KUNDËRMASA: PANDEMIA DHE DALJA NGA IZOLIMI

(Kundrime)

Nga Prend BUZHALA

Apo thyhet rutina e jetës në izolim dhe e situatës në të cilën ende gjendemi?

Vërehet: jeta e përparshme, e përditshme, është përmbysur e shembur në masë të madhe. Ishte rrëqethëse të dëgjoje për çdo ditë: se si mijëra veta vdesin nga koronavirusi nëpër Evropë e SHBA. Nga disa masakra ndiodhnin brenda një dite…

Ishte një përvojë globale, kolektive, jashtëzakonisht sfiduese për jetën tonë. Gjithçka u vu në veprim: masat parandaluese, masat e vetizolimit, distanca sociale, kufizimit të lëvizjes. Nuk munguan kontaktet po edhe komunikimet e mjekëve, psikologëve e fushave tjera të përkujdesjes sociale, për ta shmangur ankthin, si dhe pasojat; po komunikimi qytetar përmes distancës, mjeteve audio-vizuale, telekonsultimeve, etj etj.

1.

Po ashtu, ndodhi (dhe ende janë në veprim): shkolla në shtëpi, puna nga shtëpia. Nga ana tjetër, flitet me të madhe për një plagë tjetër: humbja e vendeve të punës. Rutina e jetës ndoqi të vetën. Përballi mi e izolim e vetizolim, përballimi me karantinë, shihet si një sfidë e kaluar me sukses.

Mbyllja e mjediseve vitale, si shkollave, restoranteve, kafeneve, fakulteteve, mjediseve të tjera ku gjallon jeta, e ka bërë të vetën.

Gjithandej humbja e kontrollit dhe e pasigurisë ndodhi, duke u shtuar kjo edhe si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme politike. E natyrshme është që të ketë jo pak njerëz që ndiejnë nervozizëm të vazhdueshëm, shqetësime, reagime të natyrës negative qoftë edhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore apo dhe familjare.

Atëherë dyshimet vijnë varg e vistër, shfaqen konspiracione për komplot botëror, konspiracione për konflikt korporatash me politikën botërore për dominim për ta kontrolluar globin, konflikt të organizatave shëndetësore botërore me shtetin amerikan… e deri te ajo se mos “jashtëtokësorët” janë ata që po luajnë me ne?

Kush qenka ajo “mendje gjeniale” që na e ndryshoi mënyrën e jetesës?

Madje kjo “mendje” nuk heziton të na thotë: mendoni njëherë cilat janë të mirat ndodhën: ajri i pastër, mjedisi po pastrohet… afria me familjen, solidariteti i brendshëm, krijimi i botës edhe brenda katër mureve, qetësia kundruall zhurmës urbane.

2.

Njeriu e ka të zorshme edhe ta vlerësojë situatën: çka është normale e çka jo edhe te vetvetja, edhe te fëmijët? Brenda katër muresh ti punon, gatuan, zien, luan, lexon, ushtrohesh brenda mureve, sa të mundesh iku informacioneve infektuese, iku edhe pijes.

Më shumë vepronte bota virtuale, se ajo e vërtetë.

Njerëzit që janë mësuar të lëvizin, të ecin, të udhëtojnë, ndiejnë një humbje të energjisë e të forcës fizike, një sfilitje fizike. Jo pak të tjerë jepen pas përdorimit të tepruar të ilaçeve.

Në terren punë iu doli policisë e mjekësisë. Tregtarëve (për sigurimin e ushqimit) dhe farmacive.

Porse, edhe brenda mureve ishte edhe më keq: duke i shikuar televizionet, portalet apo rrjetet sociale, bezdia shtohej përmes lajmit negativ, shkrimit e paraqitjeve histerike, sidomos të jetës politike…

Dhe të gjitha këto, a nuk i regjistron truri ynë?

Frikë e mbingarkuar.

Por, në këso rastesh, sigurisht që nuk kanë munguar përpjekjet për ta inkurajuar shpresën dhe optimizmin për përfundimin e së keqes, por edhe për kujdesin që duhet të kemi.

Kjo pandemi, në të gjitha sferat e saj, u mor si kërcënim tejet serioz për jetën: sidomos informacioni rrëqethës për mijëra të vdekur brenda një dite në Evropë e SHBA e që janë vendet më të zhvilluara. “A mos po na godet edhe ne njësoj? E ne, që nuk e kemi atë zhvillim, si do ta përballojmë?”

Ishte vetmia një tjetër kërcënim, si SËMUNDJE E VETMISË (aq e përhapur në perëndim, sidomos te pleqtë) që goditi njerëzit në shëndetin mendor.

Nëse ky virus, te individi, zgjat dy javë, sa mund të zgjasë lëndimi mental?

Janë dëgjuar rrëfime nga njerëzit se si vuajnë nga stresi, pagjumësia, pasiguria, nga ankthi i shtuar.

Madje, për të qenë e keqja më e madhe, assesi, si shoqëri, të largohemi nga sjelljet stigmatizuese: pothuajse, secili mjedis jepej pas kureshtjes: cilin e ka zënë infektimi? Si duhet të iket nga ai? Ose në ekstremin tjetër, prej respektit e brengës për të: i afrohemi e nuk distancohemi etj etj.

Dhe, po qese një mjedis është i infektuar, atëherë turr e ta gjejmë fajtorin: cili qenka ai, në mënyrë që ta stigmatizojmë? Sidomos, një sulm ndaj atyre që vinin nga bota e jashtme: përse e gjejnë kohën mu tash të na sjellin telashe, të na sjellin sa më shumë infeksione?

3.

E pra, aq sa na u desh të përkujdesemi për të mos u prekur nga infektimi, për aq na duhet për të investuar në mirëqenien emocionale e mendore, përgjithësisht në shëndetin mendor.

Shqiptari, te e fundit, dallohet për nga natyra e tij, si qenie energjike, që i përballon situatat e tilla të kërcënimit sidomos të shëndetit mendor, nëse jo atij të infektimit, që ndodhin nga shkujdesja e nga pakujdesia.

Kujdes kaq voluminoz zor se të përballohet: si të sigurohen mirëqenia shëndetësore, mirëqenia sociale, mirëqenia fizike, mirëqenia emocionale… deri te mirëqenia shpirtërore?

Në këtë drejtim ndikuan edhe mbivlerësimi i rrezikut (isha vetë dëshmitar i sa e sa rasteve, kur frika e ankthi i tepruar ndikonte keq te jo pak miq).

Sepse e panjohura godet më shumë.

Syri ynë nuk e vëren dhe, nëse ka shenjka, ato janë shpesh njësoj, si ato të përparshmet, si ftohjet dhe gripi.

Ende mbeti i panjohur ky virus: kah erdhi, cila është kura a ilaçi për të? Ende kjo botë, kaq e zhvilluar, nuk di si ta gjejë një kurë?

A nuk ndikoi kjo pasiguri sociale, edhe në vërshimin masiv për ta siguruar ushqimin, ndërkohë që tregjet u mbyllën?

Si ta sigurosh një maskë a një palë dorëza, kur ato mungonin në dyqane?

Vetë lëvizja shkakton ankth: në mos do të kesh rënë në kontakt me dikë që është i infektuar a me mjedisin e tillë m të infektuar?

Dhe, po qe se është dashur të lëvizim, merri masat mbrojtëse: maskat, dorëzat, dezinfektuesit, pastrimin e duarve, distancat… Kujdes e maturi deri në ankth e dyshim!

4.

Gjithçka tash e tutje vepron e ndodh si kundërmasë dhe do të veprojë si kundërmasë. Kundërmasë kundër kundërmasës…

Me të dalë nga izolimi e karantina, po vërhet që infektimet nuk kanë të ndalur. E njerëzit tashmë të mësuar me këtë gjendje, mëzoi kanë porritur të dalin nga ai rreth izolimi i hekurt, kaq fatal për ekzistencën. Nuk pyesin më për infektimet, ani se kujdesi ekziston, si frikë e si obsesion e gjendjes pandemike!!!

Por tash, a na pret kundërmasa tjetër: kundërmasa ndaj pasojave të pandemisë?

Ato kundërmasa do të lidhen me shëndetin, në radhë të parë me vendet e punës, bizneset, ekonominë, arsimin e gjithçka që ka të bëjë me jetën shoqërore, njerëzore e personale.

A ka përgjigje se si do të jetë gjendja tash e tutje?

Konfuzioni tash, në periudhën e kundërmasës, vazhdon.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube