Gjendja jonë e mjerë kombëtare

0

Nga Ndue Ukaj

Gjendjen tonë të mjerë kombëtare si dhe rrëmujën shpirtërore e kanë analizuar shumë shqiptarë të ditur që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme. Por mjerisht, figurat shembullore i kemi dëgjuar pak, mendjehollët i kemi lënë në harresë dhe në vend të tyre, u kemi dhënë krahë e forcë publike harbutëve e batakçinjve të tërbuar, siç ngjet kohëve të fundit kudo në tokat e Arbnit.

Shkrimtari, publicisti dhe diplomati Faik Konica ka shkruar shumë për veset shqiptare dhe analizat e tij vejnë në pah natyrën e egër të karakterit shqiptar, trajtojnë arsyet e prapambeturisë shqiptare, të cilat ai lidhte me pushtimin e gjatë otoman dhe veset otomane të mbarsura në karakterin shqiptar.

Konica ishte i rreptë dhe i pamëshirshëm me veset shqiptare, kurse analizat e tij, edhe pas më shumë se një shekulli tingëllojnë aktuale si të ishin shkruar sot, në Prishtinë e Tiranë, ku rrëmuja morale dhe politike vazhdon të jetë dramatike.

Konica në vitin 1906 fliste për vlerën e fjalës, të cilën shqiptarët e kohës së tij s’e kuptonin:

“Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet të çlirohet.”

Por mjerisht, shqiptarët edhe sot kanë një raport tejet negativ me fjalën.

A shfaq kjo padije a mungesë dinjiteti, çështja mbetet e hapur, si në kohën e Konicës.

***

Ibrahim Rugova ishte i madh sepse e njihte lojën e pushtetit më mirë sesa politikanët rutinorë, që shërbehen me klishe e mendime të vockla, prandaj mësimet e tij politike janë oksigjen i pastër, sidomos në një ambient toksit politik, ku mbretërojnë thashethemet e mendimet e shkreta, e ku gjuha politike është reduktuar në një mishmash fjalish pakuptim.

“Thonë se politika pa hile nuk bëhet. Megjithatë, sot janë kohë të tjera nga ato që ishin dje. Ndoshta ky sukses lidhet edhe me faktin se si intelektual, përmes shkencave moderne, kam mësuar për fshehtësinë dhe lojën e pushtetit më shumë sesa që kanë ditur e dinë politikanët rutinorë, për të cilët punojnë ekipe të ndryshme”. I. Rugova, Gusht, 1990

Kurse në planin gjeostrategjik politik, kulturor e civilizues, Rugova ishte i qartë dhe nuk kishte dyzime politike, siç kanë disa politikanët që ndërrojnë mendimet sa herë ndërrojnë stinët.

Postulati politik dhe kulturor i Rugovës ishte i panegociueshëm dhe ky qe çelësi që Kosovës ia çeli dyert të aleatë tanë me vlerë:

“Duke qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje.” I. Rugova, Gusht 1991

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok