Nga Edison Ypi

Një Gentleman si unë nuk mundet me e lën me vujt sharmanten, inteligjenten, seriozen, t’hirshmen, Kingen Mitrovicalie Kimete Berisha.

Nuk mundem un me e lën Kingen Mitrovicalie me e hum rrugën mes pyllit të habitjeve plot me ujq dhe çakaj, mes shkurreve të paradokseve plot me shqartha dhe skile, mes moçaleve të keqkuptimeve plot me gjarpërinj dhe nëpërka helmatisëse.

Duhet me ja bo Kinges Mitrovicalie do kjartësime.

Nëntor ’99. Po shkoja me autobuz nga Prishtina në Mitrovicë. Kosovari që kisha pranë, mësues katundi pi Drenice, pa i lujt qerpiku, tha

-Nga Ibrahim Rugova te armiku ma i funit, do t’i likvidojm “Në emër të Popullit”. Bam, bam, bam. N’lule t’ballit krejtve. Do ti likvidoj me dorën teme.

Mësues vrasës. Tobenestafkurullah. Po të mos e kisha pa me sy e nigju me veshë, s’kisha për ta besu kurrën e kurrës.

O Kinge Mitrovicalie, hele-hele, sa kosovarë ka vrarë vallë me dorën e vet ai mësues ? Sa gjenerata nxënësish i ka bo vrasës para se me i tregu kush është Noli, Lasgushi, Kadarea ? A ja ka mrrit ai përbindësh me e zaptu shtëpinë e ndonjë serbi në Prishtinë ? A ja ka mrrit me u bo ministër ? A i ka bo vllaznit a kushurit biznesmena ?

Moj Kinge Mitrovicalie, a s’më thua, me çfarë tjetër mundesh me u habit më tepër se me mësues-vrasës ?

Ku ka mësuesa-vrasës që vrasin me dorën e vet, vllaznit e vet, katunarët e vet, kush munet me pas problem tullat e shtëpisë së djegur me i ble te djegësi i shtëpisë, e bashkë me tullat, edhe qumështin me e pi kalamajt dhe sapunin me la bythën, dhe gjithçka tjetër ?

Prandaj oj’ Kinge Miteovicalie, e vetmja habi e imja janë habitë e Tuja.

Para Kosovës, Shqipëria ishte përplot me mësuesa-vrasësa dhe vrasësa-mësuesa. Këtu mësuesat quheshin komisarë, dhe vrasësat edukatorë.

Mësuesave-vrasësa dhe vrasësave-mësuesa këtu u thurnin lavde. Për ata mutër këtu shkruheshin libra, bëheshin filma, teatro, plenume, kongrese, që shoqëroheshin dhe me rrahje  burgosje, internime, varje, pushkatime.

Ndodhte kjo, o Kinge Mitrovicalie, sepse kurvi bëri atë që nuk mundet me e bo as Zoti as Dreqi, as laboratori, as shkenca; Kuturisi brenda errësirës së errësirës, e gjeti ku ndodhej, dhe ja shkatrroi shqiptarit kodin ekzistencial, palcën e palcës, qelizën e qelizës, bërthamën e bërthamës.

Me lejen tënde të supozuar, që me gjasa e kam, po marr një shembull.

Sikur, Zot na ruaj, Ti Kingia Mitrovicalie, të kishe lindur diku në Shqipëri. A e di çfarë, me probabilitet të lartë, do ndodhte me Ty ?

Diku te 15 vjeç, vetëm sepse do vërejshin se ishe e bukur, do të quanin kurvë. Aq shpesh do ta përsërisnin këtë, sa, pa asnjë provë, me cilësimin makabër, jo vetëm shoqëria e afërt, por edhe familja, njerzit e shtëpisë, mami, babi, do binin dakord në heshtje.

Në 18 vjeç, e dëshpërume, do filloje punë me tre turne te një llaftari pisanjose që quhej “ndërmarrje” si tornitore ose saldatore, ose diçka tjetër. Ditën e tretë ose të pestë, në ndërmarrjen e fëlliqur do të vërsulej me një mijë mënyra një shef barkderr i fëlliqur, që do të bënte zap në ndonjë zgëq. Pas kësaj, s’do ta ngrije kurrë kokën deri në vdekje.

Kokulur pa bërë 20, përveçse dashnorja legjendare e shefit, s’do ishte hiç çudi që nja dhjetë proletarë në ndërmarrje dhe po aq ushtarë në zbor, të përdhunonin me rradhë, ose në grup.

Te 30 vjeç armiku yt më i madh do ishte pasqyra. Fytyra do të bëhej si baltë Devolli.

E të tjera e të tjera, po e lë këtu horrorin e jetës tënde nëse do kishe lindur “knejna” në kohën e kurvit.

E bumura është se kurvi nuk u mjaftu me vra shqiptarët e Shqipërisë. Kryemësuesi-kryevrasës i Shqipërisë ishte betu’ me i vra krejt shqiptarët kudo ku ndodheshin. Kryesisht në Kosovë dhe në Diasporë.

Mësues-vrasës në Kosovë nuk ishte vetëm mësuesi drenicak, bashkudhëtarin tim në autobuz. Mësuesa-vrasës, gjysmën e mësuesave të Kosovës, i bëri kurvi me Zërin e Popullit dhe Sigurimin.

Me zërin e popullit dhe Sigurimin, kurvi vrau edhe në Diasporë çlirimtarët e ardhshëm. Ata, që si u provua më vonë, në zbatim të mësimeve të kurvit, “luftë çlirimtare” nuk quanin luftën kundër djegësave të shtëpive, por vrasjen e vëllezërve të vet për me ushtru të vetmin zanat që kishin mësu prej librave të kurvit dhe Zërit të Popullit, xhvatjen e pamëshirshme dhe të pafundme të Kosovës.

Për me ja arrit kësaj, “çlirimtarët” hajdutë nuk u ndalën para asnjë vështirësie.

Pra, e dashur Kinge Mitrovicalie, “anejna” janë vetëm pasojat. Fillesa apo shkaku i habirave të tua, është “knejna”.

Nëse nuk beson, numuri kolosal i analfabetave “anejna” dhe “knejna” shtuar frikshëm kohët e fundit, ata vigjilentat që vetë s’din me lidh dy llafe, ama janë në gjendje me korigju dhe Zotin, janë prova.

Aftësia diabolike e shumicës së çmendur kurviste me ja nxi jetën pakicës normale, është një tjetër provë.

Gjithato paradokse, pasoja pa shkak, përgjigje pa pyetje, luftë pa fakte, ekonomi pa shifra, “anejna” dhe “knejna”, dhe prap s’bindesh ?

Po që as këtu as atje, jo që s’ësht’ fitu, por as nuk është bërë kurrë ndonjë luftë, të gjitha janë rrena, as me këtë nuk bindesh ?

Nuk gjejmë karar ne shqiptarët, e dashur Kinge Mitrovicalie, sepse për të bërë atë që ç’bëri kurvi, shkatërrimin e njeriut brenda njeriut, punë për të cilën, të madhit Zot, ose mëmës Natyrë, j’u deshën miliona vjet, pra për të bërë rrugëtimin evolucionar mbrapsht, duhet kohë, duhet kohë e gjatë, duhet kohë tepër-tepër e gjatë.

Më beso o Kinge Mitrovicalie: Mëkati fatal që bënë duke ja mundësuar kurvit ti katandiste në këtë derexhe’, është arësyeja pse shqiptarët e sotëm kanë frikë nga Kalashnikovi i Bregoviçit.

Kinge Miteovicalie, mos u habit. Se po na çmenesh. Dhe si Ty tjetër s’kemi.

A e di Ti Kinge Mitrovicalie pse sot ju jeni pak më keq se ne, ne jemi pak më mirë se ju ?

Sepse ne jemi origjinali, ju jeni kopja e zezonës që bëri kurvi.

Qesh’ disa herë n’Kosovë.

Nuk më shkohet ma.

Nga Konispoli në Mitrovicë, gjith’ aj’ panair budallakie m’ban me kja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok