KOSOVA, ME MOSLEJIMIN E REFERENDUMIT SERB NË KOSOVË, MBRONË SOVRANITETIN SHTETËROR

Nga Jusuf BUXHOVI

Reagimi i  krerëve të insitutcioneve më të larata  të shtetit të Kosovës karshi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it” që kërkuan mbajtjen e referendumit serb në Kosovë që lidhet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, është i drejtë dhe në përputhje me sovranitetin shtetëror të Kosovës, shpesh herë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve nga politikanët e Kosovës,  në rapot me Serbinë.  Me këtë rast , arsyetimi i krerëve të Kosovës se “qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse”, është në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që praktikojnë në raste të tilla vendet europiane. Andaj, veprimi ndryshe, pra i hapjes së qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, siç u tha, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Qendrimi i prerë i krerëve të institucioneve më të larta të  Kosovës, që është kompatabil edhe me atë të opozitës, gjë që paraqet një sukses të skenës politike për të qenë bashkë te çështjet madhore të interesit të shtetit, është hap i drejtë dhe më se i duhur që Kosova, më në fund,  përkundër dëmëve të pësuara nga politika e deritanishme, të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar kërkon “kompromise”, siç thuhet në kërkesën e vendeve të QUINT-it “për të çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, ndërkohë që fare nuk ngulmohet që Serbia ta heq Kosovën nga kushtetuta e vet si “pjesë integrale të saj”, gjë që do të duhej ta bënte qysh moti me çka do të krijohej klimë e mirëbesimit të ndërsjellë.  PO ashtu, siç shihet nga një pjesë e pasusit të kumtesës së QUINT-it,  jo pa qëllim, edhe më tutje vazhdohet praktika e zëvendësimit të predikatëve shtetërore me ato të toponomistikës (dialogu Beograd-Prishtinë në vend të Kosovë-Serbi),  diskurs  ky  që duhet përjashtuar dhe refuzuar ngado që vjen!

Në fund duhet thënë se  nuk ka vend për kurrëfarë shqetësimi, siç po dëgjohet  kuturu aty-këtu, se me  këtë “jo” vendeve të QUINT-it, qeveria e Kosovës njëherash po i thotë jo edhe SHBA-ve e me këtë po rrëshqet nga binarët e aleatëve tanë strtegjikë drejt një pasigurie.  Kosova nuk po e refuzon të drejtën e serbëve për të marrë pjesë në referendumin e Serbisë, siç po kërkojnë ndërkombëtarët dhe SHBA-të. Përkundrazi, po kërkohet që kjo e drejtë të menagjohet nga sheti i Kosovës (përmes votimit elektronik ose zyrës ndërlidhëse), dhe jo të menagjohet nga Serbia, siç është vepruar deri më tash. Kosova, pra po mbron sovranitetin shtetëror si çdo shtet tjetër i pavarur. Ndaj, shmangia nga sovraniteti shtetëror, qoftë edhe për kompromise politike, siç po thuhet, që kanë për qëllim “arritjen e një marrëveshdjeje historike me Serbinë”, nuk do të ishte as në interes të atyre, që kanë mbështetur pavarësinë e shtetit të Kosovës  ngaqë do ta demontonte në interes të Serbisë dhe Rusisë atë që konsiderohet edhe e  arritur  të tyre gjeostrategjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube