Kush është dhe çfarë përfaqëson Doktor Sali Berisha?

0

Nga Enver Bytyçi

Dy shtata janë sot në ditëlindjen e Prof. Dr. Sali Berisha! Në kodin e shqiptarëve shtata është fat, është fuqi, është mejdan, por edhe fisnikëri! Shtatëdhjetë e shtatë vite nga ditëlindja e Sali Berishës janë për atë sa 770 vite për nga energjia, rendimenti e produkti i punës së tij, për nga veprat dhe ndryshimet që ai i ka sjellë vendit të tij.

Por unë nuk dua të ndalem e të flas për liderin që udhëhoqi rrërzimin e diktaturës komuniste. As për atë që sistemin e një regjimi diktatorial e zevendësoi me sistemin e vlerave liberale e demokratike. Nuk do të flas për liderin që realizoi i pari në Europën Lindore ekonominë e tregut, edhe pse kjo ekonomi ishte më e centralizuara në këtë hapësirë të vende ish-komuniste. Nuk është nevoja të vihet në dukje fakti se Sali Berisha ishte i pari lider i ish-vendeve komuniiste që kërkoi anëtarësimin e vendit të tij në NATO, që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO e liberalizoi vizat me vendet e Bashkimit Europian. Të gjitha këto, si dhe transformimet më të mëdha në historinë post-komuniste, i përkasin periudhës së lidershipit të Sali Berishës në pushtet.

Unë dua që në këtë përvjetor të ve në dukje se çfarë e bën Doktor Berishën të ndryshëm nga e gjithë klasa politike në Shqipëri? Çfarë e dallon atë nga të gjithë politikanët e tjerë? Cili është çelësi i sukseseve dhe performancës së tij?

Sali Berisha është njëri nga shqiptarët e devotshëm të këtij vendi. Por në dallim nga ne të tjerët ai ka vullnetin, energjinë, forcën dhe mbart fuqinë e pazakontë për të guxuar! Guximi i tij është i pakrahasueshëm. Pra ai nuk mund të rrijë asnjë çast indiferent. Nuk është nga ata shqiptarë që thonë “Mjaft, u lodha, le të bëhet çfarë të bëhet”! Pra është si uji i lumenjve që gurgullojnë dhe oshëtijnë grykave të bjeshkëve.

Zoti Berisha është një personalitet me karakter të fortë. Do të thosha epik! Aq sa studiuesit e antropologjisë do të dallonin te ai shumicën dërmuese, në mos të gjitha karakteristikat e krahinës nga vjen. Malësia e Gjakovës është e shquar për karakteristika unikale. Nëse shqiptarët sot nuk janë një popull i asimiluar kulturalisht e gjuhësisht, kjo i dedikohet malësisë në veri e në jug të vendit. Sepse aty janë ruajtur tiparet themelore të shqiptarit. Aty nuk ka mundur të depërtojë asnjë pushtues, së paku nga pikëpamja kulturore dhe guihësore. Ndryshe ka ndodhur me kombe e popuj të tjerë, gjuha e të cilëve është tjetërsuar, por edhe kultura gjithashtu ka pësuar ndryshime rrënjësore.

Sali Berisha vjen nga një kulturë e kultivuar fort mirë, e betonizuar në memorien e të gjithë brezave që kanë kaluar. Subkoshienca e tij bart këtë lloj sentimenti kulturor. Fjala sipas kësaj kulture është e para dhe kryesore. Të qenit i lirë është tipari kryesor i saj. Kurrë shqiptarët në përgjithësi, por sidomos ata të maleve, nuk kanë qenë skllevër e robër! Këtu duhen kërkuar rrënjët e karakterit të Sali Berishës. Edhe bajraktarët e malësisë silleshin me respekt ndaj të varfërve në fshatin e tyre, sepse asnjë prej tyre nuk ia pranonte fyerjen dhe denigrimin, ose padrejtësinë.

Të qenit krenar është tipari kryesor i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë. Sali Berisha është plotësuar në jetë. Eshtë sprovuar në sfida. Dhe të qenit krenar e ka bërë atë një sfidant unik. Të jesh krenar do të thotë të mos bëhesh rob, skllav e peng i askujt! Pikërisht kjo karakteristikë e ka barë Sali Berishën një personalitet me dinjitet dhe integritet të spikatur, por edhe i ka sjëllë probleme pa fund në karrierën e tij politike të këtyre 31 viteve. Shtysa e krenarisë e shtyu Sali Berishën t’i thoshte Ramiz Alisë se “Ka fjalë që njerëzit masakrohen në Malin me Gropa”, në të njëjtën ditë e takim, në të cilin Ismail Kadare i përgjigjej ish-udhëheqësit komunist se “Unë nuk e di se çfarë është pluralizmi politik”! Të qenit krenar me veten e tij e jo peng i konjukturave e çoi ish-kreun e Partisë Demokratike që të ngrihej e të ikte nga takimi me Ramiz Alinë, kur zëvendësi i tij mbronte pikëpamjet e ish-presidentit Alia!

Të qenit krenar e bëri Sali Berishën unik në politikën 30 vjeçare të post-komunizmit. Krenaria e ngjizur që në fëmijëri dhe e kultivuar me arritjet e sukseset e tij në dije, shkencë e kulturë e bëri atë të respektohet edhe nga kundërshtarët politikë, kur është fjala për atributet njerëzore, intelektuale dhe politike të tij. Tom Doshi nuk thoshte kot, “Përveç Sali Berishës, unë të gjithë politikanët e tjerë i marr me shpulla”! Kur ai e thoshte këtë po fliste në kuptimin se nuk mund ta korruptonte ish-kryeministrin e vendit, ndërkohë që kryeministrat e tjerë socialistë ai i vinte në rrjesht për shkak të korrupsionit.

Nëse unë kam besuar dhe besoj se Doktor Berisha nuk është i korruptuar, kjo më ndodh për shkak të krenarisë që ai ka. Një lider i plotësuar është gjithmonë edhe krenar. Por një lider krenar nuk mund të korruptohet, sepse nuk pranon të bëhet peng i dikujt tjetër, kushdo qoftë ai! Korrupsioni nuk bëhet me vetëveten. Duhet një ose disa partnerë, bashkëpunëtorë. Nëse je krenar dhe nuk pajtohesh me pengmarrjen, atëherë nuk mund të pranosh të bashkëpunosh me dikë në korrupsion. Ky është Sali Berisha!

Sali Berisha është karakter I fuqishëm. Sfidat që ai ka kaluar na bëjnë me dije se ky karakter i fortë i tij është unikal. Unë nuk besoj se ndonjë politikan tjetër do të kishte mbijetuar kaq gjatë në politikë, nëse do të ishte sulmuar aq fort sa është sulmuar Sali Berisha. Gjithkush do të ishte tërhequr në krye të herës dhe do të donte një jetë të qetë për veten e familjen e tij! Berisha nuk zgjodhi këtë rrugë. As sot që është 77 vjeç! Ai mund të jetë gjithçka, por kurrë jo indiferent! Kurrë jo pasiv! Kjo fuqi e jashtëzakonshme në kushtet e një lufte të pashembullt ndaj tij e bën atë liderin shqiptar më të spikatur si karakter dhe si bartës i tipareve më të mira të popullit të tij!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok