Irma Libohova: Muzika e lehtë shqiptare, sa e çoroditur…

0

Muzika e lehtë shqiptare aktualisht ka një portret të çoroditur, sepse jo vetëm muzika që ofrohet është e tillë por edhe shijet e njerëzve janë bërë të tilla, shprehet për ABC-në këngëtarja e njohur. Portreti, përmes rrëfimit të saj

Parimet e mbijetesës
Jam një njeri që jetoj mbi parimet e mia; të cilat herë i shpik vetë e herë i kopjoj nga të tjerët. Mendoj se këto janë parimet më të mira. Njëri nga këto, i cili më bën mua të mbijetoj është slogani im (që unë e them gjithnjë): “O e para, o hiç!” Kështu që kjo më mjafton, besoj. Unë nuk pretendoj që jam e para, e para fare, sepse s’kam qejf të thyej turinjtë duke qenë e para, por as e fundit nuk jam, e as në mes nuk jam, por nuk e di ku jam. Sepse nuk është e thënë të jetë vetëm një i parë, mund të jenë dhe disa.
Që të mbijetojë, njeriu duhet të ketë një kompleks gjërash, që pse jo, dhe ta bëjnë të ndihet më ‘trendy’- është aftësia për të qenë gjithmonë një hap përpara nga koha dhe të tjerët. Janë një sërë gjërash që e bëjnë njeriun të ndihet koherent.
Profesioni pastaj është diçka tjetër. Nuk është çështja te të kënduarit, fakti që këndoj, aktualisht është diçka pak a shumë e zakonshme. Shumë veta këndojnë. Për shembull, shumë njerëz në profesionet e tyre mund të jenë shumë të aftë, por kanë disa mangësi të tjera që e zbehin talentin e tyre në një profesion të caktuar. Por mendoj që një profesionist i mirë, në çdo lloj fushe, duhet të jetë në radhë të parë i formuar, dhe të ketë disa elemente që e bëjnë atë njeri. Dhe këto janë disa nga gjërat që e plotësojnë talentin që ka në profesionin e tij.
Nëse do flisja nga ana profesionale, kuptohet që në këtë larmi shijesh, rrymash, gjetjesh, daljesh, prurjesh që ka ekrani dhe skena, njeriu duhet të jetë selektiv, të seleksionojë atë çka i shkon më shumë për shtat (atij vetë dhe tregut). Por kjo s’do të thotë që të tërhiqet gjithnjë nga konvencioni komercial. Unë këtë gjë nuk e bëj dot.

Prurjet e huaja në muzikën shqiptare
Sa për këtë argument mendoj se kjo lloj dukurie ndodh gjithandej, nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Por vendi ynë ka një qeveri të pafuqishme në këtë fushë, në kuptimin që këtu tek ne nuk ka asnjë institucion të specializuar që të kontrolloj këto lloj prurjesh, ose që të mbrojë të drejtën e autorit. Gjithsekush bën çfarë do. Nuk paragjykoj asnjeri, pasi njerëzit nuk janë budallenj, e dinë shumë mirë se çfarë është e tyrja dhe se çfarë jo.

Portreti i muzikës së lehtë shqiptare
Muzika e lehtë shqiptare aktualisht ka një portret të çoroditur, sepse jo vetëm muzika që ofrohet është e tillë por edhe shijet e njerëzve janë bërë të tilla.
Njerëzit e kanë të vështirë që brenda një kohe të shkurtër të zgjedhin atë çka është e bukur. Kënga që zë vend, krijimtaria që zë vend, duhet të gjejë dëgjuesin e saj që ta fusë brenda vetes, gjë që nuk mund të ndodhë menjëherë. Shumë nga muzika e tanishme, është diçka që kalon shpejt, pra jo gjithçka mbetet. Problemi është që krijuesi të bëjë diçka që të mbetet.

Preferencat ndaj kolegëve
Përsa i përket këngëtarëve shqiptarë që pëlqej, unë nuk kam asnjë lloj egoje, në kushtet që jam sot nuk kam asnjë lloj egoje profesionale, ndoshta do doja të tregohesha si një profesoreshë në fushën e muzikës. Nëse do dalloja dikë dhe këtë e them me sinqeritet, këta do të ishin Mariza Ikonomi dhe Alban Skënderaj i cili është një këngëtar që ka të dhëna për të ecur përpara në këtë fushë. Një emër tjetër po i rëndësishëm është dhe Eranda Libohova, e cila është një këngëtare që do jetojë gjatë.
Ndërsa këngëtarët e muzikës popullore, më duken shumë specifikë dhe të ngushtë në rrethin e tyre të interpretimit, janë pak a shumë një prerje dhe nuk do dija të veçoja ndonjë prej tyre. Këtu nuk po flas për këngët që këndojnë por për karakteristikat që ata kanë në interpretimin e tyre.

(Mos) Pjesëmarrja në festivale
Sa për pjesëmarrjen nëpër festivale, mendoj se çdo gjë ka kohën e vet; gjërat në përgjithësi kanë një kurbë zhvillimi, pra, kanë një nisje, një vazhdimësi, dhe në fund kanë një stacion tek i cili duhet të ndalosh. Mendoj që festivali ka qenë stacioni im i fundit. Tek festivali i “Këngës Magjike”, ku mora një trofe, kam bërë dhe deklaratën që nuk do marr më pjesë në gara muzikore. Nuk është e thënë patjetër që të jesh pjesë e një gare. Vetë jeta, profesioni, janë një garë, dhe nuk është e thënë që duhet të mblidhen disa njerëz të tjerë për të gjykuar atë që ti krijon. S’e shoh më fare festivalin, e kam kryer…

Muzika e preferuar
Në përgjithësi dëgjoj vetëm baladat, muzikën e ndjerë, si për shembull Celine Dion, Patricia Kass. Kur dua të relaksohem zgjedhja ime është në bazë të këngëve, por më pëlqejnë gjithnjë vokalet e ngrohta.

Raporti me librin
Sa për këtë mendoj se do ishte mirë që edhe tek ne të hynte teknologjia e të lexuarit të faqeve të librit në celular, ashtu si ka hyrë në Japoni. Sepse dita është aq e ngarkuar, dhe që të ulesh të lexosh, sigurisht që libri do kohën e vet. Nuk mund të lexosh një libër sa për të kaluar radhën apo për të numëruar faqet. Libri lexohet për të përjetuar diçka, për t’u çlodhur. Megjithatë aktualisht jam më e prirur drejt poezisë, sepse unë shkruaj dhe tekste këngësh vetë. Në përgjithësi më pëlqen poezia greke, tendencat e kohës, gjithçka që ka të bëjë me poezinë. Ndoshta jam më e aftë të dalloj diçka të bukur në poezi se sa në një roman.

Koha e lirë
Një slogan tjetër që përdor shpesh: “S’ka pushim, fare”. E mira e punës sime është që unë kam kohë të fle në mëngjes, gjëja më e dashur e jetës sime, për të cilën jam lutur gjithnjë, është gjumi i mëngjesit, dhe meqë unë e kam këtë shans, them që ky është pushimi im.

Projektet e fundit
Albumi im i fundit sapo ka mbaruar dhe ka një përmbajtje me këngë popullore, por titullin nuk ia kam vënë akoma. Zgjedhja ime për këngët, vjen nga fakti se dua t’i përshtatem kërkesave të tregut, dhe aktualisht kërkesat këto janë. Orkestrues i këtij albumi është një djalë shumë i talentuar nga Korça që jeton dhe punon në Athinë (baterist), është gjithashtu dhe kompozitor i disa prej këngëve. Tjetër kompozitor është dhe Bledar Skënderi, dhe unë vetë kam kompozuar në këtë album, si dhe një këngë është kompozuar nga funksionari i ambasadës turke në Shqipëri.

Plane…
Dëshiroj që në të ardhmen të bëj një duet me Erandën – ndonjë gjë të bukur dhe të mirë menduar. Sa për mundësinë e një recitali, është një gjë shumë e mirë vërtet, por është një humbje kohe shumë e madhe. Dhe unë kam plane që i kam caktuar këtu e dy vjet përpara, të cilat nuk mund t’i anashkaloj.

Dorina Gusmari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok