Koncepti i “Botës ruse” dhe “Botës serbe” si thirrje për konflikte të reja në Ballkan!

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Aleksandër Dugin në një libër, “Çështje të gjeopolitikës – E ardhmja gjeopolitike e Rusisë”,  botuar në vitin 1997 ka zhvilluar idetë reja për elitën ruse mbi gjeopolitikën dhe mënyrën se si Rusia të mund të shndërrohet përsëri në një fuqi botërore. Ai për herë të parë rekomandon krijimin e një unioni euro-aziatik, me qëllim që diplomacia dhe politika e jashtme e Rusisë t’i japë fund dominimit kulturor dhe uashtarak të Shteteve të Bshkuara.

Në këtë libër Dugin rekomandon krijimin e boshtit Berlin-Moskë, ku Gjermania të kontrollojë dhe dominojë shtetet e besimit katolik. Më tej ai i kërkon qeverisë ruse të intervenojë në Francë, Britaninë e Madhe, Japoni dhe në vetë SHBA-të. Sipas tij, Franca duhet të vazhdojë të ruajë aleancën dhe lidhjen e ngushtë me Gjermaninë, ndërkohë që Rusia do të duhet të mbështesë çdo pikëpamje dhe influencë anti-antlantike në këtë vend.

Britania e Madhe, shkruan  Dugin, do të duhet të izolohet nga lidhjet e saj me pjesën tjetër të vendeve perendimore, përkatësisht, me Bashkimin Europian dhe me SHBA-të. Ndërsa në Japoni rekomandon rritjen e frymës anti-amerikane dhe për këtë thotë se në shenjë falenderimi duhet rritur bashkëpunimi midis Moskës dhe Tokios. Jo vetëm kaq, Aleksandër Dugin porosit që me ndihmën e shërbimit sekret rus, Moska duhet të synojë destebalizimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes konflikteve sociale, etnike e fetare.

Propozimi kryesor i Dugin lidhet me krijimin e vatrave të zjarrit në këto vende, me qëllim që Rusia  të shfaqet shpëtimtare e situatave të trazuara dhe të vendos ndikimin e saj në Europën Lindore e Juglindore. Ai e orienton politikën dhe diplomacinë ruse edhe në aspektin religjioz, drej një aleance të vendeve ortodokse në Ballkan si dhe të një aleance panislamike në Lindjen e Mesme dhe vendet arabe.

Kësaj doktrine të re iu shtua në vitin 2012 doktrina tjetër e Vladimir Putin për  “Botën ruse”! “Bota ruse”, sipas presidentit Putin, do të thotë marrje në mbrojtje e të gjithë atyre që flasin rusisht, pavarësisht se ku banojnë, çfarë shtetësie kanë dhe qytetarë të cilit shtet janë. Koncepti i “mbrojtjes” për “Botën ruse” u zhvillua si “e drejtë e shtetit të Federatës së Rusisë për të ndërhyrë edhe me forcë në funksion të këtij qëllimi” te vendet e tjera!

Ndërkohë ky koncept u zhvillua më 2014-ën si doktrinë e “civilizimit rus”! Këtë ide e trajtoi në mënyrë të hollësishme më 7 prill 2015 drejtori i Institutit Ekonomik të Euro-Azisë, Vladimir Lepjoshin. Ndërsa në shtator 2013, Putin, duke folur në klubin Valdai thoshte se “Bashkë me modelin e civilizimit shtetëror shkojnë dhe veçoritë e ndërtimit të shtetit.

E gjitha kjo vlente që të ngjizej më mirë ideja e “Botës ruse’, e cila u trajtua jo thjesht si një civilizim etnik, por edhe si kulturë gjeografikisht më e gjerë se sa etnia. Thelbi i këtij civilizimi shihej tipari euro-aziatik i Rusisë.

Kjo do të thotë se: Së pari, pretendimi për një civilizim rus me identitet të veçantë është një përpjekje për të dominuar civilizimet e tjera. Së dyti, me ideologjinë e civilizimit të Rusisë shtohen përpjekjet për të ridimensionuar zonën e ndikimit dhe influencës gjeopolitike. Që do të thotë se popujt që flasin gjuhën sllave, të përafërt me rusishten, do të duhet të bëhen pjesë e ndikimit të Rusisë. Po ashtu popujt që kanë ndjenja kulturore të përafërta ose identike me Rusinë. Së treti, përpjekja për të formuluar një civilizim rus të ri, të ndryshëm, të veçantë e madje superior, bën pjesë në strategjinë e formulës së krijimit të Moskës si epiqendër e botës sllave. Së katërti, modeli kulturor e politik që ofron Rusia e sotme është një sistem autoritar, i cili domozdo do të duhej të dallonte nga demkracia perendimore.

Por në të njëjtën linjë shkon gjithashtu deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, e korrikut 2021, sipas të cilit është detyra e gjeneratës aktuale të politikanëve në Serbi që “të krijojnë botën serbe dhe të bashkojnë serbët kudo që jetojnë ata”.Më tej Vulin thotë se “Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht. Ajo duhet të udhëhiqet mirë e duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që ata jetojnë. Ideja e “botës serbe” në fakt lindi nga doktrina e Vladimir Putin e “botës ruse”! Madje është kopje e saj. Në Rusi pamë se ideja e botës ruse i dedikohet presidentit të saj Vladimir Putin. Njëjtë edhe në Beograd shohim të njëjtën gjë. Vulin thotë se “Për të ruajtur botën serbe, garanci është vetëm Aleksandër Vuciq”.

Në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi është kërkuar nga liderët politikë serbë që deklarata e ministrit Vulin të dënohet. I është kërkuar presidentit Vuçiq të distancohet prej tyre. Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, zoti Vuçiq ka marrë nën sqetullën e tij edhe mikun e dobishëm të Serbisë, kryeministrin e Shqipërisë dhe politikanë të tjerë, të cilët vetëdijshëm e ndihmojnë atë për të realizuar idenë dhe doktrinën e konceptit të “botës serbe”, që do të thotë të krijimit të Serbisë së Madhe. Për këto arsye doktrinat ideologjike të të gjitha kohërave nuk ndryshojnë në Serbi dhe në Rusi. Ato nuk janë doktrina thjesht kulturore, gjuhësore, religjioze apo të bashkimit të traditës. Janë ide dhe filozofi të ndërtimit të strategjive politike e gjeopolitike të Moskës dhe Beogradit dhe përdorimit të dhunës në funksion të këtyre strategjive.

Zhvillimet aktuale në rajonin tonë provojnë se ku mund të cojnë këto ide destruktive në Ballkan. Serbia ka ndez zjarrin e konfliktit të ri në Bosnjë-Hercegovinë, ka mundur të krijojë një qeveri pro-serbe e pro-ruse në Podgoricë, ka realizuar aleancën e liderëve maqedonas, ka marrë përkrahjen e kryeministrit të Shqipërisë dhe provokon vazhdimisht veriun e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube