Nga Ndue Ukaj

Franc Kafka në tregimin fantastik “Emblema e qytetit” e tematizon idenë e ndërtimit të Kullës së Babelit, një dëshirë e përhershme e qenieve njerëzore për të arritë qiellin, pikën kulmore të barazimit të njeriut me Zotin.

Ndërtimi i kësaj kulle, siç tregojnë rrëfimet biblike nuk ka përfunduar kurrë, por prapa ka mbetë ideja dhe ëndrra për të sendërtuar një kullë të tillë.

Shumë brezni kanë tentuar të bëjnë një gjë të tillë, por duke e parë se në harkun kohor të një jete, ideja për të sendërtuar një kullë të tillë ishte e pamundur, njerëzit kanë filluar të ndërtonin qytete ose shtetet e tyre dhe kjo ka shkaktuar grindje të shumta. Duke ndërtuar qytete –  siç thotë tregimi – u shty ideja për të ndërtuar kullën dhe brezni pas breznie ishte pranuar se nuk kishte kuptim më ndërtimi i një kulle deri në qiell.

Por, ideja ka mbetë dhe Kafka dëshiron të tregojë se ideja kur ngjizet njëherë vështirë shqitet nga jeta njerëzore: “një ide pas rroket në gjithë madhështinë e vet, nuk mund të zhduket kurrë më; sa të ketë njerëz në faqe të tokës, do të ketë gjithashtu një dëshirë të fuqishme për të përfunduar kullën”.

Ky tregim i shkurtë na flet dhe sot, për raportet tona me gjuhën dhe idetë, sidomos me këto të fundit, që i mbjellim pa menduar fare dhe pastaj ato shkaktojnë grindje, terror gjuhësor dhe si pasojë, lëngata dhe tharje të jetës.

Dihet, shoqëria njerëzore, nuk lëngon nga asgjë më shumë se sa nga idetë e këqija, nga gjuha e pjerdhur që mbillet njëherë dhe pastaj vështirë kontrollohet, pa shkaktuar grindje dhe përleshje të pafundme njerëzore.

Duke i parë kukurisjet e tmerrshme politike dhe verbërinë me të cilën një grusht demagogësh të rrezikshëm mbjellin ide të këqija ndër shqiptarë, ky tregim tingëllon si një ftesë qëllimmire, që të tregohemi të kujdesshëm me idetë që mbjellim, sepse ato mund të shndërrohen në lëngatë dhe rrjedhimisht në tragjedi.

Si popull me formim të ngadalshëm kulturor për shkak të aksidenteve historike, ne raportin me idetë e kemi pasur negativ dhe vazhdojmë ta kemi tillë. Kjo mund të jetë dhe pasojë e krizave të thella identitare ose krizës së njeriut me identitet të humbur, të tillë çfarë ka shumë në shoqërinë tonë. Dhe si pasojë e kësaj, kemi lejuar që brenda shoqërisë sonë të ngjizën gjithfarë idesh të marra e ideologji shkatërruese.

Nëse lejojmë të ngjizet një ide e keqe – siç na këshillon Kafka – do të ketë gjithashtu një dëshirë të fuqishme për të përfunduar atë. Dhe kjo mund të jetë tragjedia e ardhshme kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok