KOSOVA NË POEZINË E AGIM SPAHIUT

Agim Spahiu: “NJERIU MBI PIKËLLIMË”, poezi, botoi “BUZUKU”- Prishtinë, 1993

Nga Xheladin MJEKU

Agim Spahiu (1952-1993), me të drejtë konsiderohet poeti që theu kufirin ndër të parët, madje duke rrokullisur gurët me forcën e tij shpirtërore dhe me mallin e pashuar, në përqafimin e atdheut të tij cep më cep, pavarësisht kufijve politik që ekzistonin atëbotë. Ai mund të konsiderohet njëri nga motivuesit dhe frymëzuesit më të denjë në çështjen e bashkimit të trojeve etnike, duke përcjellur mesazhin tek brezat, që më vonë u sulën me gjithë forcën e tyre, me armë e të organizuar deri në çlirimin e pjesës tjetër të Pikëllimës së atdheut. Lindur dhe i rritur në fshatin Kolesjan, në afërsi të kufirit, ai gjithë-monë Kosovën e konsideron të pandarë me Shqipërinë, pavarësisht vijës së kufirit politik që i mbanë larg njëra-tjetrën. Kjo afërsi bëri të gjej frymëzimet e tij, pothuajse tërësisht nga Kosova dhe nga vendlindja e tij, si dy skaje që patjetër duhet të afrohen një ditë. Por nuk ndalon vetëm këtu. Ai në vazhdimësi, prek tema nga përditshmëria, nga paknaqësitë e ndërtimit dhe përparimit të shpejt të vendit, me synimet e parreshtura për socializimin e këtyre trevave. Me të drejtë mund të konkludohet se Agim Spahiu, pothuajse gjithë krijimtarinë e tij do ta ketë përqëndruar për Kosovën, si dashuri, si ëndërr dhe realitet që e përjetonte përmes vuajtjeve e persekutimeve të regjimit të egër, që ende po shtrëngonte dhëmbët e kërcënimeve me qëllimin e mbajtjes peng të gjithçkaje në aparatçikun e hekurt shtetëror. Kështu, në gjithë lëndën poetike takojmë frymën e lirisë, veçanërisht asaj për Kosovën, duke e ndërlidhur me lirinë e atdheut, si një realitet që nuk tjetërsohet.

Vrojtimi përtej Pikëllimës

Në vazhdimësi, Agim  Spahiu mbanë kokën andej kah Kosova, kah ato vise që i japin frymëzime dhe ia shtoj- në besimin se një ditë do të realiziohen synimet sheku- llore të një etnie të plotë, pavarësisht si mund të rrje- dhin ngjarjet.

I vetëdijshëm se në çdo çast mund të pësoj më të keqen, persekutimin nga sistemi totalitar i shtetit, Agimi nuk rresht së kërkuari lirinë e njeriut të tij, për të cilin frymon në çdo sekondë të jetës. Këtë mund ta kuptojmë edhe nga një Letërkëmbim që bën me krijuesin Shefqet Dibrani, i cili tashmë ishte përcaktuar ta finalizonte gjithë mundin dhe sakrificat e Agim Spahiut, me përgatitjen e një përmbledhje të poezive të tij, ku e shpërfaq hapur gëzimin e tij. “…Të them të drejtën…tash as vdekja s’më tremb…jo si proces fiziologjik, po ndryshe, ndryshe. Dhe kjo”ndryshe”është pikërisht kjo: tash libri im, puna ime më e zgjedhur e gjertanishme, është në duar tuaja dhe unë jam i qetë se një ditë, edhe po të mos jem unë, ajo do t’ofrohet njerëzve që desha gjithë jetën…”. Për më shumë se kaq, Agim Spahiu e sforcon këtë besim se tashmë ai do të jetë pjesëtar i përhershëm i njeriut të këtyre trevave, për të cilat këndoi, edhepse atëbotë ishte e ndaluar të kalohej kufiri i hekurt, qoftë edhe përmes imagjinatës dhe ëndrrës. Po ku ndalohet dashuria për lirinë, për njeriun dhe për Kosovën? Sikur shtrohet kjo pyetje parreshtur gjatë gjithë takimit me poezitë e përzgjedhura të librit “Njeriu mbi Pikëllimë” të Agim Spahiut.

Kështu, që në nismë, me “Autoportretin” e tij, Agim Spahiu shpërfaq fuqishëm guximin pa kursyer për asnjë çast, as kohën, as jetën e tij prej krijuesi: “Herë-herë më grafullon gjoksi si tambli në flakë,/ jam shend e verë, plot hove njerëzore, i pashëm, i freskët e i gjallë,/ i pastër e i larë si natyra pas shiut,/ i tejdukshëm si qelqe e zbrazët./ Gjithkush ma lexon shpirtin në bebëz të syrit/ e viti më duket një ditë…”, për të shprehur shqetësimet e vazhdueshme, ndonëse pasiguria kishte shtrirë kthetrat gjithandej kah vepronte poeti, duke e kërcënuar çdoherë me rrezikun për jetë. Kjo boshësi ia krijonte një ndjenjë frike “e dita më duket një vit…”, ku në vazhdimësi po e ndiente fundin e jetës, varrin, për të cilin pyeste: “Pse s’më çojnë?!” (po aty, fq. 7). Përkundër kësaj situate kaq të frikshme dhe me shumë rreziqe, ai do të gjej forcë të ecën tutje në përmbushjen e synimeve për çlirimin e njeriut, të cilit i ishte tëholluar fija e perit të jetës, nga parollat mashtruese të pushtetit, që parreshtur propagandonte ndërtimin dhe lulëzimin e vendit socialist.

Agim Spahiu, vrojtues i denjë i situatave, përkundër rreziqeve që i kanoseshin, kishte ndarë mendjen të përballej me të keqen që kishte mbjellur pushteti në shpirtin dhe jetën e bashkëvendasit të tij, duke i kënduar lirisë dhe ndryshimeve që duhej të ndodhnin në vend. E nis me lirinë, duke e mbajtur pezull shpirtin e tij liridashës edhe në kohën kur, siç e shpreh edhe vetë: “Ta dhashë veten, një mijë herë ta dhashë,/ një mijë herë kam lindur për ty…/ liri” ( “Liria” , fq. 12). Kjo dhënje e pakursyer deri në rilindje për poetin nuk do të ndaloj për asnjë çast, edhe atëherë kur e shpreh dashurinë për tokën, njerëzit dhe gjithçka e preokupon në jetë.

“Kam të drejtë

t’ju puth gjer në vdekje

gurë të tokës sime”

(“Gurët e tokës sime”, fq. 16)

Kjo qëndresë prej guri e përcjell tërë kohën poetin. Stoik dhe i vendosur në çdo hap të ri, ai del i vendosur edhe kur do t’i këndoj “Farës së qëndresës”, aty ku “Beden kështjelle është çdo gur i shtëpive tona,/ bile edhe kokrra e grurit bedenin ka brenda”. Kështu do ta shpreh praninë e gurit, duke ndier forcën e qëndresës në gjithçka e rrethon, deri edhe “Fëmijët në kështjella na kanë lindur,/ emrat e mbrojtësve u kemi vënë.” (po aty, fq. 20), për të njëjtësuar qëndresën me kështjellat, me historinë dhe rezistencën në breza. Heroizmin e trimave të Hasit, të Lumës, të gjitha trojeve etnike do ta fuqizon në raport me nevojat e një kujtese të lavdishme, që duhet t’i shërbej kohës si shtytje e guximit për njeriun e kohës t’i del ballë një dhune e persekutimi të pashoq, për të bërë ndryshime të mëdha në sistemin e ri të ndërtimit të vendit dhe kthimin e dinjitetit të qytetarit të të gjitha shtresave të kësaj shoqërie që po hiqte të zinjtë e ullirit për një ditë të re e për ardhmëri të lumtur. Motivimi i kësaj tematike shprehet përmes vargjeve brilante në shumë poezi, ndër të cilat edhe: ”Lulet e prillit”, “Bini, more djem, bini”, “Dhe në flakë mbijetuan”, etj.

Agim Spahiu do ta sprovojë vargun e tij edhe në beteja e vdekje, atje ku heroizmi qëndron “Kështjellë”, tek “shtrihet Dibërdhimbja”, tutje “në Qafë, ku të heshturit flenë/ varg/ e varg!” duke kujtuar prijësin e Lumjanëve, “në Kolesjan,/ me dhé e mbuluat Babën Lam.” për ta ringjallur me vargun e tij: “Po ti laju, he burrë i dheut! Ujë në mos paç,/ laju me gjak!” ( “Atje në qafë, në Kolesjan”, fq. 76).

Kosova – lajtmotiv dhe ëndërr që nuk e preku kurrë

“Këtu dielli rrezon për mua dhe bora boron për mua,

në gjakun tim shkrirë janë të gjitha viset e tua,

rroj në male fisnike me ujëra jetëdhënëse në gji,

në përqafimin e lumenjëve të mi: njëri i Bardhë, tjetri i Zi.

Këtu jam, gjithnjë, mbi Gjallicë e Pikëllimë,

i mbushur me kujtime,

këtu lëndohet e gazmohet zemra ime”

(”Këtu”, fq. 57)

Këto vargje shprehin qëndrimin e Agim Spahiut, pavarësisht gjendjes shpirtërore, edhe në situata kur “lëndohet e gazmohet”, prej nga do ta tërheq diagonalen e frymëzimeve atje ku takohen dy Drinat dhe shikohet gjithandej nga Gjallica e Pikëllima, që konsiderohen si pikënisja prej nga merr vrapin pegasi i tij krijues, për të kaluar fusha e male mbi gjithë gjeografinë e atdheut, andej kah shtrihet Kosova në rrafshin tematik, si lajtmotiv i veçantë, me historinë, ngjarjet; me kujtimet e shumta të pushtuesve të ndryshëm dhe sistemeve politike, për të qëndruar gjithmonë kryelartë drejt diellit të lirisë, që poeti me kohë do ta ngris në zenitin e tij krijues.

Poeti në opusin e tij krijues, përveç motivacioneve tjera, një pjesë të konsiderueshme të poezive do ta përqëndroj në rrafshin tematik për Kosovën, si dashuri dhe enigmë e pazbërthyer. Në interesimet e tij për ta njohur sa më shumë atë pjesë të atdheut, me devotshmëri trajton emra të historisë, por edhe personalitete bashkëkohor, të cilët gjithë energjinë e tyre ia kushtuan qështjeve politike, kulturore dhe emancipuese të gjeneratave.

Poezia e Agim Spahiut frymon me aromën e Kosovës në çdo cep të saj. Ajo vjen e çiltër dhe plot dashuri pothuajse në çdo varg e fjalë. Frymëzimi i mbështjellur me petkun e bukurive natyrore, me heroizmin e shekujve dhe me frymën e jetës së përvuajtur të brezave pasqyrohet fuqishëm në poezitë, si: “Busti i Shotës”, “Këngë trimërie”, “Pezm për varrin e gjyshit në Prizren”, e shumë poezi tjera, që do t’i shpalos në vijim.

Në historinë e re të Kosovës u përsëritën ngjarje, u hapen plagë dhe u rikthyen legjenda e legjendarë; lindën trima e ndodhën trimëri. Përpjekjet e vazhdueshme për dalje nga thundra okupuese dhe çlirimi i vendit nxjerrin në pah qëndresën stoike të njeriut liridashës në të gjitha format e veprimit. Këto veprimtari atdhetare do të mbesin përgjithmonë frymëzim i poetit, imagjinata e të cilit nuk rresht së krijuari epope lavdie, deri në personifikimin e kësaj madhështie me fuqinë e perëndive, të cilat bëjnë roje mbi qiellin e Kosovës, për tu kujdesur në hapjen e shtigjeve të lirisë.

Në poezinë e Agim Spahiut guximi dhe qëndresa identifikohen me madhështinë e “Gjergj Elez Alisë”, derisa jeta shikohet “Sy më sy” e kalëron me vrap rrufeshë në kthim, sepse “…Në atë vend të huaj malli kërkonte kthim/ në prillin tënd të përgjakur, Prishtinë!” (“Prishtina 1981 ose Balada e mërgimtarit”, fq. 73). Kthimi si në balada, kishte gjak të freskët të njeriut që po përballej me dhunën, me ndjekjet dhe me qëndresën, si fortifikim përballë kësaj të keqeje ditësh, muajsh e stinësh të përgjakura. Kjo ishte pamja e atbotshme e hapësirës gjeografike të Dardanisë, prej nga fluturonin shqipet lartësive shkëmbore, në dyluftim me Bajlozin e Zi, që kudo mbillte tmerr e gjak.

Është koha të duhemi” paralajmëron poeti. Dhe ajo kohë erdhi, sipas tij, prandaj në njërën nga netët e trishtimit do të bisedonte me mikun e tij, Ali Podrimjen, përtej majës së Pikëllimës e mbatanë kreshtave të Gjallicës: “Mirë qofsh, vëlla i madh i fjalëve të gjalla/ fluturuese/ për te njeriu,/ shpirtkalluri i fjalëve të bardha si bora e virgjër/ e Pikëllimës!”…Frika, dhimbja, malli dhe dashuria për njeriun e përtej vijës së hekurt e preokuponin parreshtur poetin, i cili gjithnjë vazhdon të qëndroj pranë e krah Kosovës, pa qenë asnjëherë në atë tokë martire. Ky koktej përzirjesh i shfaqej sa herë e kujtonte Kosovën dhe njerëzit e saj të përvuajtur, të cilat ndjenja do t’i shpërfaq me vargjet “Aiiiiih, Ali Podrimja, lot e gaz të madh kemi pasë,/ qejf e mërzi deri në tavan kemi ba!…” I pafund është shqetësimi i Agim Spahiut. Ai nuk ndalon të përballet me të keqen që e kishte pllakosur vendin e tij të ëndrrave – Kosovën martire. Heroizmin e njeriut të saj e gjen kudo, nëpër shkrepëtima rrufeshë që digjnin gjithçka kishte bleruar në Shekullin e Ri, në front, në përballje shtrigash e mes stuhish shekullore, prandaj të gjitha këto veprime do t’i shpreh në poezinë “Ti e di si duhet vdekur”, ku njeriu i asaj kohe del i palëkundur në vendosmërinë e tij:

“Ti e di si duhet vdekur të jetojë plisi i bardhë e gjaku i valë,

tambli në sisë e fara në arë,

ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur, vullkan

i ndezur, vëllai im i tretur, i pabuzëqeshur,

i fyer e i poshtëruar,

vëllai im i panënshtruar…

Ke kaq shtatore në udhë e sheshe, bij-hyjni jetojnë në ty:

ata si farën në arë kryet lanë në kohën tonë prej gjaku dhe ëndrre.

Ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur –

vullkan i ndezur – ti e di si duhet vdekur…”

(Po aty, fq. 77)

Të gjata ishin netët “me shtatë rrathë të mavijtë rreth e qark…” sa herë provonte poeti ta shihte pjesën tjetër të atdheut, për të insistuar edhe herë të tjera të shoh ato bukuri me të gjitha vrazhdësitë që po ia shkaktonte koha, por gjithnjë para sysh i del një “Peizazh me hënë të zënë” (po aty, fq. 129). Kjo zënje e dritës e përcjell Kosovën me shekuj, por poeti me imagjinatën e tij prej malli do ta pasqyroj në mënyrën e vet, për ta brumosur gjithmonë në vargun e tij. Dëshira për ta gjetur të fortë e të lulëzuar pjesën tjetër të atdheut, që ishte dhimbja e ndarë në dysh, nuk do të ndodh, prandaj ai e kujton “si bukën që e ndanë në dysh”, prej nga “nëpër dy gjysmat e mia curril ka shkuar gjaku!” Ndonëse “Ferrit ia kam hyrë njëqind herë”, përsëri ktheva tek ti “të ndiej se merr frymë,/ të them se u rrite për inat të armiqve.” (po aty, fq. 126). Ky komunikim përmes vargjeve, pa qenë asnjëherë atje e mban të fortë lidhjen shpirtërore të tij, sepse një ditë do të gjendet edhe në qytetin e bukur “Prizreni – Kryevendi”, ku:

“Një varr i paemër pushon në varreza

mbuluar nga harresa…

Vetë nuk jam kanë, baba ma ka thanë.

E unë po ta them ty:

gjyshstërgjyshi Hamdi fle nën një bli,

sytë i ka çelur

si dy orë të bardha,

thirri,

do të ngjallet

me tirqit e bardhë, xhamadan me lara,

në gjoksin e valë do t’i pikojë plaga…”

(Po aty, fq. 128)

Poetit nuk i mjafton ta vizitoj vetëm qytetin e Prizrenit. Ai vazhdon të takoj, gjithnjë përmes imagjinatës së tij, edhe vende të tjera, të cilat i pasqyron ashtu si do t’i ketë dëgjuar nga rrëfimet e mjeteve të pakta të informimit të atëhershëm, apo i kujton nga ndonjë evokim paraardhësish, që mund të kenë qenë atje. Me të gjitha  vuajtjet, dhimbjet, pa asnjë improvizim a zbukurim e sjell në kujtesë edhe Gjakovën, ashtu si e ndien në shpirt “Qytet i rrethuar ose Gjakova nga qafa e prushit”, ku, siç shprehet në vargjet: “Të pash, qytet i lashtë, nga larg, të pashë…/ (Mbuluar me tjegulla të kuqe, më thanë)/ Unë të shihja mbytur në gjak”, (po aty, fq. 130). Mali i Pikëllimës vazhdon të mbetet pikë vrojtuese e përhershme, prej nga poeti do të shikon “Matanë malit”, deri në viset e largëta, ku “në emër të qetësisë e paqes(!),/ në prag të derës e në mes të zemrës/ ma vranë babën… Matanë malit” (po aty, fq. 131). Kjo qetësi paqësore nuk  ishte, veç se një parullë moniste, me të cilën mburreshin se po ndërtojnë ardhmërinë, por prapaskena e saj sillte verbime sysh, helmime e shitime njerëzish. Këto tmerre do t’ia ngulfasin shpirtin poetit, sa që nga pamundësia e ndryshimit të gjendjes së krijuar do ta “miratoj” me ironi: “Ha-ha-ha!/ Në emër të qetësisë e paqes!”. E gjërë është fusha e Kosovës, por poeti do të kalëroj si në balada mespërmes saj, “E fort po nget ky kalë i shkretë/ luftë më luftë e shteg më shteg,/ po më çon në Kaçanik e në Prishtinë, mespërmes/ i kam rënë Pejës, nëpër Prizren e në Gjakovë”, për ta rrumbullaksuar pelegrinazhin e vargjeve të tij prej malli rreth e çark, kurrë pa u ndalur “Për dasmën e Kosovës harruar e kam veten/ e hipur ia kam kalit të vdekjes si në baladën e Rexhës”, (“Ia kam hipur kalit të vdekjes”, fq. 133).

Agim Spahiu nuk harron pothuajse asnjë veprimtari që do të ndodh në Kosovë pa e fiksuar në vargun e tij brilant. Plaku i urtë Anton Çetta e Adem Demaçi i sakrificës, si dy portrete të veçanta për shumëçka që bëjnë në të mirën e kauzës sonë, i takojmë të portretizuar me përkushtim deri në finesa të mozaikut politik e kombëtar në poezitë: Në majë të Pikëllimës sonë të dalim” dhe “Piskamë për sytë e Adem Demaçit”. Me po aq përkushtim i gjejmë të portretizuar edhe Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën, Ali Podrimjen, etj., disa nga figurat e veçuara emblematike të kohës.

Ku të shkoj në nëntëmbëdhjetë e tridhjetë?!”, ishte njëra prej shumë pyetjeve, sa të rëndësishme, poaq edhe enigmatike, meqë në atë kohë të gjithë sy e vesh qëndronim para ekraneve televizive për të mësuar atë rriskë lajmesh nga tereni, prej nga raportohej për ngjarjet e ditës, për luftimet e vdekjet, derisa “zemra thërret një tingull, një fjalë, një ofshamë/ a vaj: Vëllezër, a jeni gjallë?” (po aty, fq. 136). Kështu kishte ndodhur dje, kështu ndodh edhe sot, kur poeti përpëlitet me çdo kusht të mësoj sa më shumë për çdo ngjarje, për lëvizje a ndryshime pozitive në Kosovën e tij të martirizuar. Poashtu duhet të ketë qenë edhe në shekujt e kaluar, e poashtu ishte këtu e “Një mijë vjet më parë…”, prej nga interesohet parreshtur poeti të mësoj se “Ku ke qenë vallë?!/ Në ç’degë, në ç’verë, në ç’këngë, në ç’gjëmë,/ në ç’valle ke qenë vallë një mijë vjet më parë!” (po aty, fq. 141). Me këto shqetësime do të jetoj gjithnjë poeti, ndonëse ishte afër me njeriun e  Kosovës, por nuk do ta kenë takuar njëri-tjetrin, edhepse për kaq kohë “Jam djegur në çdo zjarr një mijë vjet më parë/ në këtë Rrafsh Lume, në këtë pllajë – dhe ty s’të kam parë./ Ku ke qenë vallë?” (po aty, fq. 141), do t’i mbetet peng në shpirt ndryshku i mallit, që do ta thotë ndoshta për herë të fundit dhe nuk merr përgjigje asnjëherë, sepse iu bashkua  engjëjve lart në qiell, prej nga na shikon me po të njëjtën dashuri e mall.

Kosova për Agim Spahiun ishte frymëzimi dhe dashuria e pashur që e kërkoj edhe nëpër ëndrrat e tij, po asnjëherë nuk e preku, përveç me vargjet emblematike që ka lënë të shkruara për të gjallë.

Të gjitha dashuritë kanë dhimbjen e vet

Agim Spahiu flet me poezinë, si me mikun më besnik, të cilit shlirshëm ia shpalos fshehtësitë e shpirtit, dhimbjet, dashuritë, ëndrrat, duke u dhënë ngjyrimin e kohës. Ai edhe pas shumë vitesh, qëkur ishin mishëruar ai dhe vargu, sërish do ta rikujtoj: “…Edhe tash, mos harro ku e ke shtëpinë,/ poezi-jeta ime.” (“Në tokën time, zonjëza ime”, fq. 88). Komunikimi me botën e tij imagjinare do të vazhdoj nga “Studio poeti”, prej nga edhe në çastet kur “Asgjë s’pipëtin, nuk thërret për ndihmë,/ veç sytë e poetit prishin qetësinë…” (po aty, fq. 103). Ai nuk e gjenë dot qetësinë mes gjithë atyre ngjarjeve që e rrethojnë. Sytë e yshtin në njësitë më të avansuara të vrojtimit, për të prekur pastaj ngjarje e situata nga më të ndryshmet. Të kësaj natyre janë edhe poezitë: “Kur jam në valë krijimi”, “Kaq kohë pa ty” e ndonjë tjetër që do ta takoni gjatë shijimit të vargjeve të përzgjedhura nga opusi krijues i tij.

Shpirti i trazuar” i poetit vazhdon të eksploroj vargun për “Dhimbjet e zemrës së largët”; pastaj do t’i këndoj “Nënës”, “Dhe fëmijët rriten”, “Prek trupin e njeriut”, “Fytyra e grave”, “Në kohën e dashurisë”,  “Xixëllonja”, etj. Sidomos do të veçohet poezia “Qentë”, ku me pak vargje nxjerr portretin e njeriut të shitur, keqbërësit, i cili natën do ta kaloi  jetën  “qenqe”, ku “jashtë – nëpër natë – përgjojnë e sulmojnë qentë…”, duke e përmbyllur mendimin e tij se rreziku është permanent në çdo kohë, sepse “ende po vazhdojnë qentë?!” (po aty, fq. 104). Kthetrat e monizmit po e ngushtonin çdo hapësirë veprimi. Agim Spahiu që nga krijimet e para do të përballet me këto veprime nga më çnjerëzoret, duke përjetuar thellë në shpirt torturat e ndryshme, nga ajo kastë njerëzish duarzgjatur të pushtetit, të cilët ndërtonin ardhmërinë e tyre me brumin e “mirësisë”, duke u shtirë si të padjallëzuar. Pikërisht nga “padjallëzia” e tyre famoze do të pasojnë poezitë: “Këngë dëshprimi”, “E vërteta për veten dhe të gjithë ju që jeni si unë”, “Nuk jam më djalë”, etj.

Poetin në vazhdimësi e ndjekin shqetësimet. Për ta liruar shpirtin nga ajo angështi që e trazon, ai çdoherë kujdeset ta zbrazë atë energji tunduese me fuqinë e vargut, si në poezinë “Trupi im i paqetë”, në të cilën shpërfaq gjithë mllefin, urrejtjen, përbuzjen dhe dyshimet nga njerëzit që e rrethojnë, pa kursyer epitete të ndryshme, me besimin se përsëri do të ngritet “me forcë të re” dhe me qëndrimin e tij burrëror: “i rrezuar prej fjalës së mirë,/ i çliruar prej mendimit të lirë,/ i mahnitur nga kënga,/ i lumturuar nga ëndrra,/ i ofruar nga dashuri të reja/ çelur në njerëz e dhera…” (po aty, fq. 79).

Dhimbja, si një fenomen që e përcjell gjatë tërë kohës, në rastin e humbjes së vajzës së tij, Elës, do t’i hap plagë të pashëruara në shpirt. Këtë ngjarje e përjeton shumë rëndë, të përshkuar me kujtimet, ëndrrat dhe vuajtjet shpirtërore që i parafytyrohen kudo që ndodhet: “Asaj mbasditeje në qytetin e hirtë/ pak muzikë dhe gaz fëmije/ më erdhi në dhomë nga hyrja e fqinjëve/ Brofa portën ta hap…/ Kujtova se ishe matanë e do të vije/ nga çasti në çast.” (“Katër këngë dhe katër pushime të vogla”, fq. 91). Këto ndjenja të përziera do ta përcjellin në pambarim, edhe atëherë kur e ngushëllon veten me besimin se ende janë “Udhët plot fëmijë. Mes tyre ti,/ Secili ka ngapak prej teje-/ rreze drite në skaj reje…/ të ndiej në çdo të qeshur/ e të thërras me emër”, (po aty, fq. 94). Për më tepër se kaq, poeti vazhdon bisedën me të bijën, duke i rrëfyer gjithçka që ndodh në familjen e tij; sikur ia kujton rritën e motrës, të vëllaut e mbi të gjitha, edhe për veprimet e nënës, që rri gjithnjë në pritje të saj:

 

“motra Idë reciton vjersha që ti s’i mësove kurrë,

vëllai Arbër ka nisur të flasë

dhe don shpejt të bëhet burrë, si babai të hyjë në luftë.

(Se lufta s’ka fund.)

Nëna, kur të kujton, kthen kokën mënjanë si çdo nënë

e në murin përballë vështron portretin tënd, e heshtura ime,

yll i bukurive”

(Po aty, fq. 95)

 

Në opusin krijues të Agim Spahiut e gjejmë edhe motivin e dashurisë. Këtë motiv e takojmë si ndërlidhje e dashurisë për atdheun me dashurinë për familjen, prindërit, për farefisin, pa mos e tejkaluar edhe intimen, në kujtim të kohës mes ëndrrave të bukura, pavarësisht  mundësive të realizimit të tyre. Poeti do të këndoj me mallin e pashuar, që tingëllon si klithma, herë merr kuptimin e pasthirrmave, të   dhimbjes dhe lëndimeve shpirtërore, si në vargjet: “Po më dridhet shpirti si një fije bar,/ unë po shkoj drejt dimrit, ti del në behar…” (“Oh”, fq. 115). Kjo paraqitje rrugëtimi në kahje të kundërta, e përshkuar me thyerje shpresash, tregon gjendjen shpirtërore nga  pamundësia e realizimit të një dashurie të pasqyruar në ciklin poetik “Vizatime dashurie në terr”. Këtu terri e ka kuptimin e gjendjes së përgjithshme të vendit, të krijuar nga pushteti totalitar, që kishte prekur çdo kapilarë të jetësPërkundër këtyre presioneve të pafund, ai do të gjej kohë të mendoj, të veproj e të dashuroj në mënyrën e vet të mundshme, brenda situatave të krijuara, tashmë. “A je ti, fol, a je ti -/ frymë a hije/ që përbihesh derës/ për në thelb të zemrës?!” (po aty, fq. 116). Pavarësisht këtyre rrethanave, ai vazhdon të besoj se do të vijnë kohëra tjera, ndonëse vargjet sikur i rrëshqasin “ndër duar” me doza të shumta dyshimi: “U deshëm pa fjalë./ Si të vdekur/ a si të gjallë?!” (po aty, fq. 117). Kjo gjendje nebuloze do ta përcjell gjatë tërë kohës, por asesi ta zmbraps në qëndrimet e tij prej njeriu të vendosur dhe të sprovuar në të gjitha situatat. “Digjem për buzën e djegur,/ për fjalën e mençur tretem -/ kur jam vetëm.”, do të shprehet Agim Spahiu, kur gjithçka e ndien në shpirtin e tij të brishtë, siç do të argumentoj në vazhdim me poezinë ”Dhe sa gjëra kam për të të thënë”, (po aty, fq. 119), gjithnjë në shpërfaqje të ndiesive shpirtërore për një dashuri që do t’i mbetet peng i jetës. Megjithatë, ai nuk zmbrapset derisa do ta kupton se përfundimisht po i ngushtohej rrethi i veprimtarive, pastaj pushtohet nga mallëngjimi: “Mos u mundoni për varr!/ Sa të vdes,/ varrosmëni në sytë e saj!” (po aty, fq. 125). Në këto çaste, sikur e mundin klithmat që i shpërthejnë si mesazh për femrën që e dashuroj deri në çastet e fundit të jetës.

Si parandjenjë e së ardhmes, për të cilën nuk rresht së kënduari Agim Spahiu, vjen poezia “Jetojmë në paqe”, prej nga ai bisedon me “të dashurit”, i preokupuar nga situatat që do t’i prekte me frymën e tij krijuese. I preokupuar në rrugëtimin e tij shtigjeve të atdheut, qoftë edhe në llogore “nga fërshëllima plumbash” gjithandej “i rrethuar”, në ndarje të bukës e “në luftë me vdekjen diku në sheshlufte”, gjithnjë në kërkim të daljes së sheshtë nga ajo gjendje tmerri “çdo mëngjes të ngrirë postën/ do prisnit për lajm të bardhë a të zi…”. Poeti, kundruall këtyre situatave të krijuara do të shprehte mendimin e tij, si një çlirim nga e kaluara, sepse “…Jetojmë në paqe. Dhe luftë bëjmë me fjalë./ Ç’është kështu vallë?!/ Fatkeqësia na bashkon, mirësia na ndan?!” (po aty, fq. 114).

Është mbase e vërtetë, siç mësojmë edhe nga dëshmitë e shumta të gjetura në krijimtarinë e tij poetike, se Agim Spahiu gjatë tërë jetës e kërkoi paqen, me besimin se do ta arrinte një ditë, por vdekja ia la peng të gjitha ëndrrat, dëshirat dhe planet e jetës, për tu kujtuar gjithmonë emri dhe krijimtaria e tij prej luftëtari të lirisë me pendë dhe dashuri për njeriun e tij të përvuajtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube