Gjergj Bubani 20 janar-1899-28 shkurt 1954, (një elitë e mohuar)

-Paragraf nga libri im Elitat e Mohuara-(f.175-180)

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Elitari Gjergj Bubani, drejtori i parë i Radio Tiranës 1937-‘938, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, jo vetëm i pavlerësuar nga pushteti i diktaturës, por dhe i dënuar me burg si kriminel lufte, ende pa u çliruar Shqipëria.

28 nëntor 1938: Për herë të parë në ajrin e Tiranës, u shpërnda në gjuhën e bukur shqipe zëri i drejtorit të Radios së parë shqiptare, Gjergj Bubani: Ju flet Tirana…”,- këto tri fjalë sado lehtë që mund të shpiptohen, kanë një domethënie të madhe, kanë një peshë të madhe kur i dëgjon sepse është pesha e një shteti, pesha e fjalës shqipe, e cila nuk zëvendësohet me asgjë në botë. Është fjala shqipe që gërthet fort e dëshmon: ‘Unë jam gjuha nga më të vjetrat në botë, të tjerat  nuk ekzistojnë më dhe quhen gjuhë të vdekura. Unë jetoj përderisa trojet ku unë belbëzoj e lëvroj gjuhën e nënës, kanë nevojë për identitetin që u japim unë dhe raca autoktone iliro-pellazge, ku çdo pëllëmbë toke ëmbëltohet me tingujt e mi hyjnor,epse gjuha shqipe është gjuha e Perëndive.” Vivra.

Dossier :Si u arrestua dhe pse u dënua me vdekje Gjergj Bubani? Gjergj Bubani, i njohur edhe si Jorgji Bubani ose Brumbulli ishte pseudonimi letrar, ka qenë shkrimtar, publicist dhe përkthyes shqiptar. Lindi në Boboshticë të Korçës më 5 mars 1899

Ndoqi Liceun frëng  Korçë dhe më pas vazhdoi shkollën e lartë në Athinë ku studjoi për Kimi. Pas studimeve u vendos në Rumani, ku punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare “Shqipërí e re”, botuar prej studjuesit Ilo Mitkë Qafëzezi. Në janar të 1922 nxori një periodike  me titullin “Dodona”, ndërsa në mars 1926 revistën “Zëri shqipëtar” që pati jetë të shkurtër. Punoi edhe si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e Sofje.

Në Shqipëri u kthye më 1944, ku u arrestua më 13 nëntor. U dënua si “kriminel lufte” nga Gjyqi Special si shumë intelektualë  të tjerë pa mandat arresti. Në aktakuzën e formuluar më 12 shkurt 1945 ai u akuzua “Se është bërë vegël e propagandës armike si agjitator, propagandist dhe publicist me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kondra luftës së popullit si Drejtor i Radioemisionit, Drejtor i Radios dhe redaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit“. Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarë dëshmuan se Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.  Ndërroi jetë në burg më 28 shkurt 1954.

Botimi me titull “Publicistikë-Shënime udhëtimi, (1919 -1944)” me parathënien e Mitrush Kutelit, i cili vlerëson humorin dhe satirën e Brumbullit (pseudonimi i Gjergj Bubanit) duke thënë: “në lotët dhe gajasjet brumbullore pasqyrohet më e tmerrshmja tragjedi e kësaj epoke në udhëkryqe…”

Forumi shqiptar&Standard 28-10-2010 kanë shkruar: “ Djemtë e tij të mrekullueshëm, Dionis  dhe Loredan Bubani i kanë bërë jetës dhe aktivitetit të Gjergj Bubanit, një shërbim që është vepër  sublime. Kanë botuar veprën Gjergjit të plotë, ku përfshihen lexues, letërkëmbime si reflektim intelektual për një njeri, të cilin jeta e zuri për fat të mirë dhe të keq, nga vitet ‘20-‘40, por i dënuar me heshtje në diktaturë.” I biri i tij, Loredani, , i cili është marrë me botimin e veprës prej 2007-s, është shprehur: “ Gjergj Bubani mund të quhet fare mirë një paraardhës i letërsisë realiste të viteve ‘30. Ai e parapriu këtë letërsi .”Ndërsa monografia “Gjergj Bubani, i harruari i përkohshëm“, me autor Kliton Nesturin hedh dritë mbi jetën reale të tij.

Çfarë kemi marrë nga Bubani i vjetër, është veprimtaria e tij e shumanshme, intensive si publicist i përkushtuar, satirik e shqipërues, si botues, drejtor e redaktor gazetash e revistash, si drejtues shoqërish atdhetare e kulturore e deri si regjisor pjesësh dramaturgjike, duke qenë edhe vetë aktor, që i përktheu edhe me synimin për t’i vënë në skenë. Duke nxjerrë në pah vlerat kombëtare arrijmë në konkluzionin, se plejada e viteve ‘30-s, tashmë njihet e konsoliduar në vetëdijen amtare si koha, nga ku duhet nisur dhe si aspiratë çështja për një Shqipëri perëndimore.

Për t’u njohur me këtë synim, na vjen në ndihmë monografia që analizon krijimtarinë letrare dhe publicistike të Gjergj Bubanit, njërit prej intelektualëve brilantë, që kontribuan në letërsinë, publicistikën dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare qysh prej fillimit të viteve ‘20 e deri në gjysmën e parë të viteve ‘40.

Aktiviteti letraro-artistik i Bubanit
 Gjergj Bubani e nisi udhën në publicistikë në vitin 1919, me shkrimet në gazetën “Kuvendi”, që dilte në Itali. Ai u bë një nga penat më aktive dhe më pas për një kohë të konsiderueshme, kryeredaktor i gazetës “Shqipëri e re”, e cila botohej në Konstancë. Veprimtaria e tij publicistike u shtri edhe në organe të tjera të kohës. Ai botoi edhe vetë disa organe të shtypit shqiptar, “Dodona”, “Zëri shqiptar”, “Kuvendi kombëtar”, ku më kryesorja ishte gazeta “Kosova”, e cila u bë një mbrojtëse e flaktë e çështjes dhe situatave që kalonte Kosova në vitet ‘20-‘30. E gjithë jeta dhe veprimtaria e tij, gjer në atë kohë, u shtri ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, ku ai kishte emigruar qysh pas studimeve të larta që pati kryer në Athinë. Më 1936, Gjergj Bubani u vendos përfundimisht në Shqipëri, falë edhe insistimit të botuesit Zoi Xoxa, i cili i besoi këtij publicisti drejtimin e gazetës “Drita”. Për vizionin dhe kulturën e madhe që kishte, Gjergj Bubani u emërua drejtor i radio “Tiranës” qysh në nisjen e saj. Pavarësisht vështirësive të shumta, ai mundi të krijonte profilin e një radioje kombëtare. Pas pushtimit të vendit nga ushtria gjermane, në Luftën e Dytë Botërore, Gjergj Bubani u largua nga drejtimi i radio “Tiranës” dhe punoi pranë Ministrisë së Kulturës. Ende pa mbaruar mirë lufta, Gjergj Bubani u arrestua nga partizanët dhe është ndër gjashtëdhjetë intelektualët e dënuar nga Gjyqi Special në prill të vitit 1945..
 Ndryshe nga mjaft intelektualë që krijuan dhe dhanë ndihmesë gjatë viteve ‘20-‘40, emri i Gjergj Bubanit nuk u përmend fare gjatë regjimit komunist. Ai u la në harresë, si të mos kishte ekzistuar kurrë. Shkrimet e tij nisën të ribotoheshin në organe të ndryshme të shtypit vetëm pas rënies së Murit të Berlinit, pas vitit 1990.

Në vitin 2007, shtëpia botuese “Omsca-1” nën kujdesin e  djalit të tij, readaktorit të kësaj shtëpie botuese. Loredan Bubani, që botoi krijimtarinë e tij të përmbledhur në dy vëllime “Vepra të zgjedhura”.

Në vitin 2009 botoi shqipërimin e tri veprave të shquara dramaturgjike që ky përkthyes i talentuar solli në gjuhën shqipe. Pikërisht mbi studimin e kësaj krijimtarie të botuar, mbështetet edhe vepra më e fundit e Kliton Nesturit, ku gjejnë vend gjithashtu edhe mjaft artikuj, poezi, letra dhe fotografi të Gjergj Bubanit, të pabotuara më parë..
 Me botimin e esesë monografike “Gjergj Bubani, i harruari i përkohshëm”nga Kliton Nesturi dhe botim i Sh.B.Omsca -1-, ku autori ka zbërthyer kodet e krijimtarisë së Bubanit dhe e analizon atë në kuadrin e epokës në të cilën ky mjeshtër i fjalës dhe i mendimit intelektual shqiptar jetoi.  E shkuara e Gjergj Bubanit, ndonëse i përkiste një periudhe të ndritur, tragjikisht, së bashku me rrotën e historisë, u kthye në një hije të zezë, e cila e përndoqi atë kudo. Megjithatë, ky njeri, i cili qe përballur me beteja nga më të ndryshmet, i vetëdijshëm për fatin, i përplasi në fytyrë dorashkën e sfidës. Ai ishte heroi i jetës së tij dhe si i tillë nuk mund të gjunjëzohej para asgjëje dhe askujt”, – shkruan në libr Kliton Nesturi.

Vo:Radio-Tirana -22 mars 2018:  “Ju flet Tirana” ,- transmeton fjalën  e drejtorit të parë të Radios shqiptare.

Për herë të parë më 28 nëntor 1938, ishte zëri i Gjergj Bubanit që u shpërnda në ajrin e Tiranës e të atdheut për të uruar 26 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare. Më pas drejtori i parë dhe spikeri i parë i Radio Tiranës, Gjergj Bubani ia dha fjalën mbretit Ahmet Zogu që pëshëndeti 26 vjetorin e ditës së ngritjes së Flamurit, në Shqipërinë e mëvehtësuar.

Kur shikon një personalitet të tillë, që la Bukureshtin, la shtëpinë e tij në qendër të kryeqytetit rumun dhe u kthye në atdhe për të dhënë dijet e tij që mori në shtetet e tjera të Ballkanit, indinjohesh. Pastaj pyet me habi: Si u arrestua dhe pse u dënua me vdekje Gjergj Bubani?! Këtë na e jep Kliton Nesturi si më poshtë:

Kliton Nesturi,  botuar më (2009):, me titull “Arrestimi, gjyqi dhe burgu i Gjergj Bubanit.”
   Gjak dhe tmerr ishte përfundimi i Luftës së Dytë Botërore?! Por kështu vazhdoi edhe periudha që erdhi më pas. Qysh në mesin e vitit ’44, u duk qartë se shumë shpejt komunistët do të vendosnin qeverisjen e tyre në vend. Ende pa aguar mirë çlirimi i Shqipërisë, fitimtarët e rinj kishin nisur të rendnin drejt pushtetit. Për ta shtruar më mirë rrugën e tyre, në zonat e çliruara, me urdhër të shtabit të përgjithshëm, njësi të përcaktuara partizane nisën spastrimet ndaj elementëve nacionalistë. Në të gjithë vendin u ekzekutuan pa gjyq mjaft nacionalistë, kurse të tjerë u arrestuan dhe u izoluan. Më 20 tetor terrori i spastrimeve të “kriminelëve të luftës “ nisi në Vlorën që mbante era djegësirë.
Lista e zezë” ishte hartuar kohë më parë në bazë të opinioneve dhe informatave që kishin mundur të merrnin drejtues të ndryshëm komunistë, në qendër ose në bazë. Disa ditë para se Tirana të çlirohej, me 13 nëntor 1944, dy njerëz trokitën në mbrëmje në shtëpinë e Gjergj Bubanit, në rrugën “Fortuzi”, dhe i kërkuan që të shkonte me ta. Ky është arrestimi i Bubanit ose, më saktë, rrëmbimi i tij. Rrëmbim? Pa dyshim që po. Për Gjergj Bubanin, ashtu si edhe për mjaft intelektualë që u gjykuan dhe u dënuan në gjyqin e Kriminelëve të Luftës, në prill të vitit 1945, nuk ka qoftë edhe një mandat arresti. Këtu nis dhe rruga e gjatë e tragjedisë shqiptare, e cila zgjati jo pak, por 45 vjet. Ndoshta, që në atë çast Gjergj Bubani e parandjeu fatin që e priste dhe i pafuqishëm për ta ndryshuar atë, ra në heshtje të thellë. Arrestmi i tij ishte zhgënjimi nga liria , si rrjedhë e fatit pa rrugëdalje, të cilit duhet t’i nënshtrohej.
 Në ato çaste, njeriu nuk mendon më për vete, por për ata që lë pas; vuajtjet e tij shtohen jo aq shumë kur është në dhomën e hetuesit ose në birucën e lagësht, por kur mendon se si do ta përballojnë më tej jetën gruaja dhe fëmijët. Ç’ndodh me ta qysh sa lind drita e agimit e derisa shtrihen mbrëmjeve në shtrat? Janë pikërisht ata që i japin forcë për të përballuar situatën e vështirë, dhe po ata që, duke ia shtuar brengën nga përmallimi, mund t’ia thyejnë edhe më shpirtin e rraskapitur nga mendimet dhe trysnitë. Si kudo tjetër, edhe në Shqipëri, paslufta u shfaq me të njëjtat simptoma: ankth, kaos, britma, acarime. Kishte mbërritur koha e proletarëve. Nëpër rrugë dhe sheshe, triumfi ndaj klasës së përmbysur shprehej edhe në këngët partizane dhe vargjet e “Internacionales Komuniste”.
  Më 27 janar 1945, gazeta “Bashkimi” hapej me editorialin “Tradhtarët”. I mbushur me një gjuhë të ashpër, ku patetizmi ndërthurej fort me urrejtjen, kërkohej që “trathëtarët që bashkëpunuan me armikun” tashmë të dilnin para gjyqit dhe të  jepnin llogari. Po atë ditë, me vendim të Këshillit të Ministrave u krijua gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të luftës. Të nesërmen, i gjithë vendi do ta mësonte këtë ngjarje nëpër gazeta, nëpërmjet një njoftimi të shkurter:
Gjyqi special për gjykimin e kriminelëve të luftës përbëhej:
Prokuror : Gjeneral –Major Bedri Spahiu
Kryetar: Gjeneral Leitnant Koçi Xoxe
Anëtar: Kolonel Hysni Kapo
N/Kolonel Beqir Balluku
Kapiten i kl. Π Hajdar Arianiti
Partizan Gaqo Boboshtica
Dr. Medar Shtylla, Ministër i Ekonomisë
Fadil Shehu, Anëtar i Këshillit Ant. N. Ç.
Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë
Gaqo Floqi, gjykatës.
Po atë ditë, më 27 janar, gazeta “Bashkimi” çelej me kryeartikullin “Balli Kombëtar, organizatë tradhtie, krimi e terrori”, të shkruar nga Dr. Ymer Dishnica. Tri ditë më vonë, i njëjti kryeartikull “Legaliteti organizatë tradhtie, krimi e terrori”. Gjuha e përdorur në këto shkrime vetëkuptohet që ishte e ashpër, e rëndë, aq sa nga shkronjat e plumbta gati sa nuk kullonin gjak, prej këtij gjyqi  çdo shpirt i qetë do të ndizej nga urrejtja.
Erdhi edhe 1 marsi 1945.  Gazeta “Bashkimi” hapej me editorialin “ Ora e hesapeve”.
Sot çel dyert Gjyqi i Popullit. kriminelët e luftës, shkaktarët dhe aktorët e tragjedisë më të hidhur që pa populli shqiptar, sidomos prej gjashtë vjetësh e këtej, do të japin llogari.Populli do të dënojë tradhtarët, do të dijë të japë mësim për brezat e ardhshëm…”
Editoriali mbyllet kështu:Sot kriminelët e luftës janë para Gjyqit të Popullit dhe dora e drejtësisë sonë do të bjerë. Në krah të djathtë të këtij editoriali, rrinte si një korb i zi një njoftim i shkurtër:

Gjyqi i Popullit për kriminelët e luftës i çeli dyert.
Sot ora 10 para dite, çel dyert e tij në kryeqytet. Gjyqi i Popullit kundër kriminelëve të luftës do të zhvillohet në lokalet e Kinemasë ” Kosova”. Duke marrë parasysh ngushticën e lokalit dhe dëshirën e madhe të gjithë popullit të Kryeqytetit që të asistojnë zhvillimin e gjyqit kundër kriminelëve të luftës, janë marrë masa për të instaluar altoparlantë edhe përjashta lokalit.
Pasi mësova këtë, salla e Teatrit Kombëtar mori për mua një hije të rëndë. Këtu, vdekja dhe intrigat u përjetuan realisht.
Në orën 10.00, kryetari i Gjyqit, Koçi Xoxe, i bie ziles dhe me një ton të prerë shprehet:

– Seanca hapet.Pas një heshtjeje që zgjat veç pak sekonda, prokurori Bedri Spahiu lexon:
 “Komisioni Qëndror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit, përpara kësaj Gjykate Speciale i ka sjellë për të gjykuar kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit të poshtëshënuar:
 Pasi lexon akuzën e përgjithshme, Bedri Spahiu Përfundon: -Duke qenë se veprat e tyre formojnë fajet e parashikuara prej neneve 14, 15 të Ligjës mbi funksionimin e Gjykatave Ushtarake, kërkojmë, që pasi të gjykohen të pandehurit më lart dhe të provohet fajësia e tyre, në bazë të nenit 18 po të kësaj Ligje t’u caktohet ndëshkimi. Ky gjyq ngajnte me një paradoks, sepse të pandehurit “jepnin llogari” përpara trupit gjykues që drejtohej nga një teneqexhi.
 Spektakli vazhdonte çdo ditë nga e hëna deri të shtunën, ku luhej tragjikomedia e intelektualëve që dhanë gjithçka për kombin..
 Ndërsa vazhdonte procesi gjyqësor i “ Kriminelëve të Luftës“, më 15 mars, në gazetën ” Bashkimi”, Dr. Ymer Dishnica boton kryeartikullin “Trathëtorët me shpatulla në mur” “Krimet, tradhtia dhe faktet janë të tilla sa që i mbërthejnë në mur tradhtarët. Trupi gjykues me shokun Koçi Xoxe në krye i mbërthejnë me shpatulla në mur fajtorët.”Pas këtyre rreshtave të parë, autori nis të derdhë mllefin, ironinë dhe urrejtjen ndaj të akuzuarve dhe të përgjigjeve të deriatëhershme të disa prej tyre në gjyq, duke bërë njëkohësisht edhe “analizën” më reale të zhvillimit të këtij procesi. Rrallë mund të ketë ndodhur që publicistika gazetareske të jetë përdhosur aq keq, ku autori të jetë shfaqur në tri pozicione njëherësh: të artikullshkruesit, të prokurorit e gjyqtarit dhe të ekzekutuesit. Për të, të akuzuarit janë çdo gjë, por njerëz kurrsesi. E gjithë apologji mbyllet me një urrejtje të theksuar patetike:
 ” Më 21 mars, në seancën e tetëmbëdhjetë, thirret i pandehuri Gjergj Bubani “i biri i Dhionisit dhe i Elisabeta Karpaçit, lindur në Boboshticë të Korçës më 1900, i martuem, ka dy fëmijë, i padënuem, me akademi Industriale në Athinë.” I veshur me pallto të trashë të zezë, me kosum, këmishë e kravatë, dyzetegjashtëvjeçari Gjergj Bubani drejtohet për në podium. Në fytyrën e tij dallohen qartë lodhja, stresi dhe trysnitë. Ngjan si njëzet vjet më i madh. Aktakuza është formuluar në datën 12.2.1945, tre muaj pas arrestimit dhe vetëm gjashtëmbëdhjetë ditë para fillimit të Gjyqit.
  ” Gjergj Bubani, Akuzohet: Se është bërë vegël e propagandës armike ( si agjitator, propagandist dhe publicist) me anë të radios dhe fletoreve. Ka shkruar artikuj për okupatorin dhe kundra luftës së popullit. ( Drejtor i Radioemisionit, Drejtor I Radios, redaktor i gazetës ” Bashkimi i Kombit.
Ndonëse nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarë: Kaliopi Prifti, Nuçi Naumi dhe Ilia Gjino, dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si simpatizant të lëvizjes qysh në fillimet e saj dhe se ai e kishte ndihmuar Lëvizjen, ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.Farsa e vogël përfundoi këtu. E gjithë shoqëria, mes entuziazmit dhe brohoritjeve nis kalvarin nëpër tunelin e errët, prej të cilit do të mund të dalë pas dyzet e pesë vjetësh.
 Çdo çast që kalon, nuk kthehet më, ndaj dhe vlera e Lirisë bëhet gjithnjë e më e madhe. Privimi prej saj është dënimi më i papërballueshëm që mund të jepet për çdo qënie që frymon mbi Tokë. Pesëmbëdhjetë vjet nga jeta e një njeriu  janë shumë; pesëmbëdhjetë vjet të kaluar në burg janë një ekzistencë e gjatë dhe e mundimshme e pajetuar.
 Mjaft njerëz mund të mendojnë se ai u dënua pse shkroi shumë për Kosovën ose kundër shovinizmit serbomadh. Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, ndoshta një arsye. Gjergj Bubani ishte pjesë aktive e një epoke historike dhe… sa herë që një epokë ndryshon, me ndërrimin e sistemit, ajo gjykohet dhe dënohet e personalizuar në njerëz, veçmas me protagonistët e vizionarët e saj.
 Letrat janë ato që ia mbajnë shpirtin gjallë, ndaj dhe Gjergji u shkruan shpesh njerëzve të dashur në Rumani, me të cilët ka gjithnjë se ç’të ndajë. Ata janë brenga e mallit, janë shtrati i kujtimeve të gëzueshme, por edhe tryeza e dhembjeve.
 Përfytyrimi për ta e ka të vështirë të ecë me hapin e kohës, ai mbetet gjithnjë aty, në çastin e. Në mendjet tona ata do të mbeten ashtu të rinj, të paplakur e të parrudhur, duke buzëqeshur, qoftë edhe ndonjëherë tekanjozë, por të mirë e shpirtbardhë.

Tashmë ai duket si njëzet vjet më i madh… Kohën brenda kafazit ku ndrydhet liria, Gjergj Bubani e kalon më së shumti me lexime dhe biseda me miqtë e tij Suad Asllani, At Shtjefën Kurti dhe Lazër Radi. Pavarësisht se nuk komunikon me të gjithë, ai imponon respekt te cilido.   Në duart e tij të mavijosura vazhdimisht shtrëngon çelësin, që nuk e lë të përulet e të dorëzohet: ky çelës është forca shpirtërore. Gjergj Bubani e ëndërroi lirinë, por nuk mundi të provojë asnjë çast. I sëmurë u nda nga jeta në burg më28 shkurt 1954.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube