24/04/2024

Kryeministri im – instrument në lojën e një vocërraku si Vuçiqi

0

Nga Sadik Bejko

Në prill 1969, në ditët kur u mbajt Kongresi i dytë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me shkrimtarët Sterjo Spasse dhe Pano Çuka kemi pirë një kafe aty pranë kishës katolike te rruga e Kavajës. Në kafe na ftoi Sterio Spasse. Panua ishte minoritar grek nga Pogoni i Gjirokastrës, Sterioja ishte sllav nga Prespa. Midis të tjerash Sterioja tha: Po u them se Ballkani do të bjerë në paqe kur sllavi, greku e shqiptari të jenë në miqësi e paqe siç jemi ne të tre në këtë tryezë tani. Mbase më të rinjtë do t’ia arrijë kësaj dite.

Këto fjalë i mbaj mend si një inspiratë e mendjeve të bukura të vendit tim. Një ëndërr që pret të arrihet.

Kur Spasseja thoshte sllavi, ai kishte parasysh bullgarin, serbin, kroatin, sllovenin, malazesin, gjithë arealin sllav të Ballkanit.

Tani na dalin dy burra Edi Rama dhe Vuçiqi që thonë ne e kemi bërë Ballkanin të hapur vetëm me një të dhjetën e tij, Ballkan i hapur vetëm me Beogradin, Tiranën, Shkupin…

Tallen këta me ne?

Pastaj Vuçiqi thotë se unë jam mik i madh me Ramën dhe i dua shumë shqiptarët e Shqipërisë. Ne me Ramën, shton ai, tallemi e shkrihemi gazit me Haredinajn, me Thaçët, me Kurtët e të tjerë politikanë të Kosovës.

Këtë e pranon dhe Rama. Madje atij, Ramës, nuk i plas fare “Luli” për Haradinajn e për Kurtin.

Rama, i indinjuar, na shfryn duke thënë që Bregoviqi është gati një engjëll dhe ata që protestuan kundër tij, janë fashistë. Bënë një fushatë fashiste kundër tij. Si duket Ramën e kanë mësuar stanishiçët që ka si këshilltarë, që fashizmin, teorinë e gjenocidit që ka frymëzuar luftërat e serbëve në Ballkan, nga Akademia e Beogradit ta sjellë në Shqipëri. Të harrojë se fashizmi me teza, me praktikë spastrimi të popullsive, me shpopullim të territoreve prej vendasve është i dokumentuar, i shkruar si projekt akademik nga Çubriloviqi, Andriqi, Qosiqi, të cilët që prej më shumë se një shekulli kanë kërkuar spastrimin e shqiptarëve nga Rrafshi i Dukagjinit.

Rama bën sikur nuk e di, Rama do dhe e harron këtë projekt të përgjakshëm spastrimi. Atë projekt që me zjarr dhe me hekur u mundua ta vërë në jetë Millosheviqi, mentori dhe shefi politik i mikut të tij, kryeministri i ish-ministrit Vuçiq.

Rama nuk është sylesh, nuk është as kokrra e gomarit që nuk e di se kush janë nëna dha babai i fashizmit në Ballkan. Fashizmi me Çubriloviqin and Co, me Drazha Mihailoviqin and Co, nënë e babë e vatër i kanë vetëm në Beograd. Deri më sot asnjë institucion akademik, universitar, apo shtetëror serb nuk është distancuar nga akademiku i zi, nga Çubriloviqi.

Rama nuk është sylesh, as kokrra e gomarit që nuk e di se po të bësh lojën e Vuçiqit, lojën që gjasme je mik i madh i shqiptarëve, por vetëm mik i shqiptarëve të Tiranës, kjo do të thotë as më pak, as më shumë, atë që t’ua futësh thikën në shpinë e deri në zemër kosovarëve.

Rama ka vite që po e bën hapur, sheshit këtë politikë. Po luan me serbët në kurriz të shqiptarëve pa iu dridhur qerpiku.

Si mund të thuash se janë fashistë ata shqiptarë që folën, shkruan dhe protestuan ndaj një koncerti që haptas ishte instrument politik? Ai koncert ishte gjethe fiku në një politikë miqësie të shtirur midis dy popujsh, ku njëri nga këta popuj, sërbët, kanë bërë shumë zullume mbi të tjerët. Shqiptarëve serbët u kanë dhunuar territoret. Serbët kanë ushtuar krime e dhunë të pallogaritur mbi njerëzit, mbi gratë e mbi fëmijët e Kosovës.

Këtë politikë kundër shqiptarëve në favor të serbve më parë e kanë luajtur dhe Esad Pasha, dhe Enver Hoxha.

Le ta luajë edhe Edi Rama. Rama është politikan profesionist. Ai bën politikë. Ai ka zgjedhur të luajë pro politikës së Beogradit. Por le të luajë ndershëm, ta thotë shkoqur që më pëlqejnë projektet politike të serbve, më pëlqen të luaj sipas interesave serbe në Ballkan.

Mos ta mbulojë me gjethe fiku. Gjethe fiku si ato që Haradinaj dhe Kurti janë primitivë, janë mediokër,  janë injoratë dhe vetëm ai, Rama, i biri i Kristaqit dhe i Anetës, është modern, ai, Rama, është superpolitikani i zgjuar. Këto janë profka, nuk janë as gjethe fiku, dhe as nuk arrijnë ta mbulojnë  prapanicën e tij të zbuluar ndaj serbve.

Serbët luajnë me kinezët, luajnë me rusët, me amerikanët, pse mos të luajnë harushën edhe me Edi Ramën.

Edhe këtë lojë me shtatë porta të serbve Rama e di. Por ai ka zgjedhur të bëjë këtë politikë. Ndërgjegjshëm ai është lojtar i politikës pro serbe në Ballkan. Ai nuk po bën një politikë që nuk e do dhe që nuk e di se çfarë është.

Mbetet vetëm një gjë: të ndërgjegjësohen shqiptarët. Shqiptarët le ta dinë, të jenë të vetëdijshëm që në krye të qeverisë së tyre kanë një lojtar të devotshëm serb.

Mendjet e bukura në Shqipëri e kanë dashur Ballkanin të hapur, por të pastruar nga armiqësitë dhe nga urrejtjet. E kanë dashur Ballkanin të bashkuar në miqësi e barazi, në respekt të ndërsjellë për secilin nga popujt.

Serbët a e kanë dashur kështu Ballkanin? Nëse nuk e kanë dashur dikur, pse nuk kthejnë, të kërkojnë falje për çka ka ngjarë deri më sot? Të na thonë që e duam Ballkanin në barazinë e respektin e popujve, jo për të sunduar e për të diktuar mbi popujt e tjerë.

Shumë njerëz pyesin: pse politikanët serb nuk kërkojnë falje për gjenocidin që i çoi politikanët e tyre në Hagë.  Është e thjeshtë. Ata nuk mund të kërkojnë falje. Fajin për këtë e ka kultura e lartë serbe. Etërit shpirtërorë të kësaj kulture, Çubriloviqi, Andriqi, Qosiqi etj,  janë ata që kanë projektuar spastrimin etnik, gjenocidin, fashizmin kundërshqiptar. Politikanët e përkohshëm e vocërrakë si Vuçiqi nuk mund të dalin kundër atyre (Çubriloviq, Andriq, Qosiq etj) që mbahen ende si etër të shenjtëruar në kulturën e lartë sërbe.

Më vjen keq që Rama, kryeministri im, është instrument në lojën e një vocërraku si Vuçiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok