Lubinja

Nga Edison Ypi

Lubinja, 5 kilometra nga Gramshi, mbi faqe mali.

Katundet e tjerë andej rrotull, Mollas, Drithas, Dardhas, Guras, etj, emra që ua vuri kurvi në vend të emrave të vjetër, ta shpifin, janë emra për ibret, duken si depo kooperative.

Katundet e tjerë kanë lapidarë, kanë përkujtimore, flasin për luftën, mburren se kanë kaq e aq Dëshmorë.

Lubinja s’ka as lapidarë, as përkujtimore, as Dëshmorë, dhe asgjë tjetër që lidhet me budallallëqet kriminale diktatoriale. Për Lubinjarët lufta s’ka ekzistuar. Për lubinjarët luftën e shpikën leckamanët, zhulanjosët, proletarët, për të justifikuar dhunën me pasoja katastrofike kundër fisnikëve.

Katundet e tjerë janë të panginjur, nguten të kenë sa më tepër, mburren sa herë i shtojnë diçka vetes.

Lubinja është e përmbajtur. Kujdeset të ketë aq sa punon, aq sa meriton.

Fqinjët e Lubinjës bëjnë çmos të paraqiten sa më modernë, me zakone të reja, me veshje sipas modës.

Lubinja është, dhe gjithmonë do jetë, si qëmoti, me zakone të vjetra, me veshje tradite.

Andej rrotull këndojnë këngë të reja, me fjalë të pista, me përmbajtje shtazarake.

Lubinja këndon vetëm këngë të vjetra. Këngë dashurie me nënkuptime të bukura dhe të thella. Që duhet të vrasësh mendjen tua rrokësh kuptimin e hatashëm të nënkuptimit të fshehur.

Ata festojnë 8 Nëntorin, ditën e themelimit të partisë së kurvit nga serbët.

Lubinja feston Ditën e Pranverës,  Ditën e Rrushit, Ditën e Qershisë, Ditën e Ullirit.

Ata kanë shtëpi të bukura, me avlli, verandë, kopësht, të sistemuara të gjitha.

Lubinja nuk i ka shtëpitë fort të ujdisura. Të ndrequra mrekullisht si me kompjuter, Lubinja ka vreshtat, parcelat e qershive. Shtëpitë e Lubinjës, në vend të verandës së katit të parë, kanë nga një servis modest me veglat e duhura për të ndrequr Mitsubishin ose Fordin, traktorin, diskun, korrësen.

Ata s’lënë gur pa lëvizur për tu dukur qytet, qytetarë.

Lubinja bën çmos të mbetet si ka qënë dhe si është, katund.

Muzika e tyre është tallavaja, dhe çmendurira dhe turpe të tjera.

Muzika e Lubinjës është kënga dehëse e Bilbilit, shushurima shëruese e përroit, lehja e bulldogëve që shoqërojnë bagëtinë nëpër kullota të mos e çajë ujku, simfonia e këmborëve që të lë pa mënt, zukatja e bletëve, avazi i gjinkallës, rock and rolli i skiles mbi dërrasat e kotecit të shpezëve, pulave e gjelave.

Të tjerët mburren se në katundin e tyre kanë kisha, xhamia, që në fakt nuk i frekuentojnë.

Lubinja s’ka as kisha, as xhamia. Lubinja ka kështjellë të lashtë, rrënuar nga luftra të vjetra,  histori të mbuluar dhe të ngatërruar nga mjegullat e shekujve, tymi i barotit, të shtënat e topave.

Katundet e tjera mburren se katundin e tyre e kanë vizituar kaq e aq kuadro partie, nëpunësa të lartë, drejtora ministrie.

Në Lubinjë s’ka vënë këmbë kurrë asnjë aparatçik, asnjë burokrat, asnjë sekretar partie.

Ata qethen të gjithë njësoj. Pijnë të njëjtat kanoçe me helme me ngjyra. Janë të gjithë në Fejsbuk. Të gjithë me telefon në vesh.

Lubinjarët qethen si u do qefi. Pijnë vetëm dhallë. Nga Interneti, celulari, Fejsbuku, i zë makina, u vijnë zorrët te fyti.

Ata hanë sikur kullosin, një sufllaq këtu, një hamburger atje.

Lubinjarët shtrohen të hanë në orë të caktuara, specialitete bio sulovare, gjithmonë bashkë me familjen.

Ata sesi janë, si të zbehtë, si të sëmurë, lodhen shpejt, u rrjedhin qurrat, ikin rrugës të kërrusur duke u luhatur, duke u kollitur.

Lubinjarët as kolliten as qurraviten. Lubinjarët janë të fortë dhe të shëndetshëm si lisa shekullorë. Hanë lakror me fasule, ose me qumësht, ose me hithra. Kur ecin me cfurk mbi sup duket sikur vallzojnë valle të vjetra nga koha e Vilajetit të Çartallozit, pjesë e të cilit, Sulova ka qënë.

Ata bjenë të flenë mbi dyshekë me zbukurime turke katundareske. Mbulohen me batanie leshi sintetik.

Lubinja bje të flerë spartançe. Shtrojë, gjethe pylli. Jorgan, Qielli me yje.

Ata gdhihen me kokën e rënduar plot britma dhe sherre nga rakia e ahengut mbrëmë. Q’aty, drejt e në kafene. Për tjetër raki. Për tjetër kafe.

Lubinja gdhihet e lehtë si sorkadhe. Vrik e në punë. Te ullinjtë, vreshtat, qershitë.

Ata kultivojnë fshehtas hashash.

Lubinjës kurrë nuk i ka vajtur në mendje.

Ata vidhen e vjedhin, vriten e priten.

Në Lubinjë s’ka ndodhur kurrë asnjë krim.

Ata janë muslimanë e kaurrë.

Lubinjarët nuk e dinë se çfarë janë, ndoshta paganë.

Ata janë fatpjerdhur.

Lubinja është e lumtur.

Ata janë meshkuj.

Lubinja është Femër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube