16/04/2024

Kujtimi i zërit të Vaçe Zelës dhe solidariteti

0

Nga Alfred Papuçiu

Shkas për këtë shkrim në këto ditë, u bë biseda ime e para disa kohëve, kur ajo jetonte midis nesh,  me artisten e paharruar të Popullit, Vaçe Zela që banonte në Bazel të Zvicrës, së bashku me bashkëshortin e saj fisnik, të ndjerin Pjetër Rodiqi dhe vajzën Irma, të cilët mbeten nga miqtë e mij më të mirë në Zvicër. Bisedova dhe me bashkëshortin e saj, Pjetrin, një njeri tepër i kulturuar, me të cilin shkëmbenim rregullisht mesazhe miqësore. Mendova se ndoshta një rast do të ishte që të mblidheshim jo vetëm në festën kombëtare, ku zakonisht ftohen diplomatë, por edhe në mbrëmje gazmore ku të kemi midis nesh, Vaçen Zelën, me zë flori, si edhe bashkëbesëlidhës shkrimtarë, piktorë, arkitektë, mësues, studente me « xhinsa » që nuk i honepste ndonjë ish diplomat, apo edhe me kostum, punëtorë të nderuar që për vite të tëra jetojnë në Zvicër. Dhe këto i realizuam sëbashku në Gjenevë pranë Universitetit Popullor Shqiptar, apo në Neushatel e gjetiu. Natyrisht shqiptarët shkojnë tek njeri tjetri dhe bisedojnë për hallet e tyre, e megjithëse janë larg, diskutojnë me dashamirësi edhe për vendin e tyre Shqipërinë, për të afërmit e tyre, për shokët e tyre. Ata i ndjekin rregullisht lajmet nga Shqipëria nëpërmjet televizionit, shtypit, internetit. Diaspora, megjithëse duket se nuk është e interesuar për hallet dhe shqetësimet e Kombit, ose shumica shohin dhe problemet e tyre, pasi deri diku ishin lënë në harresë pak kohë më parë, interesohen më tepër lidhur me shkollimin e fëmijëve, apo integrimin në shoqërinë zvicerane, ecurinë e mësimit shqip, librat shqip që marrin sidomos gjatë Panairit Vjetor të Librit në Palekspo të Gjenevës ; përsëri Diaspora i pret me gëzim të gjitha të rejat premtuese, lidhur me të ardhmen e afërt të Shqipërisë, të Kosovës, viseve dhe Maqedonisë së Veriut. Jemi 8000 shqiptarë vetëm në Gjenevë, afro 200.000 mijë në gjithë Zvicrën dhe çdonjeri, me një mundësi sado modeste, mund të japë një ndihmesë të vlefshme për vendin e tij mëmë, për vëllezërit dhe motrat, të afërmit, shokët atje, 2 orë larg me aeroplan, në Shqipëri, ku së shpejti do kemi dhe fluturimin e Easyjet Gjenevë Rinas dhe kthim, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi. Bashkë me ne janë edhe ata mijra miq zviceranë apo funksionarë ndërkombëtarë, miq tanë apo të bashkëbesëlidhësve, të cilët e duan dhe e respektojnë shqiptarin, për mikpritjen, mirënjohjen apo solidaritetin e tyre. Solidariteti nuk është vetëm një mendim, por edhe një veprim që transmetohet prej shekujsh nga një qënie njerëzore tek tjetra dhe që i bashkon të gjithë me nevojën që ndjejnë për njëri tjetrin. Apo edhe nga përgjegjësia që kanë për njëri tjetrin dhe nga forca që krijohet kur të gjithë sëbashku punojnë për të njëjtin qëllim. « Solidar » që vjen nga latinishtja « solidum » : « për të gjithën », nga « solidus » « i gjithi » në fjalorët enciklopedikë botërorë, ndër të tjera ka kuptim « ai që është apo e vlerëson tjetrin, apo një grup nëpërmjet përgjegjësisë së përbashkët, interesave të përbashkëta » ; apo « solidaritet » do të thotë ndër të tjera « vartësi e përbashkët midis njerëzve », « Ndjenjë që i shtyn njerëzit të merren vesh me njëri tjetrin »…Ai fshatari rropatet gjithë ditën duke kultivuar bimësinë e tokës së tij, por kur vjen koha e prodhimit, ai është i lumtur që i gjithë fshati e ndihmon për të mbledhur frytet e punës së tij. Ashtu si edhe ai shkon tek bashkëfshatari i tij, fqinji, për të mbledhur grurin, misrin, fasulet, pemët frutore, ullinjtë dhe të gjithë sëbashku pas të korrave, bisedojnë ashtu të çiltër, të pastër nga shpirti, para një gote rakije apo vere, duke festuar dhe gëzuar për ditë më të lumtura. Pata fatin të qëndroja disa ditë me bashkëshorten, tek Hotel Kamomil tek Shkëmbi i Kavajës, një biznes familiar që për mendimin tim duhet stimuluar, si edhe ai i mikut tim Isuf Ferra, apo i Ganiut simpatik dhe i përkushtuar nga Camëria, i Erlindit në Inn Hotel që pret shumë miq edhe nga Zvicra, i Indritit tek GT Grand, i Sofra e Prizrenit, e Tetoves, Adriatik 2, Bleart dhe pista ku kërcejnë çdo natë pushuesit e shumtë, e shumë të tjerëve. Hasani Barmeta, Raimonda, Roel Zoga, Jorida, Endriti, Andoni, Isla, Albano, Hazizi, Marsela dhe gjithë ekipi janë si një trup i vetëm për tu shërbyer turistëve nga Zvicra, Hungaria,Spanja, Gjermania, Belgjika, Hollanda, Suedia, SHBA, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina etj.,në mjedisin familjar me ushqimet e freskëta, përfshirë mëngjezi dhe darka e pasur në çmimin ditor, plus parkimi, çadra dhe shezlonget. Hasani i përkushtuar, “patriarku” i familjes, megjithëse ja ka lënë biznesin vajzës, dhëndrit dhe të shoqes jeton dhe punon si drejtues i “familjes së madhe”, duke ju përgjigjur 24 orë kërkesave të vizitorëve të huaj. Kam qënë në shumë vende të botës dhe pa ngurim e krahasoj hotelin “Kamomil” për dhomat moderne, me televizor, kondicioner, me banjo të kohës, me ato më të mirat, si në krahasim me çmimin shumë konkurrues, ashtu edhe për përkushtimin dhe seriozitetin e personelit simpatik dhe të formuar që vjen kryesisht nga trevat e prindërve të mij, nga Fieri.

Nuk mund të shpreh të njëjtim mendim për disa ndërtues që nuk përbëjnë fatmirësisht shumicën dhe ata që relizojnë punimet në apartamentet që shumë bashkëkombas vendas apo nga diaspora dëshirojnë të kenë për fëmijët e tyre. Ka nga ata që tërhiqen si rezultat i vonesës në realizimin e kontratës me një ndërtues, i cili merr përsipër shumë punime në jug, veri apo në qendër të Shqipërisë, duke mos i kryer ato si duhet, si nga ana estetike, apo edhe duke lënë në dorë të dikujt që e bën punën shkel e shko në lyerje, suvatim, izolim, në punimet hidraulike që rrisin pambarim shpenzimet e kontraktuesit. Një i njohuri im kishte ardhur nga larg dhe kishte nënshkruar një kontratë me një ndërtues por edhe pas gjashtë muaj të nënshkrimit të saj, ai nuk e gjeti të realizuar, duke humbur pushimet vjetore dhe duke dëgjuar sharjet dhe ofendimet e ndërtuesit brutal që fliste diku larg nga Saranda apo nuk e di prej ku dhe i thoshte se ka shumë ndërtime për të bërë etj etj. I njohuri im me te drejtë u revoltua dhe u shpreh se mua nuk më duhet nëse iksi ka shumë ndërtime, ai duhet të jetë i sinqertë dhe të ketë mirësinë të zbatojë kontratën, pasi unë po derdh kursimet e nje jete, për tu lënë fëmijëve nje pronë që të vijnë herë pas here te shohin tokën e prindërve të tyre. Mendoj sinqerisht se në këtë drejtim duhet të ketë më tepër impenjim nga ana e drejtuesve të shtetit, apo parlamentarëve dhe më pak ndërhyrje nga ata që *u shkojnë për hosh* apo janë të lidhur me disa ndërtues që e quajnë vehten të “paprekur”. Këtu duhet të ndikojë edhe solidariteti midis bashkëkombasve dhe jo vetëm të bëjnë sehir përballë veseve të shëmtuara që duhet të çrrenjosen nga shoqëria jonë që aspiron të hyjë një ditë në Europën e Brukselit.

Të jesh vetëm, apo të mendosh se gjithçka do ta kryesh me « forcat e tua », në një botë shekullore të ndërvarur, me të vërtetë është diçka dëshpëruese. Të bashkohesh, të kesh solidaritet, të jesh njëzetë, njëqind, njëmijë, në vend të një njeriu do të thotë se « bashkimi bën fuqinë », siç na e kanë lënë amanet të parët tanë. Të jenë njëzetë mendje të ndritura, që të vendosin për një qëllim për fatet e Atdheut, të Kombit, për përkatësinë e saj në Europë, apo për lidhjet me botën e qytetëruar, është më mirë për ata bashkëbesëlidhës që na japin bukën e gojës, për ata bukëpjekës, për ata blegtorë, për ata ndërtimtarë, që të punojnë të qetë për ne, për ata shkrimtarë, gazetarë, projektuesë, arkitektë, mjekë, arsimtarë. Natën kur ai bariu atje lart në kullota ndez kandilin e tij, për t’i dhënë ndriçim dhomës, ku kalon një pjese të natës deri në agim, ndoshta mendon me të drejtë se ajo dritë që i vjen, ka ardhur jo vetëm nga Diogjeni, por është dashur mendja e mijra duar njerëzish, deri sa ai ka dritë, që mund të lexojë apo edhe të shkruajë diçka. Çfarë mund të bëjë vetëm ai Flamuri, bashkëkombas në Gjenevë, pa vëllezërit e një gjaku, pa fëmijët e tij që pas kryerjes së mësimeve e ndihmojnë në atë restorantin e tij, ku është në mur edhe Flamuri Kombëtar, por edhe dëgjohen këngët e bukura burimore shqiptare. Janë ndërmarrë disa projekte kohët e fundit, janë shtuar edhe ecejaket e domosdoshme, për të sjellë investitorë të huaj apo edhe shqiptarë në Shqipëri. Këto janë hapa shumë të nevojshme që do japin frytet e tyre, nëse ndiqen me kujdes dhe u jepet prioritet. Më tregonte im at i ndjerë, Tuni, se të jatit, (i cili i kishte dhënë lagjes ku kishte ndërtuar shtëpinë me qerpiç, emrin « Liri », pas Pavarësisë), i duhej që përveç zanatit të këpucarit, të bënte edhe një punë tjetër, për të mbajtur me bukë 5 vajzat dhe ta çonte në shkollë më të lartë djalin e vetëm. Por këtë e arriti nga solidariteti dhe ndihma e bashkëlidhësave të tij, e miqve, por edhe e prefektit nga Kosova, Tafil Boletinit, që i dha leje të hapte një dyqan të vogël…Të më falin lexuesit se ndoshta u duket disave një shembull « i rëndomtë », që dihet. Shihni bletët: ato bashkohen me qindra për të banuar në të njëjtën koshere. E vetme një bletë nuk do t’ia arrinte kurrë të prodhonte atë mjaltin e duhur për shëndetin tonë, sepse nuk mund t’i kryejë të gjitha « zanatet » vetëm. Çdo bletë vetëm nuk mund të prodhojë dyllin, por ato që e dijnë ta prodhojnë atë, ndërtojnë qelizat që përbëjnë hojet…Shihni milingonat: ato bëhen njësh me qindra për të krijuar strehën e tyre, duke mbledhur gjithçka rreth vetes. Nga jashtë nuk duket gjë por atje në galeri ato punojnë…

E njëjta gjë është edhe me njerëzit. Jo të gjithë bëjnë të njëjtën gjë, por të gjithë bëjnë diçka për njëri tjetrin. Ka nga ata që thyejnë gurët dhe muratorët i vendosin ato dhe na japin shtëpi të bukura, të skicuara nga dora e artë e arkitektit. Ka nga ata që mbjellin e korrin grurin dhe bukëpjekësi na jep atë bukën e ngrohtë që del nga furra e tij. Jo më kot, profesoresha zvicerane Francine Koch, e ka përmendur në kujtimet e saj të udhëtimit me titull « Fëmija shqiptar me sy të zinj » (Toena), përkthyer në shqip, atë bukëpjekësin tek rruga e Elbasanit që i jepte çdo mëngjez atë bukën e ngrohtë « kruasan » (croissant), si në Zvicër. Ka nga ata që mësojnë dhe nga ata që japin mësim apo në mëngjez, pas punës së lodhshme të gazetarëve, na servirin gazetën ku mësojmë diçka të mirë, të bukur, për solidaritetin, për marrëdhëniet me fqinjin e mirë apo edhe atë që është atje larg në Amerikë, apo edhe për lidhjet me Brukselin, Moskën, Berlinin, Romën, Bernën, Londrën, Ankaranë, Athinën. Të tjerë kujdesen për shëndetin tonë, krijojnë « Hipokratin », krijojnë lidhje të mira me kolegë e profesorë të dëgjuar në botë në Romë, Nikozi, Filadelfia, Paris, SHBA, me Federatën Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), me « Cooley’s Anemia Foundation » në Nju Jork, me Shoqatën e Talasemikëve në Francë,  për hapat e reja në mjekimin e Talasemisë, kësaj sëmundje gjenetike, e përhapur jo vetëm në Shqipëri, por edhe tek fqinjët tanë grekë, italianë, apo edhe tek francezët, arabët, e deri në Amerikë e Kanada, si rezultat i emigracionit.

Lexova para disa kohësh me interes shkrimin e profesorit të nderuar, të ndjerit Alfred Uçi me titull « Një kujdes human për ata që s’i kemi e që i kemi… ». Ai përmend ndër të tjera, përvojën e pasur të mendimtarëve shqiptarë, si Aleks Buda, Eqerem Çabej, Mahir Domi, Skënder Luarasi, botimin e kujtimeve të Akademikut, profesorit tonë të fjalorëve Vedat Kokonës, mjeshtrit të letërsisë Nonda Bulka, shkrimet e bukura të Akademikut te nderuar Bedri Dedja që na ka lënë shumë vepra ndër të tjera « Nëpër ravat e jetës », por edhe « Rrëfenjat e Zvicrës », një varg veprash tepër të ndjera të Petro Markos apo edhe për gjithë trashëgiminë kulturore dhe shkencore të shkrimtarëve dhe shkencëtarëve të Kosovës, Maqedonisë, Arbëreshëve, Arvanitasve, Arbanasve dhe të diasporës në përgjithësi. Gjithçka që ata kanë shkruar apo kanë lënë si trashëgimi është si rrjedhojë e ndihmës së madhe që kanë patur edhe nga bashkëkombasit, kolegët e tyre, por edhe nga gjuhëtarët, albanologët, shkencëtarët e huaj. Heminguei ka lënë një vepër madhore për gjithë brezat, sa të jetë jeta në tokë, pasi ka mbledhur dhe qëmtuar karaktere apo ka shkëmbyer mendime me bashkëpatriotët, apo edhe nga udhëtimet e tij. Inva Mula na dha dokumentarin e bukur për jetën artistike në Shqipëri, për shqiptarët, duke patur ndihmën e çmuar të kineastëve dhe realizuesve miq francezë. Ai diplomati shqiptar Ksenofon Krisafi, dikur, nuk do mund të realizonte atë ekspozitë pikturash të Leda Albanezes në Pallatin e Kombeve, pa patur ndihmën e funksionarëve të lartë të OKB-së, të Zvicrës apo edhe të bashkëkombasve. Ato disqe me muzikë popullore shqiptare nuk do ishin realizuar nga ana e muzikologut zviceran 80-të vjeçar Marcel Cellier, pa solidaritetin dhe ndihmesën e çmuar të muzikologëve dhe artistëve të folklorit shqiptar, për të cilët ai shprehjet në bisedat tona gjithmonë mirënjohës. Më kujtohen gjithmonë fjalët e tij shumë poetike : « Artistët kanë ardhur nga disa fshatra dhe lugina të largëta, në mënyrë të çuditshme me dhunti, solidarë, për të na shfaqur diçka me origjinalitet të habitshëm… ». « Të gjithë ngrinin shëndet me të gjithë, me konjak « Skënderbej » për miqësinë me Shqipërinë . Ato vepra të shkrimtarëve tanë të shquar, nuk do të dilnin në dritë në gjuhë të huaj pa dorën mjeshtërore të Isuf Vrionit, Edmond Tupjes, Edi Papavramit e gjithë përkthyesve shqiptarë apo të huaj dhe pa ndihmën e çmuar të botuesve dhe shkrimtarëve, francezë, britanikë, amerikanë, gjermanë. Ai zvicerani, profesor doktor Basil Shader, doktor i Universiteteve të Zyrikut dhe të Tiranës, profesor në shkollën e Lartë Pedagogjike të Zyrihut, mik dhe adhurues i kulturës dhe i gjuhës shqipe, njohës i thellë i saj dhe shqipfolës dhe i gjuhës së shkruar (ruaj si gjë të rallë letrën e tij të shkruar së fundi në shqip), është angazhuar që prej vitesh në projekte mësimore, bamirëse dhe shkencore të ndryshme, në lidhje me shqiptarët brenda dhe jashtë Atdheut, pikërisht duke patur mbështetjen e profesor Gjovalin Shkurtaj apo edhe solidaritetin e shqiptarëve të thjeshtë në Shqipëri e Kosovë, me të cilët ai është ulur shpesh herë në sofrën e tyre. Siç shprehet prof. Gjovalin Shkurtaj për veprën e profesorit të shquar zviceran « nën ndikimin e Basilit edhe e shoqja e tij do të bëhet shpejt një dashamirëse dhe ndihmëstare e palodhur e diasporës shqiptare në Zvicër, si dhe do të ndihmojë me përkushtim në gjetjen e fondeve dhe ndihmave për rindërtimin e pajisjen e shkollave shqiptare të rrethit të Lezhës, sidomos të komunës së Balldrenit ». A ka krenari më të madhe që të jesh shqiptar kur lexon shkrimet e shkruara me dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët mikpritës, bujarë, solidarë, mirënjohës nga ana e Lord Bajronit, Robert d’Angely e qindra të tjerë…A ka kuptim më të bukur jeta e profesorit Astrit Leka, mbi 90-të vjeçar që prej vitesh është kthyer në mbrojtës i flaktë i vënies së figurës së Skënderbeut tonë jo vetëm në qytetet e Europës, si në Zvicër, por edhe në Nju Jork. Në sajë të ndihmesës së tij të çmueshme, Skënderbeu shihet dhe vizitohet në Gjenevë, ku busti i tij është vendosur në Parkun e Madh buzë Liqenit Leman, pranë Organizatës Ndërkombëtare të Tregtisë. Ai funksionari ndërkombëtar shqiptar nuk do të mund të krijonte mundësinë e pjesëmarrjes së bashkëkombasve të tij në fushën e energjisë, të tregtisë, të transportit, të burimeve njerëzore, të së drejtës ndërkombëtare, pa patur mbështetjen dhe solidaritetin e kolegëve të tij, funksionarë ndërkombëtarë nga kombe miq të Shqipërisë dhe pa shprehur mirënjohjen ndaj tyre. Qeveritë shqiptare të tranzicionit nuk do mund të përparonin në ecurinë e reformave, pa patur mbështetjen jo vetëm të vendeve fqinje, të Europës, SHBA-s, por edhe të Kombeve të Bashkuara dhe organizmave donatore që e përbëjnë atë, si PNUD-i. Prandaj edhe shkëmbimi i kohëve të fundit me to, duhet përgëzuar nga gjithë shqiptarët të çfarëdo ngjyre politike qofshin. Bashkëpunimi me NATO-n, me SHBA, me Europën, me organizmat e OKB-së, me Kinën, vendet arabe, Amerikën Latine, nismat rajonale etj., hapin rrugë për investime të reja fitimprurëse për të dy palët. Ato ndihmojnë në ecurinë e projekteve dypalëshe dhe shumpalëshe në fushën e së drejtës, të institucioneve demokratike në përgjithësi, të ekonomisë, kulturës, artit në Shqipëri. Por këtu nuk i bëjmë mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke mos qënë solidarë për çështjen kombëtare, duke nxitur bashkëbiseduesit tanë, apo edhe ata që hapur apo edhe në mënyrë të fshehur, nuk na e kanë dashur të mirën ne shqiptarëve. Integrimi në Europë nuk mund të arrihet pa u bërë njësh forcat politike në vend, duke argumentuar çdonjeri qëndrimet e tyre, pa mllefe. Cdo vend ka parlamentarë të krahut të djathtë, të qendrës dhe të majtë. Nuk e teproj po të shprehem se Zvicra historikisht njihet si vend « etalon » për unison për çështjen kombëtare, për marrëdhëniet me Kombet e Bashkuara, me Europën, pa qënë anëtare e BE-së,  me fqinjët e saj. Po ashtu edhe SHBA, Britania e Madhe, apo Gjermania. Apo Gjeneva, një qytet ndërkombëtar, i qetë dhe i begatë, një qytet i turizmit, i bankave, dhe banorët autoktonë të Gjenevës që kanë pranuar në gjirin e tyre mijëra të huaj të kombeve të ndryshëm që punojnë dhe jetojnë aty në harmoni, solidarë, pavarësisht nga grupimet politike që përfaqësojnë apo feja dhe kultura e tyre.

Përsëri mendova se shkrime të tilla si ai i profesor Alfred Uçit, na duhen tanimë në gazetat tona të pavarura, apo edhe në ato që përfaqësojnë një grupim të majtë, të qendrës, apo të djathtë, një shoqatë mbarëkombëtare, apo edhe lokale. U lodhën shqiptarët në Shqipëri dhe në diasporë, duke lexuar shkrime dhe faqe pafund të gazetave me vrasje, krime, prostitucion, vandalizma, fenomene këto që njihen prej dhjetra dekadash në vendet e qytetëruara. Por shtypi i këtyre vendeve nuk u jep vend këtyre fenomeneve, pasi e di se lexuesi, pas punës së lodhshme, kërkon edhe të argëtohet, apo edhe të lexojë në gazetë shkrime për fenomene të gëzueshme, për një shfaqje të bukur, për një film apo libër të arrirë, për zakonet e bukura të mikpritjes, bujarisë, solidaritetit, mirënjohjes… Enkas kam shkuar nganjëherë kur kam patur më tepër kohë dhe kam dashur të çlodhem pak dhe të marr pjesë në biseda midis shqiptarësh edhe në restorante, të hapur nga shqiptarët në Gjenevë, si ai i dikurshëm « Cajupi », në një nga mjediset e Universitetit Popullor Shqiptar. Përveç bibliotekës së pasur që ndodhej rreth restorantit « Çajupi », nuk shihje më tym duhani, ose njerëz që diskutojnë për « politikën e madhe » që ata dijnë për fatet e Shqipërisë apo Kosovës. Shihje të rinj shqiptarë, me shokë të tyre zviceranë dhe të kombeve të tjerë që diskutonin miqësisht ; shihje bashkëatdhetarë që flasin para auditorit për veprat e tyre apo zviceranë profesorë, shkrimtarë, sociologë që shprehin mirënjohjen e tyre për mikpritjen që u është bërë gjatë vizitave të tyre në Shqipëri apo Kosovë. Këtë mirënjohje ata e afishojnë edhe në veprat e tyre. Sa prekëse ishte shfaqja e të rinjve shqiptarë tek « Novotel » i Gjenevës. Të gjithë solidarë, nga Shqipëria dhe Kosova, apo edhe nga Zvicra e kombe të tjerë uruan që shfaqje të tilla të jenë më të shpeshta, si edhe ato të realizuara nga Edlira Dedja, në Nëshatel, nga « Opera pa kufi », me pjesëmarrjen e artistëve tanë me famë botërore si Inva Mula, Saimir Pirgu, Ermonela Jaho, me nipin e Skëndebeut nga Italia, por edhe me artistë të kombeve të tjerë.

Fatet e Shqipërisë mund të mbrohen nga të gjithë shqiptarët kudo ku janë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare ose politike, si dhe nga miqtë e tyre solidarë kudo në botë. Ne na bëhet zemra mal kur kujtojmë Shqipërinë tonë, të një populli që ka pasur nënë Terezën si bashkëatdhetare ose Skënderbeun, si udhëheqës për më tepër se dy dekada. Të respektosh dhe të duash vendin tënd, të punosh me devotshmëri për të, kudo që je: të jesh solidar, është një shënjë dinjiteti dhe emancipimi. Në këto çaste personalisht mendoj se duhet flakur fryma e klaneve që përçohet edhe në diasporë, sidomos në Europë, e futjes së pykave midis bashkëbeslidhësave kudo që janë, e shpërndarjes së fletushkave nga ana e njerëzve dështakë dhe arrivistë që vegjetojnë akoma edhe pak dhe enden akoma nëpër rrugët e Europës apo botës. Ata nuk i shërbejnë frymës së kohezionit, të dashurisë për njeri tjetrin, ata i shërbejnë kthimit të një kohe të kaluar. Do të ishte me mend që ata « qoftëlarg »,  të kujtojnë se jetojnë në vende si Zvicra, Franca, Austria, Gjermania, Anglia, SHBA edhe gjetiu, ku bashkëjetojnë me  popujt e këtyre vendeve shumë përfaqësuesë nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligje. A nuk duhet të marrim shembull nga shumë popuj të vendeve të tjera që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për të punuar dhe jetuar edhe në një shtet tjetër qoftë edhe për disa vite, dhe që e duan njeri tjetrin, bashkëatdhetarin e tyre, e ndihmojnë shoku-shokun dhe me sa kanë mundësi japin ndihmesën e tyre për shtetin e tyre amë. Edhe nëse ndokush mendon se nuk mund të bëjë asgjë për bashkëkombasit, pasi nuk është shkencëtar, as shkrimtar, as artist gjenial, as njeri me shkollë të madhe, por mendon vetëm për konfortin personal. Ai duhet të mendohet të vetëaftësojë karakterin e tij dhe të ketë një « zemër më të madhe », në mënyrë që të lajë borxhin që ka ndaj njerëzve të njohur ose të panjohur, që duke e ditur apo edhe pa e ditur, punojnë edhe për të, ditëpërditë. Të jesh solidar do të thotë edhe të mendosh për të tjerët, do të thotë të japësh, të ndash, të ndihmosh. Por kjo do të arrihet nëse krijohet një frymë solidariteti apo mbështetje nga të gjithë ata që e ndjejnë se edhe diaspora shqiptare kudo që është, të afrohet dhe të bëhet e ndërgjegjëshme për fatet e një kombi të lashtë dhe që nuk mund të zhduket kurrë me gjithë anatemat apo pykat e ndonjë keqdashësi të kohëve moderne. Shoqëria moderne shqiptare duhet të karakterizohet nga vullneti për të realizuar mirëqënien materiale për të gjithë, -qofshin këta parlamentarë apo punëtorë, bujq, profesorë, artistë apo biznesmenë,- kohezionin shoqëror dhe demokracinë perendimore. Çdonjeri duhet të veprojë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, jo vetëm që të mund t’u bëjmë ballë bashkërisht problemeve shumë shqetësuese të aktualitetit, por gjithashtu për të bërë detyrën ndaj brezave të ardhshëm, për të mos u lënë atyre probleme të vështira për t’u zgjidhur, për shkak të akumulimit të gabimeve të së kaluarës.

Ky meditim personal përçohet i tëri nga mbresat e mia të sinqerta jetësore, nga dashuria dhe malli për Atdheun, nga synimi për t’u sjellë si një shqiptar i thjeshtë një mesazh human.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok