Ku thrret qameti

Nga Edison Ypi

Qameti thrret te perëndimorët që i shajmë me libër shtëpie edhepse na kanë falur dy shtete, Shqipërinë më ’12-ën dhe Kosovën më ’99-ën.

Qameti thrret në shpirtrat dhe zemrat e shqiptarëve që muar arratinë, por tani janë penduar. Të rrinë nuk munden. Të vijnë ju vjen turp.

Qameti thrret te gjakpirësja Shoqëri Civile që pretendon të jetë jofitimprurëse por vetëm majm krerët duke xhvatur taksapuesit.

Qameti thrret te restorantet e bllokut ku politika paguan zagarët për shërbime të fëlliqta përmes pshurrjeve ortografike nëpër gazeta.

Qameti thrret nëpër rrjetat sociale ku shqiptarët frikacakë e burracakë vjellin helm për njeritjetrin, japin mendime shterruese e bëjnë sugjerime të vlefëshme për çështje lokale dhe globale me rëndësi jetike për fatet e planetit.

Qameti thrret te disa portale ku gjëja më e rëndësishme është, dhe peshën më të madhe e kanë, komentet shpifarake që spiunat e sigurimit me pseudonim bëjnë kundër njerëzve me emër e mbiemër.

Qameti thrret te kafenetë e qyteteve të vogla dhe fshatrave ku nuk ka asnjë femër.

Qameti thrret në kokën e një vajze që nuk ka prekur kurrë një djalë, dhe në kokën e një djali që nuk ka prekur kurrë një vajzë, dhe që të dy mundohen ta mbushin humnerën e lemeritshme me një rrjesht e gjysëm tekst katastrofik dërguar njëritjetrit në fejsbuk.

Qameti thrret në Kosovë, ku “çlirimtarët” vrasës dhe hajdutë me frymëzim marksiat-leninist janë më të mirë se ata që na ka rrejt menia se mund të ishin alternativa e tyre, intelektualët që marrin lëmosha turqie ose serbie.

Qameti thrret në Maqedoninë perëndimore ku shqiptarët normalë, për shkak të trysnisë së papërballueshme të trashanikëve patriotë llafazanë të padurueshëm, e kanë  të pamundur të merren me diçka në vend të vet, dhe ikin përgjithmonë në Tiranë, Prishtinë, ose dikund tjetër në kurbet.

Qameti thrret nga Vermoshi në Konispol ku nuk e gjen dot një sharqi të pa shartuar me kungull.

Qameti thrret te televizionet që degustojnë parreshtur publikun duke dhënë ditë e natë këllira kinematografike të quajtura filma shqiptarë.

Qameti thrret ku një shoqëri historikisht e mbyllur, në vend që të hapet pakngapak, vazhdon të mbyllet e mbyllet pambarim si lëmsh gjarpërinjsh në ndërzim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube