LIBRI QË PËRJETËSON BUKËN ZYMJANE

(Frrok Kristaj: “Buka e Zymit, monografi, SHSH “Shtjefën Gjeçovi, Zym, 2021)

Nga Prend BUZHALA

Posa të përmendet që në titull të librit fjala bukë, menjëherë te lexuesi do të zgjohen asociacione të shumta kuptimore dhe historike; kur u poq tulla e parë, ajo u mor si model edhe për bërjen e bukës, mijëra vjet para Krishtit. Kësisoj, edhe një autor i shquar kroat do të thoshte se emrat e parë të bukës janë gdhendur pllaka balte, në gjuhë të zhdukura: “Toka dhe brumi u gjetën në zjarr krah për krah në anën tjetër të kujtesës, më parë legjendat. Materia, koncepti, simboli, buka është produkt i natyrës dhe kulturës… Ishte një rrugë e gjatë nga drithërat e papërpunuara tek ato të gatuara, nga ushqimi i freskët në atë të pjekur. Nga vatra dhe nga hiri i bukës që u transferua në tryezë… Njeriu që e shijoi ishte ndryshe nga të parët e tij. Ai e gjeti veten në pragun e historisë.” (Predrag Matvejeviq: “Naš kruh”). Frok Kristaj na e jep edhe këtë evokim linguistik:

“Padyshim se fjala më e hershme që është gjetur e shkruar dhe e dokumentuar është fjala frigjase “Bek” e përmendur edhe nga Herodoti në anekdotën e tij me faraonin Psammetich mbi fjalën, Bukë. Në fakt, ky emërtim i hershëm “Bek=Bukë” është edhe pronë e fjalorit të gjuhës së lashtë  shqipe.” Në këtë kuadër ai qëmton edhe kërkime etimologjike siç është fjala bukë, duke u mbështetur te Gustav Majer apo Eqrem Çabej, që e nxjerrin si një fjalë të lashtë shqipe; por Kristaj qëmton edhe përdorimet frazeologjike të kësaj fjale dhe përdorimet e saj te arbëreshët e Zarës e te kroatët, ku ka mjaft furrtarë zymjanë.

Se kur do të ketë ardhur lajmi i parë për bukën, mbase mund të na e zbulojë ndonjël mbishkrim shpellash apo ndonjë vizatim i ndonjë bujku të talentuar me hapësirat rrethore.

Edhe te vepra e parë letrare botërore “Gilgameshi”, tregohet për shjimin e bukës nga Enkidu që shpreh habi kur e shijon atë për herë të parë.

1.

Frrok Kristaj përpos që është poet e autor tekstesh letrare e kritiko-letrare, është edhe autor i disa monografive, i librave publicistikë, i vëllimeve me karakter etnografik e folklorik, edukativo-arsimor dhe kulturor. Po ashtu, ka shkruar e botuar edhe vëllime të poezive për fëmijë. Do theksuar që janë edhe dy fusha të rralla që ai e sprovoi penën e tij, siç janë një libër me udhëpërshkrime, disa të tjerë me intervista që i ka zhvilluar si gazetar me personalitete të ndryshme të jetës kulturore, shoqërore, politike apo dhe fetare, si dhe një tjetër vëllim që shërben si guidë apo udhëzues turistik. Shumica e këtyre librave iu kushtohen Zymit, për të cilin ai nuk resht asnjëherë të shkuar më shumë se gjysmëshekulli. Në mesin e këtyre librave për Zymin e rreth Zymit, është edhe libri me karakter monografik me titull ”Buka e Zymit”. Përpos këtij vëllimi, Frrok Kristaj tashmë me zymjanë e organizojnë edhe manifestimin kulturor e trashëgimor “Dita e bukës zymjane”, tashmë tradicional, me tribuna shkencore dhe me ekspozime të mbi 70 lloje të gatimeve nga brumërat.

Vetë autori që në parathënie vë në pah se nuk kishte qëllim të shkruante një libër për profesionin e gatimit e të pjekjes së bukës, por shpalosjen e një kujtese, po edhe të traditave që lidhen me bukën në këto anë.

Libri ndahet në dy pjesë tematike, Në të parën përfshihen punime etnografike, folklorike apo mitologjike për llojet e gatimit, për festat e bukës  etj. e sidomos të frymës antropologjike të trajtimit, siç është punimi “Kulti i bukës” apo “Buka sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit”.

Te punimet me karakter mitologjik dallohet punimet “Buka e re – simbol i Nënës së madhe” (akti i të ofruarit të kallinjve perëndeshës Nëna e madhe, si kult i pjellorisë) apo “Demetra, perëndeshë e drithërave dhe e të korrave. Po shkëpusim një përshkrim të autorit:

“Emri i Andinit (i përfshirë në repertorin onomastik ilir), nga treva dardane, ishte gjetur në një monument mermeri afër Kaçanikut të sotëm të Kosovës. Funksionet e këtij hyu, sipas historianit të mirënjohur Zef Mirdita, përngjajnë me ato të Vidasit (Silvanit romak). Vidasi Zot, një nga emrat e panteonit ilir, është Messori ose korrësi, i cili ka rol dominant në kultin e pjellorisë- bujqësisë.”

Edhe punimi ”, “Gruaja zymjane si hera pellazge” (personifikim i besnikërisë dhe i fitimit të titujve hyjnorë) është një trajtesë me karakter mitologjik, por edhe karakterologjik. I kësaj fryme, gjithsesi me trajtim të frymës antropologjike, vjen punimi “Shqiptaret më nikoqiret në Evropë”, duke theksuar se gratë shqiptare, përpos që janë të njohura si nikoqire, ato janë të njohura edhe për gatime dhe për punë shtëpie, duke e mbështetur këtë pohim te një anketë e Komisionit Evropian, të bërë në gusht të vitit 2018.

Duke e trajtuar aspektin antropologjik të bukës (Kulti i bukës”), theksohet se buka historikisht  ndër shqiptarë, është vlerësuar jo vetëm si bazë jetese, por edhe si kult, si diçka e shenjtë dhe është arritur deri aty, sa që asaj t’i jepet edhe natyrë mistike e besëtytnie e ku lidhen tradita, mëkatet, besa etj. edhe vendi ku gatuhet ajo, është vend i shenjtë, posi buka, mu ashtu sië është edhe sofra. E pra, hapësirat sakrale ndërlidhen me bukën. Autori i shënon përdorimet frazeologjike që marrin trajtën e një beje a mallkimi, siç janë: Pasha bukën, Mi qorroftë sytë buka, E paça mall bukën etj! në traditën hasjane përdoret “Buka e mikut”, e cila ruhet për kalimtarë a miq. Se sa përkushtim jetësor ka zymjani për bukën, përmendet edhe rrëfimi për të dënuarin me vdekje, të cilin e pyesin para ekzekutimit: “A ke qenë ndonjëherë ma në zor se sot”, kurse ai i ësjhtë pprgjigjur: “Po, ma në zor se sot kam qenë kur më kanë ardhur mysafirët në shtëpi e nuk kam pasur bukë t’u qes përpara”! Më tutje shkoqiten edhe aspekte të tjera të kësaj tradite për bukën e bukëdhënin. Shqipatrët e të gjitha besimeve shqiptojnë lutjen e bukës, siç ështël e njiohur lutja “Bukën tonë të përditshme na e jep sot.”

Këso këndvështrimesh me karakter antropologjik spikaten edhe te punimi “Buka sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit”, në të cilin autori thotë:

“Në gjithë literaturën e trashëgimisë kanunore te shqiptarët, e veçmas te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që e mblodhi dhe e kodifikoi Atë Shtjefën Gjeçovi, del se “Shpia e shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut” (Paragrafi 602). Si duket Atë Shtjefën Gjeçovi derisa e kishte vizituar Zym apo kishte shërbyer në Zym, u njoh me rëndësinë që zymjanët, përkatësisht hasjanët ia kushtonin bukës. Ai te banorët e kësaj treve e gjeti shprehjen që i bëhet mikut për mirëseardhje me “Bukë e krypë e zemër” (Paragrafi 608). Bile thuhet se “Kur të vjen miku në shtëpi, e hanë bukën e vet”,  por edhe se “Mysafiri vjen me nëntë të mira, tetë i le te miku që e viziton, kurse vetëm me një kthehet”, që do të thotë se mysafiri sjell bereqet në shtëpinë që shkon. Ndaj, po të hyri miku në shpi, gjak të pasë borxh, do t’i thuash “Mirë se erdhe”. Nga kjo del se edhe sot njihet dhënia e bukës dhe mikpritja e hasjanëve.”

Me interes etnografik është punimi studimor “Festat e bukës”, e ku ndër këso kremtesh shtjellohen “Kulaçi i buzmit dhe kuleçtë për të afërmit”, që përcillet me ceremoni rituale në vigjilje të krishtlindjeve, pastaj “Silla e bijave” që mbahet tri javë para krishtlindjeve, apo “E enjtja e flijave”, “E diela e petullave – Të lidhnet”, “E martja e t’lidheve”, “Lakrorët apo pitet me monedhë për Shën Jozef”, “Buka na bashkon”, “Kungimi”, “Buka e bekuar”, “Përpeqi i të dielës së Pashkëve”, “Përsheshi me tambël për Shën Gjergj”, “Lama e aprë dhe zhveshja e fundit”, “Pitja me kungull për Shën Prene”, “Kulaqi i nuses” etj. Bie  në sy edhe trajtesa “Darka e lamës”, që vjen nga kohët ilire.

2.

Te pjesa e dytë trajtohet historiku i bujkëpjekësisë në kuadër të historisë së njerëzimit, ku egjiptianët e lashtë, tremijë vjet para Krishtit, përdornin teknikë të sofistikuar në pjekjen e bukës, duke vazhduar me këtë historik dhe artizanatit të gatimit të bukës edhe nëpër shekujt tjerë, gjithnjë duke u mbështetur te burimet historike. Mirëpo, përqendrimi te ky historik ndalon te furrtaria e Zymit, që zë fill para vitit 1700. Frrok Krsitaj thekson:

“Zymjanët  kishin gatuar bukë në tërë Gadishullin Ilirik (tash Ballkan). Madje më së shumti ishin përqendruar në Nish. Në këtë qytet kishin qenë më shumë se 25 dyqane furrtarësh nga Zymi”, me argumentimin e autorit anglez Johan Ross, se e gjithë pjesa perëndimore e Sanxhakut të Nishit ishin shqiptarë. Janë këta furrtarë që e krijuan edhe mërgatën shqiptare, por duke e ruajtur të pashprishur identitetin e vet shqiptar, dashuri në ndaj vendlindjes dhe traditat e tyre burimore, kudo që të jetojnë.

Zgjkon interes punimi “Furra e parë në Zym”, në të cilin përmendet fakti se që më 1705 punonte në zejen e bukëpjekësit Tunë Dejë Koldoçi. Vijnë dhjetëra emra zymjanësh që kanë punuar deri në Selanik, Vjenë, Romë, në Turqi, në Bullgari, apo nëpër vise e qendra të ndryshme të Kosovës. Në punimet tjera autori merret me procesin e gatimit e të pjekjes së bukës, me llojet e miellit e llojet e bukës. Nuk mungojnë edhe tekste siç janë ato për lutje, apo citime lirikash rituale, kurse mbamendjen historike e ndriçon me shkrimet si “Serbi helmoi vreshtat e Zymit”, “Shqiptarët kah mbreti ose kah deti”, “Furrtarët e vrarë”, “Guri i kurbetçarit” etj. në ndihmë të kësaj kujtese, gjithsesi janë edhe manifestimet e monumentet siç janë ai për Nënën e Zymit, apo për kurbetçarët, muzeu i bukës, apo manifestimet si takimet  Gjeçovit etj. këtyre ngjarjeve autori merr shkrimet e tij publicistike e me frymën e trajtimit të reportazhit, shkrime nga shtypi, ashtu siç vijnë në fillim e në fund edhe dy njësi tekstuale: parathënia dhe përshkrimi i qendrës së Zymit në fillim, dhe Poezi për bukën nga autorë shqiptarë, me motive të larmishme, po edhe me reflektime të gjetura artistike.

3.

Kur i biem në fund leximit të këtij libri, do të vërejmë që përkushtimet e tij Frrok Krsitaj i këndvështron në dy aspekte: për bukën si çështje ekzistenciale, si vlerë materiale, por edhe për bukën si vlerë shpirtërore. Nuk e thoshte kot Mahatma Gandi: “Ka njerëz në botë aq të uritur, saqë Zoti nuk mund t’u shfaqet atyre veçse në formën e bukës.” Dhe nuk është e rastit përse lutja kryesore është ajo për bukën. A nuk janë zhvilluar edhe luftërat për ekzistencë pikërisht për shkak të bukës? Paqja sociale dhe ajo njerëzore përgjithësisht, sigurohet, po qe se sigurohet buka. Janë po aq domethënëse vlerat e kësaj tradite, kur mikpritjen , besën, apo vlerat  njerëzore shikohen e vlerësohen sipas bukëdhënies e pjekjes së bukës, mu aty ku pasuri është edhe nderi aq sa buka. Përfytyrojeni njeriun që nuk i jep bukë qenies që po vdes nga uria, ndërsa shqiptari e ndan edhe kafshatën e fundit për mikun! “Shpresa është buka e të varfrit” (Gary Herbert).

Kurse Frrok Kristaj e thur shkrimin evokimit të pjekjes së bukës, evokimin e kënaqësisë së shijes së viteve të tij të hershme, siç e thotë që në fillim.

Pranë trajtimeve për bukën, autori zgjedh poezinë, si ushqim të shpirtit. Le ta kujtojmë Pablo Nerudën, kur ligjëronte: “Paqja hyn në bërjen e një poezie ashtu siç mielli hyn në bërjen e bukës”  apo të një poeti tjetër amerikan, W.H. Auden: “Arti është mjeti ynë kryesor për të thyer bukën me të vdekurit.” Kurse diçka përtej një ndjesie të thelë njerëzore, do ta ketë shtyrë Dostjevskin kur shkruante: “Nuk ka gjë që është më pozitive se buka”, ose Servantesin te “Don Kishoti i Mançes”: “”Me bukën të gjitha dhimbjet janë më pak”.

E autori, si pjesë sakrale të thyerjes së hirshme të copës së bukës, e ndan këtë kujtesë në shenjë homazhi historik me zymjanët e djeshëm e të sotëm.  Janë mësimet e mëdha të bamirësisë e të humanizmit, që sot i drejtohen botës: që kjo copë buke të mos i mohohet askujt, që grushti i miellit t’i jepet atij që nuk e ka, duke e ndarë me secilin edhe dhimbjen, dhe gëzimin, si copë buke. Poetët, kur shkruajnë vargje për bukën, ata shijojnë diçka më shumë se sa një qiell me yje, apo kur sofrën e krahasojnë  me madhësinë e tokës. Ajo njësohet me dashurinë, siç evokonte edhe Nëna Tereze urinë për dashuri.

Nderimi poetik është po aq lartësues sa ai i shpirtit popullor. Mu ashtu si shpirti zymjan që këtë bukë do ta konsiderojë si mbretëreshë të tryezës, siç do të shprehej një romansier.

Ky libër ka vlerë të shumëfishtë jo vetëm historike, por edhe të fushave të tjera shkencore, siç janë ato që u përmendën më lart.

(Punim i lexuar në përurimin e librit, në TAKIEMT E GJEÇOVIT në Zym, më 29 tetor 2021)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube