KUSH E MBRON Z. AGRON TUFA DHE FAMILJEN E TIJ?

0

Nga Frank Shkreli

Ja dhe lajmi i papritur, i çuditshëm, por edhe shqetësues.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se Agron Tufa, tani ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri ka kërkuar azil politik në një vend të Europës.  “Azil politik”, është ky një term që nuk e kam dëgjuar për pothuaj 30-vjet tani, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Por, kur flitet për Shiqpërinë post-komuniste, asgjë nuk është dhe nuk duhet të na çudit –madje as të kërkuarit e azilit politik në vendet perëndimore nga shtetasit shqiptar, si dikurë në kohën e komunizmit, megjithëse është një rast tepër shqetësues.  Heshtja e autoriteteve ndaj faktit se Agron Tufa largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i kërcënuar me jetë, është diçka që duhet të shqetësojë të gjithë ata që ia duan të mirën Shqipërisë.

Për më tepër në këtë rast nuk kemi të bejmë me një shtetas të thjesht shqiptar, jo.  Është fjala për një zyrtar të lartë të shtetit shqiptar, i cili deri dje kryesonte Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës, se kërkoi azil politik në një vend të Europës, “Për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës”.

Me anë të një letretë cilën mund ta lexoni më poshtë, dërguar Kryetarit të Bordit të Institutit të lartëpërmendur, Uran Butka dhe përcjellë për dijeni edhe Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurores së Përgjithshme, Z. Tufa ka paraqitur dorëheqjen e tij si Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, një detyrë kjo që ai e mbante ç’prej vitit 2010.Që të jemi të qartë, duhet theksuar se Agron Tufa nuk ishte kryetar i ndonjë do si do organizate jo-qeveritare ose të ndonjë grumbullimi të ish-përndjekurish të regjimit komunist që politika dhe shoqëria shqiptare i injoron dhe i anashkalon, jo.  Ai ishte Drejtor i një enti shtetëror, i themeluar, i sanksionuar dhe financuar nga vet qeveria dhe shteti shqiptar, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Ai dhe familja e tij janë kërcënuar në kapacitetin e detyrës që ai ka mbajtur në një detyrë shtetërore.

Të rifreskojmë kujtesën se sipas legjislacionit shqiqptar, “Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1944-1991), në të gjitha aspektet e tij”.  Sipas nenit 5, të Ligjit Nr. 10 242, datë 25.2.2010, Instituti, ndër të tjera: “Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist; analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit….”  Misioni i Institutit që drejtonte Agron Tufa ishte dhe është i qartë dhe i sanksionuar me ligj.  Sipas shumë vërejtësve, Agron Tufa e kryente detyrën e tij me përgjegjësi ndaj ligjit, me përpikëmëri morale dhe me ndershmëri akademike.   Atëherë ku qendron problemi me punën e bërë nga Z.Tufa dhe pse ai dhe familja e tij u kërcënuan me jetë nga individë të njohur ose të panjohur, disa në nivele të larta të pushtetit socialist.

Problemi është se një ndër pikat e misionit të Institutit Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është se këtij enti i kërkohet me ligj që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art, kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave të ushqimit”.  Dhe për të gjitha këto të “vëjë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të luftës së klasave”, pikërisht nga personat që dikur ishin pjesë e organeve shtetërore në regjimin komunist — që mund të kenë kryer edhe krime kundër njerëzimit — e të cilët vazhdojnë edhe sot të mbajnë poste të larta në shtet dhe në qeverinë e qashtuquajtur “demokratike” të Republikës së Shqipërisë, madje edhe 30 vjet pas asaj që mendonim se ishte një “shembje” njëherë e mirë e komunizmit.

Agron Tufa thotë në letrën e dorëheqjes nga detyra e tij, se si përfundim i kërcënimeve kundër tij dhe familjes, ai sidomos këtë vit, “ishte vënë përballëfalangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.  Tufa shprehet se përball kërcënimeve të vazhdueshme dhe“Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, është shprehur Tufa në letrën drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit, Z. Uran Butka.Mjafton të përmendet fakti se media të ndryshme kanë ndjekur, për pothuaj një vit tani, debatin e ashpër publik me ish Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho, për të cilin thuhet se ka patur detyra të larta edhe në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe që vazhdon gjithnjë të ushtrojë influencë në Partinë Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste/Partisë së Punës si dhe në Kuvendin aktual të Shqipërisë, i dominuar nga kjo parti.

Unë nuk jam në dijeni të ndonjë krimi nga Agron Tufa.  Kjo duhet të jetë puna e Prokurorisë dhe e enteve të tjera të drejtësisë, ashtu siç janë, fatrkeqsisht dhe jo e ndonjë “aparatçiku” komunist.  Por ajo që dihet është se ai nuk ka asnjë mbështetje nga askush.

Pa asnjë garanci mbrojtjeje nga autoritetet shqiptare, Agron Tufa detyrohet të kërkojë azil politik në Evropë për veten dhe familjen e tij.  E kush duhet ta mbrojë, në parim,Z. Agron Tufën dhe familjen e tij përball kërcënimeve serioze për jetë?  Ku është Kryeministri? Ku është Ministri i Mbrendshëm.  Po ku është Prokuroria?  Po opozitën, çfarë e dallon nga pozita përsa i përket kërcënimeve ndaj Z. Tufa dhe familjes së tij.   Ndanë opozita të njëjtat vlera me pozitën në lidhje me këtë rast???Në një vend normal, këta dhe zyrtarë të tjerë të lartë në pushtet do jepnin menjëherë dorëheqjen para një rasti të tillë mosveprimi e heshtjeje.  Po ku është Kuvendi i Shqipërisë, i cili miratoi ligjin në bazë të cilit veproi Z. Tufa???  Z. President?

Askush nuk reagon!  Shteti heshtë, qeveria heshtë opozita heshtë, mediat e mëdha heshtin, organizatat jo qeveritare heshtin.Po Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka gjë të thotë për të drejtat e njeriut për Z. Agron Tufën?  Po mbrojtësit e fjalës së lirë në Shqipëri, ku janë, pse nuk flasin?  Po ndërkombëtarët ku janë, të cilët nuk lënë gjë pa reaguar në Shqipëri?  Ku jeni përfaqsues të Perenëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni???? Po Diaspora, sidomos ajo në Amerikë, ku është, pse nuk flet, si individ, si organizata, a po në terësi???  Ku janë akademikët shqiptarë, anë e mbanë trojeve?  Një papërgjegjësi e tmershme morale e kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar!Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror e familjes së tij – me ndonjë përjashtim të vogël, aty këtu!

Bravo Gentiana Sula dhe Jonila Godole!   Znj. Gentiana Sula, Shefe e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet eish-Sigurimit të Shtetit shprehu keqardhjen e saj për largimin e Agron Tufës nga atdheu për të kërkuar azil politik në Evropë përballë kërcënimeve për jetën e tij dhe të familjes sës tij, ndërkohë që shprehu shqetësimin e saj për mosveprimin e ligjeve dhe të organeve të shtetit, në këtë rast.  “Kam ndjekur me shqetësim sulmet publike ndaj tij, duke shpresuar që këto do të trajtoheshin nga organet kompetente, dhe eventualisht do të ndaleshin.  Që një zyrtar i lartë shtetëror ndërmerr një hap të tillë, tregon se institucionet që duhet ta mbrojnë, ligjet tona, nuk kanë vepruar.”, ka shkruar Znj. Gentiana Sula në faqen e saj të internetit.  Edhe anëtarja e Bordit të të Përndjekurve Politikë, Znj. Jonila Godole ka komentuar rastin e Agron Tufës, si një zë kritik ndaj qeverisjes aktuale që u detyrua të largohej, duke shtuar se “Fatkeqsisht, Shqipëria i është rikthyer, sërish trashëgimisë të kalbur komuniste, që katandisi Shqipërinë sërish në një vend mono-partiak”.

Në mungesë të reagimeve të autoriteteve shqiptare dhe të organizatave jo-qveritare në Shqipëri përball kërcënimeve ndaj jetës së Agron Tufës dhe familjes së tij, reagoi Platforma Evropiane e Kujtesës dhe e Ndërgjegjës (PEMC), duke shprehur shqetësimin e kësaj organizate evropiane ndaj trajtimit të Agron Tufës: “PEMC mësoi me shqetësim të madh për kërcënimet që i janë drejtuar Z.Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Platforma u bën thirrje autoriteteve përkatëse të garantojnë sigurinë e tij dhe të sigurojnë punën e Institutit dhe përfaqësuesve të tij”, thuhet në Deklaratën e Paltformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjës(PEMC).

Po, në mungesë të mbrojtjes nga autoritetet shqiptare dhe përball kërcënimeve të reja, madje edhe pas largimit të tij nga Shqipëria, kush do e garantojë sigurinë e Agron Tufës dhe të familjes së tij, qoftë në Shqipëri, qoftë në Evropë ku po kërkon azil politik?  Është shumë vështirë të shihet, nën këto rrethana, se kush do t’i dalë në mbështetje për t’i garantuar sigurinë Z. Agron Tufa dhe familjes së tij.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të skanuar të Agron Tufës drejtuar Kryetarit të Bordit të ISKK, me dijeni për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta, Z. Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Znj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok