Kush i qeveris minoritetet në Shqipëri dhe në Kosovë?!

Nga Enver Bytyçi

Aleksandër Vuçiç dhe qeveria serbe nisën në Mitrovicën e Veriut vaksinimin e qytetarëve kundër Covid-19! Qeveria greke në jug të gadishullit ka vendosur që të bëjë vaksinimin e minoritarëve grekë në Shqipëri. Ndërsa dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, janë vënë nën presion. Të ndalojnë Beogradin ose Athinën të vaksinojnë minoritetin serb në Kosovë ose minosritetin grek në Shqipëri e kanë të pamundur. Kjo do të konsiderohej herezi dhe akt jo human! Kësisoj kjo do të shërbente si municion në duart e miqve të kryeministrit të Shqipërisë, që këto dy vende ta sulmonin Shqipërinë e Kosovën, si shtete, të cilat kundërshtojnë ndihmën humanitare. Madje do të thoshin se “Kjo sjellje e dy qeverive shqiptare drejtohet kundër minoriteteve përkatëse dhe se kjo është mënyra që ata i trajtojnë minoritetet”!

Ndërsa e vërteta është ndryshe. Kryeministri Rama ia ka shit shpirtin kishës ortodokse greke dhe kishës ortodokse serbe dhe është vënë plotësisht në shërbimin e të dy qendrave anti-shqiptare. E vërteta është se minoritetet në Shqipëri, por edhe në Kosovë gëzojnë të drejta, të cilat nuk i gëzon asnjë minoritet në botë. Ato janë të diskriminuara pozitivisht, por asnjëherë negativisht.

Pse po ndodh kjo situatë e vështirë në territoret e dy shteteve shqiptare? Sepse Beogradi dhe Athina po e shfrytëzojnë pandeminë për qëllime gjeopolitike. Të dy palët nuk e vrasin aspak mendjen nëse minoritarët serbë në Kosovë ose minoritarët grekë në Shqipëri bëjnë apo nuk bëjnë vaksina. Përkundrazi duan të dëshmojnë se janë ata që qeverisin së paku territoret ku jetojnë këto minoritete në Shqipëri dhe në Kosovë. Beogradi dhe Athina nuk heqin dorë nga provokimet e nga divesioni politik.

Ndaj ata morën lejen e autoriteteve shqiptare të Kosovës për të ndërmarrë një akt vaksinimi në Veriun e Mitrovicës. Fakti që autoritetet e Beogradit dhe të Athinës i marrin vendimet dhe i realizojnë aktet politike e gjeopolitike në territorin shqiptar pa marrë autorizimin e autoriteteve të shtetit shqiptar ose shtetit kosovar thotë shumë. Mesazhi është i qartë: Këto dy qendra anti-shqiptare provokojnë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror në të dy vendet tona.

Nëse Serbia dhe Greqia guxojnë e provokojnë kësisoj, shkaku duhet kërkuar te qeverisja në Shqipëri dhe në Kosovë. Dy qeveritë tona janë inekzistente. Qeveria e Edi Ramës është duke u marrë me detin dhe avokatinë e pushtimit të 12 miljeve nga ana e qeverisë greke. Qeveria Hoti është e pafuqishme, sepse nuk ka as legjitimitet, as autoritet t’i dalë zot atdheut të vet. Me njerëzit e Grenellit dhe të Marko Gjuriqit në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme, qeveria e Prishtinës nuk ka asnjë mundësi të zbatojë ligjhin dhe kushtetutën e vendit. Ndaj dhe Aleksandër Vuçiç provokon e tallet në çdo orë të ditës e të natës me ta.

Qeveria shqiptare dhe ajo kosovare nuk janë të afta që të qeverisin mirë për të realizuar interesat e qytetarëve. Ndërsa Serbia dhe Greqia prej disa ditësh kanë filluar vaksinimin e qytetarëve të tyre, Shqipëria dhe Kosova do të presin edhe disa javë ose muaj për ta filluar këtë. Pazotësia e këtyre dy qeverive është njëra anë. Ndërsa në Shqipëri kësaj poazotësie dhe amnezie të qeverisë Rama i shtohet edhe depresioni që përfitojnë qytetarët nga propaganda dhe gënjeshtrat e kryeministrit të vendit.

Popmpoziteti, me të cilin Edi Rama udhëtoi për në SHBA, në emër të “intersit të tij të madh për vaksinën” e sigurimin e saj për Shqipërinë, ishte një shuplakë për integritetin qytetar në vendin tonë. Edi Rama udhëtoi për Nju Jork me qëllim lobimin për t’u afruar me administratën e presidentit të ri, Biden. Ndërsa këtë na e shet neve si “sakrificë” të tij për shëndetin e shqiptarëve. Ndërkohë shëndeti, mirëqenia dhe prosperiteti i shqiptarëve është gjëja e fundit që Edi Ramës i vjen në mendje. Në mendje ka gjithnjë pushtetin e tij, për të cilin gati i shiti territoret shqiptare të Kosovës, po shet territorin shqiptar të ujërave detare dhe ka shkuar deri atje sa t’i thotë ish-ministrit grek të Punëve të Jashtme, Kotzias, që “Le t’i hartojë Greqia tekstet shkollore për historinë dhe gjeografinë dhe Shqipëria do të lejojë që këto tekste të përdoren në zonat e minoritetit grek”! Sa më shumë të gërmosh do të zbulosh fakte e të dhëna, të cilat dëshmojnë që kryeministri Rama ka vetëm një qëllim, një synim, një shqetësim, mbajtjen me çdo kusht të pushtetit. Asgjë më shumë.

Ndërsa qeveria Hoti në Prishtinë, përveçse jo legjitime prej ditës së parë të krijimit të saj, është qeveri e kapur nga bashkëpunëtorët e Serbisë në politikën kosovare si dhe nga oligarkët e Klanit Mustafa-Pronto të Kosovës. Në këto kushte as kjo qeveri nuk është e aftë, edhe nëse do të donte, që të realizojë detyrimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës. Ndaj ndodh që mjekët dhe infermieret e Beogradit të vijnë në veriun e Mitrovicës e vaksinojnë minoritarët serbë në këtë zonë pa dijeninë e qeverisë Hoti.

Jemi mësuar të fajësojmë gjithnjë Serbinë dhe Greqinë për provokimet që ato bëjnë në Kosovë e në Shqipëri, duke keqpërdorur minoritetet përkatëse. Por në fakt përgjegjësia kryesore u takon shqiptarëve dhe qeverive që ata zgjedhin për menaxhimin e qeverisjes në të dy vendet tona. Nëse do kishim qeverisje të përgjegjshme e me angazhim maksimal për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, detyrimet në këtë rast për vaksinimin do t’i kryenin qeveritë tona!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube