KOHË E KEQE PËR LIRINË, HAVZI…

0

NGA REXHEP SHAHU

Sot me 20 shkurt i dashur Havzi Nela ti ke ditëlindjen, je bërë 85 vjeç.

Asnjë aktivitet shtetëror apo shoqatëror nuk u bë për 85 vjetorin tënd i dashur Havzi.

Me 22 shkurt 2019, të premten, ora 11, do të bëjmë aktivitet për ty, do të promovojmë librin tënd, Shtatë Fletore, vepra jote e plotë me 5548 vargje. Si botues i librit tënd dhe drejtues i Klubit të Poezisë, kam ftuar shkrimtarë dhe miq të tjerë.

Por shteti dhe organizatat qeveritare jo qeveritare, politike e jo politike, nuk bënë asgjë për ty në 85 vjetorin tënd, nuk u kujtuan për ty, nuk ka kujtesë për ty, nuk duhesh kujtuar ti se je i pandreqshëm edhe pse ti je kampion lirie edhe për ata që nuk të duan, je kampion lirie se të tillë të ka bërë litari me të cilin të vari partia si kundërshtar të saj e jo si mik të saj, pasi partia miqtë e saj as nuk i varte as nuk i pushkatonte as nuk i mbante në burg, ndonëse aty të paktën mbeteshin gjallë.

Sot me 20 shkurt është edhe dita e shembjes së shtatores së Enver Hoxhës, atij që ti Havzi e ke urrye haptas dhe e ke artikulue hapur urrjetjen ndaj tij, ndryshe nga shumë shokë e kolegë të tu që kujtonin se ai është i mirë por të këqij janë ata të vegjlit dhe nuk i tregojnë Enverit për poshtërsite e tyre se ai do ti mbyste si mizat…

Që dje më trishtoi një grafikë e Like Rehovës që ma tregoi Bislim Ahmetaj ku shiheshin enverë me duart lart duke pritë të mbanin diktatorin në rënie kur po i shembej busti…

I mbështjellë me trishtim shkova te Muzeu Historik Kombëtar ku ka çelë ekspozitën e tij “The Trump” me grafika të jashtëzakonshme piktori i mrekullueshëm Avni Delvina. Folëm për ekspozitën, për Kosovën dhe bëmë foto në ekspozitë me Avniun dhe me Ilir Myftiun.

Pastaj, në tavolinën e përhershme ku vrasim bërrylat dhe mprehim fjalët në Bar Kafe Luksi, në bodrumin e Bibliotekës Kombëtare, të kujtuam me Izet Durakun, Behar Gjokën dhe me Lazër Stanin. Beso Havzi se është kujtimi apo kujtesa më e ndershme, më e dinjitetshme për ty. Folëm për ty. Ti nuk je i përshtatshëm për shtetin dhe levat e shtetit, ti je i papranueshëm, je rrebel, je rrevolucionar i pandreqshëm…

Lexova diku sot dhe u trishtova Havzi, se ata që e rrëzuan Enverin kanë ikë jashtë atdheut e ata që e mbajtën në krahë janë graduar…

Po sot Havzi është edhe 73 vjetori i pushkatimit të Anton Harapit që është një nga njerzit më të ditur që ka nxjerrë ky vend, një nga shqiptarët që e ka dashtë më shumë këtë vend.

Havzi, kohë e keqe për lirinë… U abuzua me lirinë. Të përndjekurit politikë që dolën nga burgjet e diktaturës falen si kalorës e fisnikë të vertetë, por besoj edhe harruan, besoj e lanë lirinë dhe administrimin e saj në duar të pista, në duar biznesmenësh që për pasuri e falin lirinë…

Havzi, është e trishtueshme pa cak të kuptosh sot, ose ta shkruash sot pasi kam kohë që e mendoj, ndjej, shoh, që ka më shumë liri e mundësi me fole në shtyp e media për diktatorin Hoxha se sa për ty. Kanë filluar të mos e quajnë diktator. Kanë filluar të artikulojnë “arritjet e tij të jashtëzakonshme” dhe të mos guxojnë të përmendin krimet e tij, mungesën e lirisë, dhunën, vrasjet, burgjet, tmerret, frikën, urinë, mungesën e ushqimit.

Opinionin publik e sundojnë, zhurmojnë, diktojnë, socialistë, komunistë, njerez të lidhur më pushtetin e djeshëm vetë ose familjet e tyre, njerez që kanë lidhje me Bllokun komunist të para tri dekadave. Lidhjet tani nuk para janë politike por ekonomike pasi vihet re dhe të gjithë e shohin se janë përjashtime që të jenë të pasur njerëz që nuk kanë lidhje me Bllokun e djeshëm me strukturat e larta të diktaturës.

Ata që shpallen si disidentët më të mëdhej apo pronarë të disidencës shqiptare, pronarë të antikomunizmës, të “luftës” kundër diktaturës e trashëgimisë së saj, janë nga Blloku komunist, bij të Bllokut, nipa, mbesa të Bllokut të cilët i burgoste diktatori Hoxha për hakmarrje primitive, për konjuktura, për t’u dhënë mësim të tjerëve e jo se ishin kundër tij. Kundër tij mund të jenë bërë në burg ose pas burgut në liri kur panë se nuk kanë aq privilegje se bllokmenët e tjerë. Por sot ish bllokmenët e ishkomunistët e dënuar nga diktatura janë më miq se kushdo me diktaturën dhe janë më të pajtuar se të tjerët me diktaturën dhe pasuesit e saj që ushtrojnë pushtet të hapur e të fshehtë, pushtet politik e ekonomik që njerzit, publiku masiv, nuk e dinë…

Antikomunistët realë nuk shfaqen, nuk përfshihen në debate se ua kanë zënë llogoret antikomunistët e shpifur, antikomunistët me leje të xhelatëve të dikurshëm, antikomunistët që para lirisë duan pasurinë, privilegjet, që janë pa diploma dhe blejnë diploma me devocion, nështrim e lekë, që duan domosdo poste nga çfarëdolloj qeverie dhe postet i duan për biznes.

Antikomunistët realë shqiptarë që janë shtylla e moralit tonë heshtin se nuk dinë të lehin as mundin të lehin.

Për pasojë sot 28 vite pas shembjes apo rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në vend ka frikë, në vend ka shumë enverë të vegjël, sikur shtatorja e tij është mijëfishuar në mijëra njerëz si ai. Sot ka njerëz që krenarë e shpallin përkrahjen për diktatorin dhe sikur duan të na sfidojnë ne si shoqëri, si antikomunistë.

Në shtypin kryesor të vendit që e financojnë segmente që thonë “Everi ka patur ca teprime me luftë klasash, por ka bërë epokë, ka nxjerrë në dritë Shqipërinë…”, pra në këtë shtyp, ka njëqind herë më shumë vend kurvëria e Byrosë Politike dhe pornobyroizmi i diktaturës se sa antikomunistët, se sa ti Havzi, kampioni im antikomunist.

Çdo ditë e më shumë që kalon Havzi po bëhet më e lejueshme, më e lehtë, më seksi me folë lirisht për Enverin e Nexhmijen, për Ramizin e Byronë politike, më eksituese. Rrëfehen ashtu si pa kuptuar dhe pranohen me kënaqësi si adrenalinë histori “burrërie e dinjiteti” të kuadrove të komunizmit. Vë re se shumë njerez eksitohen nga mirësitë e eksponentëve të diktaturës, mirësi që sikur serviren enkas me zbutë dhe me mirësue e ëmbëlsue diktaturën.

Ka një synim të qartë dhe që fatkeqësisht e lexoj, duan ta bëjnë më të mirë diktaturën se sa kohën pas saj. Mungesën e lirisë dhe mungesën e proteinave duan ta bëjnë më të mirë se sa  kohën e demokracisë që është me mjaft probleme që ia shkakton frika dhe urrjetja e ndërsjelltë nga pushteti që shpesh vërbohet.

Por nëse në diktaturë edhe po të flisje kundër përfundoje në burg, edhe po të thoje se buka është jo e mirë përfundoje në burg, sot nuk ka burg për këto gjëra por ka dëbim nga puna, ka presion nga strukturat shtetërore, linçim, ka ndëshkime të tjera, por jo me burgime dhe rrënime fatesh kolektive e fisnore të një familje e gjithë zingjirit të saj për shkak të një individi. Sot mund të të elemijojë mafia, që dje ishte shteti I diktaturës, por nuk të eleminon shteti në burgje, pasi besohet se ende nuk e ka mundë mafia shtetin…

Shkurt i dashur Havzi, ka filluar të bëhet më i mirë Enveri dhe komunizmi. Sa herë qeveris e majta në Shqipëri ka më shumë liri për Enverin e enverizmin.

E gjitha besoj për shkak të urrejtjes së mbjellë ndër ne, urrejtjes kundër njëri – tjetrit, urrejtje që e kemi dhe gjejmë afër dhe e kemi mbjellë në mendjet tona. Dashurinë e kërkojmë larg.

Jemi shndërruar dalëngadalë në fabrika apo kombinate urrejtje Havzi, që prodhojmë urrejtje e mëri, mospranim, kundërshtim, poshtrim të tjetrit. Në minifabrika apo punishte primitive urrejtje që ecim dhe prodhojmë urrejtje pa pushim…

Urrejmë, vetëm urrejmë dhe duket se urrejtja është buka dhe uji pa të cilat nuk jetojmë dot. Nuk e besojmë se si mund të mos urrehet tjetri. Se nuk i besojmë dashurisë. Ndoshta ngaqë dashuria është më e vështirë. Se dashuria të detyron me falë. Me falë është hyjnore, por ne nuk e ruajtëm dot institucionin e faljes. Në urtësinë popullore falja është kurora më e artë e trimit, kurorë të cilën e mban vetem koka e trimit. Por për ne trimëria është e vështirë…

Ne nuk mundim të falim. Nuk dimë. Me falë do të thotë me u ngrit lart te zoti e i zoti se vetëm i zoti e zoti falin. Jo, ne nuk falim por ne e duam viktimën si zagari lepurin për me e zhagmitë derisa të na e heqë nga dhëmbët i zoti i frikës të cilit i përulemi me nënshtrim.

Edhe kur e falim dikë, qoftë edhe me heshtje, ne përsëri nuk i bëjmë dot ballë tundimit të mburrjes dhe ia përmendim tjetrit, i themi të kam falë unë… Ia kujtojmë tjetrit dhe kështu shembet kalaja e madhështisë, kalaja e rreme prej rëre e madhështisë sonë të shtirur.

Ne kemi frikë nga falja, frikë nga madhështia se jemi të vegjël. Kemi frikë të jemi të mëdhej e fisnikë, nuk e mbajmë dot veshur kostumin e fisnikut.

Kemi frikë nga pendesa. Nuk e krijuam dot institucionin e pendesës, nuk e mbajtëm në kembë, ndonëse nuk kemi pak shembuj madhështorë pendese e fisnikërimi. Ne duket jemi gjallë e mbijetojmë vetem mbi samarin e urrejtjes ndaj tjetrit. Kjo e gjitha nga frika.

Nuk di ta shtjelloj e nuk e marr përsipër, por më ka mbetë në mendje një fjalë e Izetit një nga këto ditë, kur më tha se kisha në Vatikan është kisha e Shën Pjetrit e jo e Jezu Krishtit, është institucioni madhështor i ndjesës e pendesës…

Ndoshta kështu ka qenë jetë e mot, ndoshta mos pranimi i tjetrit ka qenë mënyrë jetese, ndoshta pranimi i varfërisë, pranimi i pamundësisë për ta mundur, refuzuar, shmangur apo hequr e zhdukur varfërinë, ka qenë mënyrë jetese, mënyrë të mënduari, sjellje, ndoshta pajtimi me varfërinë ka qenë arritja e paqes apo ka qenë gjë e vogël në raport me humbjen e  lirisë dhe kërcenimin për humbjen e lirisë.

Pushteti i vrazhdë i varfërisë ka kondicionuar gjithë mënyrën e sjelljes e të jetesës, ka prodhuar skllevër, të bindur, ka shtesuar në thellësi të njeriut mëri e mllef të pafund, mëri e mllef që vdiste ngadalë sidomos në vitet e pushtetit të frikës në socializëm.

Socializmi ndërtoi në ne dikënd tjetër, atë njeriun e ri që nuk kemi dashur ta kuptojmë e ta shohin në ne, brenda nesh, në jetën tonë, në sjelljen tonë, në mënyrën tonë të jetesës, ndërtoi në ne një individ tjetër të panjohur, një individ të cilit i rridhte në vena jo gjak por urrjetje për tjetrin, mos pranim të tjetrit.

Socializmi u bë serë e mrekullueshme për gjithë veset tona, i kultivoi me dashuri veset më të shëmtuara. Dhe të keqen më të shëmtuar që rrëzon çdo kala socializmi e mbolli në familje, në fis, aty ku ka qenë dhe është synuar të mbahet nën fre. Ne duke i mbajtur fshehur veset ata janë bërë vatra të pashërueshme tumorresh që na asgjësojnë me shpejtësi nëse i prekim apo synojmë t’i shërojmë pjesërisht…

Njeriu i ri i socializmit i përfeksionoi të kqiat brenda rrethit familjar se brenda rrethit familjar njerzit ia dinë njëri – tjetrit të mirat e të ligat dhe e mbajnë peng njëri – tjetrin për tradhëtitë, hajnitë, ligësitë, vogëlsitë që pjellin mëri deri në vrasje të njeriut të afërt.

Të gjithë, kudo, gjithë kohës, nëpër mbledhje, në kafe, në familje, në shëtitje flasim për të tjerët, për tjetrin, ankohemi për të tjerët për tjetrin, zbulojmë e nëse nuk ka, shpikim të paqena e të pathëna për tjetrin, e bëjmë pis me çdo kusht tjetrin, nuk lejojmë as pranojmë që dikush tjetër të jetë mbi ne, më i mirë se ne, më i vitytshëm se ne.

Pothuaj të gjithë, gjithë kohën, kudo në çdo dy fjalë që nxjerrim merremi me të shkuarën, vetëm me të shkuarën dhe të bëhet se ne nuk kemi të sotme dhe as do të kemi kurrë të ardhme. Ne nuk dimë të flasim kurrë për të ardhmen.

Më krijohet përshtypja shpesh se edhe të dashuruarit, të fejuarit, më shumë merren me të shkuarën e tyre se me të ardhmen, me krijimin e të ardhmes, me projektimin e saj.

A kemi të ardhme ne si shoqëri, si individë. Ku e kemi atë të ardhme. Ku e gjejmë, ku e shohim. A kemi të ardhme këtu në atdhe apo do të endemi nëpër shkretirat e harrimit e humbjes sa të shuhemi edhe më shumë se jemi shuar e zvogëluar si komb.

Kultura e varfërisë duket solli nënshtrimin, mosreagimin. Frika nga burgu, nga biografia solli nënshtrimin, poshtrimin. Pamundësia për rrugë e zgjidhje më të mirë solli nënshtrimin dhe e bëri kulturë.

Nëse dikush donte ta prishte këtë rregull, këtë mënyrë jetesë, do të urrehej. Edhe ti je urrye shumë Havzi. Se dole e u shfaqe si përjashtim, si shembull që nuk duhej të ishte se ti po zgjoje atë që nuk lejohej, po zgjoje kundërshtimin ndaj regjimit komunist.

Nuk e di Havzi, por vazhdojmë të kemi shumë përbuzje, urrejtje mes nesh, shumë përgojime. Nuk durohet i dobëti, i bihet me shqelm të dobëtit, kjo është mënyrë sjellje. Përbuzet i pamunduri, i pafuqishmi, i vobekti, sakati. Nuk ka solodaritet me të pamundurin, por ka solidaritet me partinë, me shtetin, shteti ka të drejtë, partia ka të drejtë…

Duam ta kemi shok e mik të fortin, nuk duam as kërkojmë të kemi mik të drejtin, por të fortin, cubin, atë që ia hedh shtetit, atë që ua hedh të tjerëve, atë që vjedh e nuk e kapin dot (ani se mbase ai që vjedh vjedh me leje që të tregojë të tjerët që vjedhin siç ndodhte në koperativë…).

Edhe pse fëmijët e diktaturës dhe fundit të diktaturës janë bërë 30 vjeçarë, edhe ata nuk i kanë shpëtuatr urrjetjes, mënyrës së sjelljes me urrjetje ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit por edhe ndaj të ngjashmit. Urrejtje ndaj të tuve, ndaj njerzve të afërt, zili e pashoqe për njerzit më të afërt, padurim i suksesit të njerzve të afërt. Servilizëm deri në neveri ndaj të fortëve, ndaj pushtetarëve. Më shumë se servilizëm i ndyrë.

Kultura e përçarjes, e thënë me fjalë të mëdha Havzi, ajo teoria përça e sundo, është prezente ndër ne, në mesin tonë, në fisin tonë, në familjen tonë.

Nuk arritëm kurrë të dënojmë vesin, as ti ngreme kult virtytit. Bëjmë gjithë të zezat dhe i fshehim. Nuk i dënojmë se nuk duam ta marrin vesh kojshitë për të zezat tonë.

Ne u mesuam që për ne duhet te reagojnë të tjerët, duhet te reagojë partia, rinia, fronti, bashkimet profesionale. Ne u mësuam të tjerët të na i bëjnë të gjitha, ne vetem të jemi skllevër.

Ne nuk duhet të jemi të aftë të vetmbrohemi, të vetreagojmë, ti dalim zot vetes. Por duhet të jemi të zotët të durojmë, të durojmë edhe pa bukë, edhe me bukë me sheqer, edhe me bukë të mykur misri. Ne nuk na njihet as na lejohet vetmbrojta, reagimi për veten pasi partia na ka mësuar e ne jemi mësuar tashmë se partia i di punët tona edhe fatin tonë, ne vetem duhet t’ia puthim dorën udhëheqësit.

A beson Havzi se edhe në vitin 2019 viktima popull ia puth dorën udhëheqësit. Një grua, një nënë që lind e rrit jetën, ia puth dorën udhëheqësit, ia përkëdhel dorën udhëheqësit sikur ajo dorë është shërimi, kamja, siguria, jeta… Sa shumë frikë kam Havzi nga ky nënshtrim popullor ndaj udhëheqësit…

Ne nuk duhet ta kemi aftësinë të kuptojmë se deri ku na ka shkuar thika në kockë, ne duhet të mos e besojmë se na ka shkuar thika në palcë, ne nuk duhet t’i besojmë dhimbjes që na dhemb, por duhet të mësohemi të durojmë e ta harrojmë dhimbjen, të mos na duket e vertetë ajo ose të na duket se i dhemb dikujt tjetër e jo ne, apo duhet ta durojë dikush tjetër dhimbjen tonë.

(Fragment nga libri im ne proces Bisede me Havzi Nelen)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok