GJUHA SHQIPE, SI AMANET I RILINDASVE TANË

0

TЁ PUNOJMЁ PЁR MЁSIMIN DHE PЁRHAPJEN E GJUHЁS SHQIPE TEK EMIGRANTЁT TANЁ

SHKRUAR NGA FRAN GJOKA

Padiskutim qe emigracioni, gjatë gjithë periudhave të historisë, ka qenë dhe është një fenomen tipik social dhe shoqëror me karakter ndërkombëtar. Edhe Shqipëria në këtë aspekt nuk ka bërë dhe as nuk bën përjashtim. Periudha e vështirë 30-vjçare e tranzicionit u shoqërua me një hemorragji të pandalshme të proçesit të emigrimit të popullsisë së vendit tonë, sidomos në drejtim të vendeve perëndimore, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, sigurisë për të ardhmen dhe kualifikimit arsimor të fëmijëve. Pra, emigrimi i popullsisë në përgjithësi dhe i fëmijëve në veçanti, krahas anës pozitive, mbart në vetvete edhe rrezikun e një fuzioni apo asimilimi gradual të gjuhës sonë shqipe, sidomos tek fëmijët dhe rinia shqiptare që jeton aktualisht në mërgim. Fatet ekzistuese të një kombi përcaktohen në fund të fundit nga gjuha dhe kultura e tij. Popullsia e një vendi, që për arsye të ndryshme nuk e shkruan dhe rrallë herë e flet gjuhën e tij amtare, është i prirur të rrezikohet, pasi gjuha ka qenë dhe mbetet një ndër komponentet kryesorë dhe dëshmues të kulturës së një kombi. Kur njeriu nuk e ka nën këmbë tokën e vet, humbet diçka nga qëndrimi i tij vertikal, humbet sigurinë dhe në shumë raste bëhet edhe më skeptik ndaj vetvetes. Është interesant fakti se gjuha shqipe ka një zhdërvjellësi në të folur, ka një tingëllime joshëse, është shumë burrërore dhe mjaft e bukur. Këtë e kanë thënë edhe mjaft albanologë dhe gjuhtarë, të cilët kanë vënë re se kur dëgjohet e folura e shumë vendeve të Europës, duke krahasuar me shqipen, gjuha jonë ka një tingull të veçantë dhe mjaft impulsive. Kjo ndodh sepse shqipja është vazhdim i gjuhës ilire dhe i përket grupit të gjuhëve Indo – Europiane pra, veçohet si një nga më të vjetrat në Europë dhe Ballkan. Është detyrë imperative e mësuesve atdhetarë shqiptarë për t’u mësuar dhe shkruar gjithnjë shqipen brezave të fëmijëve në emigracion e shoqëruar me një përkushtim në hapjen e shkollave të reja në gjuhën shqipe. Shqiptarë të vërtetë, patriotë dhe atdhetarë ka plot, si ata që dërguan libra, hapën shkolla, hartuan programe, mësues që punojnë me devotshmëri për vite me radhë jashtë Shqipërisë, nuk mungojnë. Këtu më vjen në mend një thënie e një emigranti me banim në Itali, i cili, kur ra fjala për gjuhën e nënës, më pati thënë: “…Gjuha është e vetmja armë që vërteton se ne jemi shqiptarë kudo që ndodhemi…”. Parë nga ky këndveshtrim, përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje mësuesve atdhetarë, prindërve emigrantë, që t’u mësojnë fëmijëve si t’a flasin dhe t’a shkruajnë pa ndërprerje shqipen, gjuhën që të parët tanë na e lanë për ta përdorur përgjithmonë të pastër.

Historikisht mërgimtarët shqiptarë kanë punuar, kanë jetuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë gjuhën shqipe dhe ta ruajnë sa të jetë e mundur atë. Kjo traditë e çmuar, si amanet i rëndë nga të parët tanë, “që s’e tret dheu i huaj”, deri në ditët tona, duhet të ruhet, të kultivohet dhe të shtrihet kudo ku ka shqiptarë. Hemoragjia e pasviteve ’90 të shekullit të kaluar, që ka bërë tashmë të shpërngulen nga atdheu i tyre, për një jetë më të mirë, me gjithë familjen, me djem dhe vajza, mjaft familje shqiptare, ka detyruar mërgimtarët shqiptarë, këtej e matanë kufijve shtetërore, që t’iu përshtaten kërkesave të reja të epokës së globalizimit, ku është bërë eminent rreziku i humbjes së kulturave nacionale, pra edhe të gjuhës nga breznitë e reja. Është për t’u theksuar se tashmë për fëmijët e mërgimtarëve janë hapur shkolla të shumta në disa vende të ndryshme, ku fëmijët marrin në mënyrë të organizuar mësime plotësuese, sipas një programi të hartuar më parë në gjuhën amtare nga mësues patriotë e pasionantë, të cilët në të shumtën e rasteve, e japin ndihmesën e tyre vullnetarisht. Shembujt janë të shumtë dhe gjendja e këtyre shkollave, mund të themi se përfshin hapësira të reja, ku jetojnë e punojnë shqiptarët emigrantë. Në përgjithësi për çeljen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave, kanë dhënë ndihmën e tyre dhe drejtuesit e pushtetarët lokalë si në qytetet Nju Jork, Bruksel, Hamburg, Berlin, Frankfurt, Oslo, Athinë etj. Është pozitiv fakti se në shumë qytete në Amerikë, aty ku komunitetet shqiptare janë të organizuar, janë ngritur dhe funksionojnë shkolla dhe kurse në gjuhën shqipe. Po kështu në Kanada janë hapur shkolla shqipe. Në Europë ka shembuj pozitivë të funksionimit të këtyre shkollave si në Zvicer, Gjermani, Suedi, Itali etj., ku funksionojnë shkolla të hapura nga vetë shqiptarët, sidomos nga ata të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Synimi i këtyre vendeve dhe shkollave mbetet i qartë: fëmijët e mërgimtarëve të zotërojnë mirë shkrim e lexim në gjuhën amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqipe, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve, si dhe artin, kulturën dhe traditat kombëtare. Rëndësi e veçantë, në këto shkolla shqipe u kushtohet veprimtarive të lira jashtë klase, si puna me librin, funksionimi i bibliotekave, konkurse dhe biseda për librin etj. Në ekranet televizive kemi dëgjuar cicërimat e bukura, emocionale dhe krenare të fëmijëve shqiptarë në gjuhën e bukur amtare në tubime të tyre, aktivitete të ndryshme tё organizuara nga emigrantёt tanё, prindërve dhe të komunitetit nё gjuhёn shqipe, programe tё ndryshme me kёngё e valle nё gjuhёn amtare dhe jemi ndjerё krenarё. Vërtetë jetojmë në një shoqëri të lirë e të hapur, vërtetë jemi përkrahës të globalizimit dhe të rejave që po hyjne në shkencë dhe teknikë, por nuk do të dëshironim kurrë që gjuha jonë e bukur të mos shkruhej e përdorej nga shqiptarët e të gjithë brezave që do të vijnë. Mundësitë për ta mbajtur të gjallë gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e Fishtës e Naimit tek fëmijët, nipërit, mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin e ku jetojnë ata, janë evidente. Ata pavarësisht nga mjedisi i huaj ku jetojnë e punojnë, nga rrethanat aspak favorizuese për të përdorur gjuhën shqipe, askush nuk i pengon të flasin vetëm shqip në familje, të komunikojnë me fëmijët e tyre vetëm përmes gjuhës sonë amtare. Fjala vjen, të mos na duket vetja modern kur në çdo fundjavë me familjen kalojmë në njërin prej lokaleve angleze, italiane, gjermane, greke të mos fyhemi nëse flasim në ambiente të tilla familjare në gjuhën tonë të bukur. Vetëm kështu do të ngulisim tek fëmijët, tek të rinjtë fjalën e bukur shqipe, gjuhën tonë të bukur që nuk u zbeh ndër shekuj.

Për shqiptarët emigrantë, megjithë përpjekjet e mundimshme për ruajtjen e gjuhës, shqipja po bëhet sa e largët dhe e huaj për fëmijët e tyre. Është normale që duke jetuar në një shoqëri ku flitet një gjuhë tjetër, kuptohet dhe tendenca e kufizimit dhe shqiptimit të shqipes, por fëmijet duhet të projektojnë të ardhmen e tyre aty ku rriten pa harruar gjuhen e mëmëdheut, ashtu siç e ruajtën per qindra shekuj me radhë arbreshët e Italisë. Prandaj komuniteti prindëror duhet të tregohet i kujdesshëm në ruajtjen e shqipes. Në demokracinë gjermane, askush nuk gëzon respekt se i cilës kombësie je dhe çfarë kontributi ke dhënë, por në radhe të parë është aftësia në fushën e prodhimit dhe shkollimit, prandaj për ne shqiptarët modeli gjerman i shkollës dhe i edukimit është një model që duhet imituar në rrugë origjinale nga shqiptarët mërgimtarë. Nuk duhet të pretendohet të gjendet një zgjidhje – mrekulli, por të bëhet ajo që është e mundur, ajo që varet nga ne shqiptarët.

Ka vite që  në Shqipëri vazhdon hartimi dhe shpërndarja e një abetareje mbarëkombëtare. Efekti i saj në diasporë e gjetkë po ndihet më së miri, shihet se ka një interesim maksimal për këtë tekst të ri të gjuhës shqipe. U bënë vite që është krijuar këshilli ndërakademik Kosovë – Shqipëri, për një shqipe standarte. Të dy akademitë, duke patur parasysh se gjuha shqipe është tipari kryesor i kombësisë shqiptare, mjeti themelor që siguron ndërlidhjen shpirtërore ndërmjet hapësirave e vendeve shqipfolëse, synojnë që zotërimi dhe përvetësimi i shqipes standarde të jetë objekti themelor i brezave të sotëm. Shpresojmë se Këshilli Ndërakademik do të merret si gjithnjë       me vrojtimet dhe vlerësimet e politikave gjuhësore për t’a bërë shqipen tonë një gjuhë mbarëkombëtare, sepse emigracioni ndërkombëtar shqiptar është shpërndarë në Greqi, Itali, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Belgjike, Francë, SHBA, Kanada, Zvicer, Suedi, Austri etj. Janë më shumë se 1/3 e fëmijëve që jetojnë e mësojnë shqip në këto vende.

Për të materializuar këtë nisëm, duhet të vihen në lëvizje, jo vetëm sipërmarrësit privatë dhë shoqata të ndryshme, por edhe institucionet shtertërore, të cilat duhet të hartojnë programe të përbashkëta mësimore, të unifikojnë planet mësimore dhe metodat e mësimdhënies dhe deri tek tekstet mësimore, të cilat mund të jepen falas. Këto nisma me efektivitete tepër me rëndësi, do të ishin me mjaft vlera, pasi do të kushtëzonin përhapjen dhe ruajtjen e gjuhës amtare tek fëmijët dhe familjet e mërgimtarëve shqiptarë. Megjithë predispozicionin e prindërve për të kontribuar në ngritjen e shkollave, apo për të hapur klasa për mësimin e gjuhës amtare, ende ka probleme në këto vende. Është emergjente të kërkohet legalizimi në rrugë shtetërore për nisma të veçanta, që duhet ndërmerren dhe kërkohet të mendohet nga organet Kombëtare, të hapen dhe funksionojnë shkolla, si në vendin tonë ashtu edhe në vendet e tjera ku kërkohen të ngrihen këto shkolla për mësimin e shqipes. Nëse ne shqiptarët bëjmë të pamundurën për ruajtjen e gjuhës shqipe, edhe shteti shqiptar të programojë diçka të frytshme, pra të organizojë dhe të drejtojë veprime drejt rrafshimit të dallimeve të krijuara si pasojë e ndarjeve politiko – administrative, që sjellin jo pak vështirësi në komunikimin kombëtar, atëhere gjuha jonë do të zërë vërtetë vend të nderuar mes gjuhëve të tjera europiane. Vetëm kështu u vijmë në ndihmë në ruajtjen e gjuhës shqipe fëmijëve shqiptarë që jetojnë përkohësisht jashtë Shqipërisë. “Shkolla” e familjes mërgimtare për mësimin e gjuhës shqipe, kërkon veç të tjerave të mbështetet më mirë nga politikat arsimore shtetërore me mësues e programe shkencore. Me të drejtë preokupohemi për analfabetizmin në sistemin tonë arsimor dhe në shkollat tona, por ç’emër t’i vëmë atyre dhjetra qindra fëmijëve shqiptarë, që ende vetëm e belbëzojnë gjuhën shqipe pa lë të njohin historinë, kulturën, gjeografinë dhe traditat e këtij kombi. Kësaj drame duhet t’i jepet fund! Shumë përgjegjësi kanë intelektualët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në emigrim. Ata duhet të jenë më aktivë dhe më krijues në organizimin sa më efektiv të kurseve, takimeve, bisedave dhe hapjen e shkollave për mësimin e gjuhës amtare.

Indiferentët, dembelët dhe ata që nuk vazhdojnë rrugën që hapën Rilindasit tanë, historia do t’i dënojë dhe shoqëria njerëzore do të mbajë qëndrim kritik ndaj tyre. Nga Bostoni i Amerikës, i madhi Faik Konica, para shumë vitesh, do të shprehej: “…Erdhi më në fund dhe për gjuhën shqipe koha e lulëzimit, koha plot shpresë! Në të katër anët, një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë, dhe plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. I vlerësojmë, i pranojmë dhe i respektojmë vlerat gjuhësore e kulturore të popujve të tjerë. Dhe respekti për të tjerët ka vlerë e besueshmëri, kur në radhë të parë respekton vlerat e kombit tënd…!”

Kohë më parë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës u organizua seminari i XII mbarëkombëtarë me temë “Për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, ku morën pjesë mjaft gjuhëtarë nga trojet shqiptare dhe diaspora, ku u shtrua problemi i përmirësimit të modeleve të mësimdhënies në shkollat shqipe në mërgatë si dhe shkëmbimi i pervojave në këtë fushë. Shpresdhënëse ishin edhe fjalët e Ministres së Arsimit dhe Sportit, z. Lindita Nikolla, e cila mori pjesë në takim, ku ndër të tjera tha: ”…Qeveria shqiptare ka vullnetin për të plotësuar detyrimin ndaj fëmijëve të emigrantëve, që ata të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Gjuha amtare përbën shenjën e parë të identitetit  kombëtar, si e tillë ajo duhet mësuar dhe zhvilluar…”, por tani presim që specialistët dhe metodistët e dikasterit të hidhen në veprimtari konkrete bashkëpunimi për hapjen, kompletimin me tekste dhe funksionimi e shkollave shqipe në diasporë”.

Është i dyti shkrim problemor në llojin e tij, që shtron nevojën e një impenjimi dhe vlerësimi më të madh nga organet shtetërore dhe prindërit mërgimtarë që të punohet maksimalisht me fëmijët e tyre për të folur e shkruar gjuhën tonë amtare shqipe. Vetëm kështu e mbajmë gjallë gjuhën shqipe tek fëmijët mërgimtarë, duke ngulmuar më shumë se deri tani komunikimin në gjuhën e bukur amtare, duke ngulmuar më shumë se deri tani për të sotmen, sepse vetëm kështu shqiptarët do të jenë të denjë për të hyrë në familjen e madhe europiane, duke i shërbyer të ardhmes së brezave të rinj përmes fjalës së bukur shqipe. Vetëm kështu rritet krenaria kombëtare e kombit tonë, ruhet ndёr breza amaneti i rilindasve tanё pёr ta ruajtur, zhvilluar dhe transmetuar brez pas bresi gjuhёn e bukur shqipe. Ndoshta nesër do të jetë vonë… pёr tё ndёrmarrё nisma nё kёtё drejtim. Koha nuk pret.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok