Kur prokuroria përdoret si alibi

0

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 2018 u tha se delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë miratoi një projekt prej 600.000 euro për të financuar punën e ICMP në Shqipëri. Më 18.7.2018 u nënshkrua në Tiranë marrëveshja e cila u bë ligji nr.83, datë 15.11.2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet KM të RSH dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”. Në thelb se saj, ICMP merrte përsipër të mbulonte shpenzimet e ADN-së për rastet e eshtrave të gjetura. Mirëpo çfarë ndodhi në të vërtetë?! ICMP përveç identifikimit të dy rasteve kockash të gjetura në Dajt, të dënuar për përdhunim dhe vrasje, nuk ka bërë asgjë që t’i përmbahet ligjit, duke dëshmuar se ka dështuar dhe se duhet të largohet nga Shqipëria. Duke anashkaluar deri në përbuzje Zyrën e të Zhdukurve pranë Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, ICMP (nuk dihet në është njoftuar Kuvendi i Shqipërisë për këtë shkelje) hyri në marrëveshje me institucione të papërshtatshme duke iu kushtuar fushës së agjitacionit, ekspozitave dhe vizitave turistike në Shqipëri dhe jashtë saj. Kali i betejës së ICMP-së dhe grupit agjitpropo-turistik u bë një varrezë publike botërisht e njohur si ajo e Ballshit, e cila ishte e identifikuar dhe e gërmuar qysh nga viti 1992. Atje kanë ngelur fare pak eshtra, kryesisht të personave që nuk kanë trashëgimtarë.

Shokët e kësaj skuadre, si ustallarë të këtyre punëve, pasi i avulluan paratë e i bënë rrush e kumbulla pa pasur asnjë rezultat (siç e kam thënë qysh në fillim të kësaj gjëje), menduan t’ia hedhin fajin dikujt tjetër dhe gjetën prokurorinë, gjoja sikur kjo i pengoi se këta do bënin hatanë. Asnjëherë nuk na thanë se në cilin ligj apo kod e paska prokuroria këtë të drejtë? Në bazë të nenit 200 ligjit nr.7905, datë 21.3.1995 “Kodi i procedurave penale”, i ndryshuar, prokurori ose gjyqtari (në nivel të barabartë) urdhërojnë zhvarrimin e kufomës kur ka një çështje. Pra nuk bëhet fjalë për eshtra të para 30-70 vjetësh, por për çështje të 1-3 vjetësh kur trupi i njeriut është ende kufomë dhe është hapur një procedim penal. Prokurori nuk mund të ushtrojë kompetenca komunale. Dakord, por këta shokët e ekspozitave që u paska prishur punë prokurori, mund të mos i harxhonin ato fonde për turizëm të brendshëm e të jashtëm përderisa ishin para një “pengese” të tillë. Apo u pëlqente kjo?! Më parë si është vepruar? Pa leje prokurori janë gjetur eshtrat e mbi 2 mijë personave të ekzekutuar me ose pa gjyq në vitet 1991-1996. Pa leje prokurori u gjetën në vitin 2011 eshtrat e Tom Ndojës, Sokol Sokol Sokolit dhe Mustafa Korockës (ky në varrezën e Ballshit). Pa leje prokurori, por me leje të pushtetit vendor që mbulon çështjet komunale, u gjet një tjetër i dënuar politik në vitin 2020 (të na falin që u ka shpëtuar ta propagandonin). Për të gjitha rastet, leja kërkohet nga pushteti vendor që administron territorin dhe nëse ka çështje trashëgimisë kulturore (që nuk dijeninë time nuk ka), nga institucionet e Ministrisë së Kulturës. Por kur përpara një çështje njerëzore si kjo mendjen e ke te paraja, kjo nuk është veçse e pahijshme dhe e pamoralshme.

Foto e datës 10.10.2009 në Dajt, nga një proces zhvarrimi pa lejen e prokurorisë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok