19/04/2024

KAFE MES MIQSH ME PAMJEN E NJË “SOFRE POETIKE”

0

Takim mes miqsh krijues.Tiranë, më 20 nëntor 2021

Nga Bashkim Saliasi

Ditë e shtunë, 20 nëntor 2021. Dielli ngroh me rrezet e tij të arta parkun e gjelbër në qendër të kryeqytetit tonë të bukur, Tiranë. Edhe pse jemi në vjeshtën e tretë, kur gjethet e bimëve gjetherënëse akoma nuk e kanë larguar masën e gjelbërt të tyre, kolori i ngjyrave të gjetheve që ende nuk janë rrëzuar, të krijon një ndjesi qetësuese. Duke iu afruar mjediseve të parkut kryesor të Tiranës, ndiej freskinë e ajrit të pastër dhe më duket vetja se jam në ditët e para të pranverës. I afrohem lokal “Taivanit”, ku më presin miqtë e mi krijues: Viron Kona, Delo Isufi, Kadri Tarelli, Muhamet Cenko dhe kryemiku, që ka ardhur nga Suedia, poeti, përkthyesi dhe drejtuesi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Borås të Suedisë, Sokol Demaku.

Takimi, sa miqësor, aq dhe vëllazëror, zgjati rreth dy orë e gjysmë dhe të gjithëve na u duk shumë i shkurtër, pasi bisedat rrodhën këndshëm e natyrshëm, e ku në fillim zuri vend fjala e bukur shqipe. Secili prej nesh kishte shumë për të treguar. E nisëm me Kristoforidhin, që e pasuroi në mënyrë të veçantë dhe origjinale gjuhën shqipe edhe me fjalë të rralla, vijuam me kumbimin e bukur të krijimtarisë poetike të Naimit, Çajupit, Mjedës, Migjenit, Nolit, Poradecit, Fishtës, Kadaresë, Podrimjes, Agollit..,(madje, poeti Delo Isufi edhe recitoi strofa të veçanta). Dukej sikur aty në mjediset e “Taivanit” po zhvillonim një “sofër poetike”, ashtu sikurse Sokol Demaku me bashkëkombës të tjerë zhvillon çdo vit  Festivalin e Poezisë në qytetin Borås të Suedisë. Cilido që dëgjonte Sokolin,  i cili shfaqej shumë aktiv në bisedë, do të ndjente në fjalët dhe bisedat e tij mallin  e mërgimtarit, por edhe të veprimtarit të shquar kulturor.

Poeti Demaku foli edhe për veprimtarinë e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në Borås të Suedisë, si dhe për disa nga veprimtaritë e saj në Suedi, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj. Ai gjeti momentin dhe na dhuroi librin e tij të titulluar “Skënderaj i Skënderbeut” (rrëfime, ese, skica), shtypur në shtypshkronjën “Lena Graphic”, Prishtinë, 2021, duke na premtuar se së shpejti do të kishim në duar prej tij një libër kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që ai e kishte hasur në gjuhën suedeze dhe e kishte përkthyer në gjuhën shqipe..

E uruam Sokolin për përkthimet dhe botimin e librave me plot vlera për kombin shqiptar.

Poeti Delo Isufi recitoi bukur vargje nga Migjeni; shkrimtari Viron Kona tregoi episode nga kanë marrë fill disa nga tregimet e tij; shkrimtari dhe poeti durrsak, Kadri Tarelli, solli në kujtesën tonë ide dhe mesazhe tregimesh, ku, mes të tjerash, ndihej humori i thekur; unë (Bashkimi) solla në kujtesë “detyrën” që na ngarkonin ne mësuesve për të “vjelë” nga populli fjalë të rralla (nga vitet ’80 deri në vitet ‘90); gjuhëtari dhe korrektori Muhamet Cenko shpjegoi për shkrimin me gabime të disa fjalëve e shprehjeve shqipe, si dhe tregoi punën e kujdesshme që duhet bërë për hartimin e fjalorëve të gjuhës së bukur shqipe; Sokoli tregoi me humor për një mbledhës fjalësh të rralla, i cili fuste “në sherr” bashkëshortët dhe, kur ata “nxeheshin”, nxirrnin fjalë krejt të rralla e të padëgjuara, kështu ai pasuronte fjalorin…(episod ky që na kujtonte metodën që përdorte Kristoforidhi).

Në këtë tavolinë simpatike nuk mungoi humori dhe anekdodat sipas krahinave të vendit tonë.

Fotografitë që u bënë, fiksuan takimin tonë të bukur, që më shumë sesa pirja  e kafesë mes miqsh, kishte dhe pamjen e një “sofreje poetike”.

Tiranë, më 20.11.2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok