Gëzuar Ditëlindjen Romë: Sot më 21 prill 2020, Qyteti i Amshueshëm shënon 2773 vjetorin e themelimit-MMDCCLXXIII Dies Romana!

Nga Jahja Drançolli

Megjithë pandeminë që është duke dominuar Italinë, Roma, ende feston 21 prillin duke respektuar kështu traditën e themelimit të qytetit nga Romuli (Romulus), pikërisht në këtë ditë të vitit 753 para erës tonë. Ditëlindja e Romës u kujtua që në kohëra të lashta nga banorët e saj me një aheng të quajtur ‘Palilia’. Legjenda që qëndron pas kësaj feste u popullarizua nga Marco Terenzio Varrone, shkrimtar i Romës së lashtë, i cili tregoi sesi Romuli themeloi qytetin më 21 prill 753 para erës tonë, një datë në të cilën miku i tij Lucius Tarutius arriti përmes llogaritjeve të ndërlikuara astrologjike. Për një kohë të gjatë, kronologjia romake varej pikërisht nga data e themelimit, e cila shënoi vitet përmes frazës latine “Ab Urbe Condita” (“Themeli i qytetit”).

Ditëlindja e Romës vazhdon të jetë ende një datë simbolike për romakët, si dhe entuziastët pushtues të historisë, të magjepsur nga origjina e saj legjendare.

Të tërheqë vëmendjen fakti se historianët grekë (edhe pse të vetëdijshëm për ekzistencën e Romës shumë kohë më parë), ata nuk shkruanin me përkushtim për Romën deri në kohën e Luftës Pyrrike. Në përputhje me zakonin e tyre për të shpjeguar origjinën e popujve të huaj që ata hasën duke i lidhur ato me bredhjet e një prej heronjve të tyre mitikë, si, Jason dhe Argonautët, Herkuli, ose Odiseu, historianët grekë nga shekulli 5 para erës tonë kanë shpikur të paktën 25 mite të ndryshme për të dhënë llogari për themelin e Romës. Në një nga rrëfimet më të hershme ndeshim te Hellanicus i Lesbos-it (480- rreth 395 para erës sonë), një historian grek, vepra e të cilit shënon një përparim në zhvillimin e historiografisë. Sipas veprës së tij “Hiereiai tes Heras en Argei” (“Priftërinjtë e Herës në Argos”), është pohuar se, heroi trojan Enea dhe disa ndjekës i shpëtuan shkatërrimit grek të Trojës, dhe, pasi bredhin nëpër Mesdhe për disa vjet, ata u vendosën në Italinë qendrore, ku u martuan me popullsinë vendase dhe u bënë latinë.

Analet romake ndërkaq lidhin themelet e Romës me ardhjen e trojanëve (të udhëhequr nga Enea) të shoqëruar me themelimin e Alba Longa, qytet i lashtë në Latium. Nëse përjashtohen elementë të legjendës, mbetet fakti se vendbanimet e para në kodrat përgjatë bregut të lumit Tiber u themeluan nga fise nomade nga Kodrat Albani (Colli Albani), qysh në epokën e hershme të hekurit. Sipas zbulimit të mbetjeve të kasolleve eliptike dhe drejtkëndëshe nga fundi i shekullit IX dhe fillimi i shekullit VIII para erës tonë, kodra më e hershme e banuar ishte Palatin. Ajo përmbante vendbanimin më të vjetër në Romë (quadrata Roma), e cila, sipas traditës, u themelua nga Romulus në vitin 753 (p. e.s.), si dhe faltoret më të vjetra romake: Luperkal, ku, sipas traditës, ujku ushqen vëllezërit binjak Romulus dhe Remus, shtëpinë e Romulus-it, faltoren e perëndeshës Pales, etj. Rrafshina në rrëzë të Palatinës jashtë qytetit, e quajtur foris, shërbeu që nga fillimi për djegien dhe varrosjen e të vdekurve, dhe më vonë si sheshi kryesor romak (Forum Romanum, Forum). Nga viti 650 (p. e. s.), ishte nën sundimin e etruskëve. Gjatë mbretërimit të mbretërve etruskë, gjithashtu u banuan kodrat fqinje, dhe në mesin e shekullit V (p. e. s.) aty ishte përfshi edhe Aventina.

Megjithëse lidhja midis Romës dhe Trojës është e natyrës legjendare, romakët e kohërave të mëvonshme u kënaqën aq shumë nga kjo gjenealogji mitike, saqë ata e pranuan me lehtësi dhe e futën atë në folklorin e tyre rreth fillimit të qytetit të tyre. Historianët Romakë e dinin se republika kishte filluar rreth vitit 500 para erës tonë. Para kësaj kohe, ata menduan se me Romën kishin udhëhequr shtatë mbretër radhazi. Duke përdorur metodat greke të llogaritjes gjenealogjike, ata vlerësuan se shtatë mbretërit do të kishin sunduar rreth 250 vjet, duke bërë kështu që periudha mbretërore e Romës të fillonte në mesin e shekullit VIII para erës tonë. Historianët e lashtë fillimisht kishin mendime të ndryshme në lidhje me datën e saktë të themelimit të Romës. Në fund të republikës, përgjithësisht u pranua se Roma ishte themeluar në vitin 753 para erës tonë, dhe se republika kishte filluar në vitin 509 para erës tonë.

Është e pamundur të mos jesh i magjepsur nga miti historik i themelimit të Romës që u zhvillua ç’prej themeluesit Romulus, pasardhës nga ana e djalit të Eneut, heroit Trojan që mbërriti në Lazio pas rënies së Trojës. Një mister i madh më pas rrethon vetë emrin e qytetit: Plutarku një historian i madh romak me origjinë greke (Plutarchos, Plutarchus, 46-119 të erës sonë), në Jetët paralele vepër monumentale të tij, fillimisht pretendoi se emri i qytetit rridhte nga njerëzit që themeluan qytetin, Pellazgët, të cilët donin t’i jepnin një emër që kujtonte trimërinë e tyre në armë (Rhome), dhe më pas propozoi një rindërtim tjetër, sipas të cilit, refugjatët trojan, të udhëhequr nga Enea, arritën në bregdetin e Lazio dhe themeluan një qytet në kodrën Palatino, duke i dhënë emrin e njërës prej grave të tyre, saktësisht Rhome; të tjerë pohojnë se vjen nga termi etrusk Ruma, pasi etimologjia indo-europiane mungon dhe gjuha etruske ishte e vetmja gjuhë jo indo-europiane në Apenin.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube