Kosova është në një mjegull totale mendore e politike

Nga Ndue Ukaj

Të ashtuquajturat debate politike në Kosovë, më së shumti janë shfaqje vullgare të diletantizmit politik dhe provojnë pohimin e njohur se demokracia pa dije është shumë rrezikshme.

Frytet e një demokraci të tillë po i shijojmë përditë, me figura politike qesharake e diletante, që defilojnë nëpër taborre politike pa bindje e me shfaqje vullgare, në një mjedis politik të ndotur, ku askush s’ duket se çan kokën për të mirën e përbashkët dhe shëndetin mendor të shoqërisë sonë.

“Historija e Shqypnís sё lirё âsht nji kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq tё mёdhaja, tё shpeshta, tё ndyeta e tё damshme qi nuk e gjênё askûnd shoqen nё botё” – shkruante dikur i mençuri Lazër Shantoja dhe ky mendim duket si te jetë shkruar sot.

Kosova është ligështuar moralisht dhe realisht kundërshtarët më të këqij të vendit tonë, nuk janë jashtë Kosove, por janë brenda dhe banojnë te forcat radikale politike të udhëhequra nga demagogjia e propaganda.  Ky ligështim moral, ka burimin te vulgarizmi e dalldia politike që e ka mjegulluar kaq shumë të ardhmen tonë, dhe ka bërë të dukemi si bisha politike që duam t’ ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.

Në fakt, gjithë ky vullgarizëm politik, nuk ka të bëjë asgjë me dashuri të sinqertë dhe vepruese për shtetin. Sepse, po të kishim pak dashuri për njeriun, me siguri ne nuk do t ‘i kishim pasë punët kaq keq, në krahasim me kombet e qytetruar, ku ka paqe të brendshme, ku lulëzon dija e kultura dhe ku ka përparim e mirëqenie.

Po të kishim sadopak dashuri të tillë, nuk do t’i kishim dëmtuar kaq shumë raportet tona me perëndimin.

Njerëz, në një vend ku politika bëhet instrumenti i vetëm përmes së cilës synohet fisnikërimi i shoqërisë, atëherë atë shoqëri e kanë mbuluar re të zeza dhe ajo drejtohet nga të paudhë e batakçinj.

Përvoja empirike tregon se humanizmin e një shoqërie s’mund krijojë dhe as  ta ruajë politika, ndaj ajo nuk duhet të bëhet ushqim i përditshëm shoqëror. Këtë fakt e ka provuar Ibrahim Rugova dhe filozofia e tij politike. Humanizmin e një shoqëri e krijojnë elitat kulturore, mendjet e kthjellta dhe institucionet e dijes, që në perëndimin e qytetëruar janë autonome e mbështen në parime të forta etike e diturore.

E elitat e vëreta dhe institucionet e dijes që janë të vërteta, nuk prodhojnë xhemat, por mendje kritike dhe alternative.

As politika normale nuk prodhon xhemat e mendje të robëruara, por mendje të lira e krijuese, çfarë në Kosovë ka shumë pak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube