KËRKESA E SERBISË PËR DALJEN NË DETIN ADRIATIK NË SHQIPËRI

Nga Nikë Gashaj

Serbia donte  të plotësonte ëndërrën e saj të vjetër, daljen në detin Adriatik nëpërmjet trojeve të shtetit shqiptar. Mirëpo, fuqitë e Antantës nuk e pranuan kërkesën e Beogradit për të hyrë ushtarakisht në Shqipëri, as në muajt e parë të konfliktit botëror dhe as në fillim të vitit 1915. Megjithatë, qeveria e Beogradit vendosi t’i shtinte në dorë këto territore dhe të dilte në Durrës, duke synuar të forconte këtu edhe pozitat shumë të tronditura të aleatit të vet, të Esat Toptanit.

Për përgatitjen e këtij agresioni qeveritarët serbë nisën të grumbullonin në fillim të muajit maj forca të shumta në Prizren dhe akoma më shumë në sektorët e Ohrit e të Dibrës, prej nga mësynë në Shqipërinë e Mesme. Pas disa përleshjesh të armatosura thyen forcat kryengritëse të Haxhi Qamilit dhe arritën deri në afërsitë e Durrësit, duke e shpëtuar E. Toptanin nga rrethimi disamujor. Për shkak të protestave energjike të Italisë forcat serbe nuk hynë breda në Durrës. Në këtë rast qeveria e Beogradit duket se iu përmbajt marrëveshjes me qeverinë e Athinës të majit 1913, sipas së cilës vija e kufirit, që ato kishin caktuar në Shqipëri, do të ishte pikërisht lumi Shkumbin. Forcat serbe që hynë nga ana e Prizrenit arritën deri në Orosh, ku masakruan patriotin Ded Gjo Lulin dhe u dhanë mundësi forcave esatiste të ndërmerrnin një ekspeditë policore në krahinën e Mirditës.

Agresioni serb i qershorit 1915 u krye në kundërshtim me udhëzimet e Fuqive të Antantës, të cilat, në shenjë mospajtimi, përgatitën edhe një not kolektive për t’ia dorëzuar qeverisë së Beogradit, por, për arsye të kontradiktave që lindën, nuk arritën t’ia paraqitnin asaj.

Qendrim i Austro-Hungarisë ka qenë pro Pavarësisë së Shqipërisë në vjeshtën e 1912.

Qeveria e Austro-Hungareze doli hapur kundra depërtimit të thellë të ushtrisë së aleancës ballkanike në tokat shqiptare dhe ndarjes së Shqipërisë midis tyre. Meqenëse, Vjena kishte shumë vite që kishte projektuar krijimin e shtetit shqiptar në rast të prishjes së status quo-së në Ballkan dhe tashmë qe erdhi momenti ajo nuk mund të lëjonte fuqitë ballkanike të hidhnin në erë gjithë interesat e saj në këtë rajon. Prandaj, Vjena filloi nga përgatitjet për krijimin e shtetit shqiptar dhe për caktimin e territorit të tij. Për këtë arsye u mbajt në Vjenë, më 16-19 tetor 1912, një konferencë me lloje të ndryshëm ekspertësh, ku u diskutua për Shqipërinë. Aty u diskutuan territoret e shtetit të ardhshëm shqiptar.

Në një vendim sekret të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë të nëntorit të 1912 në lidhje me statusin e shtetit të ardhshëm shqiptar dhe territorit të tij u vendos që” Paraqitet e dëshirueshme formimi i një Shqipërie autonome ose pas pushimit të sovranitetit turk një Shqipëri e pavarur. Kufijtë territorialë të këtij shteti të ri duhet të sigurojnë interesin, vitalitetin dhe stabilitetin dhe do të përfshinin, nëse është e mundur, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Perandorinë Osmane dhe qe kishin kufij natyral. Fatkeqësisht kjo dëshirë nuk do të mbahet lehtë për shkak të situatës etnografike të komplikuar në Vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe Janinës dhe suksesit ushtarak të  Ligës Ballkanike.

Austria përballohej me problemet nga Serbia, e cila kërkonte të sfidonte Austro-Hungarinë në Ballkanë. Ajo kërkonte coptimin e Shqipërisë midis saj dhe Greqisë. Serbët ishin të mëndimit se populli shqiptar nuk është një element që të formoj një shtet se Shqipëria e Veriut është serbe, se një Shqipëri e pavarur ne fakt nuk ka ekzistuar kurrë se vetëm ata ruajnë të drejtat e trashëguara mbi Shqipërinë. Për Pashiqin, një Shqipëri e pavarur nuk është e dëshirueshme, por as është e mundur. Ish kryeministri i Serbisë, Vladan Georgeviq, që njihet për argumentimin e famshëm se shqiptarët ishin me bisht si dhe për planin e tij të detajuar për zhdukjen e shqiptarëve në lidhje me Shqipërinë autonome mendon se”do të ishte një shtet muhamedan në Evropë një anakronik për kulturën dhe idetë e Evropës moderne”.

Problemi më i madh që kishte Austria në nëntor të 1912 ishte çështja e portit serb. Serbia kërkonte me patjetër një port shqiptar nën sovranitetin e saj të plotë. Nëse një gjë e tillë do të  ndodhte, ndoshta do ti jepte fund ekzistencës së një shteti shqiptar i aftë për të jetuar, respektivisht atëherë do të minohej tërësisht plani i Vjenës për një Shqipëri të pavarur.

Më 8 nëntor 1912, Vjena i bën të ditur Beogradit qëndrimin e saj për krijimin e Shqipërisë së pavarur në tokat që Serbia kërkonte t’i aneksonte. Po ashtu ministri i jashtëm gjerman i kishte deklaruar ambasadorit serb se, Austria dhe Italia janë kundra daljes në Adriatik të Serbisë, sepse kjo do ta ndante Shqipërinë, i ngarkuari me punë i Serbisë i ishte përgjigjur që Serbia kërkonte të gjithë Shqipërinë. Ministri i jashtëm gjerman vë në dijeni Anglinë për  pretendimet e Serbisë. Sipas tij”Serbia kërkon gjithë Shqipërinë me përjashtim të një cope të vogël në jug që do ta marr Greqia. Pra Serbia jo vetëm që nuk e diskuton çështjen e portit por do të ketë gjithë Shqipërinë.

Sipas historianes  Elena Kocaqi Levanti, Bogiqeviqi ambasadori serb në Berlin ju ankua Kiderlenit kancelarit Gjerman, se sipas opinionit në gazeta të Vjenës:”Austro-Hungaria nuk do të durojë që Serbia të shkel tokën  shqiptare, as qe të ngulet ajo në breg  të Adriatikut”. Sipas tij ”nëse kjo gjë ishte e vërtet atëherë puna është edhe më keq, duke qene se të katërta shtetet ballkanike që janë në luftë paskan rënë në një marrëveshje, sipas së cilës, pothuajse e tërë toka shqiptare do t’i binte Serbisë… këtë punë e dika edhe Rusia dhe e pëlqyeka plotësisht… në rast se Austro-Hungaria do ta ndalojë me armë në këtë punë Serbinë, atëherë Rusia do t’i shpallka luftë Austro-Hungarisë”. Përgjigja e Kiderlenit ishte po aq kërcënuese sa ajo e Bogiqeviqit se “Po të jenë të vërteta fjalët e tij dhe në dashtë luftë jo vetëm Serbia, por edhe Rusia, atëherë urdhëroni, veçse atëherë  do të jenë krah për krah me Austro-Hungarinë me forcat e tyre jo vetëm Gjermania por dhe Italia.

Në Vjenë ishin shumë të vendosur që të zgjidhnin luftën, nëse do të ishte e nevojshme për të ndaluar daljen e Serbisë në bregdetin shqiptar.  Pasi u vu në dijeni për pretendimet serbe, në 3 nëntor 1912, Austria iu drejtua Rusisë duke i shpehur mos aprovimin e saj në lidhje me portin serb. Austria shprehet, se ajo nuk mund të japi votën kurrsesi që të lidhet Serbia me Adriatikun nëpërmjet tokës shqiptare.

Vjena ishte e vendosur që të mos e lëjonte Serbinë në bregdetin shqiptar edhe me koston e një lufte Evropiane dhe Botërore. Mirëpo, Serbia e injoronte kërcënimin e saj. Kjo sepse Serbia donte të nxiste një luftë Evropiane dhe me anën e Antantës me në krye Rusinë të shkatërronte Austrinë dhe ti merrte asaj tokat. Andaj, Serbia synonte të kapte portin e Shëngjinit dhe të Durrësit sa më parë me qëllim që ta bënte marrjen e tyre fakt të kryer përpara opinionit publik ndërkombëtar.

Në anën tjetër, Ministri i jashtëm i Rusisë Sazanov, ishte i mendimit se ”Serbia dëshiron të provokojë, me çdo kusht, një luftë evropiane duke varur shpresën në përkrahjen e Rusisë, por atë nuk do ta ketë kurrë, sepse  ajo nuk do luftë.

Kur u pa se qëndrimi i Vjenës në lidhje me kërkesën mbi portin ishte i palëkundur dhe mund ta çonte çështjen deri në luftë, Fuqitë e Antantës filluan të reflektonin dhe të mbanin një qëndrim të moderuar për të shmangur luftën me Austrinë. Kështu, më 12 nëntor, Sazanov i shfaq diplomacisë franceze qëndrimin e qeverisë ruse ndaj Serbisë. Sipas tij”qeveria perandorake i deklaron kategorisht Serbisë se ajo nuk duhet të shpresojë të tërheqë Rusinë, e cila është e vendosur të mos shkojë deri në luftë të armatosur për një port serb në Adriatik… Kështu Sazanov, përfundimisht e konsideroi daljen e Serbisë në det një çështje të humbur….. Më tutje ministri i jashtëm i Rusisë, Sazanov porositi Pashiqin për vetëpërmbajtje me qëllim që të mos hynë në luftë me Vjenën. Në qoftë se do të vazhdoni të kërkoni Durrësin do të humbni edhe Beogradin. Kini kujdes. Vjena e ka humbur durimin. Pashiqi i mbetur pa përkrahjen e aleatëve kryesore u përkul para këshillave kërcënuese të Rusisë.

Përfundim: Austria i bindi Fuqitë e Mëdha ku me diplomaci dhe ku me kërcnim për luftë që çështja e portit serb në Adriatik nuk pajtohet në asnjë mënyrë me ekzistencën e Shqipërisë si dhe politikën e jashtme austriake. Kjo ishte fitorja e madhe për diplomacinë vjeneze por edhe për të ardhmen e Shqipërisë. Andaj, më 23 dhjetor Pashiqi komentoj se kjo disfatë e Serbisë”ishte për shkak të kërcnimit të Austro-Hungarisë me luftë të madhe”.Gazetat serbe”fajsonin Rusinë duke thënë se qëndrimi i Rusisë ishte jashtëzakonisht i keq dhe është një tradhti e vërtet ndaj Serbisë”.

Më tutje, historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, ndër të tjerat, thotë: “Serbinë e kanë lodhur luftat për territore të huaja. Gjatë 125 viteve, ajo ka luftua për çdo 14 vite… Sot kur një orientim i tillë i ka ardhur fundi, kur është zbraz një model politik, bëhet e qartë se duhet për ta ndërrua atë që quhet mentalitet. Mirëpo, në lidhje me të parashtrohet pyetja, A është e mundur? E pranoj, dhe vet shpeshherë ndalemi para asaj pyetje, meqenëse nuk kam përgjigje”. Në anën tjetër, ka autorë shqiptarë të cilët konstatojnë, se ajo ka qenë kohë e vjetër, se atëherë kanë qenë tjerë serbë, ndërsa sot janë tjerë serbë. Mirëpo, ata sikur duket nuk i njohin mirë serbët, respektivisht mentalitetin e tyre, psikologjin dhe historinë e tyre. Po ashtu, ata nuk kanë njohje të duhura nga gjenetika- shkenca e trashëgimisë. Ndërkaq, në filozofinë popullore, thuhet: “gjaku nuk bëhet ujë”, ose” Ujku qimen e ndërron, por vesin nuk e ndërron”. Atë e ka vertetua dhe praktika konkrete. Prandaj, mentaliteti serb për okupumin e tokave të huaja akoma mbetet aktual!

(Autori është politolog)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube