IKJA NË HESHTJE E NJË ARTISTI TË SPIKATUR

0
Kosta Raka

Nga Vangjush Saro

Është ndarë nga jeta piktori Kosta Raka, një emër i spikatur i grafikës dhe sidomos i karikaturës shqiptare, ilustrues i një numri të madh librash. Vizatimi i tij ishte i thjeshtë, i drejtpërdrejtë, me linja të qarta, plot humor dhe ironi, shumë komunikues, realist po ashtu. Ai ka marrë disa çmime ndërkombëtare. Ndërkombëtare. Por tash për tash, mediet shqiptare janë fokusuar vetëm te politika dhe… koketat. Dhe nderimet bëhen me hile, sipas njohjeve. (Një farsë e vërtetë!)

Kosta ishte një artist i pafjalë, i pabujë. Modestia e tij binte në sy pothuaj më shumë se punët e tij. Kjo nuk do të thotë se mediet shqiptare (përjashto gazetën e njohur e dinjitoze “Telegraf”) duhej të heshtnin. Po ashtu edhe njerëz të zhanrit, që në raste të tjera, në mënyrë hipokrite, bëjnë “të përvëluarin”… Por ndër ne, me sa duket, do të vendosë gjithnjë… influenca në shoqëri, miqësia, rrethi familjar, të njohurit dhe jo vlerat e vërteta e talenti. Është për të ardhur keq që, gjithashtu, mjeshtri i madh i karikaturës shkon i panderuar nga institucionet, të cilat nuk kanë lënë “mangë” e këngëtar dasme pa lançuar. (O ç’mjerim!)

Personalisht, e kam njohur Kostën gjatë kohës që bashkëpunonim në revistën “Hosteni”; një medie ku lindën dhe u rritën disa artistë e shkrimtarë me emër. Po personalisht, i jam mirënjohës për ilustrimet e goditura të dy prej librave të mi: “Polic Këmbëvogli” dhe “Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri”. Pavarësisht fatit dhe sjelljes së institucioneve, pavarësisht komedisë me nderime të supozuara, krijimtaria e mirë dhe protagonistët e saj do të jetojnë, për të treguar se arti nuk ka lidhje kulisat, me tallavanë dhe tablotë e përditshme mediokre e pa klas.

Lamtumirë, Kosta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok