Author Topic: Partizani-Vllaznia, sherr për Leandron  (Read 2107 times)

edmiri

  • Newbie
  • *
  • Posts: 8
    • View Profile
    • Email
Partizani-Vllaznia, sherr për Leandron
« on: July 31, 2007, 03:45:36 pm »
Nënshkrimi i futbollistit brazilian Leandro, me Partizanin, është vënë në dyshim, të paktën deri më 10 tetor. Sipas burimeve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, mesfushori brazilian është në kontratë me Vllazninë dhe nuk mund të luajë me ndonjë skuadër tjetër deri në këtë datë. Kanë qenë pikërisht drejtuesit e Vllaznisë, që kanë paralajmëruar drejtuesit e FSHF-së për këtë problem. Leandro është në bisedime me klubin e kuq, madje, është pritur mbërritja e tij në Tiranë dje në orët e vona, por, me sa duket, ndarja me Vllazninë nuk është bërë prej "xhentëllmenësh". Duke qenë se ai është ende nën kontratë me Vllazninë, drejtuesit shkodranë nuk dëshirojnë që ai, të paktën deri në tetor, kur i skadon kontrata, të aktivizohet me ndonjë skuadër tjetër.
I pyetur për këtë problem, presidenti i Partizanit, Albert Xhani, ka reaguar menjëherë: "Nuk e di nëse ekziston ky problem. Sapo kam folur me drejtuesit e federatës dhe nuk ma trajtuan në këtë mënyrë problemin. Leandron askush nuk mund ta pengojë, sipas rregullave të UEFA-s, të luajë me Partizanin. Kontratat e futbollistëve me klubet shqiptare skadojnë më 31 maj, prandaj Leandro nuk mund pengohet të jetë i kuq".
Nuk është hera e parë që Partizani ka hasur probleme me nënshkrimin me futbollistët që kanë luajtur më parë me shkodranët. Mjafton të kujtojmë peripecitë e Sasha Delainit, para disa sezoneve, kur mbërriti te Partizani nga radhët e Vllaznisë. As gjyqi nuk e zgjidhi dot këtë problem, kështu që Delaini mundi të luante përsëri me Partizanin vetëm pas një sezoni. Rasti më i freskët është ai i Skerdi Bejzades. Kontrata e tij e saponënshkruar me Vllazinë, nuk e lejon t'u bashkohet të kuqve, me gjithë dëshirën e tij dhe të presidentit Xhani. Sidoqoftë, pengesat që mund të nxjerrin shkodranët për kalimin e Leandros te Partizani, e kanë nevrikosur jo pak njëshin e të kuqve.

Të kuqtë, dje, vetëm një seancë nga Kodrat
Zhvillimi i takimit miqësor me Dajtin ka bërë që Bajko një ditë më pas të zhvillojë vetëm një seancë stërvitore. Të kuqtë kanë harzhuar shumë energji gjatë fillimjavës, pasi Bajko u ka dhënë ngarkesë të lartë fizike; për këtë arsye, ishte menduar që dje të zhvillohej vetëm një seancë shkrythëse nga Liqeni. Rreth orës 9:30 të gjithë futbollistët dhe stafi teknik janë grumbulluar pranë "Juvenilies", ku, për rreth 1 orë kanë zhvilluar vrapime të lehta dhe ushtrime aerobike. Ndërsa sot, intensiteti i stërvitjes do të jetë më i lartë, vëmendja do të përqendrohet në lojën me top.

Rikthehet problemi i terreneve
Reshjet e djeshme të shiut u kanë hapur shumë probleme të kuqve për sa i përket kushteve të stërvitjes. Në klubin e kuq nuk ka asnjë fushë me bar, kështu që vetëm disa minuta shi me rrëmbim, bënë që ato të jenë të papërshtatshme për stërvitje. Ky është një problem i trashëguar në kampin e kuq, që kërkon investime të mëdha për t'u zgjidhur. E njëjta situatë është vënë re edhe gjatë sezonit të kaluar, madje, për këtë arsye, Starova e spostonte stërvitjen në kompleksin e Kamzës. Për rreth 7 muaj Partizani është detyruar të udhëtojë shpesh për në Kamëz, pasi ishte e pamundur t'i stërvisje futbollistët në fushat e baltosura. Për të shmangur udhëtimet e shpeshta në Kamëz, të kuqtë zhvillonin më shumë seanca stërvitore në palestër. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë edhe sivjet do të përsëritet e njëjta histori. Por, a do ta lejojnë drejtuesit e federatës Partizanin të stërvitet në Kamëz?

Brazilianët, nga Turqia në Tiranë
Futbollistët brazilianë, Kardek e Leandro, janë pritur të mbërrijnë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Sipas presidentit Xhani, që ka komunikuar vazhdimisht me futbollistët në fjalë, ata kanë kaluar pushimet në Turqi dhe do të mbërrinin rreth orës 23:30 të ditës së djeshme. Mjaft i interesuar për ardhjen e tyre është trajneri Bajko, që kërkon t'i ketë në dispozicion futbollistët cilësorë brazilianë. Ndërsa Fabiano ka saktësuar përmes telefonit se më 20 gusht do të jetë në Tiranë.

edmiri

  • Newbie
  • *
  • Posts: 8
    • View Profile
    • Email
Re: Partizani-Vllaznia, sherr për Leandron
« Reply #1 on: July 31, 2007, 03:46:16 pm »
Fushaj: Do ta gjej edhe sulmuesin e vërtetë
Gjergj Kola


I entuziazmuar nga ecuria e deritanishme e punës së tij në krye të Vllaznisë (ngaqë thuajse i ka realizuar të gjithë premtimet që kishte bërë në momentin e zgjedhjes së tij president i kësaj skuadre), Valter Fushaj, ka bërë realitet edhe një tjetër blerje të rëndësishme për skuadrën që ai sponsorizon. Klevis Dalipi, në mbrëmjen e së mërkurës, ka firmosur kontratën njëvjeçare me kuqeblutë. Më shumë sesa lojtari, është dukur i kënaqur vetë "bosi" i skuadrës shkodrane, sepse i bëri një tjetër dhuratë të këndshme trajnerit, Ulrih Shulze. Po atë ditë, pjesëtari i firmës "Colosseu" që këtë sezon ka marrë përsipër financimin e Vllaznisë, sapo ishte kthyer nga një udhëtim, fillimisht në Gjermani për të vëzhguar skuadrën në stërvitje e më pas në Itali, ku ka porositur një autobuz komod për ekipin, autobuz që pritet të mbërrijë në Shkodër para fillimit të kampionatit. Dhe me t'u kthyer, ai ka nxituar të hedhë firmën në kontratën e elbasanasit, Klevis Dalipi. "Jam i kënaqur që bëra realitet edhe ardhjen e Dalipit te Vllaznia, sepse kësisoj i plotësova edhe një kërkesë tjetër trajnerit Shulze. Vendosëm për këtë lojtar, ngaqë ai mund të luajë fare mirë si në sulm ashtu dhe në mesfushë, dhe për rrjedhojë, plotëson kështu një nga nevojat e skuadrës," ka thënë Fushaj, menjëherë pas firmosjes së kësaj kontrate në zyrën e tij.
Por nga ana tjetër, merkatoja e skuadrës shkodrane ende nuk është mbyllur, megjithëse para pak kohësh u deklarua që ekipi do merrte formën e tij të plotë më 10 gusht. Kjo datë ka përkuar me ditën e djeshme, gjithsesi ende asgjë nuk ka përfunduar. Ajo çfarë kërkohet tani me ngulm nga të gjitha palët është edhe gjetja e një sulmuesi tepër cilësor. Ditët e fundit, është lakuar edhe emri i Indrit Fortuzit dhe presidenti i Vllaznisë e pranon që ka pasur kontakt me këtë futbollist, por çdo gjë do të sqarohet në ditët e ardhshme në lidhje me ofertën e tij ndaj lojtarit dhe po ashtu edhe pretendimet e "Zogut". Po ashtu, drejtuesit e Vllaznisë nuk po lënë as pistat e tjera. Sipas numrit 1 të klubit shkodran, përpjekjet për të gjetur edhe një sulmues do të vazhdojnë deri më 25 gusht, që është dhe dita e fundit e mbylljes së merkatos. "Për deri sa na mungon vetëm një lojtar, nuk ka pse të nxitohemi për ta gjetur shpejt. E rëndësishme është të marrim sulmuesin më të mirë të mundshëm. Këtë gjë madje ua premtoj tifozëve të skuadrës sonë dhe kam për të sjellë një lojtar shumë të mirë. Për këtë jemi duke punuar në disa pista, ku përveç lojtarëve të kampionatit tonë, kemi si objektiv të shohin edhe dy serbë. I rëndësishëm besoj se është fakti që deri në periudhën e mbylles së merkatos, Vllaznia do të jetë ajo skuadra që duan të gjithë," ka shtuar Valter Fushaj.
Në këtë mënyrë, tifozëve shkodranë, por edhe trajneri Shulze, i duhet të presin edhe disa ditë. Presidenti i tyre deri tani ka treguar se di ta mbajë fjalën e dhënë, prandaj tashmë të gjithë duan që të shohin të veshur kuqeblu edhe sulmuesin cilësor të shumëpritur. Me ardhjen e tij kuqeblutë do të mbyllnin merkaton, por nuk është çudi që në ditët e ardhshme të ketë edhe ndonjë surprizë tjetër, që ka të bëjë me afrimin edhe të ndonjë mesfushori.

Leandro s'mund të firmosë me Partizanin
Lajmi se braziliani Leandro ka mbërritur dje në Shqipëri, për t'u bashkuar me ekipin e Partizanit, i ka shqetësuar jo pak drejtuesit e Vllaznisë. Kështu, presidenti Valter Fushaj, ka bërë të ditur dje se do të ndërhyjë në mënyrë, që ky futbollist të mos luajë në asnjë skuadër tjetër. Por nëse kjo ndodh, atëherë lojtari duhet të paguajë një shumë të konsiderushme parash në arkën e klubit shkodran. "E kemi thënë disa herë, që Leandro ka kontratë me Vllazninë deri më 31 tetor të këtij viti. Kështu, nëse Leandro do që të luajë me Partizanin, mund ta bëjë këtë fare mirë, por me një kusht që të paguajë për klubin tonë atë shumë parash që na detyrohet në rast të prishjes së kontratës. Me këtë rast, dua të jap një paralajmërim edhe për klubin e Partizanit që të mos firmosë asnjë kontratë me këtë lojtar, pasi në rast të kundërt do ta hedhë në gjyq atë dhe Leandron njëkohësisht," thotë Fushaj.
Në këtë mënyrë, kur vetë shkodranët duket se kanë hequr dorë nga shërbimi i këtij lojtari, ngaqë ai nuk është bashkuar në stërvitje me kuqeblutë, gjithsesi ata nuk duan ta lënë të largohet aq lehtë.

Projektohet edhe një miqësore me Buduçnostin
Në ditët e javës së ardhshme, dhe më konkretisht të mërkurën, Vllaznia pritet të zhvillojë një tjetër takim miqësor. Kundërshtari i radhës mendohet të jetë ekipi më i njohur i Malit të Zi, Buduçnost i Podgoricës. Bisedimet për këtë çështje thuajse janë mbyllur me drejtuesit e klubit malazez, por ajo që ka mbetur pa u saktësuar është fusha ku mund të luhet ky takim. Kjo, pasi në Shkodër, fusha e "Loro Boriçit", është në rikonstruksion në pjesë të veçanta të saj, ndërkohë që një mundësi është edhe zhvillimi i saj në qytetin e Zetës, në Mal të Zi, por edhe në Tuz. Gjithsesi kjo do të sqarohet në ditët e ardhshme.
Kjo miqësore do të jetë e dyta pas kthimit nga Gjermani, pasi e para do të jetë ajo e së shtunës kundër ekipit përfaqësues Shpresa të drejtuar nga Artan Bushati. Trajneri i Vllaznisë, Ulrih Shulze, i ka kërkuar me instistim këto miqësore, pasi do t'i shërbejnë për të parë më mirë gjendjen e futbollistëve të tij. Kjo edhe ngaqë skuadra ka ardhur duke u plotësuar rrugës dhe vetëm në këto ndeshje do të ketë mundësi të shohë edhe dy nga blerjet e fundit të kuqebluve, Bejzaden dhe Klevis Dalipin.
__________________
QUESTO PICCOLO GRANDE AMORE

Merbraha Forum

Re: Partizani-Vllaznia, sherr për Leandron
« Reply #1 on: July 31, 2007, 03:46:16 pm »