KUJDES KUR BËJMË VËREJTJE PËR SHQIPTARËT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Nga Gjokë Dabaj

Ndodh shpesh që, këtu në Republikën e Shqipërisë, dëgjojmë vërejtje lidhur me të folurit e shqiptarëvet të Republikës së Kosovës: “Këta e flasin më pastër sërbishten se shqipen!”

Puna arrin deri atje sa e ndërrojnë me përçmim kanalin televiziv. Nuk duan të dëgjojnë as për çfarë flitet dhe as si flitet.

Nuk them se veprojnë kështu një shumicë apo një pakicë shqiptarësh të këtushëm, sepse nuk e di. Por po e gjykoj thjeshtë si dukuri.

Është një nga dukuritë që e dëmton shumë kohezionin e kombit tonë. Janë njerëz injorantë dhe mendjeshkurtër ata që u japin mend të tjerëvet në këtë mënyrë! Injorantë, shpeshherë edhe me diploma fakultetesh!

S’e dinë që gjuha jonë letrare u sanksionua, së pari, në Prishtinë dhe pastaj erdhi këtu në Tiranë ajka e inteligjencës sonë kombëtare nga të gjithë viset që gjendeshin nën Jugosllavi dhe e miratoi këtë gjuhë tonën, vërtet moderne.

S’e dinë që pikërisht nga Republika e Kosovës, atëherë krahinë autonome me njëmijë halle, dolën disa nga personalitetet më të shquar të kulturës sonë kombëtare! Jo vetëm në fushën e filologjisë, jo vetëm në gjuhësi e letërsi, në mësimdhënie, në teatër, në këngë, muzikë e valle thjeshtë shqiptare, por në të gjitha fushat sociale dhe ekonomike!

Dhe s’e dinë këta shqiptarë të Republikës së Shqipërisë, shpeshherë me fakultete, që atyre shqiptarëve të atjeshëm ua dogji e shkatërroi shtëpitë pushtuesi i ardhur nga Sërbia, por këtu i shkatërruam vetë, me dorën tonë, të gjitha fabrikat, uzinat e kombinatet dhe i dhamë rrugët e botës më shumë se gjysmës së popullsisë së këtij shteti!

Po e them edhe njëherë: Nuk flas për të gjithë shqiptarët e këtushëm. Flas vetëm për atë pjesë që ka prirjen për t’i nënvleftësuar dhe denigruar në mënyrë meskine shqiptarët e Republikës së Kosovës.

Këta denigrues e përbuzës të shqiptarëvet të Republikës së Kosovës, se “nuk po ditkan të flasin shqip!”, nuk i dëgjojmë të bëjnë vërejtje asnjëherë për bashkëkombasit e vet në Janinë, Prevezë, Filat e Konicë që, për njëqind vjet s’qenë në gjendje të hapin as edhe një shkollë shqipe për fëmijët e vet!

Këta denigrues e pëbuzës të shqiptarëvet të Republikës së Kosovës, se “nuk po folkan më pastër sërbisht se shqip!, nuk i dëgjojmë asnjëherë të shprehin shqetësim: Pse disa miliona shqiptarë që jetojnë në Turqi, nuk po hapin dot për fëmijët e vet qoftë edhe një shkollë fillore shqipe, në Stamboll, në Izmir, në Ankara!!

Megjithëkëtë, s’kemi ç’të bëjmë tjetër, veçse ta shprehim këtë indinjatë tonën, me shpresën që, në mos të gjithë, të paktën dikush do t’i lexojë këto që po shkruajmë.

Problem shumë i madh yni është sot rivitalizimi i gjuhës dhe kultures sonë në gjysmën e Shqipërisë Jugore, që e ka pushtuar Greqia, dhe krijimi i institucionevet kulturoë e arsimorë kombëtarë në diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Ky është problem! Jo të bëjmë vërejtje si po flet një shqiptar i Prizrenit, Pejës apo Podujevës, duke mos denjuar as të dëgjojmë për çfarë po flitet!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube