KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË BALL TË KUJTIMIT TË VIKTIMAVE TË LUFTËS NË KOSOVË

0

Nga Frank Shkreli

Komuniteti shqiptaro-amerikan, i udhëhequr nga Orgnaizata e grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi” dhe disa organizata të tjera të grave shqiptaro-amerikane dhe i mbështetur nga një numër i madh organizatash të tjera të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shpallur 30-Prillin, 2019, si “Dita e Veprimit e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan”. Është kjo një ditë kushtuar kujtimit të viktimave të luftës në Kosovë, me moton se, “Ne nuk do të harrojmë kurrë dhimbjet, dëmet dhe vrasjet e shkaktuara mbi popullin tonë.”

Siç mund të shihet edhe më poshtë nga itinerari i ditës së ngjeshur me plot aktivitete në Washington, kjo ditë përkujtimore do të fillojë në ora 10 të mengjesit me një seancë dëgjimore në sallën Rayburn të Kongresit Amerikan, një sallë kjo që është dëshmitare e shumë seancave të tilla gjatë pothuaj 40-viteve të fundit, kushtuar halleve të shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Njoftohet se dëshmitarja kyresore në atë seancë do të jetë Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht, themeluese e organizatës, “Drejtësi për të gjithë”.

Pas seancës dëgjimore në Kongresin Amerikan, një delegacion përfaqsues i komunitetit shqiptaro-amerikan do të takohet me kongresmenë dhe senatorë të Shteteve të Bashkuara, për t’i njoftuar ata mbi grate viktima të luftës në Kosovë dhe për faktin se deri tashti askush nga kriminelët serbë që kanë kryer këto krime lufte, ende nuk është ndëshkuar për ato krime kundër njerëzimit. Fatkeqsisht, është një anë e luftës që për një arsye ose një tjetër ëshët lnë mënjanë deri tashti, por më në fund, kësaj tragjedie po i kushtohet vëmendja që meriton, përfshirë komunitetin shqiptaro-amerikan, i cili nepërmjet organizatave dhe të përfaqsuesve të saj ka ndërmarrë këtë fushatë informimi për këto viktima në 20-vjetorin e luftës në Kosovë edhe në kryeqytetin e Amerikës, aty ku historikisht janë qajtur hallet tona. Veprimtaria e ditës është në plan të përfundojë me një protestë para ambasadës së Serbisë në Washington, gjithashtu një vend i cili i njeh mirë protestat e shqiptarëve kundër krimeve të Serbisë ndaj popullësisë shqiptare civile të pafajshme gjatë shekullit të kaluar.

Në të vërtetë, një javë e sa më parë në Prishtinë, në kujtim të 20-vjetorit të luftës në Kosovë, gjëndej një delegacion shqiptaro-amerikanësh i Batalionit “Atlantiku”, në krye me anëtarin e Bashkisë së Nju Jorkut, shqiptaro-amerikanin Mark Gjonaj, i cili përveç aktiviteteve të tjera në kujtim të këtij përvjetori, mori pjesë edhe në një ceremoni para monumentit “Heroinat”, kushtuar viktimave seksuale të luftës në atë vend. Shqiptaro-amerikani, Mark Gjonaj kujtoi me atë rast luftën dhe viktimat, gratë dhe vajzat heroina.

Mark Gjonaj me Vasfije Krasniqin para monumentit “Heroinat” në Prishtinë, kushtuar vikitmave seksuale të luftës në Kosovë

“Këto gra heroina, janë viktima të luftës, por sot janë të mbijetuara. Nga luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, një vajzë (Linda Muriqi), e cila u bashkua me UÇK-në në moshën 16 vjeçare, kishte kurajon për të luftuar me këta djem të këtij batalioni që erdhën nga SHBA për clirimin e Kosovës. Dua t’iu them heroinave sot se armiku jonë, barbarët serbë, u munduan ta marrin nderin, por e vërteta është se ju jeni nderi jonë, nderi i kombit, jeni heronjtë tanë. U bëj thirrje udhëheqsve politikë dhe partive, të dëgjojnë rrëfimet e këtyre heroinave, të ndjejnë ngjarjet e tyre dhe të sjellin këta kriminelë para drejtësisë, një herë e përgjithmonë. Motrat tona, vajzat tona, nënat tona po presin që të bëhemi pjesë e zërit me to. Të qëndrojmë pranë tyre dhe me ato, për veten, për popullin tonë dhe për shtetin tonë”, ka thënë me atë rast, këshilltari i Bashkisë së metropolit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.

Dita e Veprimit sot në Washington e organizuar nga diaspora shqiptare në Amerikë, është një thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim për barbarizmat serbe ndaj viktimave të pafajshme, krejtësisht në frymën e drejtësisë amerikane, ashtu siç u shpreh edhe Ambasadori amerikan në Prishtinë, Z. Kosnett me rastin e kujtimit 20-

vjetorit të krimeve të bëra nga forcat kriminale serbe në Mejë. Duke folur në emër të popullit amerikan, Ambasadori Kosnett kujtoi tmerrin e realitetit të krimeve të kryera në Mejë tha: “Më lejoni të reflektoj çka nënkupton sakrifica juaj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ti shpreh disa mendime se si të gjithë përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë duke u përballur sy më sy me të kaluarën. Së pari, të mos lejojmë askënd të harrojë apo mohojë arsyen pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në përdorimin e domosdoshëm dhe legjitim të forcës nga ana e NATO-s si mjeti i fundit për ti dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit… Shtetet e Bashkuara të Amerikës vepruan në mbështetje të civilëve të pambrojtur. Vepruam në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit për rajonin. Këto qëllime i pasqyrojnë thellësisht vlerat amerikane. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare, e meritojnë për të jetuar me dinjitet në liri dhe siguri”, ka thënë ndër të tjera kryediplomati amerikan në Republikën e Kosovës.

Ambasadori i i Shteteve të Bashkuara, Z. Philip Kosnett në Mejë

Janë, pra këto vlera amerikane, në bazë të cilave edhe sot 20-vjet pas luftës në Kosovë — jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan — organizon një ditë të ngjeshur me aktivitete në Washington për të kërkuar, si gjithmonë më parë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive për shqiptarët në trojet e veta, por edhe që të zbulohet e vërteta, para botës, për fatin e viktimave të pafajshme të luftës në Kosovë. Është një ditë kjo kur komuniteti shqiptaro-amerikan – në emër të këtyre vlerave, në bazë të cilave kemi nderin dhe priviligjin të jetojmë në këtë vend të bekuar – kërkon mu në zemër të demokracisë amerikane, aty në Kongresin që përfaqëson të gjithë amerikanët pa dallime politike, etnike a fetare — drejtësi dhe ndëshkim për barbarizmat e kriminelëve serbë ndaj vikitmave të pafajshme të luftës në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok