Letër e hapur kryediplomates Donika Gërvalla

Shkruan: Florim Zeqa

E nderuara Donikë, e respektuara ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryediplomate dhe zv. kryeministre e parë e Republikës së Kosovës.

Kam nderin dhe kënaqësinë t’iu drejtohem publikisht me kërkesa të hapura, në mos për zgjidhjen e menjëhershme e të gjitha problemeve të mërgimtarëve, të paktën t’u hapni rrugë dhe t’i futni në procedurë të zgjidhjes disa prej tyre.

Kërkesa të sinqerta në vesh të shurdhër

Përgjatë 10 vjetëve të fundit, hiq më pak se pesë herë ju kam drejtuar publikisht institucioneve të shtetit tonë për zgjidhjen e disa prej problemeve të mërgatës sonë në shtetin italian, dy prej të cilave ishin kontakte direkte me zyrtarët shtetërorë.

Adresimin e parë publik e bëra më 13/12/2011 përmes shkrimit autorial “Të hapet konsullata e Kosoves në pjesën veriore të Italisë”, i botuar në të përditshmen Bota Sot.

Takimi i parë me zyrtarët e Ministrisë së Diasporës dhe atyre nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë ndodhi më 14/04/2013 në qytetin Treviso, pas të cilit reagova me shkrimin autorial “Mërgimtarët, nga shteti i tyre kërkojnë trajtim dinjitoz e jo privilegje!”, i botuar poashtu në të përditshmen Bota sot më 15/04/2013.

Adresimin e dytë publik e bëra më datën 26/04/2013 me titull: “Letër e hapur Ambasadorës së Republikës së Kosovës në Romë, zonjës Bukurije Gjonbalaj”, i botuar në të përditshmen Bota Sot.

Adresimin e tretë publik e bëra më 05/06/2015 me titull “Letër e hapur ministrit të Diasporës, zotit Valon Murati”, i botuar në të përditshmet e shtypura Bota Press dhe Kosova Sot si dhe në dhjetra portale kombëtare.

Kurse takimi i dytë me zyrtarë shtetëror ndodhi më 11.06.2016 në Treviso (Itali) me ish ministrin e Diasporës, Valon Murati në një aktivitet të mërgatës sonë.

Në asnjërin prej adresimeve të sipërpërmendura publike nuk e kam marrë asnjë përgjigje prej zyrtarëve përkatës të shtetit tonë!

Megjithatë, më të dhimbshmet mbeten dy takimet direkte me zyrtarët e shtetit, nga të cilat, jo vetëm që mbeta pa përgjigje, ky i fundit me ish ministrin e Diasporës, ishte edhe skandaloz, ngase ish ministri në vend të zotimit për trajtimin e kërkesave në qeveri dhe parlament,  kërkojë që kërkesat e mia (tona) t’iu nënshtrohen procedurave burokratike!

Pas përgjigjes paradoksale të ministrit, një bashkatdhetar prezent në këtë takim, kishte reaguar në këtë mënyrë; “O Florim vëllau, kot u mundove, ky nuk ka ardhur ky për neve këtu, këta të qeverisë nuk mërziten fare për problemet tona, mendjen e kanë tek paratë dhe…”!

Hapja e Konsullatës së Kosovës në pjesën veriore të Italisë, kërkesë 10 vjeçare

Pas kërkesës time për hapjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në pjesën veriore të Italisë (Treviso), një grup bashkatdhetarësh kishte organizuar edhe një Peticion me nënshkrimet e mijëra bashkatdhetarëve, por asnjëherë për këto 10 vite nuk u muarën në konsideratë kërkesat tona të arsyeshme nga institucionet e shtetit tonë!

Arsyeja e kërkesës për hapje të konsullatës në qytetin Treviso, është koncentrimi i madhë i shtetasve kosovarë në këtë provincë me rrethinë.

Per shkak të shtrirjes gjeografike të shtetit Italian, mërgata jonë nga pjesa veriore duke filluar nga Trieste, Udine, Pordenone, Treviso, Vicenza…etj, duhet t’i bëjnë hiq më pak se 500 deri në 800 km rrugë per të shkuar në Romë, humbje e ditëve të punës e kosto të lartë të udhëtimit, andaj është nevojë imediate hapja e një Konsullate të Republikes së Kosoves në pjesën veriore, ku vetëm në Provincen e Trevisos me rrethinë llogaritet të jenë dhjetramijëra shqiptar nga Kosova.

Të ndalet diskriminimi i shtetasve kosovarë

Specifikat e problemeve të mërgimtarëve në Diasporë ndryshojnë varësisht prej standardeve demokratike të vendeve respektive, mardhënjeve ndërshtetërore dhe lidhjeve miqësore që kanë me Republikën e Kosovës.

Vendi ku unë jetojë së bashku me dhjetramijëra bashkatdhetarë-Italia, njihet si njëra ndër vendet më të populluara të Bashkimit Europian me shtetas të Kosovës.

Numri i saktë i mërgimtarëve kosovar në ketë shtet nuk është bërë i ditur asnjëherë shkaku i trajtimit jo adekuat nga shteti Italian, i cili herë na trajtonte si jugosllav, herë serbë, e herave tjera serbomalazez e më së paku na trajtonte si shqiptar të Kosovës!

Pas shpalljes së pavarësisë, gjegjësisht të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, menduam se i erdhi fundi këtij trajtimi të pazakont e të padrejtë të shtetasve kosovar nga autoritetet italiane.

Mirëpo për fat të keq, odiseada e keq-trajtimit të shtetasve kosovar po vazhdon edhe në ditët e sotme. Madje kohëve të fundit, shteti italian është duke përdorur standarde të dyfishta dhe selektive ndaj shtetasve kosovar.

Varësisht prej regjioneve, provincave dhe komunave, disave ua njehë pasaportën dhe kodin shtetëror të Kosovës (160), ndërsa tjerëve pasaportën, por jo edhe kodin shtetëror. Një ndarje paradoksale e “Codice Fiscale” ndodhë edhe brenda antarëve të së njëjtës familje!

Zëvëndësimi i kodit të Kosovës (160) me atë të ish-Jugosllavisë (118), dhe vënja e siglës “YUG” në letërnjoftime dhe lejet e qëndrimit (Permesso di soggiorno), i ka vënë në lajthitje të madhe bashkatdhetarët, të cilët bredhin poshtë e lartë nëpër zyrët e “Agenzia delle Entrate” në kërkim të zgjidhjes së këtij problemi sa kompleks po aq të dëmshëm për të ardhmën pensionale.

Shumica e bashkatdhetarëve janë duke e përcjellë në heshtje ketë problem, por ka edhe të atillë që ju drejtohen zyreve legale (Avokatëve), nga të cilët “rrjepën” pamëshirshëm si pasojë e këtij paradoksi administrativ të shtetit italian.

Shqetësues mbetët fakti, sesi sigla e një shteti të vdekur (Jugosllavia) u vëhet vetëm shtetasve të Kosovës, por jo edhe serbëve, kroateve, boshnjakëve dhe maqedonëve…

Ky diskriminim ndaj shqiptarëve të Kosovës është që nga paslufta, nga koha e pasaportave të UNMIK-ut, i cili vazhdoi edhe më pasaportat e Kosovës, dhe për fat të keq po vazhdon edhe tani më pasaportat biometrike të shtetit të Kosovës.

Është momenti i fundit që të ndalet ky trend i keqtrajtimit të shtetasve kosovar nga autoritetet italiane.

Problem tjetër serioz për shtetasit e Kosovës është edhe udhëtimi i prindërve më fëmijët e posalindur nga Italia për në Kosovë.

Edhe pse më dokumente valide, çertifikata të lindjes, leje qëndrimi të rregulluara për fëmijët (Permesso di Soggiorno), nuk ju mundësohet fluturimi nga aeroportet italiane për në vendlindje pa nxjerrjen edhe të një fletudhëtimi nga Ambasada e Kosovës në Romë.

Kësisoji shqiptarët e Kosoves që jetojnë e veprojnë përkohesisht në pjesën veriore të Italisë, për shkak të shtrirjes gjeografike, ia mësyjnë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Lubjanë (Republika e Sllovenisë) për rregullimin apo nxjerrjen e ndonjë fletudhëtimi për fëmijët e posalindur në Itali.

T’i largoni fasadat mashtruese, trajtoni me dinjitet mërgimtarët

Ka vite dhe dekada që diaspora është e anashkaluar, mbase edhe e harruar nga pushtetarët. Fasadat mashtruese përmes pankartave gjigante “Mirë se vini bashkatdhetarë” dhe “Ditët e Disaporës”, bëhen për ta mbuluar plaçkitjen e sistematike të mërgimtarëve.

Diaspora ka nevojë për trajtim dinjitoz në vendlindje, duke filluar nga hyrja në pikat kufitare, me heqjen e barrierave të krijuara në formë “gjobe” mbi sigurimin e automjeteve, të marrjes së “mitos” për nxjerrjën e dokumenteve e deri tek format e “haraqit” për bizneset familjare!

Mesazhi i vërtetë i pankartave gjigante “Mirë së vini bashkatdhetarë”, i përkthyer në gjuhën e mërgimtarëve të plaçkitur i bie: “Po vjen cjapi të kasapi”. Kështu jemi bërë ne bashkatdhetarët që vijmë të ç’mallemi më vendlindjen tonë. Dikund më pak e dikund më shumë, për çdo ditë jemi rrjepur nga qeveritë paraprake për “shërbimet” qe na i ofron i yni gjysëm shtet!

E nderuara ministre Gërvalla, është tepër e dhimbëshme kur dëgjon një bashkatdhetar tëndin të dëshpruar më pritjen në Kosovë, kur thotë: “që sa vite nuk isha në Kosovë, por edhe në mos u kthefsha më kurrë malli s’më merrë për ketë vend të mallkuar”.

Qoftë ky dëshprim edhe i vetëm një bashkatdhetari duhet të jetë shqetësim për ju si qeveritarë të rinjë, prandaj vëni gishtin kokës e mendoni pak më thellë për pasojat dëshprimit të bashkatdhetarëve!

Të jeni të kujdesshëm nga besimi i marrë nga mërgimtarët dhe të vëmendshëm nga mallkimi i tyre. Sa më të kujdesshëm që të jeni ndaj mërgimtarëve, aq më komod do të ndjeheni në qeverisjen e vendit. Në të kundërtën, mosukujdesi ndaj mërgimtarëve mund t’iu kthehet në bumerang, siq ju kthye pushtetarëve paraprakë.

Qasja në mënyrë institucionale dhe pa pengesa burokratike ndaj mërgimtarëve dhe trajtimi dinjitoz në vendlindje do të ndikonte tejet pozitivisht në kthimin e besimit dhe rritjen e dashurisë ndaj shtetit nga ana e mërgimtarëve.

“Ligji Gërvalla për mërgatën” që ju reziston ndërrimit të pushteteve

Politikanët në pushtet dhe opozitë i kanë borxh qytetarëve dhe mërgimtarëve për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e stabilitetit politik, krijimin e kushteve për investime dhe zhvillim të lirë të veprimtarive afariste konformë ligjeve dhe normave demokratike.

Prandaj, ju si pushtetarë të rinjë e keni rastin historik që me veprime të përgjegjshme, të krijoni stabilitet politik dhe ekonomik, të krijoni infrastrukturë ligjore që mbronë pronat dhe pasuritë e ligjshme të qytetarëve, e në veçanti pronat e mërgimtarëve të cilat vjedhen dhe plaçkiten pamëshirshëm prej hajdutëve ordinerë të mbështetur nga krimi i organizuar.

Prandaj, u bëjë thirrje publike që që ta rregulloni me ligj mbrojtjen e pronave të mërgimtarëve dhe t’i lironi ata nga tatimi për shtëpitë e  ndërtuara pas lufte, të cilat i shfrytëzojnë një muaj në vit ose më pak, e jo të vraponi vetëm pas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që mundëson thithjen e votave të mërgimtarëve për qëllime pushtetore (siq e kërkon kryeministri Albin Kurti).

Ju ftojë publikisht që ta iniconi nxjerrjen e një ligji që e ndalon haraçin legal 22 vjeçar që ushtrohet ndaj mërgimtarëve në pikat kufitare me policat e sigurimeve, të cilat nuk u garantojnë dhe mbulojnë asgjë.

Ju zonja ministre e dini mirë, që paratë që vjelen në pikat kufitare në emër të “policave të sigurimeve” nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por në xhepat ish pushtetarëve paraprakë.

Po ashtu ju ftojë ta ndaloni me ligj haraçin legal 22 vjeçar ndaj mërgimtarëve në emër të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumentave të udhëtimit (50 euro për letërnjoftim dhe 100 euro për pasaport) si dhe të hiqen të gjitha barrierat burokratike për nxjerrjen e dokumentëve tjera për mërgimtarët, të cilët, ditët e çmuara të pushimeve i kalojnë duke pritur para sporteleve të administratës së korruptuar.

Shpresoj që kësaj radhe, kërkesave të arsyeshme të  bashkatdhetarëve t’iu jepni rrugën e zgjidhjes e nderuara minsitre Gërvalla.

Zgjidhja e problemeve, përmirëson imazhin e shtetit

E nderuara ministre Gërvalla, angazhimi i juaj i menjëhershëm në zgjidhjen e problemeve të sipërpermendura, do tua lehtësonte brengat e shumta të mërgimtarëve në prag të pushimeve verore.

Pra, arritja e shpejtë e një marrëveshje me autoritetet italiane për mundësinë e udhëtimit pa pengesa të familjeve me fëmijë të posalindur drejt vendlindjes do të ishte një ndihmesë e çmuar për bashkombasit tuaj, një akt human dhe patriotik, për të cilën gjë do të mbaheshit gjatë në mendjet dhe zemrat e bashkombasve tuaj në shtetin italian.

E nderuara ministre Gërvalla, ju ftojë që në takimin e parë me homologun tuaj italian t’i trajtoni problemet e ngritura në shkrim rreth trajtimit të shtetasve kosovarë nga zyrtarët italian, kurse në mbledhjen e parë të qeverisë t’i shqyrtoni mundësitë e hapjes së konsullatës në pjesën veriore të Italisë, përkatësisht në Treviso.

Pra, ligjin e kompletuar për mërgatën ta vëni si prioritetin numër një në agjendën tuaj dhe sa më parë ta dërgoni para ligjvënësve për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Propozoj nga këtu, që ligji të quhet kështu; “Ligji Gërvalla për mërgatën”, i cili pa mëdyshje do t’i rezistojë kohës dhe ndërrimit të pushteteve siq ndodhë në Itali, ku ligjet e mira u rezistojnë dekadave. Kësisoji do të mbaheshit gjatë në mend e mbase përgjithmonë nga mërgimtarët e shpërndarë gjithandej globit.

Ministre e nderuar e Punëve të Jashtme dhe zv. kryeministre e parë e  Republikës së Kosovës, kryediplomate Donika Gërvalla, mbetem me shpresën që kjo letër e imja të gjejë vend në agjendën tuaj si ministre dhe të bëhet pjesë e prioriteteve të Qeverisë së Kosovës.

Përvoja juaj e gjatë në fushën e diplomacisë, jeta e gjatë në emigrim, përkushtimi dhe dashuria që keni ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve, më shtynë të besoj në ju që do t’i merrni seriozisht kërkesat e parashtruara në këtë letër të hapur.

Ndihma (institucionale) në zgjidhjen e problemeve dhe brengave të shumta të mërgimtarëve do të çonte në krijimin e një imazhi pozitiv të institucioneve të shtetit dhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe lidhjen e fuqishme emocionale (shpirtërore) të mërgimtarëve me atdheun e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube