Kulla zëmadhe  e bajraktarëve të Grudës, fole heronjsh e heroinash

Nga Gjekë Gjonaj

Në qendër të fshatit Kshevë jo shumë larg Tuzit qëndron  krenare, por e vetmuar,  kulla  zëmadhe e   bajraktarëve të Grudës. Kulla  është  mjaft  e vjetër. Gjenezën e ka  të hershme ,që  në shekullin XVIII-të. Ajo është ndërtuar  prej guri të papërpunuar, të gdhendur dhe të latuar,  të ngjeshur me  gëlqere e rërë  vendi që janë nxjerrë në Qafë të  Blinit në Kshevë  nga duart e arta të  mjeshtërve më të njohur vendas të asaj kohë. Kjo shtëpi fortifikuese dykatëshe ka oborrin në dy nivele me një portë  të ndërtuar prej guri të zbukuruar, ku është e vendosur dera hyrëse prej druri dykapakëshe në madhësi prej 2.70 metër, e mbuluar me tjegulla.

Kjo shtëpi tradicionale banimi   është e gjatë 10 metra,  e gjerë 6.5 metër , kurse e lartë 7.20 metra. Ka katër dritare. Tri prej tyre pothuaj  kanë të njëjtën madhësi,    kurse tjetra është më e vogël. Përjashta ka shkallët prej guri. Pjesa përdhese nën ahur (ahër) ka shërbyer për  mbajtjen e bagëtive. Kati i parë është një   tërësi e përbashkët, ku gjendet dhoma e ditës dhe kuzhina. Aty sipas traditës   është  votra në sipërfaqe prej 12 metër katrorë.   Ajo është  shtruar me rrasa guri vendas. Përballë  saj  është  oxhaku tardicional në formë gjysmë harku i punuar me qemer guri. Në katin e dytë nën pullazë të  kullës ndodhet dhoma  (oda) e burrave . Kjo dhomë  pas arrestimit të Smajl Martinit  mbante emrin  e Tringës.

Brenda mureve të kësaj kullë  u mbajtën  shumë   tubime dhe u zhvilluan  biseda  të ndryshme  me krerët më të shquar shqiptarë të kohës. Në këtë shtëpi fisnike, bujare dhe kreshnike  u fol për shumë ngjarje të lavdishme  dhe u sollën vëndime të rëndësishme historike. Aty bujtën dhe ishin miq  personalitete të shquara  të kombit shqiptar.

Sot kur hynë në këtë monument me  vlera kombëtare të  renovuar nga pinjollët e kësaj familje ,  vëllezërit Gjelosh dhe Gjeto Ivezaj në vitin 2016, ke çfarë të shohësh. Nën tavan, në mur qëndrojnë të varura  fografitë –  portrete të  vizatuara me laps të   Smajl Martinit, bijës së tij Tringës dhe  Dedë Nikës,  nga piktori kosovar  Albin Elezkurtaj, i cili jeton në Slloveni. Përveç këtyre aty ndodhen edhe disa fotografi të tjera , Flamuri Kombëtar, dekorata   dhe mirënjohja   me rastin e   100  – vjetorit të   çlirimit të Shkupit dhe pavarësisë së Shtetit Shqiptar dhe Flamurit Kombëtar   dhënë Robert Ivezaj , anëtarit të familjes së Tringë Smajles, dekorata e Smajl Martinit  ( pas vdekjes) nga Presiedenca e Shqipërisë me titullin “ Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, e cila iu nda me rastin e 110-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë  dhe   një shkrim   në anglisht nga Nju-Jork Tajmsi.  Hijeshi  e vlerë të posaçme   kullës i japin edhe eksponatet  e vjetra  ( orenditë shtëpiake)   rreth votrës, 5 stola  me tri këmbë, tri karriga të vjetra afro 100 vjeçare, vargonjtë me kusi, mashicat për zjarr, buljera  e dikurshme  shumë e vjetër në sqoll,  ibriku  për ujë në mur , i cili  ka shërbyer për larjen e duarëve, qypi i vogël prej dheu dhe  tavolina njëshekullore. Këtu ruhet me dashuri e kujdes  edhe një lahutë 35 vjeçare, një çifteli 40 vjeçare, dy thika pushkësh ( hanxharë) dhe   arka e nusnisë  së bashkëshortes së Gjokë Dedës – Gjystes e punuar prej druri  me zbukurime.  Këtu ruhen edhe   dy kandila  vajguri ( bishtukë) , dy lëkura delesh (posta),  që kanë shërbyer  për ndeja   dhe dueqit e kalit të shalës.

Kulla ka  oborrin e saj në dy nivele dhe portën. Dera e hyrjes dykapakëshe prej druri, e  gjërë 2. 70 metër është e mbuluar me tjegulla.  Në krahun e majtë të hyrjes në oborr ndodhet pllaka përkujtimore e Smajl Martinit.   Afro 15 metra larg kullës  janë  varrezat familjare të bajraktarëve të Grudës  në mesin e të cilave  edhe varri i Tringës. Ajo e  ka lënë amanet që në  varrin e saj  mos të varroset  askush tjetër. Porosia e saj ruhet edhe sot dhe  do të ruhet  edhe në të ardhmen.  Thuhet  se ushtria serbe e  ka  dëmtuar  qëllimisht varrin e  Tringës ,  me ç’rast është  thyer kryqi dhe është   plasur  rrasa e varrit.  Varrin e saj e ka renovuar anëtari i kësaj familje Gjelosh Ivezaj, punonjës shumëvjeçar i dalluar  i arsimit shqip në Malësi.

Kulla e bajraktarëve të Grudës ka një histori të madhe dhe të lavdishme, prandaj  mund të quhet me të drejtë edhe historike. Në këtë votër heroike janë lindur dhe janë rritur  në vazhdimësi , në frymëne e traditës shqiptare   burra të mëdhenj, patriotë e liridashës, trima e trimëresha,  si   vëllezërit Preç e Bac Vuksani Ivezaj (  princat e Grudës) , të cilët  u vunë nën mbrojtjen e Kalasë  së Rozafatit, në Shkodër, pastaj Smajl Martini, njëri ndër luftëtarët më të mëdhenj që pati Malësia , prijës dhe trim i vendosur në luftërat e  njohura në Shkodër, Vraninë e Shipshanik, në Deçiq e Bukovik, në Plavë e Guci, në Pejë si dhe në betejën (kryengritjen) e përgjakshme në tokat e Maqedonisë kundër Sadri Agë Pashës , sikur edhe Dedë Nika,   Zef Martini e  të tjerë.  E kësaj derë është edhe vajza e Smajl Martinit,  Tringa e njohur si Tringa e Grudës, e cila krah për krah me  burra luftoi me armë në dorë për të çliriuar trojet tona shqiptare.

Të gjithë  këta burra të mëdhenjë malësorë dhe kjo heroinë shqiptare u ushqyen nga prindërit e tyre fisnik me dashurinë  për tokat shqiptare.   Këta fatosa të lirisë gjatë gjithë jetës së tyre vepruan për çështjen kombëtare  dhe ishin në shërbim të atdheut dhe flamurit të shenjtë kombëtar. Ata drejtuan  shumë forca shqiptare  fitimtare  në beteja të përgjakshme  në mbrojtje  të trojeve  etnike shqiptare  në luftë kundër osmanëve dhe malazezëve për të çliruar tokat tona shqiptare. Pasardhësit e kësaj derë, të njohur për trimëri e atdhetari,  me zjarrin e pushkës  në luftrat për liri  dhe pavarësi të shqiptarëve  dhe me gjakun e tyre të derdhur për atdhe shkruan historinë e lavdishme  të krahinës së vet dhe të Shqipërisë. Veprat heroike të këtyre fatosave të lirisë frymëzuan shumë rapsodë popullorë, poetë, studiues, e historianë të njohur vendas dhe të huaj.

Kjo  çerdhe apo fole heronjsh e heroinash është djegur tri herë nga forcat ushtarake turke. Megjithatë ajo i mbijetoi këtyre kohërave të errëta, sikurse  edhe tërmeteve  gjatë kësaj periudhe kohore.

Gjithësesi duhet thënë se me këtë kullë dhe me këtë  familje bajraktarësh  krenohet jo vetëm Malësia, por e gjithë shqiptaria, sepse ajo nderon kombin shqiptar.   Vlerat e saj e kemi për detyrë  t’i nderojmë dhe t’i repektojmë përherë e mot.

Roli i kësaj kullë, sikurse edhe i të tjerave  në Malësi, është  jashtëzakonisht  i madh. Si pjesë e trashëgimisë së mirëfilltë arbërore  dhe si simbol i traditave të banorëve të Malësisë  do të ishte mirë  që  ato të kenë një përkujdesje  institucionale. Të evidentohen, të riparohen dhe  të vihen sa më parë  në ndispozicion të popullsisë së vet, por gjithashtu të bëhen të dukshme   edhe për vizitorët e huaj si dëshmi  e kësaj trashëgimie të paktë kulturore   dhe e njërit prej popujve më të vjetër të Evropës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube