dhe Nexhat Daci, nuk mund t’i fitojnë votat kurrë më, nga se qatë ditë që t’ i  thyhen syzat dhe dhëmbët Nexhat Dacit, duke i mëshuar tavolinës me grusht, menjëherë do të korruptohet dhe me paratë e shtetit do t’i ngjet dhëmbët tjerë dhe syzat tjera !

      Po , a do t’i  fitojë pra zgjedhjet AAK-ja e Ramush Haradinajt?

Fjalën për diskutim e mori diskutuesi i katërt:

   -Unë, quhem Gjelosh Pula dhe jam përfaqësues i degës së UBK-së, nga Mëhalla e Pulaxhinjve !

   Sa i përket AAK-së dhe Ramush Haradinajt, nuk besoj se mund t’i fitojnë zgjedhjet kurrë, nga se Ramushi  është në Hagë e kësaj pune i thonë:”Peshku n’ deti e fërterja n’ zjarr !”

            Çka mendoni për AKR-në dhe Bexhet Pacollin?

Fjalën e mori diskutuesi i pestë:

   -Unë, quhem Grepc Rrëjepci dhe jam përfaqësues i degës së UBK-së, nga Mëhalla e Rrëjepcave !

   AKR-ja dhe Bexhet Pacolli, nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet kurrë, se po thonë se Bexhet Pacolli është përfaqësues i KGB-së ruse dhe UDB-së serbe për Kosovë!

    Bile, po thonë se është edhe dhëndër i Taxhikistanit !...

            Po , a do t’i fitojë zgjedhjet pra Lëvizja “Vetëvendosje “ e Albin Kurtit ?

Për diskutim e mori fjalën diskutuesi i gjashtë me radhë:

      -Unë , quhem Zabun Zhguni dhe jam përfaqësues i degës së UBK-së, nga Lagja e Zorraxhinjve !

      Dielli e Hëna pa ra në tokë, nuk fiton “Vetëvendosja”, as Albin Kurti!

      Për Albin Kurtin , po thonë se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbe deri në vitin 2004, e pastaj na ka trishtua duke i gjuajtur me vezë ndërkombëtarët. Na ka fikë me kashtë duke ua hedhë nëpër oborre institucioneve të larta. Na ka tmerrua duke ua rrotullua veturat UNMIK-ut dhe EULEX-it!...

E ai, po bëri e i fitoi zgjedhjet, do të na rrotullojnë të gjithëve me rend dhe do t’ na qesin në det për t’ a bashkuar Detin Adriatik me Kosovë!

      Atëherë, a mendoni se do t’i  fitojë zgjedhjet “FER-i”, pra me në krye Shpend Ahmetin?

E ngriti dorën diskutuesi i shtatë me radhë dhe tha:

   - Unë, quhem Qeskin Haxhiu dhe jam përfaqësues i degës së UBK-së në Lagjen e Lëkuraxhinjëve !

   Sa i përket FER-it me në krye me Shpend Ahmetin, mendoj se kurrë  nuk do të ketë shans që t’i fitojnë zgjedhjet , se ata po bëri e u mblodhën të gjithë së bashku dhe na fryjnë neve përpara, atëherë do të na merr era dhe do të na bartë deri në shkretëtirat e Saharës !...

Kryetari i UBK-së, Xhambaz Kanunxhija  e mori fjalën përfundimtare dhe tha:

      -Atëherë me kaq,  po e përmbyllim debatin dhe Kuvendin e sotshëm!

Njëherësh, në bazë të diskutimeve tuaja, mund të konkludojmë se partia jonë UBK, qenka më e mira, më e forta dhe më e madhja në vend !

Kjo na jep kurajë se në zgjedhjet e ardhshme ne do të fitojmë bindshëm dhe do ta marrim në duart tona qeverisjen e Kosovës !

      Mirë  u pafshim në takimet tona të ardhshme !

Gjilan, më 07.01.2011.  DEMIR KRASNIQI

Merbraha Forum

NGA HUMORET E GALLAPIT
« on: February 11, 2011, 09:57:27 am »