KUR HERONJTË E HEROINAT NDESHEN PËRPARA PORTËS SË FERRIT TË SOTËM

(Këndi meditues në kohë koronavirusi)

Nga Prend BUZHALA

Mora vesh se dy të infektuar nga komuna e Klinës (fshatrat përreth meje) janë dy motra medicinale që shërbejnë nëpër spitale në Prishtinë, dhe, duke u përballë me shërbimin në mesin e të sëmurëve, janë prekur edhe ato nga koronavirusi. Guximi njerëzor, përkushtimi sakrifikues, sigurisht e bën të veten.

Kjo situatë ma kujtoi atë të luftës: pikërisht nga fshatrat Ujëmirë e Çabiq vajzat që kishin kryer shkollën e mesme të mjekësisë (në Kosovë a në Gjermani) që shërbenin si infermiere, nuk u larguan nga zonat e luftës dhe shërbenin në mesin e popullatës së dëbuar a të goditur, përballeshin me të sëmurë, me të plagosur, me vdekjen…

1.

Pothuajse, të gjithë dimë për Nënën Tereze, e cila quhet shenjtore e dashurisë, pikërisht për shkak se ajo hynte aty ku të tjerët as që mund t’i hidhnin sytë: aty ku janë lebrozët, të gërbulurit, sëmundjet ngjitëse e shfarosëse. Dhe, përnjëmend, sa herë përmendim Nënën Tereze, jashtë konfigurimeve zbukuruese a stolisëse të jetës së përditshme (me pëlrmendore, ikona,, sheshe), atëherë nuk ka se si të mos na shkojë mendja tek betejat e saj me varfërinë e më të varfërve e me punën e saj me të sëmurët e goditur ekstremisht nga gërbula, ku do të përfytyrosh trupa njerëzish të shpërfytyruar nga sëmundjet, fëmijë lakuriq me brinjët jashtë, jetë nëpër trotuare e skaje plot pluhur e mbeturina, nëpër kthina të paimagjinueshme për të jetuar.

Përpara Nënës Tereze, përmendet apostulli i lebrozëve, Ati Damian de Veuster (1840 -1889), i cili vdiq si martir i dashurisë (kleirk belg që ushëtoi npërë ishujt Havai, Molokai etj, ishuj ku njerëzit vuanin nga lebra. Ishulli Molokai u quajt Ferri i detit, për shkak të rrezikut të pandërprerë nga infektimi prej epidemisë e atmosferës së rëndë midis të sëmurëve. Së bashku me pacientët e tij, ngriti kasolle të reja, ndërtoi një spital dhe dy jetimore për fëmijë. Ai gjithashtu ndërtoi një kishë. Infektohet, dhe, ashtu, i sëmurë, jeton deri më 1889, kur vdes.

2.

E sot?

E sot – është pyetje, që shpesh personalisht e shtroj në shkrimet e mia, për të tërhequr paralele e situata të ngjashme. Sot, le t’i përfytyrojmë ekipet e mjekëve, motrave medicinale që për çdo ditë përballen me të infektuarit, me të sëmurët, me vdekjen.

E po, sikur kohët, çuditërisht, këtu në Kosovë po na përsëriten si shpesh, prej vitit 1981. Janë situatat që, me ndërliqësitë e kundërthënieve të mprehta të vuajtjes sociale, rezistencës, luftërave, sëmundjeve e tash, të epidemive, gjenden përpara një Porte të Ferrit. Protagonistët e saj zbresin në ata rrathë danteskë për t’i ndriçuar skutat e dhimbjes e të sëmundjes, por edhe ato të labirinteve të kësaj vuajtjeje.

Nuk thuhet më kot, pra, se edhe kjo situatë i ka heronjtë e heroinat e veta.

E, nganjëherë, përreth, me atmosferën e ndotur politike, duket sikur te fundi i këtij ferri jemi ne vetë me përbuzjen tonë ndaj të sëmurëve të tillë! A me frikën e ankthin për pasigurinë tonë…

Pikërisht për faktin, pse kjo përbuzje DIKUR këta njerëz shin “të paprekshëm”, dmth të mënjanuar, ku nuk bën t’i prekë askush, edhe sot është ashtu: sëmundja e koronavirusit (dje: e gërbulës) është ngjitëse.

Ndodh mu ashtu si e kemi ende të ruajtur në përfytyrimet tona sëmundjen e zgjebes apo të zhugës dhe përfytyroni për një çast se çfarë frazeologjizmash kemi krijuar me këto fjalë, duke mos nënkuptuar vetëm sëmundjen, po edhe kuptimet përçmuese; njeriun e ulët në karakter, apo njeriun e fëlliqur e të veshur keq, apo sikundër thuhet në Fjalorin e shqipes “njeri i pacipë i cili përçmohet nga të tjerët”.

Kjo kohë, pra, na ballafaqon edhe me stigmatizimet që kemi ngritur për njerëzit e goditur. Nuk janë njerëzit e tillë të goditur si dënim i perëndisë, siç mendojnë indusët e mençur për gjoja shpirtin e fëlliqur që ka ekzistuar më përpara në një jetë dhe bartet tek jetët tjera: është edhe përbuzja jonë që vjen nëpërmes indiferencës shoqërore ndaj qenieve të tilla.

3.

Nëna Tereze përleshej me të dy këto mendësi e kahe.

Ajo kishte ngritur Shtëpitë për strehimin dhe shërimin e të gërbulurve, ajo jetonte me njerëzit që kishin fatin tragjik të kësaj sëmundjeje, jetonte me etërit klerikë, me motrat e nderit, me mjeku Senn etj.

Në shtegtim e sipër bie ndesh me sëmundjet më të rënda e me paragjykimet më të rënda, të cilat, çuditërisht, sikur janë të pazhdukshme. Trishtimi i endëzon kornizat e mendimit e të veprimit. Jeta qëndron e përmbahet nga dhuna e iluzionet, ngjizet nga zhgënjimi e shpresa.

Në këso rastesh, nuk ka se si të mos ndeshesh me nihilizmin, pesimizmin apo sëmundjen, si anë të plagosshme të jetës. Susan Sontag thotë: “Të gjithë ata që kanë lindur, kanë qytetari të dyfishtë – atë të mbretërisë së të shëndoshëve dhe atë të mbretërisë së të sëmurëve. Sado që ne të gjithë parapëlqejmë të përdorim vetëm pasaportën e mirë, herët a vonë secili prej nesh është i detyruar, të paktën për njëfarë kohe, të quhet qytetar i asaj mbretërie.”

Edhe psikanalistë si Frojdi e Jungu i shkruajnë doktrinat e tyre psikologjike si fitore mbi vdekjen e mbi sëmundjen, kurse njerëzit shërohen duke e mobilizuar vullnetin.

Vetë njerëzit, të ballafaquar ose me vuajtjet e sëmundjet, ose me realitetin e tillë TË PASIGURISË, shpesh mund ta shtrojnë pyetjen skeptike: nëse ka Perëndi, përse lejon këso pamjesh e vuajtjesh? Ku është perëndia t’iu gjendet pranë qenieve të tilla? Përse ai nuk e përdor fuqinë e tij në shërimin e qenieve të tilla, përse ua kthen shpinën viktimave përballë mizorive të tiranëve si Hitler apo Stalin, Pol Pot apo Asad, apo të dhomave të torturave nëpër Afrikë, apo të viktimave në Fushat e vrasjeve anekënd botës? Të pafajshmit viktimizohen. Vëllimi i vuajtjeve tragjedive nuk pakësohet, ateistët këlthasin se batakçinjtë, kriminelët e mashtruesit nuk i prek drejtësia hyjnore!

Këso dyshimesh, ndjesish pesimiste etj mund të shtrojnë edhe shumë të tjerë.

4.

Edhe tani: a do të paraqiten rrëfimet nga më të rëndat, për ata mijëra të vdekur vetëm brenda një dite, anekënd Evropës, SHBA-ve, anekënd botës? Indiferenca e përbuzja ndaj fatkeqësive të Tjetrit, tash kthehet si grusht kundër Teje!!! Më koronaviorusi nuk pyet për vende të zhvilluara apo të pazhvilluara. As për ideologji, religjione, ateistë, bindje, parlamente, qeveri, ushtri, për njerëz të fortë apo të dobët… Goditen të dobëtit,. Si gjithmonë.

Aty ku ka një terratisje shpirti, aty vjen një dritë që të këndell; aty ku ka aq e aq mizori, indiferencë dhe të liga, mu aty shfaqen veprat e mëdha të dashurisë dhe të mirësisë. Është mu ashtu si ndodh në historinë e krishterimit, kur ngjarja më tragjike e historisë së vuajtjes (e kryqëzimit të Birit të Hyjit në kryq), e shkaktoi edhe ngjarjen më të lavdishme: ringjalljen dhe doktrinën e dashurisë e të shpëtimit.

Por pikërisht është Nëna Tereze që na e thotë të kundërtën e dyshimeve dhe na e dëshmon të kundërtën, mu në shtjellën e dhimbjes e të gërbulës. Ajo aspak nuk e fsheh realitetin e dhimbjes e të së keqes për shkak të besimit, përkundrazi, është besimi që e shtyn të jepet në zbulimin e pamjeve e të realiteteve të tilla, për t’i ndryshuar ato gjendje, për t’i kërkuar përgjigjet e për t’i dhënë ato… Pikërisht, aty ku shfaqet realiteti më i trishtë, tragjeditë e rënda e të skajshme njerëzore…

(Prend N. Buzhala, 15 prill 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube