Kryetar Alizot

Processed with VSCO with av4 preset

Nga Edison Ypi

Kam 3 kandidatura për Kryetar të Partisë Demokratike.

Kandidatura ime e parë për Kryetar të Partisë Demokratike është Fejzi Alizoti.

Burrë Shteti madhështor, nga më të fuqishmit që ka parë historia e Shqipërisë.

Fejzi Alizoti i bëri të gjitha shkollat në Shqipëri, Turqi, Greqi, Rumani. I kreu të gjitha përvojat qeverisëse perandorake. Nga nëpunës province, deri tek më të lartat ministër e deputet, në një shtrirje gjeografike marramendëse nga Siria në Libi; Shqipëri, Kosovë, Turqi, disa vende të Lindjes së Mesme, praktikisht në të tërë shtrirjen e perandorisë osmane.

Fejzi Alizoti është një figurë e shquar shqiptare me rëndësi të dorës së parë në momentet më kyç të Historisë së Shqipërisë  gjatë dhe në mes dy luftrave botërore.

Politikan i sërës së parë, qeveritar i pashoq, ligjbërës ekselent, diplomat i pakonkurrueshëm, ekonomist i pakrahasueshëm, reformator i lindur, protagonist në të gjitha eventet më të rëndësishme të Shqipërisë, prej shpalljes së Pavarësisë nga krema e Kombit, deri tek pushtimi i vendit nga halabakët komunistë.

Fejzi Alizoti ka mbetur në Histori për një numur kontributesh nga më të rëndësishmet.

Me iniciativën e Fejzi Alizotit u bë e mundur që;

Gjuha Shqipe të mësohej në shkollat fillore.

Rekrutët shqiptarë të mos merreshin për shërbim ushtarak në vise të largëta të perandorisë.

Taksat e paguara nga shqiptarët të përdoreshin për nevoja të popullit.

E të tjera e të tjera.

Po të ishte Fejzi Alizoti sot Kryetar i Partisë Demokratike,

Do vendoste rend brenda një muaji.

Do ndërtonte dhe do vinte në punë diplomaci dinjitoze dhe efikase.

Brenda pak ditësh do shkonte në hell hajdutat dhe kurvat që e quajnë veten Shoqëri Civile.

Në kohë rekord do shëronte plagët e demokracisë së keqkuptuar si qef, si livadhisje kaotike.

E plot të tjera.

Fejzi Alizoti, politikani fisnik dhe aristokrat  absolutisht i pakrahasueshëm me modelin e sotëm të politikanit të pocaqisur, do ishte mrekulli për Kryetar të Partisë Demokratike.

Por Fejzi Alizoti nuk është gjallë.

Fejzi Alizotin e pushkatoi kurvi.

Plumbi i parë nuk e zuri.

Edhe në vendet me të humbura dhe më të prapambetura të planetit, në vendet pa ligje, pa Kushtetutë, pa Parlamentt, pa asgjë, po nuk të zuri plumbi i parë nuk ka plumb të dytë, të falet jeta.

I vrarë nga kurvi me 2 plumba, Fejzi Alizoti është më i përshtatshëm se kandidaturat e tjera të gjalla të vdekur e të pakallur në mijëra mënyra.

Por ka një problem.

Fejzi Alizoti nuk pranon të ngrihet nga varri për tu bërë Kryetar i Partisë Demokratike.

Të tjerët pranojnë.

Për të evituar rrezikun e zgjedhjes Kryetar të ndonjë të vdekuri të pa kallur, kam kandidaturë të dytë.

Riza Alizoti, i biri i Fejzi Alizotit.

Riza Alizoti kreu gjithashtu shumë shkolla. Kryesisht në Perëndim.

Robert College në Stamboll.

Shkollën Teknike Harry Fultz në Tiranë.

Me bursën e shtetit shqiptar në vitin 1929 studioi në Angli, në Camborne për inxhinieri miniere.

Më 1933 u specializua në Strasburg.

Pas studimeve, nisi punë në puset vajgurore në Kuçovë.

Në vitin 1943 mbrojti të drejtat e punëtorëve duke marrë pjesë në demonstratë bashkë me ta. Pas kësaj ngjarjeje dhe për këtë arësye u internua prej italianëve. Pas internimit, po ata komunista që më 22 dhjetor 1945 e dekoruan me Urdhërin e Punës, më 11 qershor 1947 e arrestuan, dhe më 10 tetor 1947, pikërisht në ditën e lindjes, nga frika se plumbi i parë nuk do ta merrte dhe do u duhej të shpenzonin një plumb të dytë, ndoshta dhe një të tretë, apo të katërt, që u duheshin për të pushkatuar të tjerë, e varën në litar në Kuçovë.

Merre me ment si do tua priste duart hajdutëve me hanxhar e si do ua grinte mishin horrave të sotëm Riza Alizoti Kryetar i Partisë Demokratike.

Ati Fejzi, Biri Riza, i pari Profet në plumb, i dyti Krisht në litar, të dy nën dhe’, Kryetar i Partisë Demokratike nuk mund të bëhet asnjëri prej të dyve.

Nuk ka vend për dëshpërim.

Kam kandidaturë të tretë.

Ka shkollat,  cilësitë, energjitë, vullnetin.

Pas Atit dhe Birit të vdekur, është gjallë i treti i Trinisë, Shpirti i Shenjtë, Tomor Alizoti.

Kandidaturë më të mirë për Kryetar të Partisë Demokratike se Tomor Alizoti, nuk kam dhe kurrë nuk do mund të kem.

Thirrini mendjes.

Kujtoni tmerret dhe krimet.

Jo Kryetar plebe’.

Jo Kryetar ordiner.

Jo Kryetar halabak.

Jo Kryetar hajdut.

Jo Kryetar nepotik.

Jo Kryetar klientelist.

Jo Kryetar mercenarist.

Jo Kryetar regjionalist.

Vetëm Kryetar Alizot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube