19/04/2024

Kush janë fitimtarët?

0

Mendime rreth një debati

Nga Reshat Kripa

Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. E majta ngul këmbë se është ajo fitimtarja e kësaj beteje ideologjike. E djathta gjithashtu. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më tepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Këto debate zhvillohen ndërmjet po atyre figurave analistësh që i kemi parë dhe stërparë çdo ditë në këto ekrane. I kemi parë për të gjitha çështjet që preokupojnë opinionin publik shqiptar, që nga ato më të thjeshtat dhe deri tek më të rëndat. Për të thënë të vërtetën na ka marrë malli të shohim figurën e një analisti të ri, të studiuar në universitetet më në zë të botës demokratike. Por, çuditërisht, për këta individë dyert e televizioneve tona janë të mbyllura. Ato janë bërë pronë e analistëve të përjetshëm.

Vetëm një gjë nuk kemi dëgjuar prej tyre, kush është fitimtari i kësaj beteje që ka vite që ka filluar dhe ende nuk po gjen zgjidhje. Pikërisht kësaj pyetje dua t’i kushtohem  në shkrimin tim. E di që disa do të më quajnë ballist, dikush tjetër legalist, një i tretë kolaboracionist e kushedi se çfarë tjetër. Për t’u hequr merakun do të doja t’u thoja se rrjedh nga një familje që nuk ka pasur asnjë pjestar nga fisi i saj me ballin apo legalitetitn, asnjë person  të arratisur jashtë shtetit për motive politike. Madje kemi qenë të lidhur, më tepër me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Nuk e them këtë se dua të mburrem. Përkundrazi, do të doja që të mos ishte kështu. Por situata e atyre viteve ishte e tillë që njeriu nuk arrinte të kuptonte se kush ishte rruga e  drejtë  që  duhej  të  ndiqte,  ndaj  jo rrallë herë zgjidhte rrugën e gabuar.

Ju do të thoni atëherë se si ka mundësi që mendimet e mia bien në kundërshtim me prejardhjen familjare. Përgjigjen ua jap unë. Ishte vetë komunizmi që më bëri të tillë. Duke qenë në konditat e përshkruara më sipër, çuditërisht, një ditë vjeshte të vitit 1946 një makinë ndalet para portës tonë  në Tiranë dhe na rrëmben e dëbon në qytetin e lindjes, në Vlorë, ku pas atij çasti, trajtoheshim si armiq të sistemit komunist. Kjo bëri që unë të ngrihesha kundër tij. U ngrita dhe këtë e pagova me disa vite burg. Por, fatmirësisht, burgu u bë një shkollë e veçantë për mua. Aty, nëpërmjet disa figurave të paarritshme, mësova se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër nga ajo që unë kisha mësuar në shkollën komuniste. Mësova historinë e vërtetë të këtij kombi dhe këtë histori dua ta pasqyroj në këtë shkrim. Nuk jam as historian, as analist, por dua të shpreh atë që kam dëgjuar me veshët e mi dhe atë që mendoj se është e vërteta.

Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa e paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Sikur forcat balliste të kishin qenë bashkëpuntore të pushtuesve, përse komunistët pranuan bisedimet me ta, madje arritën edhe në një marrëveshje së bashku  në Konferencën e Mukjes, marrëveshje që e braktisën pa u tharë ende boja me të cilën ishte nënshkruar? Përse ndodhi kjo? I kujt ishte faji? Natyrisht jo i nacionalistve, pasi ata i qëndruan besnik asaj.

Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës,  komunistët hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit  pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që legalistët, me në krye heroin e 7 prillit 1939, Abaz Kupin, të rreshtoheshin në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, parullë që solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon disa herë   atë   të   luftës   kundër   okupatorit,  nga   të  dyja   forcat ndërluftuese.

Lexojmë shpesh medimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që,  në të vërtetë,  u zjen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë  të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam  kujtimet e mia të fëminisë kur ata burra të shquar, në konditat e ferrit komunist më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte botuar në gazetën “Flamuri” në Itali në vitin 1946.  Titulli ishte “28 nëntor 1939”, ku shkruhej:

A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”

Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës.  Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:

“Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg, mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm rreth. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas tanë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…

Ndërsa në fund autori shkruante:

Atë natë ne kënduam  me  zjarr.  Atë  natë  ne  folëm  me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve  të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll

Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…”Përse? Sepse komunistët nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi kryeqëndra e tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.

Këto fjalë i  thotë një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё janar tё vitit 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё lёvizjen antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. U vendos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishin vendosur edhe Mithat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nё Universitetin e Bolonjёs. Nё vitin 1950 emigroi nё Shtetet e Bashkuara. Nё mesin e viteve ‘50 filloi punёn pranё seksionit shqip tё Radio “Europa e Lirё” dhe nё vitin 1959 filloi punёn nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё Universitetin Indiana mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Western Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972. Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe. Nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mithat Frashёrit. Ky ishte Bardhyl Pogoni.

Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri e mbylli me humbje jetën e tij. Jo, mor zotërinj! Ai humbi vetëm një betejë dhe këtë betejë e humbi sepse nuk ishte vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishte i prapaskenave të pështira si ju. Ai ishte për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të  botës së lirë. Ndoshta me të vërtetë gaboi, por ai nuk donte të derdhte gjak shqiptari si ju. Nuk donte të ngjallte ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donte bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira.

Le të kthehemi tani në temën e ngritur në fillim  të këtij shkrimi: “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Mithat Frashëri me pasuesit e tij. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruar fletën dhe u kthyet në socialistë apo demokratë.

Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij, sepse pikërisht idetë e tij fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani,  keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok