Lamtumirë poeti kombëtar Agim Shehu

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Poeti, shkrimtari, eseisti, publicisti i jashtëzakonshëm Agim Shehu iku në parajse atje ku e ka vendin ky soj poeti.  Në këtë ditë të mbrame më shfaqesh me penën në dorë duke shkruajtur dhe nderuar mësuesit e parë, ashtu siç dinte të nderonte një poet si ju.  Ju i nderoni me përulësi si në këto vargje:  “A” e madhe e shtypit, e thjeshtë fare/ dy vija që puqen, dhe një vizë brënda…! Zogjtë hapnin sqepin si “A” e madhe/dhe në folé prisnin bukë nga nëna/ Dorën e vogël, mësuesi në klasë/ folé zogu ma mbante në dorën e vet…/Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së/ dhe u nisa në jetë…

Ti ece në udhën e ndritur vetë dhe pse donin atë udhë të shenjtë ta errësonin të pagdhendurit.  Sa dhimbshëm e mora këtë lajm poet!  Dhimbje po aq e madhe që emigruat në moshën e tretë dhe ndërtuat një folezë tjetër në Zvicër.  Ike larg, shumë larg, shkrepave të akullta si në poezinë me metaforën “Retë refugjate”.   Lart në qiellin e ftohtë/ tufa reje refugjatë/ ecin varg drejt perëndimit/ Dinë nga nisen…/s’dinë ku venë! Të pasigurt në tokë,/udhën e bëjnë në qiell/ Të çdo moshe, të çdo ngjyre –era i largon nga vatra/ i shtyn tutje – “prapa diellit”/ Rezet u lëmojnë leckat, se arnat s’ua qepin dot.

Eci poeti labirintheve të kohës, herë vraponte si kalë i hazdisur, herë heshtëte si një Sokrat i urtë, herë takohej me Bajronin në ëndrra, e herë ngjitej në kala me Ali Pashanë.  Nga kalaja kundronte pamjen madhështore të Tepelenës me ujërat e mëndafshta të Vjoses, dhe si vegim i vinte përshkrimi mahnitës i Bajronit, poetit botëror i cili u magjeps nga pamja tepelenase kur e vizitoi.  Por çuditërisht apo diçka hyjnore është se poetët e gjejnë ngushëllimin tek poezia dhe ja si shkruan: “Shpërblim për këngët s’mora, as nuk prita/ kolegët në pushtet i kisha prita/ Një vjershë e dashur m’u bë kupëz vere/ ku piva një gëzim që s’e arrita.  Nga poema: (Bisedë me rubairat).

Agim Shehu vdiq larg Atdheut i sëmurë.  Asnjë qeveritar, apo “topmodel” parlamentar nuk shkruajtën asnjë fjalë ngushëllimi, packa se në vesh të të dashurave të tyre mund t’ju kenë kënduar ndonjë këngë ose tekst të tij poetik si psh: Më trete formulë, më shkrive të gjalle/ si një copez akull në plus njëqind shkallë/ Folmë shpirti im, shpirt në maksimum/ se pa ty s’kam gjumë as në minimum!

Sonte kjo natë e mbrame ka përzgjedhur ngjyrën e ëmbël të Hënës si tek poezia “Qylymi i nënës sime”.  Ju ditët mjeshtërisht sikur të kishit shpikur Abetaren e poezisë të krijonit poezi, poezi klasi, poezi prej një poeti lirik nga më të shquarët dhe të magjepsit lexuesit e shumtë anë e mbanë botës ku frymojnë shqiptarë.  Sonte lexuesit tuaj kanë shtruar qylymin e nënës suaj duarartë në respekt të dhuratës së cmuar që ju ke lënë si: Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre, nëpër gishta – shpjer e bjer…/Mbi tezgjah, krahët mes tyre/i formonin një ylber. Ngjyrën e ëmbël të Hënës/tek e verdha që shikoni/ -biri kur sëmurë ka qënë/nëna e derdhi ngjyr’ limoni.

Ju sot u ngjitët si Elena Gjika në qiell që ju e cmonit aq shumë dhe ashtu sic ajo vazhdon të bisedojë me perënditë pellazge jam e sigurte si lexuesja juaj e çdo poezie dhe rreshti se do të vazhdoni në rrugën e saj për Kombin pellazg.  Ju keni qenë në oponencë me qeveritë ndaj dhe asnjë president shqiptar nuk mori guximin t’ju dekoronte… E kush më shumë se ju o biri i denjë  i Progronatit shkruajti kundër genocidit grek, kunder andarteve grekë që me ura zjarri dhe thika therrnin e vrisnin patriotët në Jugun e Shqipërisë!  E kush më shumë se ju shkruajti kundër genocidit serb që vrisnin dhe therrnin popullin martir të Kosovës!  Agim Shehu është një publicist i jashtëzakonshëm që ka ndikuar fort në opinionet e lexuesve dhe njëkohësisht ka kritikuar ashpër politikanët dallkaukë që e lanë vendin në një mjerim të tejskajshëm… dhe ja si shkruan në poezinë: “Karrikja me tri këmbë para OKB-së në gjenevë”

Karrikja e Madhe – Statujë me tri këmbë/ rri te hyrja si mbi erë…/Kombi im prerë nga diplomatët,/është këmba e saj e prerë/ Ajo sheh zyrtarët asnjanës/ të vjetër e të rinj/ e u thotë: – gjersa unë jam e prerë/ ju çaloni, Zotërinj!

Në veprat e shkruara me plot enigma të shpirtit, të diskursit kritik, filozofik, të ethshëm, historik pasurooi mendjet tona dhe hoqi llumin e moçalit ku dëshirojnë ta drejtojnë disa antishqiptarë.

Ju ikët krenar, në heshtje, pa zë, ia shalove Pegasit të artë të letërsisë për në qiell.  Ju jeni dishepulli i Rilindasve, i humanizmit, erudit atdhetar zemërzjarr.  Ju jeni me kryet gjer tek maja malesh dhe mbeshtet gjoksin në Progonat që i këndove me aq dashuri dhe përkushtim.  Ju ishit gati si një profet që parashikonit vdekjen e ngadaltë të llahtarshme e shoqërisë që politika kobzezë e ka future në moçalishte.  Poezitë tuaja jane një spektakël i vërtetë.

Arti i poetit Shehu është një shkollë e nivelit të lartë, është një Harvard shpirtëror aty ku Baladat e Lirisë së Kosoves dhe Shqipërisë trondisin kontinentet me aktet e tragjedive që janë luajtur mbi popullin shqiptar.  Foshnjat e Kosovës të lidhura në djep mbahen mbi shpinë të poetit ndaj dhe ai përvajshem ligjëron me kuje labi:  Dhe sot i vranë në prag shtëpie/ nga tym i predhës u thinj Zoti/ Te syr’ i nxjerrë i një fëmije/ përmbys po rrotullohet globi.  Kushdo që e lexon Baladën për Kosovën, me siguri Zoti i shfaqet thinjur, meket përballë kanibalëve serbë që hanë sy fëmijësh.  Metaforat e poetit janë gjerdanë në gushën e bukur të Atdheut, janë hymn për trojet tona ndaj dhe i këndon: Ti gjak virgjin i racës sonë/ në duel me çdo mbretëri/ sa vriteshe në Fushë-Kosovë/ Ringjalleshe në Çamëri.

Agim Shehu është një krye lirik që me vargjet e tij herë të përkëdhel si fijëza Hëne Progonati e herë të qeras si një amvisë e bukur me mjaltë taze nga hojëzat e nje shpirti poetik.  Qysh në rininë e hershme të befason me figuracionin e dendur metaforik apo dhe paralelizmin figurativ që përdor midis dy lëndëve ekstreme letërsi dhe matematikë, por dhe aq të lidhura pazgjidhmërisht me njera tjetrën.  E kush nga studentet nuk i dinte përmendësh këto vargje!  Le ta ndjekim në poezinë: “Të dashurohesh nga nje matematikan” poezi që ndihet dhe duket sikur skuq honet dhe lëshon bisqe nën trungje të vjetra:

“Ty po të drejtohem, vajze moj syzezë/ më do a po s’më do kjo është hipotezë/ Pamja jote e ëmbël, posi teoremë/ kur të shoh përpara sikur zgjidh problem/ Ti je elegante si ekuacion/ mesi yt i hollë posi ypsilon…

Ai iu bashkua bashkëshortes së tij fisnike, Zanës së Ali Asllanit i cili e pagëzoi me emrin e bukur shqiptar dhe kjo është një histori më vehte që fatmirësisht poeti e ka lenë të shkruar.  Ai jetoi me ikonën e mirësisë, ata jetuan si dy aristokrat të Arsimit shqiptar.  Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me vete.

Në intervistën që kemi pasur në New York me poetin dhe bashkëshorten e tij fisnike Zana, ende në memorje më rri zëri i tij, si zëri i një Perëndie, apo i nje mësuesi të urtë dhe të mençur që fjala i rrjedh si ujëvarë e Peshtures, ujevare progonatase.

Agim Shehu është një kryepoet dhe duhet t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”.

Lamtumire Agim Shehu!

Drite sjellshi nga Parajsa!

27 Korrik, 2021

Staten Island, New York

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok