16/04/2024

KUJTIM I NJË KOHE TË LARGËT ME MËSUESEN E PAHARRUAR: ANETA BUSHAMAHU

0

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Zakonisht, njerëzit e mirë, që me punën e tyre fisnike, lënë gjurmë të arta në jetën e tyre, gjurmë, që edhe pas vdekjes së tyre, koha, jo vetëm nuk i pluhuros, por, përkundrazi, i ndriçon, i lartëson, për t’u kujtuar me mall, me respekt, me dashuri.

Nerëz të tillë ka plot, por unë në këtë shkrimin tim po kujtoj me mall, me dashuri, me nostalgji, një ndër emrat e ndritur të mësimdhënies në qytetin tonë, e ndrituara, mësuese ANETA BUSHAMAHU.

Mësuese Aneta, apo zysh Neta siç njihej ndër breza për vite me radhë nga të gjithë ish nxënësit e saj, një qytetare e qytetit të ndritur historik muzeal, qyteti i mahnitshëm kulturor turistik, Berati, ka qenë dhe mbetet ikona e arësimit në Berat, së bashku me bashkëshortin e saj, i ndjeri Anastas Bushamahu, ose mësues Caci siç njihej nga nxënësit e tij dhe nga qytetarët beratas edhe ai mësimdhënës, edhe mësues të tjerë të brezit tim të cilët unë gjithmonë i kam kujtuar me dashuri dhe mall.

Nuk po përmend emra të tjerë, se të tillë mësues të nderuar, ikona të arësimit në Berat ka plot.

Aneta Bushamahu së bashku me bashkëshortin e saj Caci Bushamaku, një çift bashkëshortor ideal që kishin gjetur njëri tjetrin, dukej se vetë i madhi Zot i kishte bashkuar për të ndërtuar jetën e tyre bashkëshortore.

Zysh Neta, grua fisnike, e qeshur, e dashur, mësuese që të dhuronte vetëm mirësi dhe dashuri, si një nënë e dytë e ndimbsur me nxënësit e saj, sepse ashtu komunikonte ajo me të gjithë nxënësit, si prindi me fëmijën, me një humor që të kënaqte shpirtin dhe të hiqte emocionet e vetë moshës së nxënësve duke e bërë orën mësimore të dashur për të gjithë.

Në fillim të çdo viti shkollor, të gjithë nxënësit e klasave të reja shprehnin dëshirën e tyre të madhe të ishin nxënësit e saj…

Të flasësh, të shkruash për zysh Neta Bushamahun dhe bashkëshortin e saj Caci Bushamahu, fjalët janë të pamjaftueshme, të pashtershme, por, unë do përshkruaj diçka personale, një kujtim për atë grua zonjë, një kujtim që nuk e harroj kurrë edhe pse kanë kaluar dyzet vite.

Ish banore e lagjes muzeale Gorricë në Berat, shtëpia ku ata banonin ndodhej buzë rrugës automobilistike që të çon në Përmet përballë lagjes tjetër muzeale, Mangalem, aty, ku sot është ndërtuar një ndër hotelet më të bukur, me shërbim të kulturuar, me menu ushqimi të pasur dhe të shijshëm, hotel që frekuentohet shumë nga turistët vendas dhe të huaj: HOTEL MUZAKA

Zysh Neta ishte nënë e pesë fëmijëve, tre djem dhe dy vajza, fëmijë shembullorë ashtu siç ishin edhe vetë ata prindërit e tyre të respektuar.

Në fundin e viteve 70-të Familja Bushamahu, shpërngulet nga lagjja Gorricë për të banuar në lagjen Murat Çelepias, lagje në hyrje të Beratit.

Edhe pse ikën nga lagjja e tyre e dashur, Gorrica, shpirti i tyre ishte atje, në atë lagje të bukur e ftohtë në stinën e dimrit, dhe e freskët në stinën e nxehtë të verës, në ata njerëz të mirë, të kulturuar, mikpritësa, tek gorricarët siç quhen banorët e asaj lagjeje muzeale, ashtu siç janë beratasit në përgjithësi, ashtu siç është mikpritës vetë kombi shqiptar.

Zysh Neta shkonte shpesh në në lagjen e saj në Gorricë dhe dukej se edhe vetë lagjja ndjente gëzim me praninë e saj.

Ajo kishte një veti të mrekullueshme, të bënte për vete me magjinë e zërit të saj plot diksion në komunikim, me buzëqeshjen e saj, me humorin dhe historitë e shumta që tregonte; e thjeshtë, gojëmbël.

* * *

Më 17 Janar të vitit 1980 mamaja ime e ndjerë, Athina Simsia, pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta në moshën e saj 50-të vjeçare, dhjetë ditë para ditës së dasmës të bijës së saj, Xhuljeta.

Sigurisht, dhimbja për humbjen e njeriut tonë më të dashur ishte e madhe, shumë e madhe që nuk mund të përshkruhet dot me fjalë as edhe nuk mund të shkruhet, sepse fjalët janë të pamjaftueshme.

Si çdo fëmijë për humbjen e mamasë së tij edhe unë, biri i saj më i vogli ndër katër fëmijët e ndjeva shumë atë dhimbje në moshën time 19-të vjeçare… Bota e tërë u përmbys, u duk se çdo gjë për ne mori fund.

I shkoja pothuajse çdo ditë në varreza pranë varrit të saj në varrezat e Burdulliasit me dy buqeta me lule në duar; një buqetë për mamanë time dhe një buqetë tjetër për gjyshen tonë, e ndjera Gjena Simsia, nëna e babit që edhe ajo prehej po në të njëjtat varreza dhjetë vjetë para vdekjes së mamasë sonë.

Blija edhe dy pako me biskota dhe, sipas ritit që kisha dëgjuar nga prindërit, nga të tjerët, kur shkon në varreza duhet të kesh diçka për të ndarë për shpirtin e njeriut tënd të dashur të vdekur, për t’ua dhënë njerëzve të rastësishëm atje që edhe ata shkojnë pranë njerëzve të tyre të dashur të larguar nga kjo jetë.

Në dy xhepat e pantallonave mbaja edhe dy qirinj dhe një shkrepse që i ndizja në fshehtësi, sepse në ato vite nuk lejohej ndezja e qirinjve…

Buqetat me lule që m’i jepte i miri, punëtori, qytetari ynë i palodhur, i dashuruar me lulet, lulerritësi i qytetit tonë që tregonte kujdes për lulet si për fëmijët e tij, mirëmbajtësi i lulishtes së bukur në lagjen Murat Çelepias, qytetari Sabri…

Si prindi që i flet fëmijës së tij me urtësi dhe ngrohtësi edhe Sabriu më kishte thënë në fillim të ditës së parë kur unë kisha shkuar në lulishte: – Të lutem shumë, mos i këput ti lulet se i dëmton; sa herë që do vish këtu do të të bëjë unë dy buqeta me lule…

Ne vendasit njihemi me njëri tjetrin dhe, i miri Sabri sapo më shikonte mua në hyrrje të lulishtes, e kuptonte përse unë isha atje, menjëherë fillonte dhe zgjidhte lule të ndryshme dhe bënte dy buqeta. – Rahmet pastë mamaja juaj – më thoshte ndërsa zgjaste dorën dhe m’i jepte.

Zakonisht, unë shkoja në orët e mbasdites në varreza edhe për të vetmen arësye, sepse, i ndjeri babi im punonte prej më shumë se dyzet vitesh magazinier në rezervat e shtetit që ndodheshin pranë udhës automobilistike, pranë varrezave dhe unë nuk doja që të më shikonte babi kur shkoja atje.

E kush prind nuk e ndjen dhimbsurinë e fëmijës së tij për humbjen e nënës apo të babait?!

I miri babi ynë i mrekullueshëm, përveç dhimbjes së madhe që mbante për humbjen e bashkëshortes së tij, mamasë sonë, mbante edhe dhimbjen e tij për të na qetësuar dhe për të na qendruar afër neve në ato ditë, javë, muaj dhimbjeje.

Mbasdite e zakonshme ishte edhe ajo ditë kur unë me dy buqetat me lule në duar, shkrepëses dhe dy qirinjve isha duke ecur në varreza.

Pikërisht, përpara Rezervave të Shtetit, shoh, përballë meje po vinte një grua. Kur u afrua, e njoha, ishte zysh Neta Bushamahu.

– Ku po shkon? – më pyeti, sikur nuk e dinte, sikur nuk e kishte kuptuar se për ku po shkoja unë.

Nuk fola, nuk iu përgjigja, vetëm ula syt përdhe. Syt m’u mbushën me lot. Zemra po më rrihte fort, dhembja për humbjen e mamasë më trazoi që të mos përmbahesha. U shkreha në vaj duke qarë me ngashërim.

– Përkulu pak – më tha, – se ju jeni edhe shtatlart, je djalë i ri në moshë.

U përkula. Zysh Neta hapi krahët, më përqafoi, më tërhoqi më pranë vetes së saj dhe filloi të më puthë siç puth nëna evlatin e vet.

Ndjeva dy duar të ngrohta nëne që po më ledhatonin trupin.

– Mos qaj, shpirti im! Mos qaj shpirti i zyshes. Hajde të shkojmë bashkë në varreza. Unë që andje po vij, nga mësuesi juaj i dashur, nga Caci im. Nuk të lë mësuesja vetëm ty bir të shkosh në varreza; je djalë i ri në moshë dhe unë të kuptoj shumë mirë, sepse jam edhe vetë nënë dhe, po të këshilloj, ashtu siç do të këshillonte mamaja juaj, Athinaja e mrekullueshme: Nuk do vish asnjëherë vetëm në varreza. E mendon se, nga dhimbja, nga të qarat e tua mbi varr, larg qoftë të bie të fikët? Kush do të të ndihmojë. Shpirti im, shpirti i zysh Netës… – vazhdonte e mrekullueshmja zysh Neta ndërsa ne vazhdonim ecjen tonë drejt varrezës dhe unë ndjeja në krahun tim, krahun e saj; në dorën time ndjeja dorën, gishtërinjtë e saj që më ledhatonin me dashuri prindërore.

– Do bisedoj edhe unë vetë me babin tuaj, me Angjellarin, mos të të lërë të vish vetëm në varreza…

Me zërin e mekur dhe të dridhur, iu përgjigja menjëherë: – Jo, jo zysh Neta. Të lutem shumë, vetëm këtë mos e bëj, mos i thuaj babit edhe pse ai e di, e mendon që unë vij shpesh në varreza.

– Mirë xhan, nuk do t’i them babit, por, më premto, më jep fjalën, që nuk do vish më herë tjetër në varreza.

Varri i mësues Cacit ishte dhe është shumë pranë varrit të mamasë sime.

– Gjithmonë, kur don të shkosh në varreza, ktheu nga shtëpia ime e të shkojmë bashkë, por edhe nëse nuk vjen, jam unë këtu dhe, sa herë do vij në varreza do sjell unë lule, do ndez unë qiri edhe për mamanë tuaj edhe për gjyshen tuaj që ju ka rritur.

Edhe pse unë atë çast i premtova se nuk do vija vetëm në varreza, unë nuk e mbajta fjalën.

Edhe e mira zysh Neta, edhe pse më premtoi që nuk do t’i thoshte babit, meraku i saj prej nëne, sigurisht nuk e linte të qetë, ia kishte thënë babit.

Por, i miri babi ynë, nuk e dha veten, nuk më tha asgjë, por me taktin e tij prindëror më këshillonte shpesh që unë të mos shkoja vetëm në varreza.

E kisha si brengë brenda vetes sime këtë episod me të ndjerën zysh Neta Bushamahu, obligimi im moral dhe doja të shkruaja atë kujtim të paharuar të rinisë sime të pafat.

Edhe pse zysh Neta jeton, në mendjen time, në kujtesën time, përpara syve të mi unë shoh atë imazhin mësueses Neta Bushamahu siç e kam njohur ato vite të largëta të fëmijërisë, rinisë sime: zonjë fisnike, edukatore me kulturë të lartë qytetare, shëmbëlltyra e gruas intelektuale që rrezatonte mirësi, dashuri me të gjithë njerëzit e çdo lloj moshe…

Ne të gjithë tani jemi të rritur, kemi hyrë në moshën e tretë të jetës sonë, jemi shpërndarë anembanë globit duke ndërtuar jetën tonë, një pjesë e mirë e jona kanë edhe statusin e të qenurit gjysh, gjyshe, por, kurrë, asnjëherë nuk do t’i harrojmë mësues-it-et tanë të dashur e të respektuar; gjithmonë, përpara tyre edhe pse një pjesë e mirë e tyre nuk jetojnë, ne mbetemi përherë nxënësit e tyre.

J’u ndritë shpirti në parajsën qiellore zysh Nena, mësues Caci, prindërve tanë, gjyshërve tanë, gjithë ata të dashurit tanë që nuk i kemi më pranë dhe që i kujtojmë me shumë mall dhe dashuri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok