KUR FOSFORINA FLAKËRON PILURIN

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Fosforina! Kështu e quante i madhi Lefter Çipa këngën iso polifonike. Edhe ne, tre poetë nga Saranda erdhëm në Pilur me ftesën e organizatorëve të Festivalit të Dytë Folklorik të Pilurit, Festival i emërtuar “Netët e Bejkës së Bardhë” për nder të këngës së parë të famëshme “Bejka e Bardhë”.. Erdhëm, sepse ky Festival ka një risi. Kënga  polifonike lundron në detin e isos, por ajo është e lidhur me artin poetik gojor dhe poetët vërtet të tillë. Për këtë arsye substanciale, drejtuesit e isopolifonisë piluriote kanë qenë edhe poetë në breza. Ka qënë arti i tyre poetik që i parapriu ngritjes së nivelit të vijës melodike të këngës, rrugë që e ndoqën edhe grupet e tjera folklorike, aq sa mund të themi se pas çdo kënge të suksesëshme qëndron një poet i spikatur. Po cila është risia e Festivalit të Dytë Folklorik në Pilur? Në Pilur është kthyer në traditë, që krahas konkurimit të grupeve folklorike, në kohëpushimet e konkurimit promovohet edhe krijimtaria letrare e krijuesve të Bashkisë Himarë. Kështu, në se vitin e kaluar u prezantua krijimtaria e Timo Mërkurit dhe Kleo Lati, këtë vit ishte në fokus poezia e Kristo Çipës, Avni Varfit dhe Foto Menikos.

Diskutimet u fokusuan në krijimtarinë e të tre autorëve dhe kishin në qendër të veçantat e krijimeve të tyre poetike, të procesit krijues dhe psikologjisë së krijimit, si dhe lidhjen e tyre me këngën isopolifonike. Kjo, pasi autorët vinin nga fusha të ndryshme jetësore dhe dihet se vendlindja, fëmijëria, punët që ke bërë në jetë dhe leximet e ndryshme ndikojë në krijimtari më shumë se profesioni. Ka me qindra mësues letërsie sot në shkolla, por sa prej tyre shkruajnë poezi, prozë, ese, kritikë letrare apo diç tjetër? Unë kam qenë inspektor arsimor për shumë vite dhe ju them se janë vërtet shumë pak.

Shumë nga diskutantët e përfshirë në diskutime janë  njohës të  artit dhe folën mirë, duke parë të veçantat e krijuesve. Diskutimet e Profesor Shaban Sinanit, Bardhosh Gaçes apo të Kostandin Voglit, Timo Mërkurit dhe Sejmen Gjokolit paraqesnin vërtet interes, pasi vunë theksin te problematika reale e krijimtarisë poetike të tre poetëve dhe sidomos te impakti i tyre poetik në isopolifoninë. Krijimet poetike  të tre autorëve  dhe në veçanti të Kristo Çipës dhe Avni Varfit janë tekste këngësh të suksesëshme isopolifonike, madje edhe pjesmarëse në konkurimin e këtij Festivali.

Në natën e dytë të Festivalit Folklorik ” Netët e Bejkës së Bardhë” u ngjitën në skenë grupet polifonikë nga Gjirokastra, Vlora, Tepelena e Himara. Ishte vërtet një mbrëmje polifonike që “ndezi” sheshin në qendër të Pilurit, të kthyer në një amfiteatër natyror.

“Një dëshmi e qartë e vitalitetit dhe fuqisë së këngës polifonike, këngës që këtu në Pilur u kthye në një institucion të pa zvëndësueshëm shpirtëror dhe që Lefter Çipa me grupin e famshëm të tij e ktheu në një magji botërore folku” shkruan në rrjetet sociale Sejmen Gjokoli.

 

ÇMIMET, “NETËT E BEJKËS SË BARDHË”-2021

Për dy ditë me radhë, në datat 05, 06 qershor 2021, në Pilur u mbajt Edicioni i Dytë i Festivalit Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”.

Morën pjesë grupe polifonike nga tetë bashkime një pjesmarje prej 140 artistë popullorë mes të cilëve 50 ishin të rinj dhe 9 ishin fëmijë të grupit të Pilurit. Këtë vit Festivali ishte si një homazh edhe për ideatorin dhe njeriun që e ktheu Pilurin në një pikë të rëndësishme të identitetit të polifonisë shqiptare, poetin e rapsodin e madh, birin e këtij fshati ballkon të Bregut, Lefter Çipa “Nder i Kombit”, ndaj Grupi i Pilurit në nderim të tij këndoi këngën epiko-elegjike “Shkoni breza merrni dritë” e cila u prit me ovacione massive.

Në mbyllje të Festivalit juria ndau këto vlerësime:

 

ÇMIME TË MËDHA

  1. Çmimi i parë ” Lefter Çipa” , grupi i Pilurit, Himarë
  2. Çmimi i dytë ” Kujtim Mici”, grupi i Bënçës, Tepelenë
  3. Çmimi i Tretë ” Koço Çakalli”, grupi ” Argjiro”, Gjirokastër

ÇMIME KARIERE

  1. Çmimi ” Maliq Lila”, grupi “10 Shqiponjat”, Tërbaç, Vlorë
  2. Çmimi ” Haxhi Dalipi”, grupi Zagoria, Gjitokastër
  3. Çmimi ” Feti Brahimi”, grupi ” Miqësia”, Gramsh

DIPLOMA

  1. Marrësi/a më i/2 mirë e festivalit: Bejushe Bajramaj, grupi Velçë
  2. Kthyesi më i mirë, Syrja Brahimaj, grupi Dukat
  3. Hedhësi më i mirë, Agron Selimi, grupi Bënçë
  4. Instrumentisti më i mirë: Milto Gjiçali

 

ÇMIME INKURAJUSE

  1. Joana Baraj, grupi Kuçit
  2. Fjorelo Bajramaj, Tërbaç
  3. Polikron Mërkuri, Pilur

 

JURIA E FESTIVALIT

Akademik, Shaban Sinani

Profesor, Bardhosh Gaçe

Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”

 

Pilur; 06. 06. 2021

 

 

Teksti i këngës për Lefter Çipën

 

Shkoni breza merrni dritë

(Këngë epiko-elegjike)

Teksti: Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”

Marrëse: Ermioni Mërkuri “Mjeshtër i Madh”

Kthyes: Dhimitraq Bala

Hedhës:. Leni. Mërkuri

 

 

Ulet flamuri në gjunjë

Lutet: Poet hape dheun

Mbi supe do ta marr unë

Siç më mbajte sipër kreut

 

Poet i këngës së re.

 

Shtyje dheun dil më këmbë

Qëllo vdekjen me pëllëmbë

Bëje ashtu siç ke thënë

Eja të na gjesh në këngë!

 

-Mos lotoni o të gjallë!

Na thua me përmallim

Se unë roj tek kënga e bardhë

Në zemër të kombit tim

 

Kur flakë e zjarrit mbërdhinte

I kish ikë Zeusi Çikës

Gjaku i luleve zu shkrinte

Nga vargjet e Lefter Çipës

 

Poet i këngës së re

 

I ndizej flaka mbi penë

E mbushi jetën me zëra

Engjëjt të gjithë sa qenë

Erdhën kënduan tek kënga

 

Djem e vajza polifonë

Këngën që e njohu bota

Lefter Çipës në çdo kohë

Do ja këndojmë tek koka

 

Nga ylli i dëshirës linde

Për merak të Laberisë

Bijtë e këngës perëndive

Në Pilur e kanë selinë

 

Bilbilat e këngës re

 

O ju male, lule, gurë

Lisa që nuk flini kurrë

Na mungon mes nesh një burrë

Ka vajtur e puth flamurë

 

Nënë e kokës Shqipëria

Të thotë poet: falma lotin

Do nga djepi djem si tya

Lefter Çipa “Nderi i kombit”

 

Shkoni breza merrni dritë

Nga dheu ku fle poeti

Këngën ta doni si sytë

Atdheu është amaneti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube