KU JANË MILIARDERËT DHE MILIONERËT NË KËTO KOHË TË VËSHTIRA PËR NJERËZIMIN?

Nga Gjokë Dabaj

Zjarret e mbuluan dhe e përvëluan planetin Tokë, në këtë vit të mbushur me privacione. U dogjën pyjet e Kalifornisë! U dogjën pyjet e Siberisë! U dogj Afrika! U dogj Amerika Jugore! U dogj Italia! U dogj Turqia! U dogj Greqia!…

U përpoqën njerëzit t’i fiknin a të paktën t’i ndalnin këta zjarre: Me rrozga, me degë shkurresh, me shkopinj, me kova uji, me pompa dore, me kamionë-cisterna, me helikopterë. Me ata pak helikopterë!

Bota u dogj e u përcëllua, aq sa thonë se pyjet s’kanë për ta marrë veten për dhjetëra vjet!

Shqetësimi gjithnjerëzor është tepër drithërues. Të gjithë organizmat, shoqërorë edhe shtetërorë, janë në alarm: Ç’po bëhet dhe ç’mund të bëhet?!. Kjo po shihet edhe nga koha që i kushtohet kësaj katasatrofe në mediat e shkruara dhe në televizionet.

Por për miliarderët dhe për milionerët nuk po thuhet asgjë. Janë apo s’janë pjesë e njerëzimit miliarderët dhe milionerët?! Sa edhe si u shqetësua kjo pjesë e njerëzimit për këtë lloj fatkeqësie që po na ndodh?!

Për shembull, a nuk mund të dilte një miliarder dhe të jepte paratë për njëmijë helikopterë dhe të pajiseshin zjarrfikësit me aq helikopterë?! Po them njëmijë, por njëqind miliarderë dhe dyqind milionerë të planetit tonë do të mund të bënin shumë më tepër. Do të mund të bënin aq sa, ndoshta, zjarret të mos mund të digjnin as 200 hektarë pyje.

*    *    *

Ndodhën edhe përmbytje të mëdha, rrënimtare e të rrëzikshme. Po marr si shembull vetëm ato të Gjermanisë. Ç’kanë bërë miliarderët dhe milionerët e Gjermanisë, por edhe ata të krejt botës, për të mos ndodhur kataklizma të tilla?! Pse, s’pati Gjermania kanalizime të mjaftueshëm, të atillë që ujërat, sado të shumtë e të furishëm të binin nga qielli, të mos mund të hynin nëpër lagje e nëpër banesa?!

Miliarderët dhe milionerët e Gjermanisë, a nuk i kanë aq pará, sa të realizojë Gjermania një irrigacion plotësisht të efektshëm në çfarëdo inondate?! Them Gjermania, por kjo duhej të vlente pë krejt botën. Askund nuk duhet ta rrëzikojnë përmbytjet jetën e njerëzvet!

Në Itali, në Indi, në Kinë, në Australi! Kudo ku bie shi, pse nuk investojnë miliarderët dhe milionerët, në mënyrë që ujërat të mos përbëjnë rrëzik për jetën e fëmijëvet ?!

Ta zëmë se nuk qenë të përgatitur për t’i parandaluar rrënimet nga përmbytjet. Po tani, pse nuk dëgjuam që, një miliarder a milioner ta ketë vënë në dispozicon të rehabilitimit, ta zëmë, gjysmën e pasurisë së vet. Nuk po them krejt pasurinë, por gjysmën dhe përsëri të mbetet milioner.

*    *    *

Tërmetet nuk parandalohen. Ata bien pa na pyetur. Por, për të rindërtuar atë që arrijnë të shkatërrojnë tërmetet, angazhohen, të themi, të gjithë, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Ka donacione, ka kontribute vetjakë për të ndërtuar qoftë edhe një shtëpi apo pesë shtëpi. Ndahen para nga buxhetet e shtetevet. Brenda shtetit ku ndodh tërmeti, por u shkohet në ndihmë shtetevet të tjerë.

Për të gjitha këto lexojmë nëpër gazeta dhe shohim në televizion. Por nuk kam dëgjuar, ndoshta s’më ka rënë rasti, që një miliarder a një milioner, të ketë marrë përsipër rindërtimin e një qyteti të rrënuar. Unë jap kaq miliardë dollarë, euro, rubla, jeni, dhe marrë përsipër t’u siguroj banim komod të gjithë banorëvet të këtij qyteti që i ka goditur kjo fatkeqësi. Dhe të mbetet i paharrueshëm në historinë njerëzore emri i atij miliarderi apo milioneri! Dhe, mu në qendër të atij qyteti të rindërtuar, të ngrihet monumenti i atij që s’i kurseu paratë.

Pse s’ka sakrifica të tilla nga kasta e miliarderëvet dhe milionerëvet?! Qoftë edhe me rrezikun e falimentimit! Falimentove! Punë e madhe! Rimëkëmbesh përsëri! Ose, edhe sikur të mos rimëkëmbesh, sakrifica jote në emër të humanizmit do të mbetet në histori dhe ti do të vdesësh i lumtur! Gjithsesi, më i lumtur se kur t’ia lësh paratë djalit apo nipit, mirënjohës ose edhe mosmirëjohës, siç ndodh në shumicën e rastevet.

*    *    *

Ra epidemia e kovidit. Vdiqën miliona njerëz dhe rrëzikohen të vdesin edhe më shumë, midis të cilëvet mund të ketë edhe nga kasta e miliarder-milionerëvet. Si nuk u dëgjua askund zëri, qoftë edhe i njërit prej këtyre të gjithfuqishmëvet parazotërues: Shpenzimet për prodhimin e vaksinavet do t’i përballoj unë dhe vaksina do t’u injektohet falas të gjithë banorëvet të botës! Banorëvet të botës ose banorëvet të një kontinenti.

*    *    *

Kapitali i miliarder-milionerëvet është vënë me pjesëmarrjen e miliona njerëzve. Atëherë, pse miliarder-milioneri të mos ua kthejë njerëzvet atë kapital, duke u dëshmuar i vetëdijshëm për detyrimet që i ka njerëzimit?! Sepse, nëse nuk do të kish popull, kush do t’i blinte këpucët që prodhon ai?! Nëse nuk do të kish popull, kush do ta pinte koka-kolën që prodhon ai?! Kush do t’i blinte veturat që prodhon industria e tij e automobilëvet?!

Po e them edhe njëherë: Unë mund të mos jem i informuar sa duhet… Por ngul këmbë që një pjesë e madhe e njerëzvet si unë do të donin të dinin: Cili është roli human i miliarderëvet dhe milionerëvet në shoqërinë tonë të sotme?! Ç’gjë të mirë, konkrete dhe falas, i sjellin ata njerëzimit?! Jo me karitase! Jo me bamirësira hipokrite! As me justifikimin: Ne i paguajmë shtetit tatimet!.. Por me kontribute madhorë dhe konkretë, që të shpallen nëpër media dhe të thuhet: Ja për çfarë i hyjnë në punë njerëzimit miliarderët dhe milionerët! Përndryshe, ç’na duhen?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube