Nga Edison Ypi

A ka gisht koka ime në marrëzinë që më rrethon e më kërcënon ?

Kokës i duhet bërë një kontroll.

Vajta në laborator.

Më thanë të heq nga trupi sendet metalike, çelsa, monedha, karta magnetike të mos u fshihej memoria.

Si mund t’u fshika në pak minuta karta e identitetit që e kam krijuar me një mijë mundime e sakrifica në dhjetra vite ? mendova me kokën që pas pak do ta kontrolloja.

Mjeku më pyeti a kisha probleme me ngushticat, a vuaja nga sëmundja e vendeve të mbyllura, ashensori etj, pra nga Klaustrofobia. I thashë se sa kohë në këtë botë ngushtimi dhe zgjerimi venë e vinë, koka ime me ngushticat, veçanërisht ato të femrës, s’ka problem, përkundrazi i ka qef.

Të mahnitur pas përgjigjes së dikujt që edhe është inteligjent edhe kokën e sjell për kontroll, më shtrinë me kurriz mbi një shtrat të fortë.

Një vajzë e sjellshme më vuri në vesh një palë kufje. Pse këto kufje ?! e pyeta i habitur atë gocën. Në kohën e kurvit me kufje dëgjoja radio të huaja nga frika e komshinjve që mos më spiunonin. Në demokraci vazhdoj të përdor kufje të mos bezdis po ata komshinj spiuna sot të konvertuar në demokrata. Ta besoj, tha vajza e sjellshme me flokët zift të zinj lëshuar sipër kokës time, por këto kufje s’kanë lidhje me spiunat e popullit dhe as popullin e spiunave, por që ti të mos shqetësohesh nga zhurma që do bëjë makineria e cila do gjenerojë valët që do depërtojnë kokën tënde për ta parë çfarë problemesh ka, cilat vidha i mungojnë.

Në pallatin tim, i thashë flokzezës, dëgjohen aq zhurma, përplasje dyersh, britma, klithma, sqepara, sharra, çekiça, borie, marangoza, duralumina, sa nuk i bën dot kjo makineria. Në kushtet kur makineria juaj bën më pak zhurmë se koka ime, më mirë vërja kufjet makinerisë tënde mos i çvidhosen vidhat nga zhurmat e kokës time.

Pasi i dëgjoi këto arsyetime gjeniale dalë nga një kokë ardhur për kontroll, ajo goca që më rrinte sipër kokës si ëngjëll shpëtimtar, më dha këshillën e fundit; Gjatë kontrollit, tha, sill në mendje pamje sa më të bukura.

Duke rrëshqitur brenda një tuneli bashkë me shtratin ku isha shtrirë, u përpoqa të kujtoj pamje të bukura; Parisin, Luvrin, Amerikën, Hollivudin, Las Vegasin, gjysmën tjetër të Hënës, Unazat e Saturnit, shalët e Merilin Monrosë, sisët e Monica Belluccit, që janë pamje të bukura, por halli se unë asnjërën nga këto vende dhe këto shalë nuk i kam parë. Disa nga gratë e mia, Myzeqeja, Zadrima, Vjosa, Sulova, Dumreja, Krraba, Puka, si dhe disa farefisër, Gramozi, Guri i Miçanit, Përmeti, Devolli, Gjinari, Belshi, janë të gjitha pamje të bukura. Por banorët e atyre nahive në vend të preferojnë ajrin e freskët të lëndinave, mbyllen si uritha nëpër kafenera të tymta ku shetisin në Fejsbuk.

Prespa, Voskopoja, janë të magjishme, por kishat dhe kumbanoret pakngapak po i varros betoni i restoranteve dhe hoteleve.

Rruga Gramsh-Maliq është përrallë. Po, por pas pak kur atje të ngrihen hidrocentrale të tjera fati i asaj bukurie marramendëse nuk dihet.

Lugina e Sarandaporit është aq e bukur sa po ta shohësh ngjallesh edhe po të kesh vdekur, por nuk bën për kontroll koke. Është tepër e ngatërruar me mijëra kufoma gjatë luftës italo-greke.

Gryka e Këlcyrës është rrënqethëse. Por edhe ajo e ka një problem. Në atë fragment të asaj gryke në të dy anët e Vjosës njerëzit janë llafazanë të papëmbajtur, dhe grafomanë, shkruajnë libra të trashë të palexueshëm plot me rrena, me dajollarë dhe xhaxhallarë të shpifur dhe për trimërira lokale inekzistente.

Duke kaluar nëpër kokë këto pamje, kontrolli i kokës mbaroi.

Më nxorën nga tuneli. Më hoqën kufjet. Më thanë: Të lumtë, qëndrove si burrat.

Me duar të dridhura futa në xhep Kartën e Identitetit tim të lavdishëm që e shpëtova nga fshirja, dhe u largova.

Pas disa orësh mora përgjigjen, “Koka jote kuq si molla.”

Nuk i besova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok